Kontrollimi i fakteve nga BIRN: Marrëveshja ‘Historike’ Kosovë-Serbi e Trump është lënë mënjanë

Në prag të përvjetorit të saj të parë, BIRN verifikon progresin e bërë apo jo, mbi implementimin e së ashtuquajturës Marrëveshje të Uashingtonit, e nënshkruar nga Serbia dhe Kosova në Shtëpinë e Bardhë.

Pothuajse një vit që nga dita kur ish-presidenti amerikan Donald Trump i bëri bashkë udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë në Zyrën Ovale për të nënshkruar një marrëveshje “historike”, e ashtuquajtura Marrëveshja e Uashingtonit, të paktën në Kosovë, është vënë mënjanë.

Më 6 gusht, partia e cila aktualisht po qeveris me Kosovën, Vetëvendosje, e ka shfuqizuar një projektligj nga radhët e opozitës e cila kërkon ratifikimin e marrëveshjes, dy dokumente të nënshkruara veçmas me SHBA më 4 shtator të vitit 2020, nga Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti.

Tani kur pushtetin në Kosovë e ka Lëvitja Vetëvendosje dhe udhëheqësi i saj, Kryeministri Albin Kurti, BIRN hedh një sy mbi situatën rreth Marrëveshjes së Uashingtonit. Nga 16 pikat, të cilat janë nënshkruar nga Hoti, vetëm njëra është implementuar plotësisht – vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin.

Asnjë lëvizje tjetër pozitive nuk është bërë sa i përket pikave tjera.

Kurti: ‘Marrëveshje e çrregullt’

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti jep një konferencë të përbashkët për media me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Josep Borrell në ndërtesën e EEAS në Bruksel, Belgjikë, 29 Prill 2021. Foto: EPA-EFE/KENZO TRIBOUILLARD / POOL

E parë gjerësisht si një mënyrë e shpejtë dhe e lehtë për Trump për ti aplauduar një triumfi të politikës së jashtme përpara ofertës së tij për rizgjedhje në muajin nëntor të vitit 2020, Marrëveshja e Uashingtonit bëri që Vuçiq dhe Hoti të nënshkruajnë dokumente të ndara kryesisht të ndërlidhura me bashkëpunimin ekonomik, lidhjet hekurudhore dhe tranzitore.

Marrëveshja ishte kryesisht arritje e të dërguarit të Trump, Richard Grenell, i cili i anashkaloi përpjekjet e udhëhequra nga Bashkimi Evropian për një dakordim midis Serbisë dhe ish-krahinës së saj, Kosovës, dhe krijoi një proces “paralel” të ndërmjetësimit amerikan i cili  kishte si pretendim vënien e interesave ekonomike përpara mosmarrëveshjeve politike.

Pikat e marrëveshjes përfshinin nisjen e një fluturimi të parë midis Prishtinës dhe Beogradit që nga lufta e Kosovës 1998-99, njohja reciproke e diplomave, zotimin për një zonë të planifikuar ballkanike ‘mini-Shengen’, një moratorium njëvjeçar i lobimit serb ndaj shteteve që e tërheqin njohjen e tyre ndaj shtetësisë së Kosovës dhe një pezullim të përpjekjeve të Kosovës për t’u bërë pjesë e organizatave ndërkombëtare.

Mirëpo, kur erdhi puna tek mënyra se si do të zbatohej secila pikë, kishte shumë pak detaje. Shanset e marrëveshjes për të mbijetuar u bënë edhe më të vogla kur Vetëvendosje shënoi një fitore të madhe zgjedhore në muajin shkurt të këtij viti.

Si udhëheqës i opozitës, Kurti kishte qenë kritik ndaj asaj që ai e quajti “marrëveshje e çrregullt”.

Ai nuk e ndryshoi qëndrimin e tij edhe kur mori postin e kryeministrit.

