Sheshi para Qeverise dhe Kuvendit të Kosovës - FOTO: KALLXO

Korrigjimi i kufirit: Një opsion që po e ‘shkund’ vazhdimisht dialogun Kosovë-Serbi

Përfaqësuesi i lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell si dhe Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në deklarimet e fundit të tyre, kanë pasur qëndrime të ndryshme nga njëri tjetri, porsa i përket idesë së korrigjimit të kufirit me Serbinë.

Borell në një intervistë në gazetën ‘Koha Ditore’, nuk e ka përjashtuar idenë e ndryshimit të kufijve të Kosovës nëse për një gjë të tillë do të merreshin vesh Kosova dhe Serbia. Ai ka thënë se nëse palët merren vesh, “BE nuk mund të jetë më katolik sesa Papa”.

Ndërsa përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar se korrigjimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë nuk kontribuon në stabilitetin në rajon.

Kjo deklaratë e Lajçak ka nxitur reagimin e Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq i cili ka thënë se dëshiron zgjidhje brenda Rezolutës 1244, duke e  Kosovën e konsideruar pjesë të Serbisë.

Shoqëria civile në Kosovë vlerëson se korrigjimi i kufirit si mundësi në kuadër të dialogut-Kosovë-Serbi ka qenë vazhdimisht i pranishëm, përderisa thekson nevojën që Kosova të vendos vijat e kuqe dhe të jetë e unifikuar në fazën finale të dialogut.

Korrigjimi’, një mundësi pa përkrahje

Më 25 gushtë 2018, duke folur në Forumin Europian në Alpbach të Austrisë, presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq kanë folur së bashku për herë të parë se ndryshimi i kufijve është opsioni më real për arritje të marrëveshjes mes dy vendeve.

Diskutimi për këtë ide nuk pushuar asnjëherë, ndonëse nga presidenti Thaçi, herë është quajtur demarkim i kufirit, herë korrigjim i lehtë, herë ridefinim i kufirit, mirëpo asnjëherë nuk është treguar saktësisht se çka nënkupton.

Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e Platformës “CiviKos”, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se dialogu vazhdimisht është përcjellë më paqartësi dhe kriza politike sidomos në Kosovë, duke shtuar se ideja e korrigjimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve ka qenë gjithmonë në tavolinë.

“Pasojat politike që kanë derivuar nga Forum Alpbach kur kjo ide u bashkë-paraqit nga Vuçiq dhe Thaçi janë të pakthyeshme. Andaj, njësoj si asociacioni i komunave me shumicë serbe, Ahtisaar Plus, apo ide të tjera që janë diskutuar në Kosovë, edhe korrigjimi i kufijve tashmë është lakuar si alternativë potenciale”, ka thënë ajo.

Sipas Eminit deklaratat e fundit të Borell janë të pritshme kur marrim parasysh faktin që Bashkimi Europian ka vetëm rol ndërmjetësues, mirëpo duhet pasur parasysh qëndrimin e Gjermanisë e cila është kundër kësaj ideje.

“Roli i BE-së është edhe që të sigurohet që kjo marrëveshje të jetë konform me vlerat demokratike që i ka promovuar historikisht, andaj nën një facilitim të tillë,  por edhe shtyrje nga prapaskena e Gjermanisë, e cila në mënyrë eksplicit është kundër kësaj ideje do të mund ta determinojnë të ardhmen e këtij procesi duke mos lejuar të ndodhë një marrëveshje që do të de-stabilizonte Kosovën dhe rajonin”, ka thënë ajo.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë, se aktualisht në kuadër të procesit të dialogut janë dy procese paralele që janë duke ndodhur, një proces që është i ndërmjetësuar nga ambasadorit Grenell dhe një nga Lajçak.

“Ajo çka është më e rëndësishme duke pasur parasysh edhe zhvillimet e dy viteve të fundit është që dialogu në çfarëdo lloj forme që do të zhvillohet ai duhet të ketë parime dhe të ketë vija të kuqe dhe të ketë qartësimin e epilogut të saj, për çfarë palët janë duke biseduar, cilat janë temat e pranueshme dhe cilat janë jo të pranueshme”, ka thënë ajo.

Sipas saj mundësia e korrigjimit të kufirit të kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk e ka gjetur përkrahjen as në Kosovë e as tek Bashkimi Europian.

“Tema e korrigjimit mund të mbetet si temë deri në momentin kur të ketë gatishmëri nga pala kosovare për ta diskutuar atë, ajo çfarë ne kemi parë në të kaluarën është që nuk ka pasur një dakordim të brendshëm të gjithë spektrit politik që kjo çështje të jetë pjesë e diskutimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, siç e kemi parë që edhe në arenën ndërkombëtare nuk ka pasur një mbështetje unanime me që Gjermania si shtet i fuqishëm i BE-së e ka refuzuar këtë proces”, ka thënë ajo.

Dialog i ndërmjetësuar nga SHBA-të apo BE-ja?

Duke theksuar nevojën për unitet të brendshëm institucional në Kosovë porsa i përket dialogut, Jeta Krasniqi nga KDI thotë se është mirë të vlerësohet prania e SHBA-ve dhe BE-së në dialog.

“Është gjë e mirë që e kemi mbështetjen e SHBA-ve, por ne si Kosovë duhet të kërkojmë që ky proces të fillohet çoftë me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-ve si dy partner strategjik, ku në kuadër të këtij procesi ne diskutojmë me Serbinë në ballafaqimin me të kaluarën, por edhe në të njëjtën kohë marrim anëtarësimin në OKB si dhe në të BE”, ka theksuar ajo.

Ashtu si Krasniqi, edhe Donika Emini nga platforma ‘CiviKoss’ thekson se vullneti i politik i dy partnerëve BE dhe SHBA është një mundësi e mirë për Kosovën.

“Lajçaku ka bërë të ditur që BE do të kërkojë bashkëpunim dhe bashkë koordinim me ShBA-të. Kjo megjithatë për Kosovën është lajm i mirë për faktin se është jashtëzakonisht e nevojshme që kjo marrëveshje të diskutohet dhe të jetë e pranueshme për të gjithë partnerët strategjik të Kosovës. Vullneti politik i ShBA dhe BE në drejtim të një marrëveshje mund të jetë mundësi unike për Kosovën që të përmbyllë problemin kryesorë që e ka paralizuar vendin nga brenda dhe jashtë.”, ka thënë ajo.

Mirëpo paraprakisht, sipas saj është e nevojshme që Kosova të qartësojë pozicionin e saj jo vetëm në raport me korrigjimin por në raport me të gjithë procesin e dialogut me Serbinë.

“Mos pozicionimi i Kosovës në këtë proces dhe ndarjet e thella politike në raport me dialogun ka kontribuar shumë në çarjen trans-atlantike. Ne kemi punuar aktivisht me i nda dhe polarizu partnerët tanë strategjik, krejt kjo për konsum të brendshëm politik dhe luftë politike e personale në mes të liderëve politik”, ka theksuar ajo.