
Ngjarjet politike që karakterizuan vitin 2024. Ilustrimi:KALLXO.com
Kosova në 2024: Nga liberalizimi i vizave deri te nisja e betejës për pushtet
Me lëvizjen e lirë, viti që po e lëmë pas nisi mbarë për Kosovën. Por, më pas u përcoll me tensione të shumta, kryesisht të ndërlidhura me veriun e vendit. Shteti nuk pati progres në procesin e njohjeve, sikundër që nuk arriti të anëtarësohet në Këshillin e Europës. Nuk munguan tensionet në Veri, për sa kohë që përmbyllja e vitit po përshkruhet me akuza, lavdërime e premtime që dalin nga partitë politike, të cilat janë bërë gati për Zgjedhjet parlamentare që do të mbahen me 9 shkurt 2025.
“Më në fund”
Bashkë me fishekzjarret e ndërrimit të motmoteve, për qytetarët e Kosovës viti 2024 nisi me lirinë e lëvizjes drejt shteteve perëndimore të kontinentit të vjetër. Vetëm në javën e parë të janarit mbi 83 mijë udhëtime vajtje-ardhje u realizuan në Aeroportin e Prishtinës.
Lëvizja e lirë ishte një nga dëshirat më të mëdha që patën kosovarët për shumë vjet. Sa herë ndizej një shpresë se mos ndoshta vitin pasues do të bëhej liberalizimi i vizave, çdoherë shfaqej një procedurë, një kriter a pengesë e re. Për afro një çerekshekulli u detyruan të grumbullojnë ”një krah dokumentesh” dhe me to të pritnin para dyerve të Ambasadave të huaja, për të aplikuar për një vizë që kushtonte mjaft për xhepin e qytetarit të thjeshtë. Çmimi i një vize varej nga Ambasada dhe sillej diku në mes të 35 e 80 euro – pa përfshirë shpenzimet e Agjencive për aplikime, sigurimin shëndetësor, rezervimin e hotelit dhe dokumentet komunale.
Mirëpo, 1 janari përkoi me datën në të cilën hyri në fuqi vendimi për lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës për në 26 shtetet e Zonës Schengen. Vendimi për liberalizimin e vizave ishte miratuar nga Parlamenti Europian dhe Këshilli Europian, më 19 prill 2023. Pas një muaji, edhe Spanja si një shtet mosnjohës i pavarësisë së vendit, e mundësoi lëvizjen e lirë për kosovarët.
Deri te kjo datë përfundimtare pati një rrugë të gjatë. Në janar të vitit 2012, Komisioni Europian (KE) kishte nisur zyrtarisht Dialogun me Kosovën për procesin e liberalizimit të vizave. Që nga nisja e këtij Dialogu e deri në fund të vitit 2021, kosovarët kanë parashtruar 659.029 aplikime për vizë Schengen – sipas të dhënave të KE-së.
Kosova po e përfundon vitin pa njohje të reja. Mirëpo, lëvizja e lirë është mundësuar edhe në Tajvan e Emiratet e Bashkuara. Së fundmi edhe Armenia, shtet jonjohës, e ka njohur pasaportën kosovare.
“Shkurti i gjatë”
Gëzimi për lëvizjen e lirë nuk qe i shkurt, por muaji shkurt e tërhoqi vëmendjen nga ky entuziazëm. Qarkullimi i dinarit si valutë pagese në Kosovë u ndalua përmes një Rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe e gjithë vëmendja kaloi në trajtimin e kësaj çështjeje.
Nga 1 shkurti kjo temë shkaktoi shumë dinamika të reja, që nuk arritën të zgjidhen as në tavolinën e Dialogut Kosovë- Serbi në nivel kryenegociatorësh, ku u shtua si pikë dialogimi me kërkesë të Bashkimit Europian. Hyrja në fuqi e Rregullores së BQK-së e përballi Qeverinë e Kosovës me presion ndërkombëtar, me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Njëri prej zyrtarëve më të lartë amerikan të shtetit kishte paralajmëruar prerazi se nëse nuk trajtohen si partnerë, atëherë as SHBA-ja nuk do ta trajtojë Qeverinë e Kosovës si të tillë.
“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thosha, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere.” – tha Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, më 13.02.2024.