“Nuk besoj se synimi është implementimi i saj,” tha Kurti në muajin maj. “Ka disa elementë pozitivë, kështu që ne duhet ta shohim atë si një grup pikash dhe jo si një marrëveshje.”

BIRN ka parashtruar pyetje në zyrën e Kurtit për secilën nga pikat e Marrëveshjes së Uashingtonit, megjithatë nuk mori ndonjë përgjigje.

Kurti i palëkundur në “idenë e keqe” te mini-Schengenit

Zotimi i Hotit për “mini Shengenin” u shfaq si një befasi për shumë njerëz marrë parasysh mospajtimet e përgjithshme të Kosovës ndaj një ideje e cila ka rrezik të shëndrrohet në një zëvendësim për anëtarësimin në BE.

Ideja është që të Katër Liritë e BE-së: lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe punëtorëve – të zbatohen në Ballkan, në atë që mbështetësit e tij thonë se do të rezultonte me një stimulim më të madh për ekonomitë e rajonit.

Kurti, megjithatë, mbetet skeptik, duke shkruar në Twitter në fillim të korrikut se, “në vend që të shtyjmë përpara ide të këqija si Mini-Shengen, ne duhet ti demokratizojmë vendet tona”. Në të njëjtin muaj këshilltari i tij, Jeton Zylfaj, e quajti atë “një duplifikim të panevojshëm”.

Vuçiq dhe kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Zoran Zaev dhe Edi Rama, u takuan në Shkup në muajin korrik për ta lansuar një iniciativë që ka si synim heqjen e shumicës së pengesave kufitare për udhëtime dhe biznes midis shteteve të tyre deri në vitin 2023. Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje dhe Herzegovina edhe një herë e refuzuan këtë iniciativë.

Asnjë progres për personat e zhdukur

Ekspertët mjeko -ligjorë nga Serbia, Kosova dhe Bashkimi Evropian kontrollojnë zonën ku u gjet një varr masiv në fshatin Kizevak, afër qytetit të Rashkës në Serbinë jugperëndimore, 4 dhjetor 2020. Foto: EPA-EFE/Djordje Savic

Një pikë në të cilën është arritur një progres i kufizuar, është ai në lidhje me kontrollin mbi liqenin artificial të Gazivodës/Ujmanit në Kosovën veriore të populluar kryesisht nga serbët dhe që është burimi kryesor i ujit të pijshëm në Kosovë. Serbia dhe Kosova, që të dyja, kanë pretenime mbi këtë liqen.

Sipas Marrëveshjes së Uashingtonit, Departamenti Amerikan i Energjisë muajin e kaluar e përfundoi një studim fizibiliteti duke e parë si mundësi edhe ndarjen e liqenit.

Por Kurti tha se qeveria e tij do ta përdorte studimin në fjalë për ta “mbrojtur këtë pasuri të Kosovës nga çdo pretendim”.

Lidhur me çështjen e ndjeshme të njerëzve ende të zhdukur nga lufta e Kosovës dhe atyre që humbën shtëpitë e tyre, Marrëveshja e Uashingtonit bëri thirrje për një koordinator për ta lehtësuar bashkëpunimin midis Prishtinës dhe Beogradit. Nuk ka pasur progres të dukshëm në këtë pikë.

Rreth 1,600 persona ende klasifikohen si të zhdukur, rreth 1,100 prej tyre me etni shqiptare, 360 serbë dhe pjesa tjetër nga pakicat e tjera.

”Kosova e ka akuzuar vazhdimisht Serbinë se po vendos barriera në përpjeket për gjetjen e të zhdukurve dhe në muajin qershor Kurti deklaroi se ishte “shumë e rëndësishme të hapeshin arkivat shtetërore të Serbisë”.

NATO ndërhyri në luftën e Kosovës në vitin 1999 me 11 javë sulme ajrore për ti dëbuar forcat serbe të akuzuara për masakrimin dhe deportimin e shqiptarëve etnikë gjatë një fushate brutale kundër kryengritjes. Kosova e shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008.

