Ndotja e ajrit në Prishtinë. Foto: Urim Krasniqi

Kosova e ndotur përballë ngrohjes globale

Kosova po përballet me nivele krize të ndotjes së ajrit dhe degradimit të mjedisit, megjithatë institucionet e saj janë në fazat e hershme të zbatimit të çdo rregulloreje që mund të kufizojë ndotjen dhe të favorizojë energjinë e ripërtrishme.

Qytetarët e pesë komunave kryesore të Kosovës nuk marrin ajër të pastër për të paktën 100 ditë të vitit, për shkak të niveleve jo të shëndetshme të ndotjes së ajrit të shkaktuara nga prodhimi i 1000 kilovatëve energji elektrike me qymyr.

Ndotësi më i madh i ajrit sfidohet edhe nga ndotësit e tjerë të cilët në 20 vite të pasluftës kanë lënë pasoja të mëdha në ambient. Në mungesë të legjislacionit dhe investimeve Kosova është larg zbatimit të standardeve ambientale.

Vendi nuk ka taksë për përdorimin e plastikës dhe si rrjedhojë plastika përdoret pa asnjë kriter.

Të dhënat tregojnë se mbi 110 mijë makina që qarkullojnë në Kosovë janë nënë standardin EURO 2 të djegies së karburanitit, ndërsa në qytetet e Kosovës nuk ka asnjë kufizim për lëvizjen e makinave sipas standardeve të djegies së karburanteve.

Në qytetet e vendit transporti është i përcaktuar të jetë me makina pasi nuk ka shtigje për biçikleta e trotinetë. Një raport i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, MAPL,  tregon që asnjëra nga komunat e Kosovës nuk e kalon standardin prej 20% në shtrimin e shtigjeve të biçikletave.

Problematikë tjetër janë përdorimi i vajrave motorike. Një hulumtim i KALLXO zbardhë se pjesa më e madhe e vajrave motorike digjen për ngrohje. Dogana e Kosovës në një përgjigje për KALLXO ka treguar se vendi importon 5.3 milionë litra vajëra ndërsa riciklon vetëm 1 mijë litra. Sasia tjetër digjet për ngrohje duke krijuar ndotje të madhe të ajrit.

Ndotja e ajrit është shoqëruar me degradimin e tokave dhe ujërave. Një raport të cilin e nxjerr MAPL,  tregon se asnjëra nga komunat e Kosovës nuk arrinë t’i pastroj kanalizimet. Në fakt në Kosovë ekzistojnë vetëm tre impiante të ujërave të zeza të cilat pastrojnë ujërat e zeza për më pak se 20 mijë banorë.

Të dhëna të tjera tregojnë se eksploatimi ilegal i zhavorit ka dëmtuar shtratet e shumicës së lumenjve të mëdhenj të vendit. Një raport i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës tregon se në periudhën 2016-2019, janë identifikuar 453 raste të paligjshme të nxjerrjes së mineraleve të shkëmbit të fortë, rërës dhe zhavorrit.

Një hulumtim i KALLXO zbardhi se parat e taksapaguesve ishin përdorur për të përkrahur eksploatuesit ilegal kjo pasi kompanitë që ndërtonin rrugë lejoheshin të blinin zhavorin e nxjerrë nga kompanitë ilegale.

Termocentralet, ndotësit më të mëdhenj të mjedisit në Kosovë

95 % e energjisë që konsumohet në Kosovë vjen nga djegia e thëngjillit. Përpos prodhimit të energjisë elektrike në nivel qendror nga termocentralet Kosova A dhe Kosova B në Obiliq,  thëngjilli është burimi kryesor i energjisë edhe nëpër shtëpi private.

Alternativa kryesore për zëvendësimin e thëngjillit është vënia në përdorim e energjisë së pastër natyrore: energjia e erës dhe diellit (solare).

Miran Vatovec nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, për KALLXO thotë se problem kryesor i ndotjes së ambientit është prodhimi i rrymës me anë të termocentraleve e deri tek ndotja që e shkakton secila familje e cila ngrohjen e siguron me thëngjill.

Vatovec thekson se gjatë 15 viteve që ka jetuar në Kosovë, nuk ka pa gati fare përparim në krijimin e një ambienti pa ndotje, si nëpër shtëpi, amvisëri, transport e prodhim të energjisë.

Raporti i publikuar në vitin 2019 për Cilësinë e Ajrit në Evropë nga Agjencia Evropiane e Mjedisit e rendit Kosovën si vendin me cilësinë e tretë më të keqe të ajrit në Evropë. Çdo raport për cilësinë e ajrit në Kosovë, nga raportet vjetore të vendit mbi gjendjen e mjedisit në Kosovë e deri te raporti për Kosovën më të shëndetshme nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), i konsideron termocentralet si burimi kryesor i ndotjes së ajrit.

Miran Vatovec në panelin e organizuar të Mërkurën nga Bashkimi Evropian për diplomacinë klimatike, tha që po planifikojnë një projekt të madh në vitin 2022, ndërtimin e një termocentrali diellor në zonën e KEK-ut, më shumë se 50 milionë euro, një buxhet që vjen nga buxheti i BE-së.

