Kontratën e Filmit Ma Kërkuan Kosumi e Çeku

Gjykata e Qarkut në Prishtinë, për herë të dytë gjatë muajit nëntor, priti dy ish ministrat e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të premten. Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri ndaras erdhën në gjykatë, të shoqëruar nga avokatët e tyre.

Në gjykatë erdhën edhe aktori i njohur kosovar Armond Morina dhe producenti Nehat Fejza.

Seanca për konfirmimin e aktakuzës filloi me pesëmbëdhjetë minuta vonesë, për shkak të kushteve të papërshtatshme në të cilat ndodhet objekti i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë. Objekti i gjykatës ka dy javë që është duke u rinovuar.

Pas disa përpjekjeve, gjykatësja e konfirmimit Hava Haliti, njoftoi palët se seanca do të mbahet më një sallë të vogël të kësaj gjykate.

Prokurorja Drita Hajdari u lexoi aktakuzën të pandehurve. Aktakuza e Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë akuzon ish-ministrin Haraqija për veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare duke tejkaluar autorizimet e tij me nënshkrime kontratash në kundërshtim më Ligjin për Kinematografinë dhe atë për Prokurimin Publik me Nehat Fejzën, pronar i kompanisë “Concordia Pictures”, më 27 shkurt 2006, në vlerë prej 220.000,00 euro, si dhe me Armond Morinën, pronar i kompanisë “Morina Films”, në vlerë prej 350.000,00 eurosh, më 30 janar 2007. Kjo e dyta ishte nënshkruar nga  Alberta Troni, drejtoreshë në Departamentin e Kulturës në MKRS (Ministria Kulturës, Rinisë dhe Sporteve), me autorizimin e Astrit Haraqisë.

Në bazë të aktakuzës, më të njëjtën vepër akuzohet edhe Valton Beqiri, i cili në pozitën e tij si ministër i MKRS-së, më 19 shtator 2008, ka lidhur dhe nënshkruar aneks kontratën me Armond Morinën si dhe me 1 tetor 2008 ka marrë vendim për transferimin e shumës prej 100.000 nga linja buxhetore e investimeve kapitale në MKRS në linjë buxhetore të subvencioneve për realizimin e filmit “Mysafir në Sofër”.

E gjithë kjo, në bazë të aktakuzës, është bërë në kundërshtim më Ligjin për Kinematografinë dhe atë për Prokurimin Publik.

Ndryshe nga ish-ministrat, aktakuza ngarkon Armond Morinën dhe Nehat Fejzën për veprat penale “mashtrim në detyrë”, që kanë të bëjnë me lidhjen e kontratave në kundërshtim me ligjin, pasi kishin paraqitur projekte të rreme për realizimin e filmave që në të vërtetë nuk janë realizuar asnjëherë.

Pas leximit të aktakuzës, gjykatësja i pyeti të pandehurit se si ndiheshin për veprat që po i ngarkonte prokuroria. Të gjithë të pandehurit u deklaruan të pafajshëm në të gjitha pikat e akuzës.

Astrit Haraqija ishte i pari që e kundërshtoi aktakuzën duke shpjeguar se ekzistojnë katër nivele të shpenzimit të parasë publike dhe atë në investime kapitale, mallra e shërbime, subvencione dhe paga e mëditje.

Haraqija, për ta pasur më të lehtë gjykata, mori edhe shembuj me të cilët u munda t’i shpjegonte subvencionet që bëhen nëpër ministri. Ai përmendi ministren e Ministrisë së Integrimeve, Vlora Çitaku, duke thënë: “Ajo mundet tia japë, për shembull, 10 mijë euro për Skena UP ose Dokufestit pa hapur konkurs pasi që është subvencion dhe mendon që përmes kësaj i bëhet marketing Kosovës”.

I pandehuri Haraqija iu përgjigj prokurores edhe sa i përket shkeljes së Ligjit për Kinematografi. Ai tha se është e vërtetë se ai ligj është aprovuar në 2004, por si rezultat i mungesës së buxhetit ligji ka hyrë në fuqi vetëm në vitin 2008, ndërsa stafi i Qendrës së Kinematografisë Kosovare kishte filluar përzgjedhjen më 2006.

Marrëveshja me “Concordia Pictures” është pika e parë e aktakuzës. E i pandehuri tha se ka pasur bashkëpunim me kompaninë pasi që ishte vetmja kompani që Zyra Gjermane, në atë kohë, ia kishte besuar organizimin e “Java e Filmit Gjerman” në Kosovë.

Sipas tij, Bordi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i formuar nga vet Haraqija, e ka konsideruar të arsyeshme për ta përkrahur filmin “Power Cuts”.

Për pikën e dytë të aktakuzës që kishte të bënte me lidhjen e kontratës me “Morina Films”, Haraqija tha se ai këtë e kishte bërë edhe më kërkesën e Kryeministrit të atëhershëm Bajram Kosumi dhe Agim Çeku.

Avokati mbrojtës i Hraqisë, Teki Bokshi, theksoi se në bazë të provave nuk mund të konstituohet dyshimi i bazuar se Haraqija ka kryer vepër penale.

Avokati Bokshi theksoi se dhënia e subvencioneve ishte e rëndësisë së dorës së parë për avancimin e filmit në Kosovë dhe shuma e subvencionit është tejet e vogël duke marrë parasysh se çmimi real i filmave është i përcaktuar në miliona euro.