Vuçiq, megjithatë, tha se Serbia nuk ishte e vetmja palë që i duhet vënë faji.

“Ne e kuptojmë se ka pasur krime nga të dyja palët, ata nuk e kuptojnë këtë, ata e shohin veten si viktima dhe serbët si kriminelë,” deklaroi ai në muajin korrik pas takimit me Kurtin në Bruksel.

Drejt askundit?

Njëjtë sikurse për pjesën më të madhe të Marrëveshjes së Uashingtonit, nuk ka pasur ndonjë lëvizje as sa i përket thirrjes për implementimin e vendimit të gjykatës në lidhje me Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

Çështja ka të bëjë me një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 që mbështet Kishën Ortodokse Serbe në përpjekjet e saj për të ndaluar ndërtimin e një rruge pranë pronave për të cilat gjykata konfirmoi se ishin në pronësi të manastirit të Deçanit të shekullit të 14-të.

Kur një federatë e trashëgimisë kulturore pan-evropiane e futi manastirin në listën e trashëgimive të rrezikuara, Kurti kërkoi të takohej me udhëheqësin e këtij manastiri, Sava Janjiq. Mirëpo përmes një tweet-eri, dioqeza lokale i tha Kurtit se ai mund të takohej me Janjiqin vetëm pasi ta implementonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në Zyrën Ovale të Trump, Kosova dhe Serbia gjithashtu u zotuan për implementimin e marrëveshjeve hekurudhore dhe rrugore Beograd-Prishtinë të ndërmjetësuara nga Grenell në shkurt të vitit 2020, por, përsëri, progresi në këtë drejtim ka qenë i ngadalshëm apo edhe inekzistent.

Më 19 gusht, Vuçiq deklaroi se ndërtimi i korsisë serbe të autostradës nga qyteti jugor i Nishit në Merdare, në kufi me Kosovën, do të fillonte në muajin nëntor.

Ai tha se 255 milionë euro ishin ndarë për punime, përfshirë 40 milionë nga BE. Por me 27 kilometra autostradë ende për t’u ndërtuar midis Merdares dhe Prishtinës, qeveria e Kurtit nuk ka thënë asnjë fjalë për të ardhmen e projektit.

Marrëveshja e Uashingtonit bëri thirrje gjithashtu për bashkëpunim me Korporatën Financiare të Zhvillimit Ndërkombëtar të SHBA, DFC, dhe Bankën Amerikane për Eksport-Import, EXIM, për financimin e projekteve të infrastrukturës bilaterale. Por kjo është implementuar vetëm pjesërisht.

Në mes të shtatorit të vitit 2020, DFC nënshkroi Deklaratat e Zotimit me Serbinë dhe Kosovën për ndërtimin e një autostrade të re midis tyre. Deklaratat ishin jodetyruese dhe u pasuan me nga një inspektim standard i kryer nga të dy agjencitë para se financimi të jetë zotuar zyrtarisht, kishte thënë deklarata zyrtare e DFC.

Asnjë zhvillim i ri nuk është raportuar që atëherë.

Në vitin 2011, Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për të ashtuquajturin menaxhim të integruar të kufirit, i cili parashikon pikëkalime kufitare në bashkëmenaxhim në një kufi të cilin Serbia e konsideron vetëm një “kufi administrativ”. Serbia, megjithatë, atëherë refuzoi të vendosë stafin e saj atje, duke krijuar mbingarkesë të madhe për ata që udhëtojnë nga Kosova në Serbi.

Në Uashington, Vuçiq dhe Hoti u angazhuan për vënien në jetë të kufirit të përbashkët në Merdare, megjithatë, edhe një herë, nuk ka pasur ndonjë lëvizje në këtë drejtim.

Kjo e bën ngritjen e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit si pikën e vetme e cila është implementuar plotësisht deri më tani, e nënshkruar në fillim të shkurtit nga ish Ministrja e Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla. Kosova e hapi ambasadën e saj në Jeruzalem në mesin e muaji mars.