Kontratat e kundërligjshme të KEDS-it dhe KESCO-s

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka vlerësuar se KEDS dhe KESCO që nga viti 2013 kur ka nisur operimin ka bërë shkelje të vazhdueshme të licencës pasi kanë lidhur kontrata pa e përfillur Ligjin e Prokurimit Publik. Rregullatori ka thënë se këto dy kompani kanë qenë të obliguara me licencë që të gjitha investimet e realizuara t’i bëjnë duke zbatuar Ligjin e Prokurimit Publik, gjë që nuk e kanë bërë as KEDS-i e as KESCO.

Bordi i ZRRE-së ka marrë vendim që të obligojë KERDS-in dhe KESCO-në që të zbatojnë licencën, përkatësisht nenin i cili e obligon këto dy kompani që të zbatojnë Ligjin e Prokurimit Publik.

Petrit Pepaj, drejtor në ZRRE, para bordit ka thënë se është gjetur se KEDS-i nuk e ka zbatuar ligjin e prokurimit Publik për investimet që i ka bërë, përkundër faktit që kanë qenë të obliguar.

Ai i ka propozuar Bordit të ZRRE-së që të kërkojnë nga Kuvendi i Kosovës buxhet shtesë në mënyrë që ZRRE-ja të angazhojë një kompani që të auditohen të gjitha investimet e realizuara nga KEDS-i jashtë Ligjit të Prokurimit Publik.

Drejtori i departamentit të tarifave, Ymer Fejzullahu ka thënë se KEDS-i ka qenë i obliguar që të zbatojë Ligjin e prokurimit për gjitha investimet e realizuara pasi një gjë e tillë është e përcaktuar në licencë.

“Gjetja konstaton që KEDS-i ka bërë shkelje të licencës duke mos e respektu ligjin e prokurimit”, ka thënë Fejzullahu.

Ai ka thënë se vetëm përmes një auditimi mund të konstatohet dëmet e shkaktuara nga mos-zbatimi i Ligjit të Prokurimit.

“Propozomë që auditim për secilin investim që është bërë në pesë vitet e fundit e që janë realizuar pa u respektuar Ligji i Prokurimit Publik, pasi vetëm ashtu mundemi me ditë dëmin që është shkaktuar”, ka thënë Fejzullahu. “Kërkojmë nga bordi që të bëjë përpjekje që bashkë me Kuvendin të lejohet buxhet shtesë që të bëjmë auditim të secilin investim të realizuar nga KEDS-i, në mënyrë që të gjejmë nëse është dëmtuar konsumatori apo jo.”

Kryesuesi i Bordit, Arsim Janova ka thënë se do të kërkojnë mjete shtesë për të bërë Auditim të gjitha investimeve të realizuara nga KEDS-i dhe KESCO që nga fillimi i operimit.

Petrit Pepaj ka thënë se Auditimi do të bëhet tek tri kompanitë e licencuara, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për kompani publike apo private.

Pepaj ka thënë se KEDS-i dhe KESCO në përgjigjet e dërguara në ZRRE janë zotuar se do t’i zbatojnë të gjitha rekomandimet e dhëna nga ZRRE-ja në raportin e monitorimit, duke përfshirë edhe pikën që kërkon që të zbatohet ligji i prokurimit.