Më 08.02.2024, çështja e dinarit u adresua në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku në një seancë të jashtëzakonshme u përballën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Vuçiq thoshte se kjo Rregullore “mund të krijojë dëm të pariparueshëm për mbijetesën e serbëve në Kosovë”, ndërkaq Kurti tha “se një ide e tillë është thjesht gënjeshtër”.
Kurti nuk u pajtua as me pretendimet se janë lënduar marrëdhëniet Kosovë-SHBA. Më 19.02.2024, ai tha se bashkëpunimi i Kosovës me SHBA është i mirë, por se kjo nuk do të thotë që dy vendet “pajtohen absolutisht për gjithçka”.
Kjo çështje preku serbët lokalë, të cilët përdorin dinarin për pagesa, madje ata marrin edhe pensionet nga Serbia në dinarë. Ata kanë pasur reagime të forta në kundërshtim të kësaj Rregulloreje, nën arsyetimin se i privon nga mundësia për ta përdorur dinarin si mjet pagese.
Dy hapa para, një hap i ngrirë
Pritjet ishin që fundi i pranverës Kosovën ta zë të anëtarësuar në Këshillin e Europës (KiE). Këto shpresa u shtynë për vitin që po vjen. Edhe pse Kosova bëri dy hapa përpara, i fundit “u ngri” – duke e lënë kështu vendin pa hyrë as në agjendën e Këshillit të Ministrave. Në politikën e jashtme ky ishte njëri prej zhvillimeve kryesore.
Për t’u përgatitur për Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Qeveria e Kosovës mori vendim që të zbatojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit – gjë që ishte kusht për anëtarësim. Pas këtij vendimi, vendi mori dy drita të gjelbra, e në të tretën u kurthua. Ishte kërkesa për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ajo që e la Kosovën jashtë agjendës. Disa shtete anëtare kërkuan dorëzimin e projektstatutit për themelimin e Asociacionit, si hap për të fituar mbështetjen e shumicës së përfaqësuesve të shteteve anëtare të KiE-së për anëtarësim.
Përderisa zyrtarët e lartë kosovarë këmbëngulin që janë përmbushur të gjitha kushtet, disa nga shtetet që janë pjesë e këtij mekanizmi nuk e kanë aprovuar një gjë të tillë përmes votës, në mënyrë që Kosova të bëhet vendi i 47 anëtar.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schëarz, më 16.05.2024, i kishte dërguar letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”. Megjithatë, relevanca e kësaj letre ra poshtë.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti ka thënë se Qeveria nuk e pranon Asociacionin si kusht për t’u bërë pjesë e Këshillit të Europës. Kjo kërkesë, sipas tij, “nuk është parimore e as vlerore”, por është absurde.
Në Asamblenë Parlamentare, më 16.04.2024, Kosova arriti të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar. Tashmë, ka mbetur vetëm vota e Komitetit të Ministrave. Kosova kishte aplikuar më 12.05.2022, për anëtarësim në Këshillin e Europës, me dorëzimin e aplikacionit nga zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla.
As “për” as “kundër”, saga që s’po përfundon
Edhe pse votat u hodhën në kuti, ato nuk u përfillën që Kosovës t’i hiqen masat nga Bashkimi Europian.
Votimi në katër Komunat e vendit për të shkarkuar ose jo Kryetarët shqiptarë ishte një nga çështjet më të diskutuara që nga dita kur ata të katërt u vendosën në ato pozita. Vendosja e tyre në krye të Komunave me Shumicë Serbe kishte nisur me protesta të ashpra në vitin 2023, që përfunduan edhe me të lënduar e dëme të shumta materiale.
Pas kërkesave të shumta një votim i tillë ndodhi, më 21.04.2024, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok. Megjithatë, procesi dështoi, pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve erdhi në përfundim se kanë votuar vetëm 253 qytetarë. Për të qenë i suksesshëm procesi, do të duhej të votonin 50% plus 1 votues.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e kishte bojkotuar procesin e votimit për largim ose jo të Kryetarëve shqiptarë në katër Komunat veriore dhe një gjë të tillë ua kishte kërkuar edhe banorëve serbë.
