Kosova e “Kujdesshme” me Separatistin Katalonas

(E plotësuar)

Kosova, në hall me mosnjohjen nga pesë vende të Bashkimit Europian – Spanja, Rumania, Qipro, Greqia dhe Sllovakia – ka qenë e kujdesshme për të mos e takuar “separatistin” katalonas Uriel Bertran i cili gjatë javës së kaluar qëndroi në Prishtinë.

“Kam takuar disa subjekte politike, por asnjë institucion shtetëror nuk ka pranuar të takohet me mua”, tha Bertran cili synon pavarësinë e Katalonisë nga Spanja.“Kam ardhur këtu të shoh se si keni siguruar mbështetjen e vendeve më të fuqishme të perëndimit për ta shpallur vendin tuaj të pavarur”.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës nuk pranoi të komentojë, e pyetur nga gazeta se përse qeveria refuzoi të takohet me Bertranin.

“Kosova dhe Katalonia kanë të përbashkët dëshirën për të qenë të pavarur. Uriel Bertran

Me të janë takuar përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, subjektit më të zëshëm opozitar në vend që refuzon kompromiset për statusin e vendit dhe përkrah të drejtën e vetëvendosjes, por as ajo nuk ka komentuar deri në kohën e publikimit. Përgjigjja e plotë e Vetëvendosjes në pjesën e dytë të artikullit.

Bertran ka qenë për nëntë vjet deputet i parlamentit të Katalonisë, një komunitet autonom brenda Spanjës me mbi 7 milionë banorë. Ky parlament është në fërkim të vazhdueshëm me qeverinë spanjolle për shkak të përpjekjeve për ta zgjeruar autonominë. Sfida e fundit ka qenë ratifikimi i një preambule në vitin 2005 nga Parlamenti i Katalonisë ku populli i këtij rajoni njihet si ‘komb’, gjë që është kundërshtuar nga Spanja që e cilësonte atë një akt deklarativ dhe hidhej poshtë nga Gjykata Kushtetuese spanjolle.  

Ish-deputeti, bashkë me Joan Laportan ish- presidentin e klubit të famshëm të futbollit FC Barcelona, kanë themeluar më 2010 lëvizjen paqësore Solidariteti i Katalonisë për Pavarësi.

“Kosova dhe Katalonia kanë të përbashkët dëshirën për të qenë të pavarur”, thotë Bertran. “Ne do të promovojmë referendumin për pavarësi dhe do të shikojmë mundësinë e shpalljes së pavarësisë së njëanshme megjithëse së pari duhet siguruar mbështetja ndërkombëtare”.

Sipas tij, shumica e popullit katalonas, ose rreth 70 për qind, janë pro pavarësisë së vendit të tyre. Qendrat e ndryshme të matjes së opinionit si Qendra për Studime Sociale e Spanjës thonë se mbi 50 për qind e popullatës katalonase mbështet shkëputjen, ndërsa më 14 dhjetor 2009 BBC kishte raportuar se një referendum jozyrtar për pavarësi ishte mbajtur në rajonin e Katalonisë me 94 për qind të votuesve që kishin përkrahur pavarësinë. Rreth 25 për qind e popullatës kishte dalë në votime.

Bertran thotë se tash është duke promovuar referendumin “i cili pritet të mbahet në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm”. Në janar të këtij viti parlamenti katalonas me 84 vota pro, 41 kundër dhe dy abstenime, miratoi deklaratën për mbajtjen e një referendumi për pavarësi, raportonte The Guardian më 23 janar. I menjëhershëm ka qenë reagimi i parlamentit spanjoll i cili ka hedhur poshtë mundësinë e mbajtjes së një referendumi të tillë. Po ashtu, nisma ishte kundërshtuar, sipas The Guardian, nga partia Socialiste e Katalonisë dhe Partia Popullore që qeveris Spanjën.

Bertran e quan Spanjën “një vend të dështuar”.

“Ne duam të ndahemi nga Spanja për arsye ekonomike, arsimore dhe kulturore”, thotë ai. “Spanja është problemi më i madh ekonomik i Bashkimit Europian. Qipro është një shaka krahasuar me Spanjën”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar tregon se borxhi publik i Spanjës në vitin 2010 kishte qenë 61 për qind e Bruto Prodhimit Vendor ndërsa deri në vitin 2016 ky borxh parashihet të arrijnë 91.8 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.  Wall Street Journal vitin e kaluar kishte raportuar se borxhi privat i Spanjës është baras me 220 për qind të Bruto Prodhimit Vendor, katër fish më i madh se borxhi publik.

Kataloni|Foto: Friviere, commons.wikimedia.org

Kështu, Bertran thotë se Spanja nuk është në pozitë të imponojë vullnetin e saj. “Ne duhet të zhvillojmë negociata bilaterale me vende të ndryshme, por jo me gjithë Komisionin Europian…veçanërisht me Gjermaninë e cila do të mund të pranonte pavarësinë e Katalonisë për shkak të pozitës tonë gjeostrategjike. Katalonia do të mund të shndërrohej në një zonë logjistike për Gjermaninë për të eksportuar prodhimet e saj drejt Mesdheut”.

Megjithatë, sipas tij, pozicionet zyrtare nga vende si Gjermania aktualisht nuk janë pro pavarësisë së Katalonisë. Ambasada e Gjermanisë në Madrid nuk ka kthyer deri më tash përgjigje në pyetjet e gazetës të dërguara përmes hapësirës së kontaktimit në web-site të saj.

