Kosovë: Arinjtë trajtohen si ilaç për gjithçka

Kosovë: Arinjtë trajtohen si ilaç për gjithçka

Ariu është i mbrojtur rreptësisht në Evropë, megjithatë në Komunën e Shtimes, ai gjuhet për të marrë dhe shitur produkte prej tij, si p.sh. dhjami i ariut. Jo vetëm dhjamit i atribuohet efekt shërues.

Autorë: Vjosa Çerkini, Michael Bird, Ovidu Stancu, Stefano Petrelli, Andrei Cotrut, Răzvan Zamfira 

33 kilometra larg nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, duket se në disa fusha njerëzit nuk kanë arritur ende në kohën moderne. Në rrethinën e Shtimes arinjtë gjuhen, sepse dhjami i ariut besohet se ka fuqi shëruese.

Banorët e fshatit Belincë, në rrethinën e Shtimes, pretendojnë se ai ka efekte shëruese si nga jashtë ashtu edhe nga brenda. Thuhet se për shembull ndihmon në shërimin e lëkurës pas djegieve ose kur dikush ka një infeksion në traktin gastrointestinal. Shitësi të jep gjithashtu edhe informacion se si duhet të përdoret dhe dozimin e dhjamit të ariut.

Për të shkuar dhe për të gjetur dhjamin e ariut në fshatin Belincë nuk ka asnjë reklamë zyrtare apo tabela që të drejtojnë te produktet e ariut. Vetëm pyetja direkte tek banorët apo kalimtarët do t’ju japë informacione për fshatrat ku mund të blini këto produkte.

Edhe kur arrini në një nga fshatrat e përmendura, si për shembull në Belincë, prapë kërkimi i tabelave për produktet e ariut është i kotë. Nuk është çudi, pasi arinjtë janë të mbrojtur rreptësisht në Evropë.

Elza Ramadani, themeluese e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, thotë: “Gjuetia e arinjve është rreptësisht e ndaluar, edhe në zonat e përcaktuara për gjueti.”

Në Belincë, një vendbanim me rreth 100 shtëpi, nuk është e vështirë të gjesh shitësit e dhjamit të ariut. Cilindo që pyet, të drejtojnë menjëherë në një shtëpi të bardhë dy-katëshe. Madje të japin edhe emrin e pronarit, S.. Kontakti fillestar është i kujdesshëm dhe i matur.. Kur parkon makinën në pronën e shtëpisë dy-katëshe, menjëherë del një grua e moshës rreth 50-vjeçare dhe të pyet për arsyen e vizitës.

Shtimja ndodhet në shpatet e Malit të Sharrit, majat e të cilit shënojnë kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Pas fshatit ngrihen kodrat deri në mbi 1,000 metra, duke vazhduar deri në majën Rudoka, që arrin lartësinë 2,658 metra. Shumica e shpateve janë të mbuluara me pyje deri në vijën e pyjeve. Një zonë ideale, e gjerë për arinjtë, që u ofron kushte të mira jetese për verën dhe dimrin.

Shitësit: “Dhjami i ariut” funksionon. E kemi testuar në veten tonë.

Në këtë peizazh të mrekullueshëm, duhet të lutesh pothuajse për të marrë substancat. Vetëm nëse përshkruani një sëmundje, si për shembull një djegie në familje, merrni miratimin për produktin e ariut. Por shpesh jo menjëherë, por për ditën e ardhshme. Pyetjes për burimin e produktit, gruaja i përgjigjet me fjalë të shkurtra: “Bashkëshorti im e ka siguruar.”

Kosovë: Arinjtë trajtohen si ilaç për gjithçka

Gjatë dorëzimit të produktit, jepen edhe udhëzime, pasi natyrisht nuk ka fletë-udhëzues. “Këtu është dhjami, ruaje në frigorifer”, thotë shitësja, dhe vazhdon: “E vendos në plagë si një krem.” Nuk është e nevojshme ta shkrijmë apo ta përgatisim ndryshe. Efekti i supozuar arrihet përmes thithjes në lëkurë. Por gjithashtu edhe për problemet e stomakut ose traktit tretës, dhjami ndihmon: “Në ato raste, merr një lugë çaji menjëherë pas zgjimit, pastaj bëj një pushim, mos ha ose pi asgjë, që dhjami të ketë mundësi të veprojë”, thotë shitësja. Dhe ajo jep edhe provën për fuqinë shëruese: “Ne e kemi testuar në veten tonë.”

Më në fund, vjen edhe pyetja e drejtpërdrejtë për prejardhjen e blerësve. Sipas saj përcaktohet edhe çmimi. Për diasporën kosovare 100€, ndërsa për vendasit është rreth 30€, për një enë të vogël të mbushur me dhjam ariut.

Kastriot Korro, profesor në Universitetin e Tiranës për Bujqësi, merret me fenomenin se arinjve u atribuohen fuqitë shëruese. Ai ka studiuar edhe fusha të tjera të përdorimit. “Dhjami i ariut përdoret për trajtimin e reumatizmës apo artritit,” thotë profesor Korro, dhe vazhdon shumë serioz: “por edhe kundër syrit të keq ose magjisë.” Besimi popullor thotë se dhjami i ariut përshpejton shërimin në përgjithësi dhe i jep njerëzve forcë. I pyetur për vërtetësinë e këtyre teorive shëruese, Sajmir Shehu, koordinator i projektit Four Paws në Shqipëri, jep vetëm një koment përçmues: “Jo, gjithçka është marrëzi.”