Nisma për largim ose jo të Kryetarëve ishte organizuar pasi faktori ndërkombëtar kishte kërkuar largim të Kryetarëve shqiptarë nga pozitat e tyre, duke konsideruar se ndonëse procesi i prillit të vitit 2023, kur ata u vunë në ato pozita ka qenë legjitim, megjithatë, nuk e ka reflektuar vullnetin e qytetarëve.
Edhe pse votimi ndodhi ashtu siç u kërkua, masat ndaj Kosovës që u vendosën pas trazirave të majit 2023 nga Bashkimi Europian nuk u hoqën. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkuan menjëherë heqjen e tyre, por një gjë e tillë nuk ndodhi as sot e kësaj dite.
Kosova po e mbyll vitin me masa të vendosura. Shtetet e Bashkimit Europian ende nuk e kanë një qëndrim unik rreth heqjes së tyre. Në muajin qershor 2024, kryediplomati i Bashkimit Europian, Josep Borrell ua kishte dorëzuar vendeve anëtare të BE-së Raportin lidhur me masat që i janë vënë Kosovës, megjithatë nuk ndodhi asnjë lëvizje.
Ndër masat e BE-së është edhe suspendimi i përkohshëm i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Kosova, po ashtu, nuk ftohet në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës, në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Masat tjera janë suspendimi i programimit të fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024 (Fondet e Para-Anëtarësimit).
Ujërat u trazuan, por Ura s’u hap
Premtohej të hapej në muajt e nxehtë të verës, por e zuri dimri me prani të mëdha të trupave të KFOR-it. Ura e Ibrit për më shumë se dy muaj ishte pikë e nxehtë. Qeveria mëtonte ta hapte. Por, këtë e kundërshtuan akterët ndërkombëtarë me arsyetimin se nuk është koha e duhur dhe se statusi i saj duhet të zgjidhet vetëm në tavolinën e Dialogut Kosovë- Serbi. As në Dialog ende nuk u shtrua, edhe pse u ngjyros e iu bënë inspektime, madje u përgatiten edhe Raporte se a është e gatshme të mbajë automjete apo jo.
Përderisa nga SHBA, KFOR e BE kërkohej që të mos hapej në këtë mënyrë, kryeministri Kurti deklaroi se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër askujt “e aq më pak kundër partnerëve ndërkombëtarë”, për çka edhe ka shtuar se janë duke vazhduar koordinimin për këtë çështje.
Edhe pse ndër vite u arritën marrëveshje dhe pajtime, e më pas u hap edhe për kalimin e këmbësorëve, Ura e Ibrit vazhdon të mbetet e mbyllur për qarkullimin e automjeteve dhe të ruhet nga të dyja anët nga tre reaguesit e sigurisë: Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR.
Vendimi për hapjen e Urës është marrë në prill të vitit 2023, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.
Kjo Urë ka një sërë historish për vite me radhë. Rivitalizimi 1.5 milionësh ishte përfunduar nga Bashkimi Europian më 2018. Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, qysh prej vitit 1999.
Deklarata e fundit e dhënë për fatin e kësaj Ure ishte më 23.10.2024, nga Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili ka thënë se Kosova është e gatshme që ta hapë Urën e Ibrit, veçse po pret kur të jenë gati edhe partnerët e saj ndërkombëtarë për ta ndërmarrë këtë hap. I nxehti iku e premtimet mbetën të “zhytura në urë”, së bashku me mendimet se a thua kur do të hapet ajo.
Mbyllja e objekteve të strukturave ilegale
Që nga fillimi i vitit, autoritetet kosovare kanë nisur të mbyllin objektet ku kanë funksionuar strukturat ilegale të Serbisë, kryesisht në veri të vendit. Këto veprime janë përcjellur me kritika të shumta nga faktori ndërkombëtar si “të njëanshme dhe të pakoordinuara”. Edhe këto u kërkuan të zgjidhen vetëm përmes Dialogut Kosovë-Serbi.
Këto institucione nga Kosova cilësohem si të paligjshme. Mbyllja e tyre, sipas zyrtarëve të lartë kosovarë, është shtrirje e sovranitetit në veri. Pas ndalimit të dinarit, deri tani janë mbyllur disa organe të përkohshme komunale, Posta e Serbisë, Banka Kursimore e Postës, Instituti për Sigurime Pensionale dhe Invalidore, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë, si dhe disa kompani komunale.
