Ujërat e zeza, Bogë

Kosova, vendi i eksportit të ujërave të kanalizimeve

Kosova është vendi më i varfër me burime të ujërave të pastra për kokë banori dhe shpenzon miliona euro për të pastruar ujin i cili u servohet qytetarëve në rrjetet e ujësjellësit. Po ashtu ujëra të ndotura Kosova nxjerr edhe jashtë kufijve.

Të dhënat tregojnë që për një qytetar, vendi ka vetëm 1,600 metër kub ujë, ndërsa shqetësimet janë që ujërat ndoten në hapat e parë kur ato dalin në sipërfaqe.

Si rrjedhojë shumica e ujësjellësve të ndërtuar në vend duhet të investojnë në pajisje pastrimi dhe trajtimi për t’i bërë ujërat të pijshëm.

Në 38 komunat e vendit janë vetëm tri impiante të vogla të cilat trajtojnë ujërat e zeza ndërsa kapaciteti i tyre nuk kalon numrin prej 50 mijë banorësh. Pjesa e tjetër e kanalizimeve për më shumë se 1.7 milionë banorët e Kosovës përfundojnë në lumenj.

Ndotja e ujërave përpos dëmit financiar ka dëshmuar se ka krijuar dëme serioze edhe në shëndetin e njerëzve. Qindra qytetarë u helmuan vitin e kaluar në zonën e Deçanit për shkak të helmimit të ujit, ndërsa në vend nuk ka matje se cilat probleme e sëmundje janë shkaktuar nga ujërat e ndotura.

Ky dëm nuk është i matshëm edhe në florën dhe faunën pasi nuk ka analiza për pasojat e ndotjes në kafshë, shpezë e botën bimore. Matjet se cilët lumenj janë më të ndotur për momentin janë të paqasshme.

Ministria e Mjedisit në raportet e saj e konsideron lumin Sitnica si më të ndoturin, mirëpo kjo e dhënë kontestohet nga eksperti Baton Begolli. Sipas tij, kjo e dhënë bazohet në një matje të vitit 1982 dhe nuk është reale për momentin.

“Mbyllja e një pjese të madhe të industrisë që vepronte para luftës e në anën tjetër hapja e industrive të reja, demografia, tjetërsimi i pronave ujore, ndërtimi i objekteve të gastronomisë dhe turistike pranë lumenjve dhe liqeneve, shfrytëzimi i tepërt i ujërave, ndryshimet klimatike e shumë faktor. Pra kemi nevojë me përmirësu rrjetin e monitorimit të ujërave sipërfaqësor nga aspekti i sasisë dhe cilësisë por edhe funksionimin e rrjetit të monitorimit të ujërave nëntokësore. Pa këtë vlerësimi se x lumi është më i ndotur se tjetri është ose vlerësim subjektiv ose vlerësim i bazuar në dokumente tashmë të vjetërsuara”, thotë Begolli.

Në analizën e rrjedhës ujore kuptohet se pjesa më e madhe e lumenjve të Kosovës janë lumenj sezonal që varen kryesisht nga reshjet atmosferike. Si rrjedhojë gjatë verës lumenjtë bien në vëllim dhe ndotja e tyre është më e lartë.

Ndotja e lumenjve nga kanalizimet

Ndotja më e madhe që u bëhet ujërave në Kosovë vjen nga ujërat e zeza të patrajtuara. Gjithashtu në Kosovë shumica e komunave ende nuk kanë impiante për trajtimin e këtyre ujërave dhe shumica e tyre përfundojnë në shtëpitë e familjeve të shumta në Kosovë.

Sipas raportit të Performancës Komunale për vitin 2020 të matur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, kanalizimet në Kosovë ende nuk mbulojnë as 50 për qind të familjeve në Kosovë. Sipas këtij raporti, komunat e Kosovës kanë shtrirje të rrjetit të kanalizimeve për 40.18 për qind.

Ky raport po ashtu tregon se kjo shtrirje e kanalizimeve është rritur për rreth 4 për qind nga viti paraprak. Kjo përqindje ka qenë 36.51 për qind në vitin 2019.

Sipas të dhënave rreth 74.19% të ekonomive familjare, institucioneve publike dhe bizneseve janë deklaruar të përfshira në sistemin e kanalizimit, për dallim nga 71.42% sa ishte në vitin 2019.

Në raportin e performacës thuhet se zbatimi i aktiviteteve nga plani për ndërtim dhe mirëmbajtje të sistemit të kanalizimit është raportuar të jetë 86.54% për dallim nga 74.64% sa ishte në vitin 2019.

Të dhënat përkeqësohen me faktin se rrjetet e kanalizimit të ndërtuara të gjitha përfundojnë në lumenj e jo në impantet e ujërave të zeza.

Në vend janë të ndërtuara kapacitete të vogla të impianteve ndërsa përllogaritjet janë që instalimi i pajisjeve në mbarë vendin mund të kushtoj deri në 1 miliardë euro. Të dhënat tregojnë që impianti që është duke u ndërtuar në Pejë me një kapacitet prej 60 mijë banorë ka kushtuar rreth 25 milionë euro. Me këtë kosto trajtimi i ujërave të zeza për 1.8 milionë banorë do kushtojë mbi 750 milionë euro.