Efekti i dhjamit të ariut: “Gjithçka është marrëzi!”

Ministria e Mjedisit në Kosovë mohon të ketë njohuri për tregtimin e dhjamit të ariut pranë Prishtinës. Nexhmije Kamberi, drejtoresha për biodiversitet në ministri, thotë: “Nuk kemi informacion për këtë, por do të pyesim autoritetet lokale se si të zgjidhim këtë problem. Kjo është në çdo rast e ndaluar.”

Provat ekzistojnë prej kohësh. Në Kosovë, Arian Mavriqi është përkushtuar fotografimit të kafshëve të egra. Ai është në terren ditë e natë me aparatet e tij të fotografisë, të cilat ngjajnë me fuçi topash, për të dokumentuar kafshët në dritë të dobët dhe në distanca të mëdha dhe për të kapur fotografitë më të mira.

“Në fotografitë tona shohim edhe gjuetarë të paligjshëm”, thotë Arian Mavriqi, “kemi dokumentuar gjithashtu raste të arinjve që duket se janë të plagosur.” Megjithatë, këto zbulime nuk kanë pasur asnjë pasojë të dukshme. Elza Ramadani është e bindur se “Ka shumë raste të gjuajtjeve të pa raportuara, kundër të cilave do të ndihmonte vetëm një mbikëqyrje më e mirë me më shumë inspektorë.”

Marrëdhënia midis njerëzve dhe arinjve është zakonisht e tensionuar. Blegtorët ankohen se kafshët e tyre rripen, ndërsa njerëzit në fshatrat malore ndihen të kërcënuar kur arinjtë hyjnë në fshatrat e tyre dhe kërkojnë ushqim në plehra. Ka pasur raste të izoluara kur njerëzit janë sulmuar dhe vrarë, si p.sh. më 10 korrik në Karpatet Rumune, kur një turiste 19-vjeçare humbi jetën gjatë një ecjeje për shkak të një sulmi nga një ari.

Njerëzit pushtojnë territoret e arinjve, jo anasjelltas

Konflikte ndodhin veçanërisht kur njerëzit pushtojnë territoret e arinjve. Në Kosovë, për shembull, në vendin Prevallë në Malin e Sharrit. I ndodhur 1,500 metra mbi nivelin e detit, në rrugën që lidh Ferizajn dhe Prizrenin, nga një vend pushimi i dikurshëm është shndërruar në një vendbanim që përfshin gjysmën e malit. Ose në Brezovicë, një vend që gjithashtu ka bërë bujë për shkak të ndërtimeve të shumta, shumë prej të cilave janë të paligjshme.

Kosovë: Arinjtë trajtohen si ilaç për gjithçka

Për Elza Ramadani, edukimi është mundësia kryesore për të zbutur marrëdhëniet e tensionuara mes popullatës dhe arinjve. “Dija e pamjaftueshme është problemi kryesor. Ne si shoqëri dhe komb duhet të jemi më të edukuar përmes institucioneve, shkollave dhe të tjerëve, për të ditur se si duhet të sillemi në natyrë,” thotë Elza Ramadani. “Kur shkoj në male me qenin tim, ku ka arinj, duhet ta mbaj qenin afër meje!”

Një kthesë pozitive në marrëdhëniet mes njerëzve dhe arinjve përfaqëson parku i arinjve në Prishtinë. Aktualisht, këtu jetojnë 13 arinj, të cilët janë shpëtuar nga kafazet pranë restoranteve dhe nga pronësia private, duke u ofruar atyre kushte të përshtatshme jetese. Që nga viti 2014, zyrtarisht nuk ka më arinj të mbyllur në kafaze në Kosovë. Arinjtë këtu kanë të gjithë emra.

Ariu që ishte i alkoolizuar

Afrim Mahmuti, drejtori i parkut të arinjve, shpjegon: “Njëri nga arinjtë, i cili arriti këtu gjysmë i verbër për shkak të luftërave në një kafaz të ngushtë me një ari tjetër, quhet Stevie, si këngëtari Stevie Wonder.” Gjina është gjithashtu një rast i veçantë, ajo erdhi nga një restorant në Shqipëri. “Ajo ishte alkoolizuar deri në 20 birra në ditë. Kjo e bëri jetën e saj këtu të ndërlikuar,” shpjegon Afrim Mahmuti. “Këtu ajo po rehabilitohet me ndihmën e trajtimeve të veçanta për ta normalizuar përsëri.”

Sot, vizitorët dhe grupet shkollore mund të vijnë dhe të shohin arinjtë dhe të informohen. Afrim Mahmuti shpjegon gjithmonë: “Ariu i përket natyrës dhe atje duhet ta mbrojmë.” Për arinjtë këtu, kujdestarët kanë menduar diçka për t’u siguruar që jeta e tyre të jetë më interesante dhe sfiduese: “Sa i përket ushqimit, ka vende të fshehta dhe lojëra që i nxisin arinjtë të jenë aktivë.”

Për Afrim Mahmutin, njerëzit në lidhje me arinjtë kanë vepruar në mënyrë shembullore me krijimin e parkut të arinjve. Jashtë në natyrë, kjo nuk është ende arritur as në Kosovë, as në Evropë.

Ky hulumtim është financuar nga Journalismfund Europe.