KEK

Korporata Energjetike e Kosovës nënshkruan 4 kontrata për pajisje mbrojtëse kundër COVID-19

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) i ka nënshkruar katër kontrata në vlerë mijëra euro për t’u pajisur me maska higjenike, dorëza dhe dezinfektues, për luftimin e virusitCOVID-19.

Kontratat janë të nënshkruara në procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës.

Kjo procedurë përdoret në rastet emergjente dhe institucioni publik nuk hap fare tender, por i kontrakton operatorët ekonomikë pa konkurrencë për të ofruar shërbime.

KALLXO.com ka shikuar kontratat që KEK-u i ka nënshkruar me operatorë ekonomikë, për pajisje mbrojtëse.

Kontrata e parë e tillë është nënshkruar me 20 mars të këtij viti. Është për ‘Furnizim me maska higjenike ditore, dezinfketues alkool 70% dhe doreza higjenike për një përdorim’.

Vlera e përgjithshme e kësaj kontrate është 17 mijë e 245 euro, ndërsa operatori fitues i këtij i kësaj kontrate është ‘Infinity Group’.

Një kontratë tjetër me titull ‘furnizim me maska higjenike dhe dezinfektues alkool’, është nënshkruar me 27 mars.

Vlera e përgjithshme e kësaj kontrate është 113 mijë euro. Fitues është ‘Cleantech Group’.

Kontrata tjetër është nënshkruar me 31 mars.  Titulli i kësaj kontrate është ‘furnizim me maska higjenike një përdorimëshe’, ndërsa vlera e kësaj kontrate është 6 mijë e 240 euro.

Fitues i kësaj kontrate është ‘Agani Ltd’.

55 mijë euro të tjera janë shpenzuar nga KEK-u, për paisje mbrojtëse.

Kontrata me titullin ‘furnizim me maska higjenike ditore, maska, dezinfektues për duar me bazë alkooli dhe doreza higjenike për një përdorim’. Kjo kontratë është nënshkruar me datë 8 prill dhe fitues i kontratës është përsëri ‘Agani Ltd’.

Korporata Energjetike, po ashtu ka planifikuar të nënshkruajë edhe një kontratë tjetër për paisje mbrojtëse.

Kontrata finale ende nuk është nënshkruar, ndërsa është bërë vetëm njoftimi për dhënie të kontratës, me datë 10 prill, me vlerë të përgjithshme 3 mijë e 750 euro, kurse fitues është zgjedhur operatori ekonomik ‘Liri – Med’.

Vlera e përgjithshme e këtyre 5 kontratave, përfshirë këtë të fundit që momentalisht ende nuk është e nënshkruar, kap shifren e 195 mijë e 235 eurove.

 

KALLXO.com, sot gjatë ditës, ka raportuar edhe për kontratat e komunave që i kanë nënshkruar me procedurë të negociuar, për dezinfektim të hapisrave publike.

Dosja- Në emër të COVID19, gjysmë milioni euro shpenzohen në kontrata pa konkurrencë