Në raportin e Agjencisë Evropiane e Mjedisit në vitin 2018,  me të dhëna të përpunuara të vitit 2015, në Kosovë ishin shkaktuar 3,700 vdekje si pasojë e ajrit të ndotur.

Në raport me numrin e popullsisë, kjo e radhit Kosovën në shtetin e parë në Evropë, ku ajri i ndotur përbën 0.2% të numrit të vdekjeve, në krahasim me Serbinë (rreth 13 mijë vdekje), kurse  vendi  ka popullsi katër herë më të lartë sesa Kosova; në Maqedoni është 0.14% e popullsisë (3,000 vdekje), që ka numër të popullsisë gati  një herë më shumë se Kosova.

“Do të ndërtojmë termocentral të ri me qymyr nëse është e nevojshme ta ndërtojmë”, kështu ka thënë Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në një diskutim në ‘KallxoPernime’.

Ministri i Mjedisit theksoi se Kosova mbase duhet të shfrytëzoj rezervat e saj të qymyrit për të arritur atë që burimet alternative duket se nuk mund ta sigurojnë dot, sigurinë energjetike.

Tentativat për të zëvendësuar energjinë e prodhuar nga qymyri me energji tjetër u shoqëruan me probleme dhe afera në Kosovë.

Në grykën e Deçanit, në Biti të Shtërpcës dhe në Grykën e Rugovës, OJQ-të dhe banorët kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentraleve me pretendimet se ndërtimet kanë marrë ujin e pijes dhe dëmtojnë natyrën.

Transporti degradues- shumë vetura të vjetra e pak shtigje për biçikleta

Vjetërsia e veturave në Kosovë, nga e cila edhe krijohet ndotja e ajrit nga lirimi i gazrave është një presion i madh që i bëhet mjedisit.

Për të plotësuar kriteret e një vendi që e neutralizon klimën, duhet të krijohen politika që qesin jashtë funksionit përdorimin maratonik të veturave dhe zëvendësimin e tyre me biçikleta. Pavarësisht kësaj, asnjë komunë nuk tejkalon 20 përqindëshin e përmbushjes së standardit për biçikleta.

Megjithatë, zgjidhja për ndotësit e përditshëm nuk shihet në horizont për shkak të mungesës së legjislacionit që penalizon veturat me lirim të lartë të gazrave të dëmshëm.

Në bazë të raportit të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, sa më të vjetra që të jenë veturat dhe sa më i vjetër që është standardi EURO i tyre emetimet do të jenë më të larta dhe presioni do të jetë më i lartë.

Në raport thuhet se numri më i madh i automjeteve nga të gjitha kategoritë i takon grupit që i takojnë standardit EURO3 dhe EURO4, dhe që mund të konsiderohen si automjete të moshës mesatare.

Në bazë të të dhënave të raportit, në Kosovë më së shumti vetura janë të regjistruara sipas standardit EURO3. Në bazë të statistikave, të tilla janë të regjistruara 109 mijë e 920 vetura.

Jetëgjatësia e plastikës në Kosovë

Rreth  500 vjet duhet të kalojnë për t’u degraduar një qese e plastikës e hollë, jo-biodegraduese dhe një-përdorimshe; ndërsa jetëgjatësinë e përdorimit e ka mesatarisht 12 minuta.

Por, krahas kësaj në Kosovë ende vazhdon trendi i përdorimit të qeseve të plastikës (najlonit) në masë të madhe në të gjithë sektorët e blerjes. Statistikat e prezantuara në një tryezë të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, flasin se vetëm brenda vitit 2017 dhe 2018 në Kosovë janë importuar mbi 12 mijë tonë qese dhe shishe të plastikës.

Në anën tjetër, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në publikimin e Anketës së Mbeturinave Industriale, për vitin 2019 raporton se sasia e mbeturinave industriale të gjeneruara ishte rreth 2 milionë e gjysmë ton; sasia e mbeturina të ricikluara ishte rreth 9 mijë e gjysmë ton; sasia e mbeturinave të djegura ishte 299 ton; sasia e mbeturinave të përpunuara ishte rreth 3 milionë ton. Fajin për këtë situatë e ka vet legjislacioni i cili është i mangët në menaxhimin e materialeve plastike.

Strategjia e Kosovës për Mjedisin 2013-2022 e liston tatimin e materialeve plastike, gjegjësisht shisheve dhe qeseve, si prioritet në menaxhimin e mbeturinave të ngurta. Por ky problem nuk adresohet askund në strategji.

Aktualisht në Kosovë, nuk ka ndonjë politikë për produktet e amvisërisë si për shembull shishet apo qeset e plastikës. Ato pas përdorimit hudhen në deponi të mbeturinave dhe nëse nuk merren nga një kompani për riciklim, për qindra vite mbesin në deponi si materiale që nuk ripërtërihen.

Linda Çavdarbasha, zëvendësministre në Ministrinë e Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në panelin e organizuar nga Bashkimi Evropian tha që janë duke punuar në një projekt për reduktimin dhe riciklimin e shisheve të xhamit, plastikës dhe kanaçes- strategjia e depozitës.

