Qeveria-Kuvendi

Foto: Denis Sllovinja

Korrupsioni - kryefjalë e raporteve të Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën

Korrupsioni dhe mos ndëshkimi i tij nga institucionet e Kosovës, është kryefjalë e raporteve për të Drejtat e Njeriut në botë, publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, në tri vitet e fundit.

Përveç korrupsionit endemik në institucionet vendimmarrëse, në këto raporte përmenden edhe probleme të tjera të theksuara në vend, siç janë kërcënimet dhe dhuna ndaj gazetarëve, sulmet ndaj pjesëtarëve të pakicave dhe ndërhyrjet politike në drejtësi.

Në raportin e fundit të DASh-it, për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2020, u tha se shumë zyrtarë të korruptuar vazhdojnë të jenë në pozita në sektorin publik, raportoi Zëri i Amerikës.

Siç thuhet në raport, qeveria ndërmori hapa për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarë që kryen abuzime të të drejtave të njeriut, por nganjëherë i mungonte vazhdimësia.

DASh ka theksuar se shumë njerëz në qeveri, opozitë, shoqëri civile dhe media raportuan për raste të zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion ose që vepronin pa u ndëshkuar.

Duke komentuar raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2020, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një përgjigje për KALLXO.com, ka deklaruar se gjatë qeverisjes së tij janë munduar të vendosin një sistem efektiv për luftimin e dukurive negative.

Hoti i cili ka drejtuar Qeverinë e Kosovës për rreth nëntë muaj nga qershori i vitit të kaluar, deri në mars të këtij viti, përfshirë qeverisjen në detyrë, ka shtuar se beson se janë vendosur baza të mira për luftimin e këtyre dukurive.

“Gjatë qeverisjes tonë jemi munduar të vendosim një sistem efektiv për luftimin e këtyre dukurive. Besoj se bazat e mira janë vendosur”, thuhet në përgjigjen e tij me shkrim për KALLXO.com.

Ish-kryeministri ka shtuar se standardet e funksionimit demokratik, duhet të forcohen vazhdimisht.

“Kosova është shtet i ri, por me perspektivë të qartë euroatlantike, prandaj standardet e funksionimit demokratik të institucioneve dhe të rendit e ligjit, duhet të forcohen vazhdimisht”, është shprehur ai.

Hoti ka shtuar se nga qeveria e re pret që të ecet përpara me vettingun në drejtësi.

“Tash në qeverinë e re pres që të lëvizet përpara me vettingun në drejtësi sipas planit që është i gatshëm i përgatitur në konsultim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka theksuar Hoti për KALLXO.com.

Disa prej skandaleve më të mëdha korruptive në Kosovë, dy vitet e fundit kanë pasur të bëjnë me arrestimet që u kryen në Ministrinë e Bujqësisë për korrupsion me subvencione. Gjithashtu, vitin e kaluar, nga Thesari i Shtetit u vodhën 2.1 milion euro.

Në lidhje me gjetjet e këtij raporti, KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Qeverinë aktuale të Kosovës me kryeministër Albin Kurtin, duke i pyetur se cilët do të jenë hapat që do të ndërmarrin për këto çështje, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Javë më parë, deklarata e ish-ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për BBC-në, se ndër problemet kryesore në Kosovë janë krimi dhe korrupsioni, kishte nxitur reagime në opinionin publik në Kosovë, duke kritikuar Osmanin që foli për këtë çështje në një media prestigjioze ndërkombëtare.

Të mërkurën, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ka deklaruar se ShBA-të janë të përkushtuara që të punojnë me Kosovën për të luftuar korrupsionin.

“Takim produktiv sot me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. ShBA-të janë të përkushtuara për të punuar me Kosovën për të luftuar korrupsionin, duke reformuar strukturat ekzistuese ndërsa forcojnë shërbimin civil apolitik të Kosovës”, shkroi Kosnett në Twitter.

