Ilustrimi: Jetë Dobranja për Kallxo.com

Kosova më e ndarë se kurrë lidhur me ekipin e dialogut

Pakënaqësia me delegacionin që përfaqëson Kosovën ne bisedimet e Brukselit me Serbinë u rrit më shumë këtë javë, ku edhe partitë në qeverisje kundërshtuan caktimin e Skënder Hysenit si Koordinator Shtetëror për Dialog.

 

Vetëm disa orë para se Skënder Hyseni, Koordinatori i sapoemëruar i shtetit për dialog, u takua me homologun e tij serb në Bruksel të enjten, liderët e partive qeverisëse të Kosovës po qortonin publikisht përfaqësuesit e vendit në bisedime.

Në një intervistë televizive të mërkurën në mbrëmje, Ramush Haradinaj, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK shprehu pakënaqësinë e tij për mungesën e përfaqësuesit nga partia e tij në dialog.

Ai gjithashtu shpalosi se emërimi i Hysenit nuk u diskutua mes të partnerëve të koalicionit dhe vuri në pikëpyetje përpjekjet e Kryeministrit Avdullah Hoti për ndërtimin e konsensusit politik.

“Nëse Hoti nuk i beson Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, me të cilën ai është në koalicion, atëherë pse duhet t’i besojë opozita? Haradinaj pyeti në mënyrë retorike, duke shtuar se qasja e njëanshme ndaj qeverisjes nuk mund të vazhdojë.

Zemërimi i udhëheqësit të AAK-së për mungesën e koordinimit rreth emërimit të Hysenit u përkrahë edhe nga Fatmir Limaj, udhëheqësi i NISMA-s. Limaj deklaroi se nuk ishte i informuar për krijimin e pozitës së koordinatori e as të nominuarit, dhe dënoi emërimin e njëanshëm të Hysenit.

Shenjat e mosmarrëveshjes mes palëve qeverisëse për dialogun ishin shfaqur më herët gjatë javës, kur Hoti ftoi liderët e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës në një takim për të diskutuar fazën e re të bisedimeve të Brukselit.

Takimi i së martës u bojkotua nga drejtuesit e partive opozitare, por Haradinaj dhe Limaj gjithashtu nuk arritën të marrin pjesë, duke dërguar zyrtarë të partisë në vend të tyre.

Personi që përshëndeti emërimin e Hysenit në pozicionin e tij të ri ishte Presidenti Hashim Thaçi, i cili e cilësoii emërimin e Hysenit një produkt të “Koordinimit ndërinstitucional”.

Kjo na lë të kuptojmë se edhe pse Hoti sipas reagimeve të Haradinajt e Limajt i  injoroi partnerët e koalicionit në emërimin e Hysenit, presidenti mund të ketë qenë pjesë e procesit të konsultimit.

Thaçi shtoi se ai është i bindur që Hyseni “do arrijë të ndërtojë konsensusin e nevojshëm politik mes qeverisë dhe opozitës për të mirën e Republikës së Kosovës”. Ndërkohë, të dy Thaçi dhe Hoti kanë theksuar rëndësinë e rolit të Hysenit, duke pretenduar se si Koordinator Shtetëror për Dialog do të negociojë dhe draftojë “marrëveshjen përfundimtare politike mes Kosovës dhe Serbisë”.

Sidoqoftë, emërimi i njëanshëm sipas raportimeve i Hysenit tashmë ka shkaktuar çarje në qeverinë e koalicionit të Kosovës dhe vetëm ka thelluar ndarjet e brendshme politike kur bëhet fjalë për dialogun Kosovë-Serbi.

Mungesa e një konsensusi të brendshëm politik rreth dialogut ka qenë i dëmshëm për reputacionin ndërkombëtar të Kosovës për vite me radhë dhe ka çuar në një dështim për ratifikimin e marrëveshjeve si dhe rrëzoi disa qeveri.

Vazhdimi me një koordinator shtetëror përgjegjës për negociimin e një marrëveshje përfundimtare, që nuk ka mbështetje politike, vetëm mund ta përkeqësojë këtë situatë dhe të rrezikojë çdo marrëveshje të arritur.

