Kosova e gatshme për dialog, Serbia bisedon pa"shantazhe"

Kosova ka shprehur gatishmëri që të vazhdojë dialogun me Serbinë, pavarësisht dëmeve të shkaktuara nga e kaluara, ndërsa pala serbe është shprehur se është gati për vazhdimin e bisedimeve por jo edhe për t’i pranuar ato që i quan “ultimatume” dhe “shantazhe” nga ana e palës kosovare.

Kjo çështje ishte temë kryesore diskutimi në seancën e së martës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për Kosovën.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla tha se janë të hapur për të filluar një epokë të re me Serbinë.

“Ne nga ana jonë qëndrojmë të hapur, pavarësisht të gjitha dëmeve që Serbia i ka shkaktuar popullit tonë, për të zgjatur dorën, për të biseduar dhe për të njohur njëri-tjetrin. Le të fillojmë një epokë të re”, tha ajo.

Ministrja shtoi se mbi të gjitha shteti serb duhet të pranojë realitetin dhe të kërkojë zbardhjen e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Por, mbi të gjitha, Serbia duhet ta bëjë këtë dallim. Ajo duhet të identifikojë kriminelët e luftës, t’i sjellë para drejtësisë, të bashkëpunojë me Kombet e Bashkuara dhe me ne, për të gjetur varrezat masive të atyre që akoma janë të pagjetur, të luftojë fashizmin në Serbi, të ndërpresë lojërat, të vijë në tavolinën e bisedimeve dhe të flasë me seriozitet”, theksoi Gërvalla.

“Sa më parë që Serbia ta pranojë realitetin, aq më shpejt mund të kalojë nga e kaluara e errët në një të ardhme të ndritur”, shtoi shefja e diplomacisë kosovare.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq theksoi se kanë parakushte, ndonëse janë të gatshëm për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve.

“Edhe sot pas shumë vitesh negociata, por edhe dështimi në përmbushjen e asaj që ishte rënë dakord dhe lëvizjeve të vazhdueshme të njëanshme dhe provokimeve nga ana e institucioneve të përkohshme në Prishtinë, ne jemi ende të gatshëm të ulemi në tryezë dhe të bisedojmë. Ne jemi gati për dialog, por jo për t’u shantazhuar dhe kërcënuar dhe posaçërisht jo për ultimatume të paraqitura kohët e fundit nga i ashtuquajturi kryeministri i sapo zgjedhur i Kosovës”, tha ai, duke përmendur mes tjerash deklarimet në Kosovë për “bashkimin kombëtar”.

Selakoviq shtoi se “rikujton deklaratën e Kurtit se dialogu do të jetë tejet poshtë në listën e prioriteteve të Prishtinës”.

Në takimin virtual, nevoja për vazhdimin e dialogut mes të dyja vendeve u theksuar nga disa prej shteteve anëtare, përfshirë edhe deklarimet e Shefit të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Zahir Tanin.

KALLXO.com javën e kaluar ka raportuar se pas formimit të institucioneve të reja, Kosovës po i kërkohet të përqendrohet në dialogun me Serbinë.

Por BE-ja nuk ka treguar se kur pritet të rifillojë procesi i negociatave mes të dyja vendeve.

Blloku evropian në një përgjigje për KALLXO.com, kishte thënë se do të njoftojnë për takimin e ardhshëm kur të jetë përshtatshme.

Haxholli: Së shpejti mund të ftohet një takim për dialogun

Hulumtuesja dhe njohësja e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, nga Instituti Demokratike i Kosovës (KDI), Violeta Haxholli thotë për KALLXO.com, se siç është thënë edhe dje nga diskutimet në seancën e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, bashkësia ndërkombëtare vazhdon të avokojë për vazhdimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Haxholli ka shtuar se ka pasur deklarata edhe nga ana e Bashkimit Evropian dhe lehtësuesit të dialogut Miroslav Lajçak që së shpejti mund të thirret një takim i palëve në Bruksel, ndërsa edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka bërë thirrje për vazhdimin e dialogut.

“Të gjitha këto janë një sinjal që së shpejti mund të ftohet një takim i dialogut. Kosova në këto rrethana sapo ka dalë nga një proces zgjedhor, nga i cili janë ndërruar institucionet”, theksoi ajo.

Haxholli ka shtuar se nuk dihet nëse Qeveria dhe Presidentja e sapo zgjedhur e Kosovës Vjosa Osmani, kanë filluar përgatitjet për ndonjë takim të mundshëm të dialogut.

“Kjo nënkupton hartimin e një strategjie për dialogun, me kërkesa të qarta dhe informacione që argumentojnë mirë qëndrimet e shtetit të Kosovës. Si dhe një plan dinamik i lobimit tek bashkësia ndërkombëtare për këto kërkesa”, shtoi ajo për KALLXO.com.

Hulumtuesja thekson se kjo duhet të bëhet sa më parë në mënyrë që ndonjë ftesë e mundshme për takim në kuadër të dialogut, mos ta gjejë Kosovën të papërgatitur për këtë proces.

“Sidomos në rrethana ku Serbia vazhdon fushatën dhe aktivitetet e saj lobuese mbi qëndrimet e saj kundër interesave të Kosovës”, përfundoi ajo.

Një ditë më parë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se nuk mund të prioritizohet dialogu me Serbinë, teksa nuk sigurohen vaksinat për qytetarët e Kosovës.

Këtë deklaratë ajo e ka dhënë gjatë një takimi me ambasadorin e Çekisë në Kosovës, Pavel Bilek, njoftoi Presidenca.