Kosova dhe energjia elektrike: Kur do të fillojnë ta paguajnë energjinë elektrike banorët e veriut - “Gjysma e Mitrovicës nuk ka as njëhsorë të energjisë elektrike”

Aleksandri e ka blerë një apartament në një ndërtesë të re në qendër të pjesës veriore të Mitrovicës në Kosovë pesë vjet më parë, mirëpo asnjëherë nuk e kishte blerë edhe një njëhsor të energjisë elektrike.

“Nuk kishte kush ta instalonte”, i thotë ai BBC-së në serbisht.

“Kemi pyetur aty-këtu, por pastaj kemi kuptuar se pothuajse i gjithë qyteti funksionon kështu – gjysma e Mitrovicës nuk ka njëhsor të energjisë elektrike”.

Njëjtë sikurse familja e Aleksandrit, kështu jetojnë shumica e familjeve në veri të Kosovës.

Edhe ata që kanë njvhsor të instaluar në shtëpi dhe i marrin faturat mujore të energjisë elektrike, masivisht nuk  e paguajnë shpenzimin e kësaj energjie.

Sepse, që nga viti 1999, në këto komuna nuk kishte asnjë institucion që mund ta bënte kontrollimin e pagesësn së energjisë elektrike dhe t’i sanksiononte mospaguesit.

Megjithatë, kjo praktikë mund të ndryshojë së shpejti.

Në mesin e muajit qershor të vitit 2022, Beogradi dhe Prishtina nënshkruan një marrëveshje që më në fund do t’i zbatojë marrëveshjet energjetike që janë pothuajse një dekadë të vjetra dhe që mund t’i bëjnë edhe një herë faturat e energjisë elektrike një artikull të detyrueshëm mujor të amvisërisë.

“Sipas marrëveshjes, në Kosovë është themeluar kompania Elektrosever, e cila është në pronësi të Serbisë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënësit të Bashkimit Evropian për BBC-në në gjuhën serbe.

“Kompania do të fillojë furnizimin me energji elektrike për konsumatorët në katër komuna me shumicë serbe”.

Sfida më e madhe në zbatimin e marrëveshjes do të jetë “listimi i të gjithë përdoruesve, instalimi i njehsorëve të energjisë elektrike dhe krijimi i një sistemi faturimi” pas 23 vjetësh, shpjegon Dragisha Mijaciq, koordinator i grupit të punës të Konventës Kombëtare të BE-së për Kapitullin 35, i cili i referohet negociatave mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Për ne është shumë e rëndësishme se kur do të fillojë faturimi dhe sa do të kushtojë energjia elektrike”, thotë Ivan Vuçkoviq nga Leposaviqi për BBC në serbisht.

“Kam miq në Graçanicë, të cilëvë iu vijnë faturat nga 50 deri në 100 euro, kështu që pres të ndodhë e njëjta gjë edhe për ne. Kjo është një shumë e madhe për shumë njerëz këtu, por besoj se shumica do të paguajnë”.

Graçanica është një vend ku jeton shumica e komunitetit serb, afër Prishtinës, në atë pjesë të Kosovës që është e populluar kryesisht me popullatë shqiptare.

Zyra për Kosovë e Qeverisë së Republikës së Serbisë, ‘Elektroprivreda Srbije’ dhe Lista Srpska, partia kryesore politike në veri, nuk i janë përgjigjur pyetjeve të BBC-së se kush i ka bartur shpenzimet e energjisë elektrike në veri të Kosovës për më shumë se dy dekada dhe kur do të fillojë faturimi i energjisë elektrike në Kosovë.

Përgjigjet për të njëjtat pyetje nuk janë ardhur as nga Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë dhe Zyra e Rregullatorit për Energji të Kosovës.

Ku janë njëhsorët e energjisë elektrike?

Familja e Aleksandrit, thotë ai, nuk i ka kushtuar shumë rëndësi faktit që nuk i kanë marrë faturat për energjinë e shpenzuar.

“Kur jetoja me gruan si qiramarrëse, as atëherë nuk paguanim rrymën, megjithëse faturat na vinin”, thotë ai.

“Gjatë gjithë kohës e mendomë faktin se do të duhet të fillojmë ta paguajmë shpenzimin e energjisë elektrike pasi të jetë vendosur i gjithë sistemi”.

Në katër komuna në veri të Kosovës, shpjegon Milica Andriq Rakiq nga organizata joqeveritare Iniciativa e Re Sociale, “rryma kryesisht nuk paguhet sepse nuk ka kush t’i lexojë njehsorët ekzistues të energjisë elektrike”.

