Kosova do të Vendosë për Ekstradimin e Kelmendit

Kërkesën për ekstradimin e Kelmendit autoritetet boshnjake ia dorëzuan EULEX-it, ndërsa misioni evropian të njëjtën e përcolli te Ministria e Drejtësisë së Kosovës.

Zëdhënësja e EULEX-it Irina Gudeljeviq i tha Gazetës Jeta në Kosovë se “misioni vetëm mund të ndihmojë kontaktet mes aktorëve relevantë”.

“Ne nuk ekstradojmë njerëz”, theksoi ajo.

Javën e kaluar një gjyqtar i EULEX-it urdhëroi mbajtjen e Kelmendit për një  muaj në paraburgim. Policia e Kosovës arrestoi Kelmendin më 5 maj, duke u bazuar në një fletë-arrest ndërkombëtar.
   
Gjatë të njëjtit aksion policor u arrestua edhe Fuad Nikqi, nën dyshimin se ka ndihmuar Kelmendin.

Një prokuror i EULEX-it nisi një hetim ndaj Kelmendit, me të njëjtat akuza për të cilat ai kërkohet nga shteti boshnjak.

Në Bosnjë biznesmeni kosovar nga Peja akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë dhe për shitje e shpërndarje të substancave narkotike në Amerikën latine, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtetet tjera të Europës Perëndimore.

Këshilltari politik në Ministrinë e Drejtësisë Driton Lajçi tha që gjykata që është duke u marrë me rastin Kelmendi duhet të vendosë nëse i dyshuari do të ekstradohet në Sarajevë, ose jo.

“Kërkesa për ekstradim automatikisht i është përcjellë gjyqit që është duke u marrë me rastin. Ata do të vijnë në një përfundim për këtë gjë, pasi t’i shqyrtojnë disa çështje”, tha Lajçi për GJNK.

Sidoqoftë vendimi përfundimtar për ekstradimin e Kelmendit duhet të merret nga Ministria e Drejtësisë.

“Ka pengesa serioze ligjore duke pasur parasysh që Kelmendi është qytetar i Kosovës dhe ne nuk kemi një marrëveshje ndërkombëtare ekstradimi me Bosnjën”, u shpreh Lajçi

Sipas nenit 4 të Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale “Qytetarët e Kosovës nuk do të ekstradohen, përveç nëse parashihet ndryshe në një marrëveshje ndërkombëtare në mes të Kosovës dhe shtetit kërkues, apo në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.

Një raport i vitit 2008 e përshkruan Kelmendin si kreun e një prej grupeve kriminale më të organizuara në rajon, grup i dyshuar për kontrabandë droge dhe cigaresh, trafikim me njerëz dhe pastrim të parave.

Qendra Boshnjake për Gazetari Hulumtuese CIN më herët e lidhi Kelmendin me ministrin e Sigurisë së Bosnjës Fahrudin Radonçiq, duke i cilësuar të dy si partnerë të afërt biznesi.

Sipas CIN-it Kelmendi dhe tre djemtë e tij Elvisi, Liridoni e Besniku, bashkë me vëllain Beqirin udhëhoqën disa biznese në Bosnjë, Mal të Zi, Serbi dhe Kosovë, duke përfshirë hotele dhe kompani kamionësh.

Gjykata boshnjake lëshoi urdhër për arrestimin e Kelmendit pas aksionit policor të koduar me emrin “Lutka”(Kukulla) në vitin 2012 që përgjatë gjithë Bosnjës rezultoi me arrestimin e 25 anëtarëve të dyshuar të rrjetit kriminal.

Zyra e Prokurorisë së Bosnjës atëkohë tha që policia është duke hetuar më se paku gjashtë vrasje të pandriçuara dhe vrasje të mbetura në tentativë, vjedhje bankash dhe krime tjera të rënda.

Edhe pse Kelmendi është paditur disa herë në Bosnjë, ai nuk është dënuar deri më tani.

Më 1 qershor 2012 në një letër drejt Kongresit, kryetari Barack Obama e cilësoi Kelmendin si një nga tre trafikantët e dyshuar të heroinës, duke e futur në listën e zezë të ShBA-ve.

Elvis Kelmendi, u shpall të henën fajtor për tentim vrasje dhe u dënua me katër vjet burgim nga një trup gjykues i përbërë nga tre gjyqtarë kosovarë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, njoftoi misioni EULEX përmes një komunikate për media.

Kelmendi fillimisht u akuzua nga prokuroria për tentim vrasje të rëndë të kryer në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 2010 kundër Elvis Hoxhiqit.

Gjatë gjykimit, Kelmendi thuhet se u deklarua fajtor për akuzën e ndryshuar për tentim vrasje.

Elvis Kelmendi fillimisht u arrestua nga Policia e Kosovës në bazë të një “Red Notice”(Njoftimi të kuq) të Interpolit për t’u liruar më pas.

“Njoftimi i kuq” është një urdhër-arrest i Interpolit që lëshohet kur i kërkuari ndodhet jashtë juridiksionit të shtetit që e kërkon.

Policia e EULEX-it e arrestoi atë përsëri në bazë të një hetimi të nisur nga një ekip i përzier i prokurorëve të EULEX-it dhe atyre vendas në bazë të ligjeve të aplikueshme në Kosovë dhe në bazë të informatave të pranuara nga Bosnja e Hercegovina.