Kosovarët më dorëlirë se gjermanët në financimin e energjisë së pastër

Kulmet e zbardhura të shtëpive në afërsi të termoelektranave të KEK-ut dhe frymëmarrja e vështirësuar nga lirimi i gazrave nga trafiku i stërngarkuar brenda qyteteve tona na bëjnë shumë pak me dije se sa i ndotur është ajri nga lirimi gazrave serrë.

Ne, edhe në këto rrethana, vazhdojmë me punët tona të përditshme. Saktësisht kjo e bën më të vështirë trajtimin e problematikës së luftimit të ndotjes së ajrit dhe vetëdijesimin e shoqërisë në këtë tematikë.

Në aspektin global shohim se sasia akullnajave në Antartik po zvogëlohet çdo ditë e më shumë, vërshimet janë shpeshtuar dhe intensiteti i tyre është rritur.

Zjarret në Kaliforni, Australi, Portugali dhe në Greqinë e afërt na kujtojnë trishtimin. Toka po përjeton ndryshime të mëdha në një kohë shumë të shkurtër si pasojë e aktivitetit të shtuar industrial.

Pikërisht për këto arsye institucionet e Kosovserrës kanë vendosur t`i bashkohen vendeve tjera në trajtimin e problematikës së ndotjes së ajrit dhe ndryshimeve klimatike nserrë mënyrë që të sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në harmoni me ambientin.

Qëllimi është i mirë, mirëpo pyetja është se a janë zgjedhur dhe dizajnuar politikat më efektive dhe eficiente?!

Nuk ka më dyshim se me revolucionin industrial filloi grumbullimi i gazrave serrë në atmosferë dhe për çdo ditë efektet serrë në ndryshimet klimatike po rriten.

Një çerek nga gazrat serrë të grumbulluara në atmosferë vijnë nga prodhimi i energjisë elektrike dhe asaj të ngrohjes, si pasojë e përdorimit të lëndëve djegëse fosile (p.sh thëngjill, gaz, derivate të naftës).

Përdorimi i thëngjillit në procesin e prodhimit të energjisë elektrike shkakton në të njëjtën kohë ndotjen e ambientit nga lirimi i gazrave serrë, që në gjuhën ekonomike njihet si kosto e jashmte negative shoqërore (negative external cost) dhe janë të padëshirueshme që, ndër të tjera, mund të jenë ulja e produktivitetit të sektorit bujqësor, apo edhe rritja e numrit të sëmurëve me tumore të ndryshme.

Me qëllim të uljes së lirimit të gazrave serrë, qeveritë e ndryshme kanë implementuar taksa (dhe sisteme të tjera nxitëse) në lirimin e gazrave serrë, në mënyrë që prodhuesit e energjisë elektrike (për shembull KEK-u) të bartin jo vetëm koston e shfrytëzimit të thëngjillit por edhe koston e jashtme negavtive shoqërore nga lirimi i gazrave serrë.

Hulumtimet empirike tregojnë, fatkeqësisht, se këto taksa kanë qenë historikisht aq të ulëta sa që efekti i tyre në nxitjen e investimeve në teknologji (energjive të ripërtëritshme) me efekte neutrale në ambient dhe si rrjedhojë në zvogëlimin e lirimit e gazrave serrë është pothuajse jo ekzistente.

Si rrjedhojë, shumë vende të botës e veçanërisht ato evropiane me Gjermaninë si udhëheqëse, për gati dy dekada subvencionojnë rritjen e kapaciteteve të energjive të ripërtëritshme që vijnë kryesisht nga shfrytëzimi i energjisë së diellit dhe të erës.

Sipas teorisë ekonomike dhe studimeve të fundit empirike, përdorimi i mekanizmave të tregut është mënyra më eficiente dhe efektive për të adresuar problemet ambientale.

Pra, vendosja e një takse mjaftueshëm e lartë do të jepte sinjale të duhura për investime në teknologji të ndryshme që shfrytëzojnë burimet e ripërtëritshme dhe jo ato fosile. Thjesht, organet shtetërore me këtë garantojnë internalizimin e kostove ambientale, e hapat tjerë i lihen tregut të lirë. Në këtë rast qeveria vendosë një taksë për çdo kilogram CO2 që lirohet në atmosferë nga prodhuesit e energjisë elektrike. Hulumtimet empirike tregojnë se taksat e kësaj natyre barten pothuajse 100% në faturat e energjisë elektrike që familjet dhe bizneset i paguajnë. Të hyrat e kësaj takse mund të shpërndahen në projekte ambientale, por edhe në përkrahjen e familjeve që mund të mbingarkohen, dhe të bizneseve që iu dobësohet konkurrencshmërinë si pasojë e faturave më të larta të energjisë elektrike.

