Ilustrimi: Jetë Dobranja

Kosovarë të pakënaqur ia mësyjnë Shkupit për t’u testuar për COVID-19

Me numrin e rasteve të raportuara të coronavirusit në rritje, sektori shëndetësor i Kosovës nuk ka qenë në gjendje të përmbushë kërkesat e mëdha për teste, duke i shtyrë disa qytetarë me shqetësime për shëndetin dhe jetesën e tyre që të kërkojnë bërjen e testeve në Shkup.

 

Pasi e përjetoi një kollë të fortë, një dhimbje të lehtë koke si dhe lodhje, Arjeta* nga Gjilani shkoi për të bërë një kontroll mjekësor në Klinikën lokale të shëndetësisë e ku aty një prej mjekëve e këshilloi atë që t’i drejtohet Klinikës për Sëmundje Infektive në Prishtinë për ta bërë testin për coronavirusin.

Përveç simptomave tipike që ndërlidhen me pandeminë COVID-19, Arjeta kishte arsye të besonte se mund ta kishte ekspozuar vetën e saj ndaj virusit, për shkak se burri i saj kishte kontakte me një koleg të infektuar. Marrë parasysh faktin se ajo gjithashtu ishte me astmë, ishte e shqetësuar se përballej me një rrezik më të madh.

Arjeta thotë se ajo u refuzua për ta bërë testin në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, duke i thënë se ajo nuk i kishte edhe dy simptoma tjera, ethet dhe temperaturën e lartë.

“Pyeta nëse duhesha të kisha të gjitha simptomat për të qenë pozitive,” thotë Arjeta për BIRN, duke shtuar se ishte këshilluar të kthehej në atë klinikë vetëm nëse edhe simptomat tjera i shfaqeshin asaj në ndërkohë.

Fatmiri* i cili bën punën e mjekut, ka folur me BIRN lidhur me vështirësitë me të cilat ai është përballur për tu testuar në Kosovë. Ai shton se kishte frikë se do ta humbiste biznesin e tij poqëse do të detyrohej të vetë-izolohej për një kohë më të gjatë, andaj ai zgjodhi që testin ta bëjë në Maqedoninë Veriore, duke dalë negativ ndaj virusit.

Përderisa numri i rasteve të raportuara të coronavirusit u rrit me shpejtësi të madhe në fillim të muajit Qershor, furnizimi me teste të gatshme nuk është rritur mjaftueshëm për ti përmbushur kërkesat e qytetarëve që po kërkojnë të testohen.

Shumë qytetarë, përfshirë edhe zyrtarë publike, hapur e kanë kritikuar qeverinë dhe sistemin publik shëndetësor në lidhje me menaxhimin e pandemisë e njëkohësisht edhe për “kaosin me sistemin e testimit.”

Rozafa Ukimeraj, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, MAPL, ka denoncuar publikisht institucionet shëndetësore për “trajtim të pahijshëm” pasi që vetë ajo nuk ishte testuar, përkundër faktit se kishte shfaqur simptoma dhe se kishte dyshime të arsyeshme se ishte e infektuar.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook ajo ka njoftuar se është testuar pozitiv me coronavirus pas një testi të bërë një një institucion shëndetësor privat në Maqedoninë Veriore, e cila ka hapur kufijtë e saj me Kosovën me 26 qershor. “Të gjithë ata që kemi pasur kontakte, ju lutem, bëni kontroll mjekësore, meqë nuk do të kontrolloheni nga ndonjë institucion përgjegjës” ka deklaruar ajo.

BIRN ka dërguar pyetje në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, IKPSHK, lidhur më pohimet e Ukimerajt se ajo nuk ka marrë trajtim të duhur dhe nuk i është mundësuar ta bëjë testin. Megjithatë, BIRN nuk ka marrë ndonjë përgjigje gjatë kohës së publikimit të këtij shkrimi.

Në një deklaratë për BIRN, MAPL ka thënë se deri më tani, Ukimeraj dhe një zyrtar tjetër nga kjo ministri i cili është testuar pozitiv në Kosovë, janë testuar si pozitivë me coronavirus. Ministria shpreh shqetësimet e saja se kërkesat e saja të vazhdueshme për testimin e anëtarëve të tjerë të personelit të cilët ishin në kontakt me këta të cilët tashmë janë të konfirmuar si të infektuar, janë injoruar.

