Kontrata E Ndjeshme “Ushtarake” Fitohet Nga Miku I Krerëve Të Ministrisë

Kur Agim Çeku ishte kryeministër i vendit, më 2006, përgjegjës për sigurinë ishte Xhafer Gashi, tash një biznesmen që ka hise në kompaninë  Poligoni i Shenjëtarisë “Katana”,  e cila në shtator të këtij viti fitoi një tender milionësh, të negociuar nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Më 2008 Çeku dha dorëheqje nga posti i kryeministrit. Një ofertë për punë iu bë nga “Instituti për Studime të Sigurisë dhe Integrimeve “Katana”, në të cilin kishte hise ish-vartësi i tij, Xhafer Gashi. 

Çeku thotë se nuk e kishte pranuar ofertën që të shërbente si kryetar bordi në këtë institut, por Agron Jusufi, drejtor i Poligonit të Shenjtarisë “Katana”, me bazë në Obiliq, pohoi se ish-kryeministri kishte qenë pjesë e bordit. 

Xhafer Gashi, aksionari i kompanisë që fitoi tender nga MFSK-ja më 27 shtator të këtij viti, përveç raporteve me ministrin Çeku, ka punuar edhe me zëvendësministrin e Forcës së Sigurisë, Bejtush Gashin. 

Zëvëndësministri prej vitit 2007 deri më 2011 ishte drejtor i Institutit për Studime të Sigurisë dhe Integrimeve “Katana”. 

Instituti, që tash është mbyllur, ishte njësi biznesi që shërbente për nevojat e kompanisë së sigurimit fizik WDG, kompani kjo në pronësi të Xhafer Gashit e Agron Jusufit.

Agjencia Kundër Korrupsion konfirmoi se do të nisë hetim për këtij rasti. 

“Është shumë interesant. Unë sapo e përcolla te hetuesit për trajtim të mëtutjeshëm”, tha Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsion, pasi u pyet për këto lidhje, nga ana e gazetës.

Çeku e Gashi deklaruan për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk kërkuan këshilla nga kundërkorrupsioni në kohën kur u nda tenderi, pasi kanë konsideruar se kjo situatë nuk përbente shkelje të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. 

Ligji obligon agjencinë që të ofrojë interpretime ligjore për mundësinë e konfliktit të interesit, nëse kjo i kërkohet.

Ligji, po ashtu, obligon zyrtarët që të shmangin konfliktin e interesit, “pavarësisht nëse ai është real apo i mundshëm”.

Ministri i Ministrisë si autoriteti më i lartë, bazuar në Ligjin e Prokurimit, ka mandat të vendosë për tenderët e autoriterit kontraktues. 

Ndërkohë, zëvendësministri nuk është ligjërisht përgjegjës për tenderët. 

Kontrata e Ndjeshme e MFSK-së  

Ministria e Forcës së Sigurisë, nëpërmjet procedurës së negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë (tender i mbyllur), shpalli fitues në shtator të këtij viti kompaninë Poligoni i Shenjëtarisë “Katana”, në tenderin “furnizim me uniformë (unike kamuflazh), rezistente ndaj ujit për nevojat e FSK-së”. 

Poligoni i Shenjëtarisë “Katana” është në pronësi të Xhafer Gashit e Agron Jusufit.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë për Regjistrimin e Biznesit të Kosovës kompania është themeluar në qershor të vitit 2010. 

Dy biznesmenët, Gashi e Jusufi, kanë në pronësi të tyre edhe kompaninë e sigurimit fizik “WDG”, e konstituuar në mars të vitit 2003.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, thuhet se vlera totale bazuar në çmimin për njësi të kontratës 24 mujore është 1 milion e 112 mijë e 800 euro. 

Ministria arsyeton vendimin e saj për të shkuar në procedurë të negociuar me aspektin e “ndjeshmërisë dhe sigurisë”. 

