Kosova duhet t'i ndërmarrë tre hapa vendimtarë gjatë Presidencës së Biden

Kosova duhet ta përdorë një administratë të re, më simpatike, për ta shfrytëzuar mbështetjen e ShBA.-së në çështjet thelbësore që prekin sigurinë, legjitimitetin dhe furnizimin me energji.

Me Joe Biden të inauguruar tanimë si president i ShBA, Kosova ka në dispozicion katër vitet e ardhshmepër të shfrytëzuar mbështetjen e siguruar. Biden ka më shumë përvojë në politikën e jashtme se çdo president tjetër i zgjedhur amerikan i kohëve të fundit dhe është i vetëdijshëm për ndërlikimet politike në rajonin e Ballkanit. Ne mund të presim që një ekip i mirë informuar mirë të punojë për çështje që ndërlidhen me Ballkanin dhe për bashkëpunim me aleatët evropianë.

Momentumi i progresit duhet të mbahet lartë dhe Kosova duhet të marrë masa proaktive gjatë kësaj administrate për ta siguruar këtë.

Trembëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është ende duke u ballafaquar me forcimin e legjitimitetit të saj ndërkombëtar. Gjysma e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara nuk e njohin shtetësinë e saj, e as pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, duke rrezikuar aspiratat e saj për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare.

Dialogu Kosovë-Serbi duhet të mbetet prioritet për Kosovën, por një marrëveshje gjithëpërfshirëse do të jetë pothuajse e pamundur të arrihet nëse Serbia nuk e njeh në mënyrë ekspliciteapo të paktën në mënyrë implicite Kosovën. Dhe me zgjedhjet presidenciale serbe që priten të mbahen në vitin 2022, Presidenti Aleksandar Vuçiq nuk do ta marrë në konsideratë nënshkrimin e ndonjë marrëveshje që mund të rrezikojë rizgjedhjen e tij.

Ndërkohë, Kosova do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 14 shkurt. Në të njëjtën kohë, Kuvendit do t’i duhet të zgjedhë një president të ri. Formimi i një qeverie është dëshmuar të jetë i vështirë në të kaluarën dhe ky vit nuk do të jetë ndonjë përjashtim.

Duke marrë parasysh këto sfida, Kosova mund ta përdorë ndihmën nga Biden, një mbështetës i vjetër i Kosovës. Sidoqoftë, Biden do të ketë shumë çështje të tjera për të trajtuar gjatë presidencës së tij, disa më urgjente se të tjerat, dhe Ballkani nuk do të jetë pranë prioriteteve në listën e tij. Prandaj, Kosova duhet të lëvizë në mënyrë aktive për të siguruar të ardhmen e saj. Së bashku me mbështetjen nga aleatët e tjerë, kjo do ta forcojë shtetin e Kosovës. Hapat që duhet të ndërmarrë janë:

Lobim dhe angazhim i shtuar me diasporën amerikane

Presidenti amerikan, Joe Biden. Foto: EPA-EFE/Ken Cedeno / POOL

Lobimi është një metodë efektive që Kosova mund ta përdorë për të përmbushur objektivat e saj. Kjo detyrë mund të jetë sfiduese për një vend të vogël, me burime dhe qasje të kufizuar në ShBA.

Sidoqoftë, Kosova ka nevojë për udhëheqës të informuar në Uashington nëse dëshiron politikëbërje efektive. Është e domosdoshme që Kosova të përfaqësohet mirë në Uashington dhe që Kongresi Amerikan dhe organizatat e tjera ndërlidhëse të jenë të këshilluara për çështjet që janë shqetësim për vendin.

Lufta në Kosovë ka mbaruar 22 vjet më parë, por shumë plagë mbeten të hapura, dhe Serbia ende refuzon të pranojë përgjegjësinë e saj për luftën apo të tregojë simpati për viktimat. Prandaj, Kosova duhet të vazhdojë t’i kujtojë vetes dhe botës se drejtësia nuk është arritur ende.

Çdo dokumentacion nga kjo periudhë, të tilla si fotografi, video ose transkripa, veçanërisht ato që ekspozojnë krimet e luftës, duhet të diskutohen, arkivohen dhe shfaqen për një audiencë më të gjerë. Kjo jo vetëm që do t’i informojë njerëzit për ngjarjet e ndodhura, por gjithashtu do të ofrojë vlefshmëri për një vend që ka përjetuar spastrim etnik.

Organizimi i seancave dëgjimore të Kongresit për hetimet ose legjislacionet e propozuara do të ishte qëllimi final. Në vitin 2019, Vasfije Krasniqi dëshmoi para Kongresit Amerikan për përdhunimin e saj gjatë luftës dhe e nxiti atë të kërkojë drejtësi për të dhe 20,000 të tjerë që përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës.

Kosova duhet të vazhdojë avokimin për më shumë seanca dëgjimore të Kongresit të cilat ekspozojnë abuzimet e të drejtave të njeriut dhe krimet gjatë luftës në Kosovë. Këto seanca mund të mos arrijnë rezultatet e dëshiruara, por të paktën do të  ndihmojnë në shpërndarjen e informacionit mbi çështje të rëndësishme.

Qeveria duhet gjithashtu të krijojë një grup studiuesish profesionistë me qendër në Uashington për të shpërndarë njohuritë e tyre, për të marrë informacion të dorës së parë dhe për të vendosur lidhje me politikëbërësit dhe institutet hulumtuese ë ShBA.

Përfundimisht, asnjë përpjekje për lobim nuk mund të ketë sukses pa angazhimin e diasporës.