“Pas vendimit qeveritar (për mbylljen e institucioneve me 1 Korrik pas konfirmimit të rasteve), ne kemi pyetur Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, nëse MAPL do të duhej të mbyllej. Akoma jemi në pritje të një përgjigje,” ka qenë përgjigja e Ministrisë për BIRN.

Pritja është shumë stresuese për Diellor Gashin, punëtor i ministrisë i cili ishte në kontakt me kolegët të cilët kanë rezultuar pozitivë në test. Ai thotë se është sjellë vërdallë nëpër institucione të shëndetësisë publike lokale dhe qendrore, e të cilat, përfundimisht, kishin refuzuar ta testojnë.

Gashi shpjegon se ai kishte shkuar për një kontroll me tre të tjerë nga Ministria pesë ditë pasi kolegu i tyre ishte testuar si pozitiv.

“Kishim simptoma të lehta, dhimbje koke, fyt të thatë dhe kongjestion (bllokim) të hundës,” thotë Gashi. “Fillimisht ne shkuam në Klinikën e Sëmundjeve Infektuese, dhe prej aty pastaj na thanë të shkojmë në IKSHPK. Pastaj edhe prej aty na thanë se duhet të kthehemi në Klinikë sepse ata janë përgjegjës për teste.”

Pas injorimit nga personeli i Klinikës pas kthimit aty, Gashi thotë se grupi pastaj ia mësyu qendrave të shëndetësisë lokale mirëpo edhe aty mjekët u thanë atyre se ata nuk kishin simptoma të mjaftueshme për t’u testuar për coronavirus.

Kur i pyetëm nëse do të duhej të vetizolohemi marrë parasysh se kishim kontakt me kolegët tanë, mjeku na tha: ‘për momentin nuk keni simptoma andaj tash varet prej jush,’” tha ai për BIRN.

Gashi ndjehet i braktisur nga institucionet e Kosovës dhe se ai më parë do ta bënte një pagesë për ta bërë testin privatisht në Shkup.

Duke ndjekur shembullin e Ukimerajt, Gashi dhe kolegët e tij tashmë e kanë caktuar një termin   në Spitalin Acibadem Sistina dhe do të testohen me 8 korrik. Ai thotë se caktimi i orareve ishte i obligueshëm për shkak të kërkesës së madhe për ta bërë testin në këtë klinikë, e cila u faturon shumën prej 80 eurosh për “pakon e plotë” të testimit.

Acibadem Sistina thotë se ka laboratorin e vetëm në Maqedoni të aftë për ekzaminimin e dy llojeve të ndryshme të testit për coronavirus: një test të shpejtë serologjik dhe një PCR, reaksion i zinxhirit polimerazë, test molekular.

Testi i shpejtë serologjik detekton antitrupat IgG dhe IgM, të cilët shfaqen në trup si rezultat i kontakeve të mëhershme me virusin SARS-CoV-2. Testi bëhet duke e marrë mostrën e gjakut dhe kushton përafërsisht 20 euro. Testi molekular PCR kërkon marrjen e strishos në hundë dhe thellë në fyt dhe detekton prezencën e virusit SARS-CoV-2. Kushton rreth 64 euro në Acibadem Sistina, përderisa disa laboratorë tjerë në Shkup e bëjnë po ashtu testin PCR, përfshirë laboratorët  Biotek dhe Avicenalab.

BIRN e ka pyetur Acibadem Sistina për numrin e pacientëve nga Kosova të cilët janë testuar në këtë spital, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Më 5 korrrik, qeveria maqedonase deklaroi se më shumë së 67,000 teste për coronavirus janë bërë në këtë shtet. Në të njëjtën kohë, IKPSHK ka deklaruar se janë diku rreth 25,000 teste të bëra që nga dita e premte.

Testimi në Kosovë vlerësohej si luks ndërkohë që rastet po shtohen 

Në muajin mars kur u regjistruan rastet e para me coronavirus në Kosovë, një sistem zingjiror testesh ishte zhvilluar bazuar në simptoma dhe me histori kontaktesh.

Më 24 maj, asnjë rast me coronavirus nuk është regjistruar, për herë të parë qysh nga paraqitja e rastit të parë pozitiv me 13 Mars. Masat kufizuese ishin lehtësuar bazuar në këtë njoftim, me rihapjen e shumicës së bizneseve si dhe lirimin e kufizimit në lëvizje në fillim të muajit Qershor.

