Sheshi para Qeverise dhe Kuvendit të Kosovës - FOTO: KALLXO

Kosova në vitin 2022: Jetesës në harresë nuk po i shihet fundi

Kosova po futet në një vit të ri të ngarkuar me shumicën e problemeve që ishte futur edhe në vitin 2021 – dialogu i ngecur me Serbinë, çështja e vizave me BE-në dhe Asociacioni i diskutueshëm i komunave me shumicë serbe.

Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë duhej të shënonte progres në vitin 2021 – ndonëse kjo gjë nuk ndodhi. Bashkimi Evropian duhej të hiqte regjimin e vizave për kosovarët – ndonëse nuk e bëri. Shumë çështje të tjera në listën kontrolluese të Kosovës në fillim të vitit 2021 mbeten ende aty, duke u bërë pjesë e një viti tjetër që duket sikurse një jetë në harresë.

Dallimi i vetëm i madh në fund të vitit ishte se Kosova kishte një qeveri solide sa i përket ulësëve në parlament.

Kjo ndodhi pasi, për herë të parë në historinë e shkurtër të zgjedhjeve të Kosovës, votuesit i besuan një partie të vetme, Lëvizjes Vetëvendosje, qe drejtohet nga Albin Kurti, për ta udhëhequr vendin në çështjet që kane të bëjnë me luftën kundër korrupsionit endemik, për të ndërmarrë reforma të brendshme dhe për ta arritur një zgjidhje të përhershme të marrëdhënieve me Serbinë.

Bisedimet që nga viti 2011 mes dy palëve kanë shënuar progres në disa çështje teknike, por jo në çështjen kryesore politike të statusit përfundimtar të Kosovës. Serbia refuzon ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur.

Për vite me radhë, liderët e Kosovës dhe Serbisë kanë shkëmbyer akuza se cila palë është më përgjegjëse për dështimin e implementimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Negociatat rezultuan në të ashtuquajturën Marrëveshje të Brukselit në vitin 2013, e cila parashikonte themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në zonat e Kosovës ku ato përbëjnë shumicën.

Megjithatë, tetë vjet më vonë, kjo ide mbetet e ngujuar në letër, viktimë e tensioneve të vazhdueshme politike midis Prishtinës dhe Beogradit.

Arritjet në bisedimet me Serbinë të pamjatueshme

Pritjet e shumë qytetarëve kanë qenë se qeveria e Albin Kurtit, marrë parasysh shumicën e saj në parlament, do t’i kishte gjërat në funksion edhe për sa i përket dialogut. Mirëpo dy takime të mbajtura në Bruksel me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq këtë vit nuk rezultuan me diçka që ia vlen të mbahet në mend.

Enver Robelli, redaktor i huaj në të përditshmen zvicerane Tages Anzeiger, pret që presioni ndërkombëtar, si mbi Kosovën ashtu edhe mbi Serbinë, të shtohet në vitin 2022, pasi pothuajse të gjitha palët e interesuara kanë emëruar tani të dërguar të posaçëm për t’i mbajtur gjërat në hap.

“A do të ketë progres? Dyshoj. Serbia do t’i mbajë zgjedhjet parlamentare në pranverë [2002] dhe opozita po mobilizohet kundër presidentit Aleksandër Vuçiq”, thotë Robelli. “Në këto rrethana nuk shoh gatishmëri nga Serbia për ndonjë progres drejt njohjes së Kosovës.

Një marrëveshje gjithëpërfshirëse që përfundon me njohje reciproke është “Alfa dhe Omega” për elitën politike të Kosovës.

Por ndërkohë që SHBA-ja është pozicionuar në favor të këtij rezultati përfundimtar, Bashkimi Evropian mban një qëndrim më të nuancuar dhe “neutral ndaj statusit”, pasi pesë shtete anëtare të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën: Spanja, Greqia, Rumania, Qiproja dhe Sllovakia.

Donika Emini, analiste politike dhe drejtoreshë ekzekutive e platformës së shoqërisë civile të Kosovës, CivKos, thotë se Ballkani Perëndimor është prioritet në agjendën transatlantike, ku “shihet nga pikëpamja e sigurisë”.

Ajo thotë se tensionet serioze politike në Bosnje dhe Hercegovinë pasqyrojnë brishtësinë e sigurisë së rajonit, si dhe “kapacitetin e Serbisë, së bashku me Rusinë, për ta destabilizuar rajonin”.

Mosmarrëveshja e tejzgjatur mes Kosovës dhe Serbisë vetëm sa do t’i përkeqësonte gjërat, paralajmëron Emini.