Bertran, njëkohësisht ligjërues i ekonomisë në Universitetin e Barcelonës, thotë se mosmarrëveshjet mes Spanjës dhe Katalonisë kapin edhe fushën e arsimit dhe kulturës. “Spanja nuk ka dëshirë që nxënësit katalonas të mësojnë në gjuhën e tyre amtare. Ajo madje ndërhyn në tekstet shkollore të historisë duke u munduar ta ndërrojë perceptimin historik tek të rinjtë”.

“Demokracia në Spanjë është e kufizuar. Zyrtarisht është një vend demokratik, por në realitet demokracia është e kufizuar për shkak të traditës historike diktatoriale të Spanjës. Spanja ishte diktaturë deri në vitin 1975 dhe që atëherë të gjithëpolitikanët, gjyqtarët dhe njerëzit kryesorë të regjimit të Francisko Frankos kaluan në demokraci pa kurrfarë përgjegjësie”, thotë Bertran.

“Gjermania kishte zhvilluar gjyqet e Nurembergut ndërsa Spanja asnjëherë nuk ka mbajtur gjyqe të tilla. Një demokraci e tillë kushtëzon demokracinë e vërtetë”, shton ai.

Organizata prestigjioze Freedom House, përkundrazi, në një raport të këtij viti kushtuar gjendjes së lirisë në botë, e konsideronte Spanjën vend të lirë dhe i jepte notën më të lartë këtij vendi në fushën e të drejtave politike dhe civile.

Ignacio Mollina, analist i lartë për Europën në Institutin Mbretëror Eclano, organizatë e njohur për studime në marrëdhëniet ndërkombëtare, shpjegonte në një konferencë në Kosovë në nëntor 2011 se problemi katalan ishte një ndër arsyet për refuzimin spanjoll të njohjes së vendit tonë.

“Së pari deklarata e pavarësisë kosovare ishte ndërlidhur me kohën e zgjedhjeve parlamentare të kaluara në Spanjë, pastaj Madridi kishte problem me vazhdimësi pasi ishte deklaruar se ndërhyrja e aleatëve në Irak më 2003 ishte kundër të drejtës ndërkombëtare, problemet me nacionalizmin në rajonet katalunase dhe baske si dhe negociatat e Qeverisë me organizatën separatiste ETA”, thoshte Mollina.

“Rol kanë luajtur edhe lidhjet personale të Ministrit të Jashtëm Miguel Angel Moratinos (i cili ishte në këtë pozitë deri më 21 tetor 2010) me diplomatët serbë”, pati deklaruar  Mollina për Gazetën Jeta në Kosovë.

Por, sipas Beran-it, Katalonia nuk është arsyeja kryesore pse Spanja nuk po e pranon pavarësinë e Kosovës.

“Ekipet tona (kombëtare) të futbollit po ashtu do të mund të luajnë kundër njëra-tjetrës dhe pse jo të takohen në finale.

“Mos harroni që Spanja historikisht nuk e ka njohur të drejtën për vetëvendosje”, thotë ai. “Përqafimi i demokracisë së plotë ka qenë gjithnjë sfidë për Spanjën dhe asnjëherë nuk ka qenë pjesë e agjendës së saj. Me apo pa Kataloninë, Spanja do të kishte qëndrim të njëjtë ndaj Kosovës megjithëse kuptohet që Spanja frikësohet se edhe Katalonia mund të ndahet sipas parimit të vetëvendosjes”.

Uriel Bertran beson se Spanja në fund do ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe atë të Katalonisë ndërsa këto dy të fundit do të mund kishin marrëdhënie të mira. “Spanja në fund do ta pranojë shtetin e Kosovës pasi ai është një realitet”.

Ai shtoi se Katalonia, pa luftë, dhe Kosova kanë të ardhme brenda Bashkimit Europian ose “çfarëdo forme tjetër të organizimit politiko ekonomik të kontinentit”.

“Ekipet tona (kombëtare) të futbollit po ashtu do të mund të luajnë kundër njëra-tjetrës dhe pse jo të takohen në finale”.

Vetëvendosje: Për vetëvendosje, por jo kaos global

Pas publikimit të shkrimit, është përgjigjur Lëvizja Vetëvendosje.

Xhelal Sveçla, sekretar për marrëdhenie me jashtë i cili ka qenë në takimin ndërmjet përfaqësuesve të këtij subjekti dhe Bertranit, thotë se parimi i vetëvendosjes është universal. 

“Ishte takimi i parë ku ne shpalosëm qëndrimet dhe aktivitetet e njëra tjetrës d.m.th. takim njoftues, por në parim Lëvizja Vetëvendosje mbështet të drejtën e një lëvizje qytetare që tenton në mënyrë demokratike të përfaqësojë vullnetin e popullit të tyre”, tha Sveçla për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Parimi i vetëvendosjes është parim universal. Por kjo nuk është e barabartë me vetëpërcaktimin, që do të thoshte kaos në marrëdheniet ndërkombëtare”, shtoi ai. “Arsyet që një popull të mund të vendosë të ndahet prej një shteti të mëparshëm janë shumë, por më të rëndësishmet janë pabarazia, diskriminimi dhe shtypja (fizike ose ekonomike) – për arsye të vendndodhjes ose vend-origjinës, për arsye të përkatësisë etnike, racës, fesë etj”.

“Këto ndodhnin me shqiptarët nën Serbi…Secili popull që e percepton veten si komb, e që përballet me diskriminime të tilla, ka të drejtë t’i kundershtojë, e të aspirojë vetëvendosjen”, tha Sveçla.

“Lëvizja Vetëvendosje gjithmonë është e hapur dhe e gatshme për të takuar përfaqesuesit demokratikë të shteteve, rajoneve, qyteteve etj. për të ndarë opinionet dhe qëndrimet”, shtoi ai. “Ne nuk ia mohojmë takimin askujt që nuk ka të shkuar kriminale e që nuk ia do të keqen popullit të Kosovës”.