Shanset për të kaluar një marrëveshje të negociuar nga Hyseni përmes Kuvendit të Kosovës jane të largëta me aq pak mbështetje politike për emërimin e tij. Kjo nuk është një çështje e ngjashme me Serbinë, ku me gjithë valën e protestave dhe çarjeve në legjitimitetin e tij që po paraqiten muajt e fundit, Presidenti Aleksandër Vuçiq ende mban fuqi politike të pakontestuar.

Qasja e tanishme për dialogun që po përdoret nga Kosova duket sikur prapë po i mungon transparenca, me publikun dhe grupet e prekura të lënë në errësirë lidhur me atë se çfarë po ndodhë jo vetëm pas dyerve të mbyllura në Bruksel por edhe brenda vet delegacionit të Kosovës.

Takimi i së enjtes në Bruksel pritej të përfshinte diskutime mbi fatin e personave të pagjetur nga lufta në Kosovë.

Në orët pararake të këtij takimi (Thirrjet e nënave) një shoqatë që përfaqëson familjet e të zhdukurve bëri një deklaratë publike ku kritikoi mungesën e përfshirjes së tyre brenda delegacionit të dialogut, duke përshkruar të afërmit e familjeve të personave të zhdukur si “kategoria më e prekur dhe më e injoruar”.

Emërimi i vonshëm i Hysenit gjithashtu shpalosë mungesën e përgatitjeve në mesin e delegacionit të Kosovës që do shkojnë në bisedime me Serbinë. Hoti fillimisht deklaroi pozitën e një ‘Koordinatori Shtetëror për Dialogun’ të hënën, vetëm tre ditë para takimit, kurse Hyseni u konfirmua në pozitë të martën pasdite.

Një nga konsensuset e pakta mes partive politike të Kosovës ishte nevoja për një “dialog të përgatitur mirë”, megjithatë gjatë njërit prej takimeve të para në 18 muaj, Kosova u përfaqësua nga një përfaqësues i ngritur në këtë pozitë më pak se 48 orë para takimit.

Mosmarrëveshjet lidhur me Hysenin gjithashtu ekspozojnë natyrën e brishtë të qeverisë aktuale të Kosovës, dhe demonstron se aftësia për të formuar një qeveri nuk përkthehet automatikisht në aftësinë për të ndërtuar konsensus politik e shoqëror.

Derisa “nevoja për konsensus” është një sllogan i përsëritur lehtësisht në opozitë, kur të të arrish pushtetin mbetet një frazeologji boshe.

Pozicioni i qeverisë tashmë është delikat sa i përket numrave në Kuvendin e Kosovës, duke drejtuar një shumicë prej vetëm një vote, dhe duke e lënë të cënueshëm nga rënia e Qeverisë. Nëse situata mes partnerëve aktual të koalicionit përkeqësohet, do ndikojë  gjithashtu në mënyrë të pashmangshme në dialog.

Kosova tashmë ka humbur një betejë kur SHBA-në dhe BE-ne kryesisht duke fajësuar Qeveritë e njëpasnjëshme të Kosovës për bllokimin e gjatë 18 mujor në dialog, siç u dëshmua nga përpjekjet për të siguruar që Kosova të heq tarifën e saj për importet serbe që u ndoqën me më shumë forcë sesa përpjekjet për të ndaluar fushatën e çnjohjeve të Serbisë.

Çdo prishje e bisedimeve tani për shkak të dështimeve nga pala e Kosovës vetëm do e dobësojë pozitën e tyre edhe më shumë.

Në ndërkohë, nëse vazhdojnë veprimet e njëanshme të Hotit në dialog dhe nëse ai nuk arrin të ndërtojë konsensus-së pari me partnerët e tij qeverisës dhe më pas me opozitën-atëherë përpjekjet e Kosovës brenda dialogut në Bruksel janë të destinuara të dështojnë.

Ky shkrim fillimisht është shkruar në anglisht dhe është publikuar në Prishtina Insight.