“Në Serbi, për shembull, njehsorët e energjisë elektrike kontrollohen dhe servisohen një herë në vit”, tha ajo për BBC në serbisht.

“Shumica e njerëzve udhëhiqeshin nga logjika se, pasi që as autoritetet serbe dhe as ato të Kosovës nuk i kanë servisuar ato pajisje që nga viti 1999, konsumatorët nuk janë të detyruar të paguajnë për energjinë elektrike”.

Për vite me radhë, autoritetet serbe, shton ajo, nuk kanë forca policore që mund t’i autorizojnë për ta kontrolluar dhe zbatuar çdo tarifë të detyruar të energjisë elektrike.

“Kështu ka ndodhur që një numër i madh i amvisërive që kanë blerë apartamente në ndërtesat e reja nuk kanë fare as njehsor të energjisë elektrike”, thotë Andriq Rakiq.

Disa njerëz, thotë ajo, “e ndienin nevojën dhe detyrimin për të paguar, por shumica jo, sepse nuk kishte njeri që mund ta realizonte kërkesën për shkycje”.

“Paguajnë edhe ata që duhet, që psh kanë ndonjë kompani sikurse organizata ku punoj unë dhe kanë detyrimin t’i paguajnë shpenzimet”, shton ajo.

“Kam paguar një faturë vetëm një herë në jetën time”.

Edhe ata që kanë matës nuk ishin pagues më të rregullt.

Ivan Vuçkoviq është ndër banorët e Leposaviqit që e kanë paguar faturën e energjisë elektrike vetëm një herë në jetë.

“Faturat na erdhën, por askush nuk i trajtoi si diçka që ishte e detyrueshme”, thotë Ivani.

Megjithatë, ai është i vetëdijshëm, shton ai, se “një ditë do të duhet të fillojnë ta paguajnë energjinë elektrike”.

Në 23 vitet e fundit, ka pasur përpjekje sporadike nga autoritetet, serbe dhe kosovare, për t’i mbledhur borxhet për energjinë e shpenzuar.

“Rreth gjashtë vjet më parë, zyrtarë nga kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike erdhën dhe e shkyqën energjinë elektrike në të gjithë ndërtesën”, shpjegon Ivani.

“Por pikërisht atëherë e kuptuam se sa e çmendur ishte situata, sepse ata zotërinjtë na kërkuan të paguanim borxhin aty për aty”.

Njerëzit protestuan, thotë ai, por kur kompania e shpërndarjes tha se nuk do të kycnin energjinë derisa të paguante edhe qiramarrësi i fundit, atëherë ata qëndruan në radhë dhe paguanin një nga një.

Në atë kohë, Ivani ishte i fundit që i pagoi edhe ato 40,000 dinarë, që ishte shuma e faturave për disa muaj.

Askush nuk më ka dhënë as faturën, vetëm e kanë lëshuar rrymën”, shton ai.

“Por Leposaviqi është një vend i vogël, kështu që unë jam udhëhequr nga logjika – e di kujt ia kam dhënë paratë, nesër mund t’ia drejtoj edhe gishtin”.

Çfarë do të ndryshojë me marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës?

Më 21 qershor 2022, Kosova dhe Serbia e miratuan marrëveshjen me titull – Udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjeve energjetike në kuadër të Dialogut të Brukselit.

“Janë krijuar kushtet për licensimin e kompanisë Elektrosever, e cila do të ofrojë shërbime të furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për përdoruesit në veri të Kosovës”, thotë Dragisha Mijaçiq.

Edhe pse të dyja palët nënshkruan Marrëveshjen për Energjinë në vitin 2013, dhe më pas një dokument shtesë në vitin 2015, “rregullatori i energjisë kosovare vetëm tani i ka lëshuar licencën për operim kompanisë Elektrosever”, shton Mijaçiq.

“Pas licensimit të kësaj kompanie, pritet që qytetarët dhe ekonomia t’i shlyejnë faturat e energjisë elektrike”, thotë ai.

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Komuniteti Evropian i Energjisë që ta monitorojë zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Kompanisë Elektrosever dhe Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë (KEDS).

“Kjo hap rrugën për t’i dhënë fund praktikës jotransparente dhe të parregulluar të së kaluarës”, shtoi zëdhënësi i Bashkimit Evropian në një përgjigje me shkrim për BBC.

“Ne presim që të dyja palët t’u përmbahen hapave të dakorduar dhe t’i zbatojnë ato në mirëbesim në kohën e duhur”.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, “në Mitrovicë u përshpejtua masivisht legalizimi i banesave në ndërtesat e reja”, thotë Andriq Rakiq.