Kryeministri Kurti kishte deklaruar se Qeveria e tij është duke vendosur sundim të ligjit dhe rendit publik, si dhe duke siguruar paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës – pa dallime.
“Në këtë aspekt duam edhe bashkëpunimin e ngushtë, edhe mbështetjen ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Francën, që e konsiderojmë vend mik, aleat dhe partner shumë të rëndësishëm edhe në Bashkimin Evropian, edhe në NATO.” – ka thënë ai, më 30.08.2024.
Së fundmi, kah fundi i dhjetorit 2024, u mbyllën edhe dy ndërmarrje publike: Drejtoria për Hapësirën Banesore dhe Biznesore dhe Drejtoria për Tokën Ndërtimore, të cilat kanë vepruar në sistemin e Serbisë në Mitrovicën e Veriut.
Kushti
Çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe qe një kohë të gjatë po qëndron pa asnjë zgjidhje. Edhe këtë vit pati shumë kushtëzime e trysni që të themelohet ky Asociacion. Besa u vendos si kusht që të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Europës.
Përderisa zhvillimet Kosovë-Serbi po rrjedhin, Dialogu ka çaluar. Hera e fundit që janë ulur në tavolinë për të dialoguar kryeministri Kurti me presidentin serb Vuçiq ka qenë më 14.09.2023. Edhe pse edhe ai takim nuk prodhoi rezultate, të tjera takime në kuadër të Dialogut nuk u panë më.
Në tetor 2023, BE-ja ua kishte dorëzouar Kosovës dhe Serbisë një draft-statut “modern” për formimin e Asociacionit. Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca dhe Italia e mbështetën atë. Prej atëherë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian i kanë bërë thirrje vazhdimisht Kosovës ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese këtë draft-statut. Mirëpo, zyrtarët e Qeverisë vazhdojnë ta cilësojnë këtë draft si “non-paper”.
Asociacioni nuk po pranohet as nga kryeministri Kurti e as nga presidentja Vjosa Osmani.
“Ne e kemi një Asociacion të Komunave. Nëse dikush e dëshiron një tjetër, kjo duhet të bëhet nga Komuna. Nuk formon Kryeministri Asociacion e as nuk i themelon.” – tha Kurti, më 29.10.2024.
“Me Asociacionin, ju siguroj një gjë, vetëm sa pakësohen të drejtat e qytetarëve dhe fuqizohet një lloj pushteti mbi ta, pra liderët e Asociacionit, të cilët Vuçiq për momentin e ka për qëllim t’i kontrollojë dhe në një njëfarë mënyrë ta bëjë Kosovën shtet jofunksional.” – deklaroi Osmani, më 10.07.2024.
Mirosllav Lajçak, emisar i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi, në fund të vitit kërkoi edhe njëherë që vitin tjetër presin nga Kosova që ta themelojë Asociacionin.
Kosova dhe Serbia fillimisht arritën Marrëveshje për formimin e Asociacionit më 2013 dhe një tjetër Marrëveshje për parimet më 2015. Por, Qeveria e Kosovës refuzon të formojë, siç thotë, Asociacion njëetnik, ndërsa Serbia insiston për zbatimin e Marrëveshjes. Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vlerësuar se Marrëveshja për parimet nuk është në përputhje me Kushtetutën, në 23 pika të saj, ndonëse ato mund të harmonizohen.
Sulmi në kanalin e ujit
Sulmi i papritur në kanalin e Ibër-Lepencit e ndeshi Kosovën me një realitet të ri. I ardhur në fund të nëntorit, ky sulm jo që dëmtoi rëndë infrastrukturën vitale të vendit, duke e lënë pa ujë e rrymë në disa qytete, por edhe nxiti një raund të ri përplasjesh mes Kosovës dhe Serbisë.
Përderisa Qeveria e Kosovës e fajëson Serbinë për këtë sulm, Serbia e mohon, e faktori ndërkombëtar as andej as këndej është në pritje të një Raporti se kush e kreu këtë sulm. Dëmtimi i kanalit vendit i kushtoi mbi 400 mijë euro riparim.
