Kosova Falënderon NATO-n për Ndërhyrjen

Çlirimi dhe pavarësia e Kosovës nga Serbia ishte një akt historik, tha presidentja Atifete Jahjaga, duke falënderuar NATO-n për ndërhyrjen ushtarake në ish-provincën serbe, 13 vjet më parë.

Në mesazhin e saj për “Ditën e Lirisë”, që shënohet më 12 qershor, presidentja bëri thirrje për unitet kombëtar, dhe një vend të lirë, të begatë dhe demokratik.

“Në këtë ditë të madhe për vendin tonë, nderojmë vizionarët e shtetësisë të Kosovës dhe miqtë tanë ndërkombëtarë”, tha ajo.

“Nderojmë burrat dhe gratë e NATO-s, që ishin pjesë e fushatës ajrore për të parandaluar gjenocidin ndaj popullit të Kosovës”, shtoi ajo.

Fushata ajrore e NATO-s filloi në mars të vitit 1999 dhe kishte për qëllim të detyronte Serbinë e Slobodan Miloshevicit të tërhiqte policinë dhe ushtrinë nga Kosova.

Rreth 78 ditë më vonë, NATO dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje që lejoi forcat paqeruajtëse të hyjnë në territor, të rivendosin rendin dhe të mbikëqyrin tërheqjen e forcave serbe.

Ushtarët e parë të KFOR-it hynë në Kosovë më 12 qershor 1999, “Dita e Lirisë”, pas së cilës OKB-ja vendosi një administratë të përkohshme, që zgjati deri në mars të 2008, kur ish-provinca u nda zyrtarisht nga Serbia.

Që nga atëherë, 91 shtete, duke përfshirë 22 nga 27 vendet e Bashkimit Europian, si dhe SHBA-ja, e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Sidoqoftë, Serbia ende e konsideron Kosovën si territor të saj sovran dhe ka mbështetjen e Rusisë dhe Kinës, si dhe disa vendeve të tjera.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha të hënën se “Dita e parë e Lirisë” ishte një hap themelor në rrugën që coi drejt pavarësisë.

Që nga ajo koha, pavarësia e Kosovës ka krijuar paqe dhe stabilitet në rajon, duke qenë se u ndërtua në idenë e shtetësisë, dhe jo prejardhjen etnike të popullit, tha ai.

Kosova pati njohje ndërkombëtare pasi pranoi planin e propozuar nga ish i dërguar i OKB-së, Martti Ahtisaari, propozimi i detajuar i të cilit për statusin përfundimtar të Kosovës, parashikoi një pavarësi nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, me garanci të forta për minoritetet etnike.

Kosova ka dhënë shenja se në shtator do të kërkojë të përfundojë pavarësinë e “mbikëqyrur”, pasi 25 shtetet e njohura si Grupi Drejtues Ndërkombëtar ranë dakord se periudha e mbikëqyrjes duhet të përfundojë.