Kosovarët e paguajnë me shëndetin e tyre çmimin e furnizimit të palicensuar me ujë

Qindra fshatra në Kosovë nuk janë të lidhur me ujësjellës të licencuar, duke vënë në rrezik shëndetin e banorëve të tyre.

Artës shpesh i duhet të ndahet nga miqtë e saj teksa rri me ta në ndonjë kafene dhe të kthehet në shtëpi para mesnatës, njëjtë sikurse bënte Hirushja, në përrallën e mirënjohur. Ndonëse rrobat e saja nuk rikthehen në lecka atëherë kur vonohet, është furnizimi me ujë në banesën e saj që ndërpritet dhe për këtë asaj i duhet të nxitojë që ta mbushë një kovë ujë në mënyrë që të mund ta përdorë pastaj të njëjtin për mëngjes. Dhe kjo ndodh në qendër të Prishtinës, kryeqytetin e Kosovës.

E drejta për ujë të pijshëm të sigurt dhe të pastër mund të jetë një e drejtë bazike e njeriut e mbrojtur me konventën e Kombeve të Bashkuara, megjithatë është një e drejtë që ende u mohohet shumë qytetarëve në shtetin më të ri të Evropës. “Është diçka frustruese; nëse kthehem vonë nuk mund të bëj dush, por as nuk mund të përfitoj nga kostoja më e ulët e energjisë elektrike për ta ndezur lavatriçen gjatë natës sepse nuk ka ujë”, tha Arta, e cila kërkoi që të mos i përdoret emri i saj i vërtetë.

Për Artën ky fakt përbën një shqetësim, por për ata që jetojnë në zonat e thella rurale, mbështetja në burime të tjera po del të jetë kërcënues për shëndetin e tyre. Disa prej tyre i kanë hapur puset ose mbushin fuçi uji nga burimet e fshatit.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, IKSHPK, më shumë se 90 për qind e 1.8 milionë banorëve të Kosovës furnizohen me ujë të pijshëm nga shtatë furnizues të licencuar të ujit, mirëpo një zyrtar i komunikimit në Autoritetin Rregullativ të Shërbimeve të Ujit, ARRU, tha se kjo shifër është më e afërt, aty tek 75 për qind.

Sa i përket vendbanimeve, Lule Aliu nga ARRU tha se nga 1239 vendbanime në Kosovë, 46 për qind nuk janë të kyçura në ujësjellës nga asnjë prej shtatë furnizuesve të licencuar, të njohur si KRU.

Ofruesit e palicencuar shpesh mbështeten në lumenjtë lokalë, të cilët, sipas një raporti të vitit 2020 të Institutit Demokratik të Kosovës, janë shumë të ndotur.

IKSHPK thotë se tri shpërthime serioze të gastroenteritit janë regjistruar në Kosovë nga viti 2018 deri në korrik të këtij viti, e fundit në komunën e Hanit të Elezit, afër kufirit jugor me Maqedoninë e Veriut, kur rreth 130 banorë u ankuan për simptoma të helmimit. Mostrat e marra nga uji i pijshëm treguan praninë e baktereve duke përfshirë E. Coli dhe Enterococci.

Uji në këtë zonë furnizohet nga furnizuesit lokalë të ujit “të pambikëqyrur”, tha zëdhënësja e IKSHPK-së, Era Pireva. Mungesa e mbikëqyrjes, mungesa e dezinfektimit dhe “infiltrimi i shpeshtë i ujërave të ndotura sipërfaqësore në rrjetin e shpërndarjes” përbëjnë një rrezik serioz për shëndetin, thotë ajo për BIRN.

Shtatë furnizues të licencuar

Në komunën e Dragashit, në një cep të largët jugor ku Kosova puqet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, janë 33 fshatra që nuk marrin ujë nga asnjëri prej shtatë furnizuesit e KRU. Një nga fshatrat, Brezna, pompon ujë për disa orë në ditë nga liqeni i fshatit; ndërsa pjesën tjetër të ditës fshatarët mjaftohen me puse private.

Në komunën e Pejës, 36 fshatra nuk furnizohen nga asnjë prej furnizuesve të licencuar. Banorët e njërit prej tyre, Buçanit, udhëtojnë një distancë të konsiderueshme për të marrë ujë të pijshëm nga vetë Peja ose fshati Gllogjan. KRU Hidrodrini, e cila e furnizon rajonin e Pejës, i tha BIRN se një projekt për zgjerimin e sistemit të furnizimit me ujë është në proces e sipër.

“Faza finale është lidhja me burimin,” tha për BIRN një përfaqësues i kompanisë.

Sa i përket fshatit Buçan, “Nuk kemi pasur ankesa sepse nuk kanë sistem ujësjellësi nga ana jonë”.

