Kontrata për mirëmbajtjen e ndriçimit me 33 pozicione me çmime 10 centë

Komuna e Kamenicës i ka porositur vetëm 14 prej 51 produkteve dhe shërbimeve që kanë qenë pjesë e kontratës njëvjeçare për mirëmbajtjen e ndriçimit publik në vlerë 25 mijë euro që është nënshkruar në qershor të vitit 2020.

Deri në dhjetor të vitit 2020, Komuna ka porositur vetëm 14 produkte duke shpenzuar 23,499 euro nga kontrata e nënshkruar me kompaninë “Anesi”. Këto mjete janë shpenzuar edhe pse nuk ishin porositur edhe 37 produktet dhe shërbimet e tjera që janë kontraktuar.

Në mesin e 37 produkteve dhe shërbimeve të kontraktuara janë 33 pozicione që janë ofertuar dhe kontraktuar me një çmim vetëm 10 centë.

Komuna në hapjen e tenderit kishte publikuar listën e çmimeve me 51 produkte, por pa specifikuar sasinë dhe duke përdorur procedurën me poentim të çmimit. Kjo mënyrë e vlerësimit të ofertave ka bërë që të kompania fituese të shpallet ajo që kishte ofertuar me çmime jonormalisht të ulëta në shumicën e pozicioneve të kërkuara.

Komuna ka porositur produkte me çmim më të lartë me specifika më të dobët në vend që të porosiste produkte me çmim më të ulët me specifika më të mira.

Komuna ka blerë/porositur pozicionin 2 që parashihte montimin e trupit ndriçues Watt 50 LED në vlerë 40 euro, por nuk e ka porositur fare pozicionin numër 1 për montimin e trupit ndriçues Watt 100 LED, i cili kishte një çmim prej vetëm 1 euro.

Komuna në total ka porositur 252 montimin e trupit ndriçues Watt 50 LED me çmimin 40 euro, të cilat në total i kishin kushtuar komunës 10,080 euro. Gjithashtu, janë blerë 140 poçe ekonomike me fuqi 65 Watt me çmim 20 euro dhe kjo i ka kushtuar Komunës në total 2,800 euro. Kurse, kishte kompani që kishin ofertuar për të njëjtin produkt me çmim prej vetëm 4 eurove.

Në kontratën e nënshkruar, furnizimi, transporti dhe montimi i klemave izoluese të përçuesit është paraqitur në 5 pozicione të ndara në bazë te dimensionit të milimetrave, me çmime të ndryshme duke filluar nga 0.10 euro dhe 0.20 e vetëm njëri nga ajo me dimension 16mm kishte një çmim prej 3 euro.

Bazuar në faturat që ka siguruar KALLXO.com dhe “Democracy Plus”, del që Komuna në paraqitjen e faturës për pagesë ka paguar më shtrenjtë, meqë disa pozicione janë futur të gjitha janë paguar nga Komuna me çmim mesatar prej 3 euro.

Pesë pozicione kanë çmime 0.10 euro, 0.10 euro, 0.10 euro, 0.20 euro dhe 3 euro. Përkundër dhe mesatarja e tyre nuk është 3 euro, komuna ka vendosur që të paguajë me çmim prej 3 euro këto pozicione.

Disa pozicione që ishin të paraqitura në listën e çmimit të cilat u ofruan nga kompania me çmim jonormalisht të ulët e ndihmuan kompaninë që të dalë fituese me çmimin me të ulët të peshuar në total.

Këto pozicione nuk u porositën fare nga Komuna te cilat janë si: shtylla të zinkuara (6-9 metra), bazamentet e oramenve nga betoni, hapja e kanalit për shtrirjen e kabllos etj, te gjitha këto të ofruara me çmim prej 0.10 euro.

Të gjitha këto pozicione në vlerë prej 0.10 euro janë ofruar me çmim jonormalisht të ulët dhe jo me çmimin e tyre real në treg siç janë: hapja e kanalit për shtrirje të kabllos; montim i roles astrologjike IC; montim i roles së fazave; ndërrues tarifor; shirit i tokëzimit plus me sonde për orman të ndriçimit;  hapja e vrimës për shtyllë metalike dhe montimi i bazamentit nga betoni; punimi i bazamenteve të ormanave nga betoni etj.