Ndërsa argumentohet se subvencionet janë zgjidhja e dytë e mirë (sub-optimale) drejt dekarbonizimit të gjenerimit të energjisë elektrike. Kjo sepse qeveritë caktojnë teknologjitë që do të subvencionohen dhe lartësinë e subvencioneve.

Pra, nuk është tregu ai i cili dërgon sinjale tek investitorët se cilat teknologji duhet të zhvillohen dhe në cilat është më profitabile të investohet, por është qeveria apo më mirë të themi, një grusht i ngushtë i njerëzve, që ne i njohim si borde.

Kosova është nënshkruese e Traktatit  të  Komunitetit  të  Energjisë, me çka ndër të tjera pranoi obligimin për integrimin e energjive të ripërtëritshme.

Në këtë rrugë Kosova, njësoj si shumica e vendeve evropiane, vendosi të adresojë reduktimin e emetimit të gazrave serrë me anë të subvencioneve.

Pra, janë organet shtetërore, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), ato të cilat përcaktojnë se sa përqind e energjisë elektrike do ta ketë burim ujin, erën, diellin, gjeoterminë, apo edhe gazin e thëngjillin.

Në të njëjtën kohë, ZRrE përcakton edhe shumën monetare për subvencionimin e prodhimit të 1 MW energji elektrike nga teknologjitë, për shembull, të erës, diellit, gjeotermisë, ujit, etj.

Siç është cekur më lart, i gjithë ky proces nuk është i bazuar në sinjalet që investitorët i kanë marrë nga tregu i lirë se mbi të cilin çmim është e leverdishme të investohet në teknologji të caktuara, por nga bordi  prej pesë personave.

Duke e pasur parasysh se Kosova vuan nga mungesa e ekspertizës vendore dhe kapaciteteve njerëzore për të adresuar tema kombëtare të rëndësisë së lartë, i tërë ky proces bëhet më i vështirë në zgjidhjen e çështjeve të furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike me çmime të përballueshëm pa e dëmtuar ambientin dhe, në të njëjtën kohë, konkurrentshmërinë e industrisë vendore.

E kur krejt kësaj ia shtojmë edhe lehtësinë e korruptimit të bartësve të këtyre pozitave, atëherë është e vështirë të flitet për shpërndarje eficiente të resurseve kombëtare.

Le t`i shikojmë disa fakte që dalin nga subvencionimi i energjive të ripërtëritshme në Kosovë dhe në Gjermani, ku kjo e fundit njihet si udhëheqëse në promovimin e energjive të ripërtëritshme nëpërmjet subvencioneve.

Kur i marrim shumën e subvencioneve vjetor të Gjermanisë dhe i pjesëtojmë me numrin e banorëve shohim se subvencionet vjetore për energjitë e ripërtëritshme në Gjermani sillen rreth 300 euro për kokë banori. Ndërsa, Kosova me futjen në punë të kapaciteteve prej 485MW energji të ripërtëritshme (ujë, erë, diell dhe gjeotermi) do të paguajë rreth 70 euro për kokë banori në bazë të tarifave nxitëse të miratuara nga ZRrE.

Nëse ndalemi këtu, atëherë kjo ta jep ndjenjën se qytetari mesatar gjerman është rreth tri herë më i ngarkuar se sa qytetari mesatar kosovar në reduktimin e gazrave serë në atmosferë. Mirëpo, nëse e bëjmë dallimin e fuqisë prodhuese të shtetit gjerman dhe atij kosovar, atëherë e gjithë pasqyra ndryshon.

Gjermania paguan vetëm 0.75% të bruto prodhimit vendor (BPV), ndërsa Kosova mbi 2.02%. Pra, qytetari kosovar mesatar është i ngarkuar 2.7 herë më shumë se qytetari gjerman mesatar.

Ky disbalanc vjen, në njërën anë, si rrjedhojë e mungesës së politikave të mirëfillta energjetike që Kosova po i ndjek. Në anën tjetër, personat që mbajnë këto pozita duhet të kenë parasysh xhepin e shtetit të njomë të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe të tregojnë përgjegjshmëri dhe profesionalizëm më të lartë kur të adresojnë çështjet e subvencionimit të energjive të ripërtëritshme.

