www.pixabay.com

www.pixabay.com

Kosova bleu mbi 5.6 miliardë euro mallra nga jashtë në vitin 2022

Viti 2022, në tregtinë e jashtme të Kosovës, regjistron shifra rekorde sa i përket shkëmbimit të mallrave me vendet e tjera.

Sipas të dhënave të ASK-së, të cilat janë ende preliminare, në vitin 2022 Kosova eksportoi mallra në vlerë 920 milionë e 405 mijë euro, ndërsa importi saj ishte 5 miliardë e 639 milionë e 393 mijë euro, duke regjistruar kështu një deficit tregtar në vlerë 4 miliardë e 718 milionë e 989 mijë euro.

Rreth 450 milionë euro deficiti vetëm në muajin dhjetor

Në muajin dhjetor të vitit 2022, të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 13.8 për qind, në raport me muajin e njëjtë të vitit 2021. Saktësisht, në dhjetor të vitit 2022 ishte 449.4 milionë euro ndërsa në dhjetor të vitit 2021 ishte 394.9 milionë euro.

Eksporti i mallrave në muajin dhjetor të vitit 2022 kishte vlerën 72 milionë euro, ndërsa importi 521.5 milion euro, që është një rritje prej 10.8% për eksport dhe 13.4% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 20.2 për qind, e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 16.5 për qind, e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.9 për qind, e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 11.4 për qind, e përbëjnë produktet minerale; 9.8 për qind, e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.5 për qind, e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tekstili; 5.4 për qind, e përbëjnë makineria, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 17.8 për qind, e përbëjnë produktet minerale; 12.9 për qind, e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.9 për qind, e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.0 për qind, e përbëjnë mjetet e transportit; 8.4 për qind, e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 6.2 për qind, e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 5.0 për qind, e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Mbi 217 milionë euro importi nga vendet e BE-së

Në vendet e Bashkimit Europian, Kosova eksportoi 19.1 milionë euro mallra, ose rreth 26.5 për qind, të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 10.9 për qind.

Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave të Kosovës drejt BE-së janë: Gjermania 9.2 për qind, Italia 4.5 për qind, Holanda 3.2 për qind, etj.

Në anën tjetër importi i Kosovës nga këto vende, është shumë herë më i madh.

“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 217.2 milionë euro, ose 41.7% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 3.2%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (12.6%), Italia (5.4%), Greqia (3.9%), Sllovenia (3.8%), etj.

Rreth 93 milionë euro import nga vendet e CEFTA-s

Eksporti i mallrave të Kosovës për në vendet anëtare të CEFTA-s, në muajin dhjetor ishte rreth 30 milionë euro dhe kryesisht drejt Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

“Në muajin dhjetor 2022, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 29.6 milion Euro, ose 41.2% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 29.8%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (16.6%), Shqipëria (13.4%), Serbia (5.4), dhe Mali i Zi (4.7%)” -thuhet në njoftimin e ASK-së.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin dhjetor të vitit 2022 arritën në 92.7 milionë euro, ose 17.8 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 16.7 për qind.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia 5.8 për qind, Shqipëria 5.5 për qind, dhe Maqedonia e Veriut 4.9 për qind.

Sa ishte eksporti dhe importi me vendet tjera?

Eksporti i Kosovës me vendet e tjera të botës arriti në 23.2 milionë euro, ose 32.3 për qind, dhe partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA me 15.7 për qind, dhe Zvicra me 8.2 për qind,

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 211.5 milionë euro, ose 40.6 për qind.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia me 18.2 për qind dhe Kina me 9.3 për qind.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës i bëri të ditura me publikimin lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin dhjetor 2022.