Ka më shumë se 200,000 shtetas amerikanë me origjinë shqiptare. Diaspora ka një rol të rëndësishëm dhe përpjekjet e saj mund të jenë ndihmesë në përpjekjet e Kosovës për të ndikuar në politikën amerikane. Kosova duhet të përdorë ambasadën e saj në Uashington dhe konsullatën e saj në New York për t’u lidhur me diasporën dhe për t’u koordinuar me ta për aktivitetet e saja.

 

Investimi në mbrojtje dhe angazhimi drejt integrimit në NATO

Flamuri i NATO-s. Foto: EPA-EFE/Toms Kalnins

Rishtazi, Britania e Madhe vendosi t’i japë fund kontributit të saj 16-vjeçar në misionin e BE-së në Bosnje dhe Herzegovinë. Një skenar i ngjashëm është i mundur në Kosovë. Edhe pse gjasat janë minimale, forca paqeruajtëse KFOR e udhëhequr nga NATO një ditë mund të vendosë të tërhiqet, duke e lënë Kosovën të hapur ndaj rreziqeve.

Kosova nuk mund të mbështetet përgjithmonë në KFOR-in dhe NATO-n dhe duhet të ndërmarrë hapa konkret për të konsoliduar forcat earmatosura dhe ngritjen e kapaciteteveushtarake.

Investimi në mbrojtje mund të duket i papërshtatshëm për një vend me një ekonomi të vogël, por investimi është i vlefshëm për të siguruar një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt.

Prandaj, Kosova duhet të përpiqet në sigurimin e marrëveshjeve të kontratave me prodhuesit amerikanë të armëve Lockheed Martin dhe Northrop Grumman që prodhojnë produkte të nivelit të lartë ushtarak. Kjo do ta ndihmojë Kosovën të pajiset me armë moderne dhe azhurnimin e ushtrisë së saj.

Kohëve të fundit, ushtria e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, FSK, arriti një tjetër moment historik pasi Kuvendi i dha të drejtën për të marrë pjesë në operacionet paqeruajtëse ndërkombëtare si pjesë e Gardës Kombëtare të Iowa-s.

Prioriteti i Kosovës në çështjet e mbrojtjes është anëtarësimi në NATO. Kjo do të përcaktohet nga angazhimi i saj i vazhdueshëm ndaj reformave demokratike dhe nga gatishmëria e saj për të thelluar bashkëpunimin me vendet individuale anëtare të NATO-s. Aktualisht, katër shtete anëtare të NATO-s nuk e njohin Kosovën. Vendimi për t’i pranuar vendet e reja anëtare bazohet në parimin e vendimmarrjes me konsensus.

Të bëhet pjesë e tubacionit SGC dhe t’i diversifikojë furnizimet e energjisë

Një zog rri mbi një pemë ndërkohë që ndërtesat janë të mbuluara nga mjegulla dhe ndotja në Prishtinë, Kosovë, 2020. Foto: EPA-EFE / VALDRIN XHEMAJ

Korridori Jugor i Gazit, SGC, një mega tubacion i kontrolluar nga Azerbajxhani dhe Turqia, do ta furnizojë Evropën Juglindore me gaz nga Azerbajxhani. Ai do të kalojë nëpër Turqi, Greqi, Shqipëri dhe Itali.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të sigurisë energjetike të Evropës, veçanërisht Evropës Juglindore, sepse do ta zvogëlojë varësinë nga gazi rus dhe do t’i diversifikojë furnizimet.

1.8 milion banorë të Kosovës varen pothuajse tërësisht nga dy termocentrale me qymyr: Kosova A dhe Kosova B. Kjo është shumë problematike gjatë dimrit të ftohtë, pasi shumica e njerëzve në Kosovë mbështeten në energji elektrike për ngrohje, duke rezultuar në një rritje të konsiderueshme të konsumit të energjisë elektrike gjatë sezonit dimëror.

Nivelet e ndotjes së ajrit arrijnë nivele rekord në dimër. Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, shpesh përbën listën e dhjetë qyteteve më të ndotura në botë. Kjo paraqet një problem të madh për cilësinë e jetës së qytetarëve, ndërsa qeveria nuk ka arritur të ofrojë zgjidhje ndajkëtij problemi.

Duke marrë parasysh implikimet ekzistuese të shëndetit dhe ndotjes, Kosova duhet të përpiqet t’i bashkohet SGC dhe kështu të zëvendësojë ose zvogëlojë konsumin e saj të qymyrit. Kosova duhet të koordinohet me partnerët dhe aleatët e saj ndërkombëtarë për të qenë pjesë e këtij tubacioni.

Biden tashmë ka dhënë indikacione se ndryshimi klimatik do të jetë një nga prioritetet e tij, duke emëruar John Kerryn si të dërguarin e tij për klimën. Kosova mund ta shfrytëzojë këtë mundësi për të krijuar dhe zhvilluar tregje natyrore dhe për ta diversifikuar konsumin e saj të energjisë.

Kosova duhet të ndërmarrë edhe veprime të tjera për ta forcuar legjitimitetin e saj ndërkombëtar dhe për t’i tejkaluar sfidat të cilat e pengojnë të ardhmen e saj, por këta hapa do të ishin të rëndësishëm për fillim.

Visar Xhambazi është studiues i politikave në Institutin “Demokraci për Zhvillim (D4D)” në Kosovë dhe këshilltar i ri profesional në organizatën “United Europe” në Gjermani. Ai mban diplomë master në Studime Ndërkombëtare nga Universiteti “Old Dominion” në Virxhinia, i specializuar në politikën e jashtme të ShBA-së dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Twitter: @Visar.Xhambazi

Mendimet e shprehura janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.