Më 3 qershor, u formua qeveria e re me Avdullah Hotin si kryeministër dhe Armend Zemajn si ministër i Shëndetësisë. Në ditën e tij të parë të punës, Hoti ka folur për nevojën e rritjes së kapacitetit të testimit që përfshin edhe qytetarët simptomatikë por edhe ata asimptomatikë.

Sidoqoftë, pak më shumë se dy javë më pas, pas një rritjeje drastike të numrit të qytetarëve të infektuar, Ministria e Shëndetësisë ka kaluar një rregullore të re mbi testimin ku thuhet se qytetarët që nuk kanë simptoma nuk do të testohen.

“Qytetarët asimptomatikë nuk do të testohen, por do të këshillohen ti nënshtrohen një vetë-izolimi dhe vetë-monitorimi 14 ditor të gjendjes së tyre. Nëse simptomat rriten, ata duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore urgjentisht,” thotë rregullorja, e cila ka hyrë në fuqi me 21 Qershor.

Mirëpo në javët e fundit, edhe pacientët asimptomatikë janë ankuar se nuk po kanë mundësi të testohen. Donika Emini, analiste politike, thotë se është injoruar nga institucionet e shëndetit publik lidhur me kërkesën e saj për testim.

“Jo që nuk jam testuar, por mjeku ka refuzuar të ma masë temperaturën e trupit, duke thënë se termometri i saj nuk punonte,” thotë Emini, duke shtuar se personeli i ka thënë asaj se ata kanë si prioritet testimin dhe trajtimin për ata që kanë shfaqur simptoma më të ashpra sesa kishte ajo.

Donika Emini lëngon nga bradycardia, një sëmundje e cila ngadalëson të rrahurat e zemrës. Ajo ka zgjedhur të vetë-izolohet por thotë po ashtu se askush nuk e ka evidentuar vetizolimin e saj dhe se aktualisht nuk ekziston ndonjë sistem në Kosovë që u siguron këtyre që u kërkohet të vetë-izolohen nëse do të duhej të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre apo jo.

Megjithëse ajo tashmë i ka përfunduar dy javë të karantinimit të vetë-imponuar, Emini konsideron ta bëjë testin për antitrupa (përmes të cilit përcaktohet nëse ndonjëherë virusi ka qenë prezent në sistemin tuaj) në Maqedoninë Veriore.

Sipas rregullores qeveritare, një prej arsyeve pse po bëhen ka pak teste është mungesa e mjeteve të disponueshme për testim. “Me rritjen e rasteve në dy javët e fundit si dhe me lehtësimin e kufizimeve në lëvizje për qytetarët, kapacitetet laboratorike për testimin e secilit rast kontakti potencial janë të kufizuara,”, thotë kjo rregullore.

Më 5 korrik, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një numër vendimesh për tu përballur me rritjen e rasteve me coronavirus, përfshirë edhe pesë sosh që kanë si qëllim ta rrisin mundësinë për testim.

Ministria e Shëndetësisë obligohet të alokojë mjete financiare për blerjen e 100,000 testeve të reja, ndërkohë që licencimi i institucioneve të shëndetësisë private për të ofruar testime, është i paraparë po ashtu, krahas krijimit të kapaciteteve për testime të reja në rajon. Qeveria po ashtu ka bërë apel për “përdorimin e plotë të kapaciteteve testuese aktuale” si dhe “prioritarizimin e atyre që më së shumti nevojiten.”

Sidoqoftë, për sa kohë që efektet e këtyre politikave nuk i japin frytet e tyre, mundësia pothuajse e pamundur për t’u testuar në Kosovë po i shtyn shumë e më shumë pacientë drejt gjetjes së një zgjidhjeje në Maqedoninë Veriore.

Arjeta e cila nuk është testuar akoma, thotë se edhe gjatë krizës së pandemisë, ajo më me dëshirë do të paguante një shumë parash sesa të durojë pritjen plot ankth për ta bërë testin, duke u frikësuar për shëndetin e saj si dhe për shëndetin e shumicës së familjarëve të saj që tashmë janë të cenueshëm nga ky virus.

 

*Emrat janë ndryshuar me kërkesë të të intervistuarve.