Kosova Ka Merituar Fillimin e Negociatave për MSA-në

Komisioneri Fule ka deklaruar se Kosova ka shënuar përparime të mëdha në procesin e normalizimit të marrëdhënie me Serbinë dhe hapjen e negociatave për MSA-në, për të cilat ai ka thënë se janë një shpërblim i merituar për Kosovën.

“Fillimi i negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian është shpërblim i juaj i merituar”, tha komisioneri Fule.

Komisoneri Fule është shprehur optimist se procesi i negociimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Associmit  mund të përfundojë në pranverën e vitit të ardhshëm.

“…Unë jam optimist se ne mund të bëjmë përparim shumë të mirë dhe madje edhe të përfundojmë negociatat deri në pranverën e ardhshme, pse jo” tha ai.

Komisioneri Fule këto komente i bëri gjatë një konference për media me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, në kuadër të vizitës së tij të sotme në Kosovë.

Fule po ashtu ka thënë se vendet e BE-së ishin unike për autorizimin e nisjes së negociatave me Kosovën për MSA-në.

Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi është zotuar se Kosova do të përmbushë të gjitha obligimet dhe rekomandimet që dalin nga kjo marrëveshje.

 Thaçi po ashtu ka shprehur përkushtim institucional edhe për zbatimin e marrëveshjes së arritur më 19 prill për normalizim marrëdhëniesh mes Kosovës dhe Serbisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, por edhe institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që ta respektojnë në përpikëri marrëveshjen e arritur me 19 prill, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi” tha ai.

 Ai po ashtu ka deklaruar se do të punohet bashkërisht për zënie të hapave me kohë sa i përket procesit të liberalizimit të vizave.

“…Do të punojmë bashkërisht që të implementojmë të gjitha kriteret por t’i zëmë hapat me kohë sa i përket procesit të liberalizimit të vizave…”  ka thënë ai.

Komisoneri Fyle pas konferencës për media ka vazhduar për në kuvend ku i është drejtuar deputetëve  me një fjalë rasti.

Ardhjen e Fules në Kosovë fillimisht e ka përshëndetur kryeparlamentari Jakup Krasniqi duke e quajtur e atë ogur të bardhë për vendin, pasi tha që Kosova po hyn në marrëdhënie kontraktuale me BE-në.

Krasniqi në fjalën e tij përshëndetëse për Fulen shfaqi shpresën që Kosova t’i përmbyll shpejt negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Komisoneri për zgjerim  Fule ka thënë para deputetëve se me negocimin e MSA-së, Kosova tashmë është e vendosur në rrjedhën e zgjerimit të BE-së.

“Kosova tashmë është e vendosur në rrjedhën  e fuqishme të zgjerimit të BE-së me negociimin e Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim”, tha mes tjerash Fule.

Ai  u tha ligjvënësve kosovarë se duhet të miratojnë legjislacion të vështirë, siç ishte projektligji për amnisti, i miratuar në lexim të parë dhe të dytë para një jave.

“Duhet të merrni vendime të vështira, ndoshta edhe të dhimbshme”, është shprehur ai.

Fule ka kërkuar që Kosova të vijojë zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit me Serbinë dhe zbatimin e reformave, për ta bërë vendin më të mirë për të gjithë qytetarët e tij.

Ndërsa ka premtuar se BE-ja dhe Kosova do të vazhdojnë punën e përbashkët, dhe se Komisioni Europian do të zgjerojë marrëdhëniet e tij me Kosovën.