Së fundi, ZRrE vendosi të subvencionojë kapacitete të reja të energjisë solare prej 20 MW në bazë të tarifës nxitëse me një shumë prej 85.5 euro për 1 MW energji elektrike. Kjo formë e përcaktimit të tarifave nxitëse përpos se nuk e respekton asnjë ligj të ekonomisë së lirë të tregut, e ngrit një pyetje shumë legjitime, pse bash 85.5 euro e jo ta zëmë 85 euro ose 86 euro.

Me qëllim të bërjes transparente të procesit të vendimmarrjes, bordi i ZRrE-së duhet t`i publikojë studimet që janë bërë për llogaritjen e kësaj shume duke përfshirë faktet që kanë çuar në ndërrim të çmimit në mes të rrugës.

Nëse ka diçka të tillë, çka unë në parim dyshoj, është shumë me rëndësi të analizohen në detaje metodat e përdorura. E them në shumës, metodat, sepse metoda të ndryshme japin rezultate të ndryshme varësisht nga supozimet e bëra në prapavijë të modelit për përcaktimin e tarifës nxitëse. Pra, edhe këtu ka hapësirë për manovrim. Nëse ZRrE nuk ka zhvilluar kapacitetet njerëzore për të bërë analiza të tilla, atëherë ka institucione kredibile vendore ose ndërkombëtare që mund të kontaktohen, sepse kemi të bëjmë me shuma milionëshe që në të ardhmen do të paguhen. Qysh thotë populli “ia vlen barra qiranë”. Mirëpo, është esenciale që vendimmarrësit t’i dëgjojnë ekspertët e brendshëm të ZRrE-së apo ekspertët e huaj.

ZRrE të paktën duhet të lëvizë në futjen e ndonjë mekanizmi të tregut për përcaktimin e shumës me të cilën do të subvenciohet energjia e ripërtëritshme. Për shembull, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka bërë thirrje që ky proces të zhvillohet nëpërmjet një ankandi. Në parim, ankandi është një instrument tregu, mirëpo nuk është imun ndaj keqpërdorimeve që mund të bëhen. Prandaj, dizajnimi i ankandit duhet bërë me shumë kujdes ashtu që hapësira për manipulime gjatë ankandit të jetë minimale.

Siç është cekur më lartë, zgjidhja ma e mirë për t`i eliminuar manipulimet e tilla është vendosja e një takse të CO2-it, ku për çdo kilogram CO2 një taksë e caktuar duhet paguar. Ka modele të shumta të vendeve të ndryshme që Kosova mund t`i shfrytëzojë.

Bordet e ndërmarrjeve publike dhe autoriteteve të ndryshme mund të jenë edhe politike, të shoqëruara edhe me nepotizëm, mirëpo asesi nuk lejohet që ato të veprojnë në kundërshtim me interesat kombëtare si rrjedhojë e mungesës së profesionalizmit.

Nëse partitë politike shikojnë vetëm në oborrin e tyre është e qartë që do të jetë vështirë për të gjetur profesionistë të vërtetë. Prandaj, në përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve dhe pozitave udhëheqëse profesionalizmi duhet të jetë kriter i parë, i dytë, i tretë, dhe i njëqindtë, ndërsa linjat politike dhe familjare duhet të zhduken.

Kosova po ashtu duhet ta bëjë të qartë tek aktorët ndërkombëtarë se nuk mund të përballojë ngarkesa financiare më të mëdha së sa fuqia e saj prodhuese në promovimin e energjive të ripërtëritshme me anë të subvencioneve.

Në artikullin e ardhshëm do ta diskutojmë futjen e makanizmave të tregut në procesin e shpërndarjes së subvencioneve.

 

Adhurim Haxhimusa ka përfunduar studimet e doktoratës në shkencat ekonomike në fushën e rregullimit të industrive të rrjetin, me fokus të veçantë në ekonominë e energjisë. Për shtatë vjet punoi në Universitetin e Ekonomisë dhe Biznesit në Vjene (WU Vienna) si punëtor shkencorë dhe ligjërues, ndërsa nga shtatori 2019 po vazhdon karrierën ne Universitetin e Shkencave te Aplikueshme te Graubünden (FHGR) në Zvicër.

Dr. Adhurim Haxhimusa

University of Applied Sciences of the Grisons

[email protected]