Përpos ndotësve nga kanalizimet ujërat ndoten edhe nga shumë ndotës të tjerë. Plastika, mbetjet e lubrifikantëve, eksploatimi i zhavorrit dhe mbetjet industriale po ashtu llogaritet të jenë ndotës të mëdhenj.

“Resurset ujore në Kosovë kërcënohen jo vetëm nga shkarkimi i ujërave të ndotura të pa trajtuara, qoftë ato shtëpiake apo industriale, por edhe nga hedhja e mbeturinave të ngurta, nga eksploatimi i shtretërve dhe brigjeve të lumenjve, nga ndërtimet në zonat e mbrojtura, nga tjetërsimi i pronave ujore. Pra, ka shumë sfida që duhet trajtuar në të njëjtën kohë, por e mira është se veçse jemi në proces të trajtimit të ujërave të ndotura nga kryeqendrat e Kosovës”, tha Begolli për KALLXO.com.

Kosova aktualisht ka në funksion tri impiante për trajtimin e ujërave të zeza: Prizren, Skenderaj dhe Junik. Sipas informacioneve zyrtare, së shpejti pritet të hyjnë në funksion edhe impiantet në Pejë e Gjakovë.

Gjithashtu, në procedurë të ndërtimit janë edhe impiantet për Prishtinë së bashku me Obiliq, Fushë Kosovë dhe Graçanicë, si dhe për Mitrovicë me mundësi të përfshirjes së Vushtrrisë dhe Gjilan.

Ndotja e lumenjve nga vajrat e përdorura të makinave

Ujërat e lumenjve rrezikohen gjithashtu edhe nga vajrat e makinerive të cilat hyjnë në Kosovë me përmbajtje të dyshimtë e po ashtu nga vajrat e makinerive të përdorura.

Vajrat e mbetjeve konsiderohen mbetje të rrezikshme dhe kanë disa veti të rrezikshme. Një litër vaj i mbeturinave mund të kontaminojë një milion litra ujë. Vajrat e mbeturinave në lumenj, liqene dhe përrenj kërcënojnë jetën ujore. Gjithashtu, nëse mbetjet e vajrave mbeten në tokë, ato mund të ndotin rëndë tokën.

Të gjithë, përfshirë industritë, konsumatorët dhe autoserviset kanë një rol thelbësor për të luajtur në trajtimin e vajrave të përdorur.

Karshi problemeve të theksuara me mjedis, Ministria e Ambientit nuk ka informacione as se a janë shqiptuar gjoba kundërvajtëse për personat që përdorin vajrat motorike të cilat përfundojnë në rrjetet e kanalizimeve apo për t`u ngrohur gjatë sezonit të dimrit.

Ndërsa, sipas ministrisë gjatë vitit 2019 janë shqiptuar rreth 200 gjoba për hedhjen e vajrave në vendet joadekuate.

“Inspektorati i MMPHI-së, përgjatë viteve të kaluara ka organizuar aksione të inspektimeve në shkallë vendi, ku janë inspektuar të gjitha qendrat grumbulluese të automjeteve mbeturinë, dhe në parregullsitë që ka hasur ka shqiptuar masa konkrete. Për shembull vetëm gjatë vitit 2019 ka shqiptuar afër 200 gjoba për hedhje të vajrave në vendet joadekuate”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për KALLXO.com të dhënë në muajin shkurt të këtij viti.

Në vitin 2013 është miratuar Udhëzimit Administrativ për Menaxhimin e Vajrave të Përdorura dhe Mbeturinave me Vajra.

Sipas këtij UA, menaxhimi i vajrave të përdorura dhe mbeturinave me vajra, bëhet duke i zbatuar kushtet e përcaktuara me Direktivat e BE-së për shqyrtimin e vajrave të përdorura dhe mbeturinave me vajra e po ashtu ky UA përcakton dispozitat e nevojshme, të detyrueshme dhe kushtet tjera për mbledhjen, transportimin, trajtimin, ripërdorimin dhe magazinimin e vajrave të përdorura.

Sipas këtij UA, vajrat motorike të përdorura nuk mund të shkarkohen në kontejnerë ku hidhen mbeturinat e zakonshme komunale, nuk bën të shkarkohen në ujëra nëntokësor, ujëra sipërfaqësor apo sisteme kulluese, të derdhen kudo në tokë, të derdhen në kanalizime, në rrugë, parkingjet, parqe, etj.

KALLXO.com ka kërkuar informacione në MMPHI se a ekziston në Kosovë një laborator i akredituar për kryerjen e testeve specifike. Të njëjtit nuk kanë dhënë informacione.

Ndërsa kanë thënë se në Kosovë ekzistojnë pesë ndërmarrje që grumbullojnë vajrat mbeturina, kurse ka vetëm dy qendra që mund të bëjnë riciklimin e vajit të përdorur motorik.