“Autoritetet janë duke e përgatitur terrenin për ta ngarkuar energjinë elektrike”, thotë ajo.

A do të fillojë  veriu të paguajë për energjinë e shpenzuar elektrike?

Edhe Aleksandri edhe Ivani thonë se nuk e kanë problem ta paguajnë energjinë e shpenzuar.

“Unë besoj se shpenzimet e mia gjatë dimrit do të jenë deri në disa qindra euro”, thotë Aleksandri.

“Problemi me Mitrovicën është se këtu nuk ka ngrohje lokale, kështu që shumica e njerëzve duhet të ngrohen me energji elektrike”.

Ata nuk e kanë mundësinë sikurse njerëzit që banojnë në zonat rurale, shton ai, që të ngrohen me dru, pelet apo qymyr.

“Sigurisht që do të ishte më e dobishme për ne që të mund t’i ngrohnim apartamentet në një mënyrë tjetër”, thotë ai.

Ivani do të paguajë për atë që shpenzon, por thotë se më shumë i shqetëson ana politike e marrëveshjes së nënshkruar nga Beogradi dhe Prishtina.

“Me vite kemi luftuar që sistemet energjetike në Kosovë të mbesin në pronësi të Serbisë dhe tani ne disi e perceptojmë këtë marrëveshje sikur Beogradi edhe një herë është dorëzuar”, thotë ai.

Dragisha Mijaçiq thotë se fillimi i tarifimit të konsumit të energjisë elektrike në veri të Kosovës “nuk do të kalojë pa rezistencë nga individët, por nuk është realiste të presim probleme të mëdha”.

“Faturat e rrymës sigurisht që do ta rëndojnë buxhetin familjar të qytetarëve, por edhe ekonominë në veri të Kosovës”, thotë Mijaçiq.

“Megjithatë, pagesa e energjisë elektrike është e nevojshme për të mundësuar furnizim të rregullt të konsumatorëve”.

“Pavarësisht nga shqetësimet emocionale apo financiare të përdoruesve”, Mijaçiq shton se “të gjithë janë të vetëdijshëm se në një moment kjo fushë duhej të rregullohej”.

Sa do të kushtojë energjia elektrike?

Në Kosovë ekziston një rregullore me të cilën familjet që konsumojnë më shumë se 800 kilovat energji elektrike në muaj kalojnë në të ashtuquajturën zonë të kuqe, sipas së cilës tarifat e energjisë elektrike, sikurse në Serbi, janë dukshëm më të shtrenjta.

Shumica e konsumatorëve që ngrohen me rrymë do t’i paguajnë faturat me tarifën më të shtrenjtë, ndërsa Aleksandri mendon se gjatë dimrit faturat do të shkojnë deri në 400 euro.

“Këto çmime sigurisht që do të ndikojnë negativisht tek njerëzit me të ardhura të pakta dhe ka shumë të tillë”, mendon ai.

Konsumatorët në pjesët tjera të Kosovës e paguajnë çmimin më të ulët në rajon për energjinë e konsumuar, e cila kushton rreth gjashtë euro cent për kilovat.

Në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, energjia elektrike kushton rreth tetë euro cent për kilovat, në Bosnje dhe Hercegovinë rreth nëntë, në Shqipëri rreth 9.3 dhe në Mal të Zi më e shtrenjta – afër dhjetë cent, sipas të dhënave nga Agjencia Evropiane e Statistikave.

Megjithatë, Andriq Rakiq thotë se aktualisht askush nuk e di se çfarë çmimi do të paguajnë konsumatorët në veri të Kosovës, por se “nga Prishtina ekziston frika se ato fatura mund të jenë më të ulëta se në pjesët tjera të Kosovës”.

Kështu, Imer Fejzullahu, kryetar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji të Kosovës, në fund të qershorit 2022 ka deklaruar se “Elektroseveri nuk ka të drejtën të ofrojë çmime më të vogla se çmime e tregut, sepse Zyra e Rregullatorit mund t’ia tërheqë licencën”.

“Në fakt, bëhet fjalë për faktin se Kosova ka frikë se kompania serbe Elektrosever do të marrë leje për të blerë energji elektrike nga Serbia dhe se Serbia do të ofrojë një çmim shumë më të favorshëm”, thotë Andriq Rakiq.

“Nëse kjo ndodh, EPS-ja serbe praktikisht do t’i financojë pjesërisht faturat e vogla të banorëve në veri të Kosovës”.

Fejzullahu tha se “sipas ligjeve në Kosovë, shitja e energjisë elektrike me çmim më të ulët se çmimi i tregut mund të ndiqet penalisht”.

