Foto: AP/Darko Vojinovic, Pool

Kosova dhe Serbia ‘duhet të përgatiten’ për zgjidhje kompromisi

Me intensifikimin e përfshirjes së SHBA në Ballkan, Beogradi dhe Prishtina duhet t’i sqarojnë pozicionet e tyre negociuese për një zgjidhje kompromisi për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet vete,  thotë për BIRN, analistja gjermane Johanna Deimel.

 

Pas emërimit së fundmi nga Departamenti Amerikan i Shtetit të një të ngarkuari të ri për Ballkanin Perëndimor, Serbia dhe Kosova duhet të sqarojnë pozicionet e tyre negociuese në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE në Bruksel, në mënyrë që të shtyjnë procesin përpara drejt një zgjidhjeje, thotë Johanna Deimel, një analiste e pavarur për Evropën Jug-Lindore dhe Ballkanin Perëndimor.

“I dërguari special i SHBA Matthew Palmer do të angazhohet shumë për të gjetur një zgjidhje; Prandaj, Beogradi dhe Prishtina duhet të pozicionohen mirë dhe të mos e presin vetëm Berlinin, Uashingtonin ose Brukselin, por të hartojnë ofertat dhe themelet e tyre për negociata për një zgjidhje kompromisi,” tha Deimel me qendër në Munih në një intervistë për BIRN.

“Ajo që dua të them është se Uashingtoni dhe Berlini po presin iniciativa të mira – posaçërisht nga Prishtina, për një ekip ekspertësh që mund të vazhdojnë me dinamikën, e cila gjen dhe ofron përgjigje konkrete. Dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës duhet të ripërcaktohet me qëndrime të qarta dhe me qëllim të zgjidhjes,” shtoi ajo.

Departamenti i Shtetit e ka bërë të njohur emërimin e Palmer si Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor më 30 gusht.

“Palmer do të jetë në krye të përpjekjeve tona për të forcuar angazhimin diplomatik të SH.B.A.-së në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon dhe të përqendrohet në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet perëndimore,” tha Departamenti Amerikan i Shtetit në një deklaratë.

“SHBA-të janë të nevojshme”

Johanna Deimel

Janë të shumtë ata që kanë shpresa të mëdha në emërimin e Palmerit, duke besuar se ky diplomat me përvojë në karrierë mund të bëjë presion si në Serbi ashtu edhe në Kosovë për të sjellë ndryshime të shumëpritura në marrëdhëniet Beograd-Prishtinë.

Deimel deklaroi se ky emërim tregon se Ballkani përsëri po bëhet pjesë e agjendës së Uashingtonit.

“Kjo është një shenjë shumë e mirë – dhe SHBA-të janë të nevojshme. Edhe pse John Bolton, i cili ka qenë në favor të një shkëmbimi territoresh midis Serbisë dhe Kosovës, nuk ka qenë në detyrë si këshilltar i sigurisë kombëtare për presidentin amerikan për disa ditë, prapë, situata nuk është më e lehtë  si rezultat i kësaj, ” vuri në dukje ajo.

Të tjerët kanë ngritur pikëpyetje nëse qëndrimet e ndryshme të SH.B.A.-së dhe Gjermanisë në lidhje me idenë e paraqitur por shumë të diskutueshme për një shkëmbim të territoreve, si pjesë e një marrëveshje përfundimtare midis Serbisë dhe Kosovës, mund të krijojnë komplikime në procesin e bisedimeve.

Bolton, këshilltari i shkarkuar së fundmi nga Presidenti Donald Trump për sigurinë kombëtare, ka deklaruar në gushtin e vitit 2018 se Uashingtoni nuk e përjashton ose kundërshton shkëmbin territorial midis Serbisë dhe Kosovës nëse të dy palët bien dakord për këtë.