Qytetari do të paguaj një depozitë për këto shishe e në fund ai depozitë do të kthehet përsëri tek qytetari. Do bashkëpunojmë edhe në biznese tjera që këto mbeturina do të riciklohen nuk do të deponohen në mjedis”, tha ajo.

Material i riciklueshëm- vazhdon ‘avazi’ i djegies së gomave

Një hulumtim i KALLXO.com vë në pah se ndër shkaktarët tjerë që po ndikon në degradimin e ambientit është edhe djegia e gomave të papërdorshme të automjeteve.

Në Kosovë, është më se e zakonshme që në një zjarr të shohësh goma të automjeteve që janë gjuajtur për ta përforcuar djegien, ose për t’ia marrë telat brenda gomave. E gjithë kjo djegie përcjellët me një tym të zi që ndikon në ndotjen e ajrit.

Për më tepër, Kosova nuk ka të dhëna zyrtare se çka ndodhë me gomat që nxirren jashtë përdorimit, ndërsa djegia ilegale e tyre vazhdon të jetë prezente.

Sipas Doganës së Kosovës, në vitin 2019, importi i vajrave lubrifikant për motor ishte mbi 5.3 milionë litra ku vlera e përgjithshme e këtij lloj importi është mbi 8.7 milionë euro dhe nga ky import u inkasuan mbi 3.6 milionë euro taksa.

Udhëzimi Administrativ për ‘Menaxhimin e Gomave Jashtë Përdorimit dhe Mbeturinat e Gomës’ kërkon parandalimin dhe reduktimin e ndotjes së mjedisit nga gomat jashtë përdorimit; riciklimin e gomave jashtë përdorimit dhe mbeturinave të gomës; si dhe krijimin e sistemit për informim të grumbullimit, transportimit dhe trajtimit të gomave.

Por, për shkak të mungesës së leverdisë ekonomike, nuk ka interesim që në mënyrë individuale dikush të merret me riciklimin e gomave.

Ku qëndron Kosova në dekarbonzimin e ambientit?

Dekarbonizimin e Kosovës dhe politikat qeverisëse  për mirëqenien e qytetarëve, syri i jashtëm nuk po i sheh si progres të Kosovës në luftën ndaj ndryshimeve klimatike.

Këtë kauzë Bashkimi Evropian po mundohet ta shtyjë përmes javëve të diplomacisë klimatike të organizuara nga delegacionet e BE-së nëpër botë. Së fundmi një javë e tillë vetëdijesuese me aktivitete e debate për ndryshimet klimatike e me mënyra inovative se si të t’i përafrohet politikave të gjelbra dhe të riciklimit.

“Ne duhet të dimë se koha po mbaron dhe ndryshimet klimatike janë një problem i cili nuk pret. Ne duhet të jemi seriozë dhe të ndjekim objektivin e dekarbonizimit. Jo vetëm qeveria por edhe komunat, të gjitha organizatat dhe secili individ”, inkurajoi Miran Vatovec nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Linda Çavdarbasha, zëvendësministre në Ministrinë e Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në panelin e organizuar nga Bashkimi Evropian tha që janë duke punuar në plotësim-ndryshimin e vlerësimit të ndikimit në mjedis, vlerësimit strategjik mjedisor, ligjet specifike për mbrojtje nga ndotja, ligjin për mbrojtjen e natyrës, ligjin e mbeturinave, ligjin për kimikate dhe aktet e tjera nënligjore.

Por, Vatovec për këtë situatë e fajëson nivelin qendror, atë lokal dhe qytetarët. Ndërsa me theks të veçantë i fajëson të gjitha qeveritë deri tani, të cilat sipas tij asnjë nuk e ka pas prioritet mjedisin.

“Kjo qeveri më në fund e vendosi pak më lart në prioritetet e tyre, por ata duhet ta dëshmojnë punën që do e bëjnë. Nëse janë në rrugën e duhur atëherë e shihni, diçka do të ndryshojë” tha ai.

Ndjekja e krimeve në ambient është problematikë tjetër e cila vazhdon të mos ketë vëmendjen e duhur. Në gjykatat e Kosovës vazhdojnë të mbesin të patrajtuara qindra lëndë të cilat janë hapur për krimet në ambient ndërsa niveli i inspektorateve është shumë jo-aktiv në lëshimin e gjobave për ndotësit sidomos kompanitë dhe qytetarët që i hedhin mbeturinat në zonat e gjelbërta. Në 38 komunat e vendit llogaritet të jenë mbi 300 deponi ilegale të mbeturinave mirëpo një hulumtim i KALLXO i kryer gjatë vitit 2020 tregon se për ndotësit janë shqiptuar më pak se 70 gjoba të kundërvajtjes.

 

Projekti “Përdorimi i mediave për të rritur vetëdijen lidhur me shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë” është pjesë e “Dig Data Challenge” e mbështetur nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), si pjesë e Dig Data Challenge për të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Projekti implementohet nga Internews Kosova.