“Dihet se çështja e hapur mes Kosovës dhe Serbisë e ka kthyer rajonin në një arenë konfrontimi mes Rusisë, nga njëra anë dhe NATO-s, SHBA-së dhe BE-së nga ana tjetër”, tha ajo për BIRN.

Dilema e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe

Vendimi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, një asociacion i planifikuar vetëqeverisës i komunave me shumicë serbe në Kosovë, u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.

Mirëpo një vendim i Gjykatës Kushtetuese atë vit tha se disa nga pikat e marrëveshjes nuk përputheshin plotësisht me kushtetutën e Kosovës dhe duhet të amandamentohen.

Në dialogun e vazhdueshëm me Kosovën, Serbia i ka dhënë gjithnjë e më shumë prioritet themelimit të Asociacionit, duke argumentuar se është jetike të mbrohen interesat e serbëve në Kosovën me shumicë etnike shqiptare.

Mirëpo disa politikanë të Kosovës dyshojnë se Beogradi do t’i përdorte mirë enklavat serbe duke i futur në përdorim disa fuqi që janë jashtë kontrollit të qeverisë qendrore.

Qeveria e Kosovës tani këmbëngul se Asociacioni nuk mund të krijohet përpara arritjes së një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, për të cilën thotë se duhet ta përfshijë njohjen e pavarësisë së saj – diçka që Serbia këmbëngul se nuk do ta pranojë kurrë.

Kurti ka thënë gjithashtu se një strukturë me bazë etnike nuk do të ishte e pranueshme sipas ligjeve të Kosovës.

“Unë nuk mendoj se Kosova mund ta ketë një asociacion të bazuar në etni sipas një rendi aktual gjyqësor dhe kushtetues,” deklaroi ai muajin e kaluar.

Partia e tij, Vetëvendosje, e ka kundërshtuar marrëveshjen për Asociacionin qysh në fillim, madje ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës për ta ndaluar ratifikimin e saj.

I kontestuar ashpër në Kosovë, Robelli thotë se marrëveshja origjinale mbi Asociacionin ishte një favor i madh për Serbinë.

“Do të mbetet sfidë për Kosovën. Kam frikë se Kosova nuk do të ketë sukses të shpëtojë nga kjo e keqe sepse qeveritë paraprake të Kosovës u pajtuan me të pothuajse me lehtësi kriminale”, tha Robelli.

Donika Emini pret gjithashtu që presioni nga SHBA-ja dhe BE-ja ndaj Prishtinës për themelimin e Asociacionit të intensifikohet edhe më.

“Megjithëse dialogu ende po vazhdon, ka arritur në një pikë kritike. Pozicionimi i Kosovës në këtë proces është mjaft sfidues, sidomos për një qeveri që nuk ka qenë asnjëherë pjesë e dialogut, ndërkohë që ka trashëguar disa marrëveshje mjaft problematike”, tha Emini.

I rivendosur në krye të qeverisë në mars të vitit 2020, pas një mandati tre mujor si kryeministër në vitin 2019, Kurti ka thënë se fokusi i tij do të jetë më parë në reformat e brendshme dhe në luftimin e korrupsionit sesa në dialogun e ngecur me Serbinë.

Robelli thotë se është shumë herët për të dhënë ndonjë gjykim se sa serioze janë përpjekjet e Kurtit për reforma, ndonëse shton: “Nuk ka shkop magjik për ta luftuar korrupsionin”.

“Është një proces. Korrupsioni nuk mund të luftohet vetëm duke pasur një kryeministër të pakorruptuar… Duhet të kemi parasysh se çfarë trashëgoi kjo qeveri”, tha ai.

“Prioriteti i reformave ishte një vendim që u vlerësua shumë, por ky proces mund të zgjasë shumë dhe Kosova nuk ka kohë për të humbur për shkak të ndryshimeve në aspektin e fuqive globale”, komenton Emini.

Ajo gjithashtu thotë se reformat e nisura në vitin 2021 nuk ishin aq agresive sa ishin gjatë mandatit të parë të Kurtit në vitin 2020, i cili u ndërpre.

“Meqenëse programi i qeverisë nuk ka plan veprimi apo afate të qarta, është e paqartë nëse përpjekjet për reforma do të intensifikohen”, thekson Emini.

Qeveria “do ta ketë gjithmonë një tendencë për të përvetësuar rezultate, edhe në rast se hapat e ndërmarrë nuk e ndryshojnë situatën reale në terren”, përfundoi ajo.