Avokati Bokshi i vuri në pah gjykatës faktin se asnjë provë materiale e lidhur me çështjet financiare nuk është ekzaminuar nga eksperti financiar.

Edhe pse në procedurën për konfirmim të aktakuzës nuk paraqiten prova, avokati Teki Bokshi dorëzoi dokumentin e Ujdisë midis Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe “Concordia Pictures”, të lidhur në Gjykatën Ekonomike të Qarkut, për të vërtetuar paqëndrueshmërinë e aktakuzës dhe i propozoi gjykatës mos ta konfirmojë aktakuzën dhe ta pushojë procedurën për mosplotësimin e kushteve.

Të njëjtën e bëri edhe Haraqija. Ai dorëzoi si prova projektligjin mbi ndarjen e buxhetit për vitet 2011 dhe 2012 dhe rregulloren për kompetencat e ministrive.

I pandehuri Valon Beqiri e kundërshtoi në tërësi aktakuzën duke thënë se nuk mund të mohohet vlefshmëria e kontratës me “Morina Films”. Ai citoi pjesën nga aktakuza ku thuhet për të se “…dhe pse ka patur dijeni se kontrata është e kundërligjshme…”, më pas shtoi “e kundërshtoj këtë pjesë me faktin se kontratat përpilohen nga zyra juridike po ashtu edhe  aneksi”.

Ai shtoi se “bartja e mjeteve nga një kod buxhetor në një tjetër bëhet në pajtim dhe miratim nga Ministra e Financave dhe nga Thesari”.

Avokati Destan Rukiqi, mbrojtësi i Beqirit, paraqiti kundërshtimin me shkrim dhe potencoi se Prokurorja nuk ka mundur të konsolidojë prova të mjaftueshme gjatë hetimeve. Ai tha se kontrata aneks e lidhur midis të mbrojturit të tij dhe Armond Morinës është e vlefshme sepse njëkohësisht parasheh disa të drejta për Ministrinë dhe detyrime për Morina Films, të cilat thonë se nëse filmi dështon bëhet kthimi i mjeteve buxhetore gjë që nënkupton siguri juridike për Ministrinë.

Më pas avokati Rukiqi propozoi që aktakuza të hidhet poshtë si e pabazë dhe ta pushojë procedurën për të mbrojturin e tij. Në fund tha se nëse konfirmohet aktakuza do ta ftojë për të dëshmuar Sali Morinën, sekretarin permanent të Ministrisë së Kulturës.
    
I pandehuri tjetër Nehat Fejza, pohoi se kupton aktakuzën por tha se nuk ndihet i fajshëm. Ai  paraqiti një pasqyrë kronologjike lidhur me përgatitjen e filmit “Power Cuts” si dhe bashkëpunimet e “Concordia Pictures” me kompanitë kinematografike si “Bavaria Films”, “Gete Insistut” dhe “Netcverk Film”.

Filmin “Power Cuts” tha se e ka bërë në bashkëpunim me gjermanët, megjithatë në atë kohë kishte vdekur njëri nga dy producentët gjermanë, Gunter Staklog, e kjo, sipas tij, kishte bërë që të vonohet realizimi i filmit.

Në fund tha se filmi është xhiruar dhe realizuar në bashkëpunim me producentët anglezë dhe se të njëjtin e ka dorëzuar në ministri por deri më tash nuk kishte marrë përgjigje.

Filmi tani quhej ndryshe dhe kishte emrin “Në kërkim të Lares”, premierën e të cilit e kishte mbajtur vetëm në vitin 2012. 

Avokati Osman Havolli, mbrojtësi i të pandehurit Fejza, kundërshtoi aktakuzën duke kërkuar që e njëjta të hidhet poshtë si e pabazuar.

I pandehuri Armand Morina po ashtu kundërshtoi plotësisht aktakuzën dhe tha se “keqkuptimi në këtë rast rrjedh prej njohurive të pakta lidhur me industrinë e filmit”, të cilën e cilësoi si të shtrenjtë dhe që funksionon vetëm me deficit në vendet e vogla.

Andaj sipas tij “shtëpitë kinematografike janë të detyruara të kërkojnë subvencione, për të cilat lobohet shumë”.

Ai shtoi se para-prodhimi i filmit “Mysafir në sofër” është përfunduar dhe se në asnjë moment s’ka pas përfitim personal.
  
Ramë Gashi, avokat mbrojtës i Morinës, kërkoi nga gjykata t’i konsiderojë faktet fajësuese dhe shfajësuese si dhe ta hedh aktakuzën poshtë sepse, sipas tij, mungon cilësia për akuzim si dhe faktet që arsyetojnë veprimet inkriminuese.

Prokuroja në fund tha se mbetet në tërësi pranë aktakuzës dhe se e konsideron të bazuar në gjendjen faktike si dhe cilësimin juridik e konsideron si adekuat. Prokurorja kërkoi konfirmim të aktakuzës duke marrë parasysh se ekzistojnë të gjitha provat relevantë.

Gjykatësja Haliti pritet që në afat ligjor të marrë aktvendimin lidhur me konfirmimin ose mos konfirmimin e kësaj aktakuze.