Qendrat e tilla janë të obliguara që të raportojnë çdo vit në lidhje me menaxhimin e vajrave të përdorura.

Edhe pse këto qendra janë të obliguara që të raportojnë, Ministria e Mjedisit nuk ka informacione se çfarë sasie vjetore e këtyre vajrave del nga përdorimi dhe se çfarë ndodh me këto sasi të vajrave që nxirret nga përdorimi.

Sipas Begollit, ndonëse ndotja e lumenjve është e madhe, nuk ka vend për alarm. Ai shton se rreziku për ndonjë aksident mjedisor mund të shfaqet në periudha të thatësisë.

“Ligji e thotë me vite që ndalohet transporti i derivateve dhe materieve të rrezikshme pranë liqeneve akumuluese, por u dashtë tek tani me këtë qeveri të shohim veprim konkret që nxori vendim për këtë ndalesë pranë liqenit të Badovcit ku është më i theksuar ky rrezik. Rreziku mund të shprehet sidomos në periudha të thatësisë, ku bie kapaciteti i ujërave dhe koncentrimi i ndotjes theksohet”, ka thënë Begolli.

Degradimi i lumenjve nga hidrocentralet

Në Kosovë, lumenjtë janë degraduar në masë të madhe edhe nga hidrocentralet.

Sipas të dhënave të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), vlera e përgjithshme e investimeve në hidrocentrale të cilat janë në operim, arrin shifrën rreth 122 milionë euro.

Përkundër investimeve në hidrocentrale, rreth 95 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet me thëngjill, ndërsa vetëm 2.7 për qind nga hidrocentralet.

Pjesa tjetër prodhohet nga era, si dhe nga panelet solare.

Pothuajse të gjitha hidrocentralet, në Kosovë janë të ndërtuara në zona strikte të natyrës. Deri vonë, qytetarët e këtyre zonave nuk kanë qenë të njoftuar se po ndërtohen hidrocentralet të cilat më pas i kanë tharë tokat e ujitjes e kanë minimizuar sasinë e ujit të pijshëm.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për kundërshtimet e banorëve për të ndërtuar hidrocentrale të reja në Malet e Sharrit, e Bjeshkët e Rugovës. Presioni mediatik dhe aktivizmi qytetarë kanë ndikuar që planet për hidrocentrale në lumin Lumbardh të Pejës të ndërpriten.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi edhe për mbi 200 protestat e banorëve të fshatrave të komunës së Shtërpcës dhe Kaçanikut të cilët po vazhdojnë të kundërshtojnë ndërtimin e këtyre projekteve në lumin Lepenc.

Proceset për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve që janë në proces e po ashtu edhe të atyre që kanë përfunduar janë përcjellë me shkelje dhe  tejkalime të shumta ligjore, si dhe dëmtime të rrjedhës së lumenjve, e shpeshherë objektet e hidrocentraleve janë ndërtuar në prona publike.

Këto janë disa nga gjetjet e një raporti të hartuar nga një grup punues i formuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Pavarësisht gjetjeve, Ministria e Mjedisit ende nuk është deklaruar nëse ndonjëra nga këto lënda ka shkuar në prokurorinë e shtetit.

Por, këto gjetje tashmë janë nën llupën e auditori. Auditori në muajin janar ka filluar auditimin e performancës në fushën e energjisë dhe mjedisit me temën “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe ndikimi i tyre në mjedis dhe ujëra (2015 – 2021)”.

Rreth shfrytëzimit të resurseve ujore, Begolli tha për KALLXO.com se nivelet qeverisëse duhet ta respektojnë Ligjin e Ujërave. Sipas Begollit duhet të fuqizohen organet mbikëqyrëse të resurseve ujore siç është Autoriteti i Rajonit të Pellgjeve Lumore, Inspektorati Mjedisor dhe Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës.

“Kjo është me rëndësi jo vetëm në ruajtjen e resurseve ekzistuese por edhe në zhvillimin e liqeneve të reja artificiale për të përmbushur nevojat për ujë në Kosovë. Është me rëndësi me fuqizu Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, se pa monitorim të sasisë dhe cilësisë së resurseve ujore nuk ka kuptim menaxhimi i tyre, ose është i mangët. Duhet fuqizuar Inspektorati dhe mbi gjitha duhet fuqizuar dhe hapur sektorin sa ma shumë ndaj profesionistëve të rinj”, është shprehur Begolli për KALLXO.com.

Ndikimi i hidrocentraleve është shumë i madh edhe në bujqësi dhe zhvillim të turizmit në zonat ku janë të ndërtuar.

KALLXO.com disa herë ka raportuar që fushat e mbjella me pemë e perime të banorëve të Bitisë së Poshtme të Shtërpcës janë tharë për shkak të mungesës së ujërave. Gjithashtu banorët e këtyre zonave disa herë kanë rrëfyer për KALLXO.com se kanë gjithnjë e më pak vizitorë në këto zona pikërisht nga ndërtimet e hidrocentraleve sepse kanë degraduar në masë të madhe lumenjtë që kanë qenë pjesë e atraksionit të parqeve kombëtare.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.