Sa i përket gjetjeve të raportit për mediat në Kosovë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësimin në lidhje me kufizimet e padrejta në medie nga vetë pronarët e tyre dhe dhuna ose kërcënimet për dhunë në drejtim të gazetarëve.

Në raport është evidentuar se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare, u kanë bërë presion gazetarëve dhe përfaqësuesëve të medieve që të mos publikonin artikuj dhe storie të caktuara.

“Disa gazetarë u përmbajtën nga raportimi kritik hulumtues për shkak të frikës për sigurinë e tyre fizike ose sigurinë e punës”, thuhet mes tjerash.

Sipas raportit, mediet e pavarura në Kosovë ishin aktive dhe shprehën një larmi pikëpamjesh, përgjithësisht pa kufizime. Megjithatë, disa gazetarë janë ankuar se pronarët dhe menaxherët e medieve, i kanë penguar ata të publikonin ose transmetonin materiale që kritikonin qeverinë, partitë politike ose disa zyrtarë publikë.

Për këto, AGK përmes një reagimi vlerësoi, se gjetjet e këtij raporti duhet të jenë alarm për institucionet e vendit në funksion të krijimit të një ambienti më të mirë dhe të sigurt të të bërit gazetari.

Sfidat e Kosovës sipas DASh-it

Në Kosovë, zyrtarët e korruptuar nuk ndëshkohen. Kështu ka vlerësuar Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin për të drejtat e njeriut në botë për vitin 2019.

Edhe në këtë raport, tek pjesa për Kosovën, janë përmendur disa nga problemet kryesore, siç janë: kufizimet e tepruara ndaj mediave, përfshirë dhunën ose kërcënimet ndaj gazetarëve; korrupsioni i qeverisë dhe mosndëshkimi i tij; si dhe sulmet kundër anëtarëve të pakicave etnike ose komuniteteve të tjera të margjinalizuara.

“Shumë persona në qeveri, opozita, shoqëria civile dhe mediat i raportuan rastet e zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion, që vazhdonin veprimtarinë dhe mbesin të pandëshkuar. Qeveria dhe sektori i drejtësisë ndonjëherë ndërmorën masa për të ndjekur penalisht dhe ndëshkuar ata zyrtarë që kryenin abuzime, vepra penale dhe krime të së kaluarës, por shumë nga ata vazhduan të ushtronin pozicione në sektorin publik”, thuhet në raportin e DASh-it.

Raporti thoshte se qeveria nuk arriti të zbatojë në mënyrë efektive ligjin që parashikon dënime penale për zyrtarët e korruptuar.

“Zyrtarët nganjëherë përfshihen në praktika korruptive dhe mbesin të pandëshkuar. Mungesa e një mbikëqyrjeje efektive gjyqësore dhe sundimit i ligjit në përgjithësi i dobët, kontribuuan në këtë problem”, thuhet në raport.

Sa i përket sektorit të gjyqësorit, raporti theksonte se Kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, por gjyqësori jo gjithmonë siguroi një proces të duhur.

Hiç më pozitive nuk janë gjetjet zyrtare të ShBA-së për Kosovën edhe për vitin 2018, kësaj radhe duke treguar ngecjet në fushën e drejtësisë.

Gjatë vitit 2018, sipas raportit të DASh-it, problemet e theksuara në raport janë, korrupsioni në strukturat qeveritare, kërcënime e dhuna ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të pakicave nga forcat e rendit.

Mes tjerash, raporti theksonte se strukturat e gjyqësorit mbeten pre e ndikimeve politike dhe se sistemi është i mbingarkuar, gjë që ndikon negativisht tek të drejtat e të pandehurve për një gjykim të shpejtë.

Departamenti i Shtetit në raportin analizues të tij, vëren se autoritetet në Kosovë shpesh nuk venë në zbatim vendimet e gjykatave përfshirë edhe të Gjykatës Kushtetuese, sidomos në rastet kur vendimi ishte në favor të pakicave.