Gjetkë, 36 fshatra janë pa ujësjellës të licencuar në komunën e Gjilanit; 30 në komunën e Prizrenit, 19 që i përkasin komunës së Prishtinës dhe 25 fshatra të komunës së Skenderajt përballen me të njëjtën situatë.

Qindra vendbanime që nuk mbulohen nga asnjë furnizues i licencuar i ujit përfshijnë zonat ku serbët etnikë përbëjnë shumicën, tha për BIRN Aliu nga ARRU , ku komuna të tilla “nuk janë të integruara nën menaxhimin e KRU”.

Raporti i vitit 2020 i Institutit Demokratik të Kosovës e vë theksin tek problemi i ndotjes nga minierat e plumbit dhe zinkut të Artanës dhe Kishnicës që derdhen në lumin Graçanka, burim i ujit të pijshëm për qytetin me shumicë serbe të Graçanicës dhe fshatrave përreth. Uji, shton ai, është zbuluar se përmban nivele të larta të joneve sulfate që mund të shkaktojnë dehidratim dhe diarre.

Para nga jashtë

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me furnizimin me ujë për vendbanimet që nuk janë të kyçura në sistemin qendror.

Kosova më parë ka marrë fonde nga partnerë të huaj për ta rregulluar furnizimin me ujë, veçanërisht nga Zvicra, megjithatë problemi me mungesë uji vazhdon.

Në mars, ambasada zvicerane në Prishtinë doli me një njoftim se mbështetja zvicerane “u ka mundësuar mbi 600,000 qytetarëve të Kosovës, që jetojnë në zonat rurale, ose një të tretën e popullsisë së Kosovës, të kenë qasje në ujë të pijshëm të sigurt dhe të pastër”.

Kjo mbështetje nga ana e Zvicrës përfshinte rreth 1.23 milionë euro për t’u sjellë ujë 10,000 banorëve në 10 fshatra të komunës së Skenderajt në mars të vitit 2019. Ambasadori zviceran në atë kohë, Jean-Hubert Lebet, vuri në dukje ironinë që Zvicrës i duhej të investonte në ujë në Kosovë, “sepse ne e dimë se ka para edhe në këtë shtet.”

Zvicra thotë se do t’i investojë edhe 86 milionë euro të tjera në Kosovë nga viti 2022 deri në vitin 2025 në fushën e qeverisjes demokratike, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe sigurisë së klimës dhe ujit.

ARRU ka një buxhet prej më pak se 400,000 euro për këtë vit. Ministria e Ekonomisë ka ndarë rreth 15.6 milionë euro deri në vitin 2025 për t’i sjellë sistemet e ujësjellësit dhe kanalizimit në zonat rurale; Ministria e Mjedisit planifikon të shpenzojë 20.9 milionë euro për ta përmirësuar sistemin e kanalizimit në Gjilan, ndonëse asnjë nga këto para nuk është buxhetuar për vitin 2022; dhe qeveria ka buxhetuar 16 milionë euro për një projekt të ngjashëm në Mitrovicë, i cili do të përfundojë në vitin 2025, por vetëm një milion euro janë ndarë nga buxheti për këtë vit.

Ministria e Mjedisit ka gjithashtu një projekt sigurie ujore prej 62 milionë eurosh në punime me Autoritetin e Pellgjeve Lumore; gjashtë milionë euro janë buxhetuar për vitin 2022, duke përfshirë një milion që supozohej të ishte shpenzuar në vitin 2021.

Sivjet janë ndarë 36.000 euro për ndërtimin e ujësjellësit në fshatin Pobergje të komunës së Deçanit dhe 300.000 të tjera për rregullimin e ujësjellësit në komunën e Fushë Kosovës. Ndërkohë qytetarët e Kosovës vazhdojnë të helmohen.

Në Kaçanik, një shpërthim i gastroenteritit në korrik të këtij viti bëri që “50 deri në 80 qytetarë në ditë” të kërkonin ndihmë mjekësore me simptoma të të vjellave dhe diarresë, ka deklaruar për BIRN në atë kohë kryetari i komunës Besim Ilazi.

Pas një shpërthimi të ngjashëm në Han të Elezit në të njëjtin muaj, ministri i Administratës së Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e vizitoi atë zonë dhe u zotua për mbështetje nga ana e qeverisë.

Disa muaj më parë, respektivisht në muajin shkurt, prokurorët në Pejë i akuzuan dy zyrtarë të ndërmarrjes Kosovare të ujësjellësit Hidrodrini me përgjegjësi për helmimin e rreth 1,500 banorëve në zonën e Deçanit. Prokurorët thanë se uji i pijshëm përmbante baktere dhe se testimi ishte i pamjaftueshëm ose inekzistent. Zyrtarët e akuzuar u deklaruan të pafajshëm.

Ky shkrim fillimisht është publikuar në Balkan Insight.

Përkthyer nga Nuhi Shala