Por kancelarja gjermane Angela Merkel tha në gusht se kufijtë në Ballkanin Perëndimor ishin “të paprekshëm”, dhe më 3 shtator, një anëtar i Bundestagut gjerman, Peter Bayer, nënvizoi se Kosova duhet të mbetet ashtu siç është “pa ndryshime territoriale dhe pa ndryshime të kufijve “.

Sipas Deimel, si për Berlinin ashtu edhe për Uashingtonin, fokusi mbetet tek një zgjidhje gjithëpërfshirëse përmes një kompromisi, të negociuar midis Beogradit dhe Prishtinës, në të cilën BE duhet të luajë një rol udhëheqës.

Ajo gjithashtu vuri në dukje se Presidenti serb Aleksandar Vuçiq duket se është larguar nga refuzimi i tij kategorik për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Më 6 shtator, pas një takimi me senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Ron Johnson, Vuçiq deklaroi se kjo çështje nuk mund të zgjidhet pa një “zgjidhje kompromisi”.

Deimel më tej vuri në dukje se ideja e shkëmbimit të territoreve, e cila ngjalli kundërshtim deklaratash në Serbi dhe Kosovë, tani po bie nga intensiteti.

“Ideja e një shkëmbimi territoresh midis Serbisë dhe Kosovës ende po qarkullon, edhe pse unë mendoj se ajo ka humbur vrullin e saj,” tha ajo.

“Është interesante se vetëm kohët e fundit një nga lojtarët kryesorë ndërkombëtarë që promovoi këtë ide dhe e kontrollonte atë prapa perdes, ish-Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje dhe Hercegovinë, Wolfgang Petritsch, deklaroi se një shkëmbim territori nuk mund të jetë një zgjidhje dhe se ai u distancua nga ajo, që për mendimin tim, ishte një ide absolutisht fatale,” shtoi ajo.

Prishtina përballet me sfida të reja në Bruksel

Deimel tha se pasardhësi i Federica Mogherinit, i emëruar së fundmi si Shef i Politikës së Jashtme të BE-së, Ministri i Jashtëm Spanjoll Josep Borrell, nuk do të jetë një partner i lehtë për Prishtinën.

“Si ministër i jashtëm i një prej atyre vendeve anëtare të BE që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Borrell gjithashtu ka folur personalisht kundër shtetësisë së Kosovës. Prandaj, Prishtina duhet të jetë e përgatitur mirë  dhe të bëhet më aktive “deklaroi ajo.

Sipas saj, presioni mbi Prishtinën do të rritet dhe se njohja e Kosovës nga Beogradi mund të dalë si kusht për një marrëveshje përfundimtare.

“Ne kemi dëgjuar nga Praga që Presidenti Çek, Milos Zeman, po mendon gjithashtu për një tërheqje të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Kjo do ta bënte edhe një shtet tjetër anëtar të BE-së kundër Prishtinës. Dhe nëse Hungarezi Laszlo Troscanyi në të vërtetë mund të kapërcejë agresivitetin në Parlamentin Evropian dhe të emërohet si Komisioneri i ri për Zgjerimin e BE, do të ketë një Komisioner në detyrë [Josep Borrell] i cili tashmë ka treguar se është shumë miqësor me Serbinë,” paralajmëroi ajo.

Sidoqoftë, thotë ajo, nuk është e qartë se sa do të zgjasë koalicioni qeverisës në Berlin dhe se nëse do të ketë zgjedhje të reja në Gjermani, qeveria e re në Berlin do të duket ndryshe, ndoshta me mundësinë e bashkangjitjes së Të Gjelbërve në qeveri.

Të Gjelbërit janë qartë kundër ndonjë shkëmbimi territorial, tha ajo.

Përkundër gjithë kësaj, nuk ka dyshim që të dy vendet, SHBA dhe Gjermania, janë të përkushtuara të ndihmojnë Beogradin dhe Prishtinën për arritjen e një marrëveshjeje.

“Berlini dhe Uashingtoni, së bashku me Brukselin, do ta ndihmojnë Beogradin dhe Prishtinën të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme,” përfundoi ajo.