Pozicion tjetër që ka ofruar kompania me çmim jonormalisht të ulët është edhe shtrirje e kabllos së ndriçimit publik me dimensione 40×80 cm – mbulimi i kanalit, vendosja e rërës, vendosja e shiritit vrojtues si dhe ngjeshja dhe rrafshimi i kanalit (vlen për asfalt dhe kubëza) kthim në gjendje te mëhershme, të gjithë këtë punë e ka ofruar vetëm 0.10 euro për metër gjatësi.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga Komuna e Kamenicës se pse kanë nënshkruar një kontratë të tillë dhe pse nuk janë porositur edhe produktet e lira.

Meriton Ramabaja, shef i kabinetit te kryetarit të Komunës ka thënë se kontratat e tilla po i shkaktojnë problem Komunës dhe sipas tij kjo çështje është ngritur në nivel të ministrive në mënyrë që të ndryshohet Ligji i prokurimit. Ai thotë se probleme të ngjashme kanë edhe komunat e tjera.

“Është ekspertizën e kompanive që funksionon në Kosovë edhe atë dëshirën për manipulim në raste të caktuara. Në këtë rast komunat penalizohen edhe detyrohen me pagu çmime të shtrenjta të pozicioneve të caktuara që kompanitë realisht i marrin si informacion qoftë pak me herët apo duke e pasur parasysh terrenin e përgatitin lëndën që t’i përshtatet kompanisë e jo autoritetit kontraktues”, ka thënë Ramabaja.

Ai thotë se specifikat e tenderit u janë përshtatur terrenit por jo kompanive.

“Specifikat që i qesim ne, në komunën e Kamenicës si rrjedhojë e kërkesës ne teren mirëpo ja që fatkeqësisht ndodh shumë shpesh që kompanitë mos të ofertojnë me çmimet që janë ekonomikisht te balancuara por ne pozicione te ndryshme që ata e dinë që komuna nuk ka nevojë për to t’i lëshojnë me një çmim shumë të ulët”, ka thënë ai.

Kurse, Xhevdet Zylfiu, bashkëpunëtor për menaxhin të kontratave dhe prokurim në zyrën e kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastratit, ka thënë se specifikat e tenderit janë hartuar nga njësia e kërkesës – Drejtoria e shërbimeve publike.

Ai nuk ka treguar se pse nuk janë porositur fare produktet që janë kontraktuar me çmime jonormalisht të ulëta.

“Në nuk jemi koncentru të çmimet e shtrenjta por kemi porosit nevojën që e kemi në terren pa e menduar që është çmimi ma i shtrenjtë. Kërkesën që e kemi ne si komunë është me pozicione që i kemi brenda ndriçimit publik në komunën e Kamenicës dhe kërkesat i bëjmë ne si komunë për nevojat që i kemi”, ka thënë Zylfiu.

KALLXO.com gjatë gjithë javës ka tentuar të marrë një përgjigje nga kompania “ANESI SH.P.K.”, e cila e ka fituar tenderin, por kontakti me pronarin e saj ka qenë i pamundur. Personat që e kanë hapur telefonin në numrat zyrtar të kompanisë nuk kanë treguar për pozitat që kanë në kompani, por e kanë pranuar që punojnë në këtë kompani.

Në numrin zyrtar të kësaj kompanie që gjendet në ARBK është lajmëruar një person që u prezantua si punëtor i kompanisë “Anesi”. Ai ka premtuar që do flasë me pronarin dhe do na telefonojë prap por një gjë e tille nuk ka ndodhur deri më tani.

Në numrin tjetër zyrtar të kësaj kompanie që gjendet në faturat e dërguara komunës së Kamenicës është lajmëruar një punëtor tjetër i cili ka thanë se kjo kompani nuk ka zyre dhe nuk kemi qysh të takohemi. Gjithashtu, ai nuk ka pranuar të na japë numrin e pronarit.

Ai ka shtuar se çmimet e ulëta në tender i bëjnë sa me fitu tenderin dhe se Komuna e Kamenicës nuk ka nevojë për 51 pozicione, pasi me 10 pozicione mund të përfundohet kontrata, prandaj ata në pozicionet tjera vendosin çmime të lira.

Ai ka thënë se e vetmja mënyrë me fitu tender është duke ofertuar çmime të tilla, sepse ashtu veprojnë gjithë operatorët ekonomik.