Kosova dhe Serbia kanë nevojë për një proces më të mirë

Kosova duhet të krijojë një qeveri teknokrate për t’u përballur me krizën e dyfishtë shëndetësore dhe ekonomike, shkaktuar nga virusi korona. Serbia duhet t’i rivlerësojë qëllimet e saj për bisedimet e “normalizimit”. Ndërmjetësuesit e SHBA-së dhe BE-së duhet ta hartojnë një kornizë për marrëveshjen Kosovë-Serbi, para se të fillojnë negociatat serioze.

 

Bisedimet e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë rrallëherë kanë pasur më shumë vëmendje sesa tani. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u takua së fundmi me Presidentin francez Macron, dhe pastaj të dytë do të takohen bashkë me Kancelaren gjermane Merkel dhe Presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, përmes një videokonference. Një samit i planifikuar në Uashington u anulua muajin e kaluar për shkak të publikimit të aktakuzes së propozuar ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për krime lufte. Në Uashington, besohej se palët do të diskutonin një marrëveshje ekonomike të udhëhequr nga SHBA, e cila do të pasohej nga një marrëveshje politike e udhëhequr nga BE në Paris.

Ekzistojnë çështje të rëndësishme ekonomike që duhet zgjidhur. Reduktimi i pengesave tarifore dhe jo-tarifore midis dy vendeve, mbështetja për lidhje dypalëshe industriale dhe diskutimi për bashkëpunimin në sferat e biznesit, tregtisë dhe akademisë, do të ishte i dobishëm. Mirëpo, çështjet e sovranitetit janë gjithnjë aktuale në bisedime ekonomike dhe politike, dhe temat me përmbajtje politike shpesh kanë dominuar këto diskutime, duke shuar shpresat për një marrëveshje Kosovë-Serbi. Dyshohet se bisedimet ekonomike kanë të bëjnë me bashkëpronësinë e pasurive minerale të Kosovës në Trepçë, në veri të vendit, si dhe një marrëveshje e posaçme doganore mes Kosovës dhe Serbisë. 

Ky nuk do të ishte bashkëpunim ekonomik dypalësh; do të ishte një ndërhyrje e Serbisë në sovranitetin ekonomik të Kosovës. Shkëmbimi ose ndarja e pasurive ekonomike nuk është diçka e mirë – mbase, është edhe më keqe – sesa shkëmbimi ose ndarja territoriale. Në skenarin më të keq, do ta bënte Kosovën e pavarur ekonomikisht jofunksionale – pikërisht atë që një qeveri etno-nacionaliste e Serbisë do të mund ta dëshironte.

Teknokratë për Kosovën

Njoftimi për akuzat për krime të luftës e ka vënë në krizë skenën politike të Kosovës, në një moment sfidues. Nëse akuzat konfirmohen, Thaçi është zotuar se do të dorëhiqet. Qeveria aktuale do ta ketë të vështirë që të zgjedhë një President të ri, pasi ka një shumicë të ngushtë dhe i mungon përkrahja e popullit. Kosova, Serbia dhe disa vende të tjera të Ballkanit po përjetojnë rritje alarmante të rasteve të Covid-19 dhe të vdekjeve të shkaktuara nga ajo. Jo vetëm që sistemet e tyre të rrezikuara shëndetësore do të vihen nën një presion të madh, por ekonomitë e rajonit do të përballen me një recesion të thellë.

Kosovës i duhet një qeveri e re, teknokrate, e autorizuar të zgjedhë (në Kuvend) një President të ri, si dhe të merret me pasojat shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuara nga Covid-19 për 6 deri në 9 muajt e ardhshëm. Kjo do të kërkonte një kompromis politik midis partisë politike nga vjen kryeministri Hoti (LDK) dhe partisë që udhëhoqi qeverinë e mëhershme (Vetëvendosje), e cila ka një rritje të madhe sipas sondazheve dhe po kërkon të mbahen zgjedhjet sa më shpejtë që të jetë e mundur. Një qeveri teknokrate do të kërkonte mbështetjen nga një koalicion i madh i partive, dhe do të mund të përbëhej prej ministrave apolitikë që kanë përvojë në rimëkëmbjen e sektorit të shëndetit publik dhe në rimëkëmbjen ekonomike. Një qeveri e tillë do të duhej që të vazhdonte përpjekjet kundër korrupsionit por do t’ia lënë bisedimet polemizuese Kosovë-Serbi një qeverie të re të zgjedhur dhe me legjitimitet politik.

Serbia duhet të rimendojë gjërat

Presidenti Vuçiq gjendet në një pozitë shumë më komode sesa kryeministri Hoti. Së fundmi, ai fitoi 75% të ulëseve në Kuvend për shkak të një bojkoti të partive opozitare. Qeveria e Serbisë po bën përpjekje që t’i vazhdojë bisedimet në mënyrë që të shfrytëzojë përparësinë e saj aktuale diplomatike mbi Kosovën.

Para se gjithash, Serbia, po kërkon koncesione në territor dhe asete ekonomike, veçanërisht minierën e Trepçës në veri të Kosovës. Këto ambicie janë larg shqetësimeve kryesore të qytetarëve të saj për të drejtat demokratike, progres ekonomik dhe anëtarësimin sa më të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Europian. Protestat e ditëve të fundit në Beograd janë tregues se publiku serb është i shqetësuar me reagimin qeveritar ndaj Covid-19 dhe me regresin demokratik të Serbisë. Në vend se të shtyejë përpara përparësinë e tij diplomatike, Presidenti Vuçiq duhet ta përdorë  pozicionin e tij të fortë për të siguruar një kompromis të drejtë me kryeministrin Hoti.

Procesi ka nevojë për një përmirësim

Mënyra e vetme për arritjen e një marrëveshje të tillë është që Kosova dhe Serbia të trajtohen si palë të barabarta negociuese që po bëhen bashkë për të përmirësuar marrëdhëniet e tyre dypalëshe. Për vite me radhë, BE-ja ka vendosur të gjitha llojet e fusnotave dhe asteriksave mbi statusin e Kosovës për të kënaqur Serbinë dhe shtetet e mosnjohëse të Kosovës brenda BE-së. Kjo nuk do të funksionojë nëse Kosova dhe Serbia do të hyjnë në një proces që ka për synim arritjen e një marrëveshje të qëndrueshme, me përfitime të ndërsjella.

Një proces i barabartë ka nevojë që të ketë një mbështetje të nivelit të lartë, por më e rëndësishmja, ky proces kërkon që ndërmjetësuesit e SHBA-së dhe BE-së ta përcaktojnë kornizën kryesore të një marrëveshje përpara se të fillojë negocimi i saj. Ka pasur pak transparencë në lidhje me atë se cilat janë kërkesat nga Brukseli dhe Uashingtoni, dhe aq më pak për atë se çka duan Prishtina dhe Beogradi. Ka ardhë koha që procesi i bisedimeve të jetë i hapur  për një shqyrtim publik.

Artikulli është botuar fillimisht në Peacefare.net.