Kush i ka mbuluar kostot e faturave të papaguara deri më tani?

Në bazë të informatave në dispozicion, nuk është e mundur të përgjigjemi në pyetjen se kush i ka paguar faturat e papaguara të familjeve në veri të Kosovës për 23 vitet e fundit.

As institucionet e Serbisë dhe as ato të Kosovës nuk kanë deklaruar qartë për këtë dhe as nuk i janë përgjigjur pyetjeve të BBC-së për këtë.

“Në opinion qarkullojnë informacione të ndryshme për pagesën e konsumit të energjisë elektrike në veri të Kosovës, ka shumë vlerësime të sheshta dhe të dhëna të pasakta”, shpjegon Dragisha Mijaçiq.

Është pothuajse e sigurt, shton ai, se meqenëse rrjeti energjetik i Kosovës është privatizuar dhe i është shitur kompanisë turke ENTSO-E më ​​20 dhjetor 2020, “kjo kompani i furnizon me energji elektrike përdoruesit në veri të Kosovës dhe e faturon Qeverinë e Kosovës për atë”.

Vetëm në vitin 2016, vlera e energjisë së pafaturuar elektrike në katër komuna në veri ka qenë rreth tetë milionë euro, thuhet në raportin e Organit Rregullator të Energjisë Elektrike të Kosovës.

Zëdhënësja e Organit Rregullativ të Energjisë Elektrike të Kosovës tha në atë kohë se ky institucion “ishte i obliguar që shpenzimet për mbulimin e humbjes në veri t’ua shpërndajë të gjithë konsumatorëve të tjerë” në Kosovë, dhe për këtë arsye mendohet se faturat e konsumatorëve ishin tre për qind më të larta.

Mirëpo, në vitin 2017, pas reagimit të Avokatit të Popullit në Kosovë, u mor një vendim gjyqësor që e shpalli të paligjshme detyrimin e konsumatorëve në pjesët e tjera të Kosovës që t’i mbulojnë deficitet e shkaktuara nga mospagesa e faturave në veri të Kosovës.

Informacioni se kush i financoi kostot e kilovateve të papaguara para dhjetorit 2020 është kontradiktor.

“Besohet se Serbia financoi të paktën një pjesë të energjisë elektrike sepse kompania serbe e rrjetit të energjisë elektrike kishte kontroll mbi një pjesë të territorit”, thotë Andriq Rakiq.

Operatori Kosovar i Transmetimit dhe Sistemit të Energjisë Elektrike pretendon se deri në vitin 2017 shpenzimet e veriut i paguanin konsumatorët në pjesët tjera të Kosovës, ndërsa që nga viti 2017 është Qeveria e Kosovës ajo që i shlyen këto borxhe.

Parajsë për miniera

Duke qenë se rryma nuk paguhej me dekada në veri të Kosovës, lulëzuan bizneset që kërkonin konsum të madh të energjisë elektrike, shton Andriq Rakiq.

Minierat e kriptomonedhave të tilla si Bitcoin përfshinin lidhjen e kompjuterëve – zakonisht makineritë e specializuara të minierave – me një rrjet monedhe në internet.

Duke e siguruar fuqinë kompjuterike për t’i verifikuar transaksionet në atë rrjet, pronarët e makinerive minerare shpërblehen me monedhë të re, duke e bërë të gjithë procesin potencialisht fitimprurës.

Megjithatë, ajo kërkon shumë fuqi kompjuterike, e cila përdor sasi të mëdha të energjisë elektrike.

Sipas një analize të mëparshme nga Universiteti i Kembrixhit, miniera e Bitcoin në krejt botën përdor energji elektrike çdo vit më shumë sesa i gjithë shteti i Argjentinës.

“Miniera e kriptomonedhave në Kosovë po lulëzon në mënyrë multietnike”, shton analisti.

“Shumë kanë marrë banesa me qira në veri të Kosovës që do t’i mbushnin pastaj tërësisht ato me këso makinerish”.

Në fillim të vitit 2022, autoritetet e Kosovës i ndaluan minierat e kriptomonedhave dhe në një operacion të madh policor u sekuestruan 429 sosh, ndërsa deri në mars policia kishte zbuluar dhe sekuestruar gjithsej 600 të tjera.

“Unë asnjëherë nuk jam marrë me punë të tilla, megjithëse kam parë që njerëzit fitojnë para të mira prej saj”, thotë Aleksandri.

“Por është një gjë të mos paguash energjinë elektrike dhe tjetër është ta shkelësh ligjin dhe të përfitosh nga kjo situatë”./BBC (në gjuhën serbe)

Përgatiti: Nuhi Shala