Kosova pret "dorën" gjermane në Bashkimin Evropian për liberalizimin e vizave

Nga 1 korriku, Gjermania mori drejtimin gjashtëmujor të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, në kohën kur vendet po përballen me gjendjen dhe pasojat e pandemisë COVID-19.

Në anën tjetër, nga Gjermania si njëra prej shteteve më përkrahëse, Kosova pret liberalizimin e vizave – premtim ky i dhënë me vite të tëra si nga zyrtarë evropianë ashtu edhe politikanë vendor.

Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk gëzon lëvizjen e lirë në zonën Schengen.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se Gjermania po e merr presidencën e radhës së BE-së, në një kohë shumë sfiduese për shëndetin dhe ekonominë e Evropës.

Hoti shtoi se presin që gjatë kësaj kohe të hiqet regjimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

“I jemi shumë mirënjohës Qeverisë Gjermane për angazhimin e vazhdueshëm për zgjerimin e BE-së, duke i afruar vendet e Ballkanit Perëndimorë dhe presim që gjatë kësaj kohe të hiqet edhe regjimi i vizave për qytetarët e Kosovës!”, ka shkruar kryeministri në llogarinë e tij në Facebook.

Ndërkaq, përmes një paraqitje online nga ana e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë u shënua kalimi nga Kroacia te Gjermania i Presidencës së Këshillit të BE-së, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt tha se do të kenë fokus tri çështje të mëdha për Kosovën në gjashtë mujorin e ardhshëm.

“Përveç temave të përgjithshme të sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit: Sfidat e pandemisë, dialogu me Serbinë dhe liberalizimi i vizave”, tha ambasadori.

Lidhur me vizat, Heldt deklaroi se këtë duhet ta zgjidhin sa më shpejt të jetë e mundur.

“Pasi Ambasada gjermane është ambsada që lëshon më së shumti viza në këtë shtet, nuk kam nevojë për ligjërata rreth kësaj çështje nga njerëz me dy dhe tri pasaporta. Kur të vijë liberalizimi i vizave dhe unë shpresoj që do të ndodhë shumë shpejt kjo nuk do të jetë për shkak se disa tani po flasin me zë të lartë. Por kjo do të ndodhë për shkak të shumicës së heshtur anonime të qytetarëve të këtrij vendi që punojnë me zell dhe i binden ligjit”, tha mes tjerash shefi i diplomacisë gjermane në Kosovë.

Lidhur me këto zhvillime, nga shoqëria civile vlerësojnë se Gjermania duhet të ketë rol specifik në disa tema në raport me Kosovën.

Visar Xhambazi hulumtues i politikave në Institutin Demokraci për Zhvillim (D4D) thotë për KALLXO.com se Gjermania, si shteti më i fuqishëm i BE-së, duhet të sigurohet që kredibiliteti i BE-së të mos venitet.

Në raport me Kosovën, Xhambazi shton se Gjermania duhet të finalizojë liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë.

“Gjithashtu, pres që Gjermania të ketë rol me proaktiv në negociatat Kosovë-Serbi. Gjermania mund ta përdorë këtë momentum për të rifilluar dialogun e stoupar nga nëntori 2018”, tha ai.

Sipas hulumtuesit, dialogu Kosovë-Serbi është njëra ndër çështjet në të cilat vërejmë mungesë koordinimi mes BE-së dhe SHBA-ve.

“Gjermania mund ta përdorë dialogun Kosovë-Serbi për thellim të bashkëpunimit mes BE-së dhe SHBA-ve, bashkëpunim ky i cili u zbeh nga politikat e Presidentit Amerikan Donald Trump”, vlerëson Xhambazi.

Kurse, në kontekstin rajonal, përveç rikuperimit ekonomik nga COVID-19, ai shtoi se pret që Gjermania të minimizojë hapësirat e krijuara nga “influencat autoritare” në Ballkan, siç janë Kina dhe Rusia.

Vizat, storia dëshpëruese e Kosovës me Bashkimin Europian