Sulmi i 29 nëntorit në Varagë të Zubin Potokut, që nga autoritetet kosovare dhe Bashkimi Europian u rëndua me termin më të ashpër si “terrorist”, akoma vazhdon të jetë i pazbardhur se kush është fajtori kryesor.
Jeffrey Hovenier, ambasador amerikan në Kosovë, ka thënë se qëndrimi i SHBA-së mbetet i pandryshuar, në lidhje me fajtorin për sulmin në Ibër-Lepenc dhe se “Qeveria e SHBA-së nuk është ende në gjendje të thotë se ne kemi nxjerrë përfundime ose e dimë se kush është përgjegjës për këtë sulm”.
Kryeministri Kurti kishte drejtuar gishtin nga Serbia po atë natë kur ndodhi sulmi, duke thënë se ky shtet është duke i përdorur metodat që aplikon Rusia në luftën e saj në Ukrainë.
“Unë nuk i kam emrat e atyre që e kanë vënë detonimin. Por, unë e di një gjë, se elemente të tilla kriminale, qofshin edhe zyrtarisht anëtarë të Mbrojtjes Civile, Brigadës Civile, ata e kanë mbështetjen dhe dirigjimin nga Beogradi zyrtar.” – kishte thënë Kurti.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e ka mohuar që Serbia ka lidhje me rastin.
“Hetimet do të tregojnë se kush e ka kryer, sepse edhe ne po i bëjmë hetimet tona. Kemi dyshime të caktuara, porse hetimet do të tregojnë se kush e ka urdhëruar atë sulm.” – kishte thënë Vuçiq.
Shpërthimi në kanal, prej nga furnizohen me ujë disa qytete dhe termocentrale u shkaktua nga rreth 20 kilogramë eksplozivë – sipas Policisë së Kosovës. Ky sulm u cilësua dhe si më i rëndi në infrastrukturën kritike apo vitale të vendit, që nga lufta e viteve 1998/99.
Në “luftë” me njëri-tjetrin
Sa më afër datës së Zgjedhjeve, gjuha politike u egërsua edhe më shumë. Muajve të fundit është vërejtur një gjuhë e ashpër mes pozitës dhe opozitës. Një gjë e tillë është vërejtur qoftë pas vendimeve të Qeverisë, në rastin tjetër për ndarjen e granteve të Ministrisë së Bujqësisë, pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit e deri te reduktimet e energjisë elektrike.
Doza e fyerjeve, etiketimeve dhe akuzave mes rivalëve politikë ka arritur në nivelin ku politikanët nuk kursehen më nga përdorimi i shprehjeve: “tradhtar”, “spiun i Serbisë”, “hajn i taksave të qytetarëve”, “zhvatës”, “kriminel”,”agjent i Rusisë”, e çka jo tjetër.
Rasti i pretenduar i përgjimeve të shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila me terroristin Milan Radojçiq, grantet e Ministrisë së Bujqësisë për të afërmit e deputetes Fitore Pacolli ishin vetëm disa nga çështjet që nxitën një gjuhë të ashpër parazgjedhore mes VV-së dhe tri partive opozitare: PDK, LDK dhe AAK.
Edhe pse pati vetëm tre minuta në dispozicion gjatë seancës së përbashkët të Kuvendeve Kosovë – Shqipëri, më 20.12.2024, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i shfrytëzoi për të akuzuar Kurtin.
“Unë mendoj që çdo veprim i Kurtit është në përputhje të plotë me agjendën e Serbisë dhe të Rusisë.” – ripërsëriti Haradinaj akuzat e tij të pretenduara.
“Hapat e gabuar dhe të pakoordinuar kanë bërë që Serbia nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare të shihet si viktimë e Kosova thënë më së buti, e papërgjegjshme dhe shtet jo serioz.” – tha ai.
Avazi po vazhdon edhe gjatë fundit të muajit dhjetor, pas reduktimeve të shpeshta të energjisë elektrike. Se çfarë drejtimi do të marrë kjo gjuhë parazgjedhore, pritet të shihet deri më 9 shkurt 2025 – datë në të cilën do të mbahen Zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë e që shënon një kapitull të ri për vendin.