“..sepse këto uniforma janë unike, si për nga disenji, përbërja e materialit specifik sipas standardeve të NATO – s, si dhe kamuflazh digjital, që i ka të inkorporuar elementet e sigurisë ( hartën e Republikës se Kosovës),” thotë Ibrahim Shala, zëdhënës i MFSK-së . 

Ligji i Prokurimit Publik lejon procedurën e negociuar kur Autoriteti Kontraktues vlerëson se nuk mund të zhvillohet tender i hapur për arsye objektive e teknike.

Derisa në këtë tender të furnizimit me uniforma, MFSK-ja aplikoi procedurë të mbyllur, më herët për tenderët që ndërlidhën me furnizim me uniformë kishte aplikuar procedurë të hapur. 

Gazeta Jeta në Kosovë gjeti se MSFK-ja në të kaluarën zhvilloi tre tenderë të hapur të furnizimit me uniforma që ishin fituar nga kompani të ndryshme.  

Më 19 korrik të vitit 2010, nëpërmjet tenderit të hapur, MFSK-ja kishte kontraktuar një kompani për furnizim me uniforma pune për kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. 

Më 30 shtator të vitit 2010, nëpërmjet tenderit të hapur, ku kishin konkurruar 12 kompani, ishte shpallur fituesi i tenderit “Furnizimi me uniforma ushtarake (xhaketa dimërore –kamuflazh) për FSK-në”. 

Më 15 maj të vitit 2013, nëpërmjet tenderit të hapur, ishte përzgjedhur fituesi i tenderit “Furnizim me uniforma ceremoniale për kadetët e Qendrës për Studime Universitare të FSK-së”. 

Kur zëdhënësi i MFSK-së, Ibrahim Shala, u pyet se pse këto tri aktivitete prokurimi ishin të hapura dhe jo të negociuara, ai deklaroi se Ministria tashmë është përgjigjur duke iu referuar shpjegimit që MFSK-ja dha për aplikimin e procedurës së negociuar në rastin e tenderit të fituar nga Poligoni i Shenjëtarisë “Katana”.

Zëdhënësi Shala deklaroi se pjesë e procesit vlerësues të këtij tenderi kanë qenë edhe ekspertë të NAT-it në Kosovë  (Ekipit Këshillues të NATO–s).

Zyra për Media e NATO-s ende nuk ka dhënë një qëndrim rreth pjesëmarrjes në vlerësimin e këtij aktiviteti prokurimi. 

Bejtush Gashi | Foto: MFSK

Çeku mohon se ishte pjesë e Institutit “Katana” 

Pjesëmarrjen e ekspertëve të ekipit këshilldhënës të NATO-s në Kosovë e përmendi edhe ministri Agim Çeku. 

Ai deklaroi për Gazetën Jeta në Kosovë se nënshkroi në fund rekomandimet e komisionit që e shpallnin fitues të tenderit prej mbi 1.2 milionë eurosh kompaninë, ku ka hise Xhafer Gashi. 

“Unë jam ministër dhe normalisht që jam në dijeni. Por, komisioni ka konstatu se kompania i plotëson kriteret dhe nuk ka këtu konflikt interesi”, thotë Çeku. 

Ai deklaroi se Xhafer Gashi u punësua në Kryeministri pasi emërimit të tij në pozitën e kryeministrit në vitin 2006.

“Po, është e vërtetë që Xhafer Gashi u punësua në pozitën e shefit të sigurimit në Kryeministri pas shkuarjes sime aty. Pas lënies së Kryeministrisë, unë pata ofertë për të punuar në “Katana”, por kam refuzuar. Nuk e kam pranuar atë ofertë”, thotë Çeku. 

Por, Agron Jusufi, drejtor i Poligonit të Shenjëtarisë “Katana”, pohoi se Çeku ishte pjesë e bordit të Institutit për Studime të Sigurisë Katana . 

Jusufi thotë se Instituti është mbyllur më 2011. 

Sipas tij, edhe zëvendësministri Bejtush Gashi ishte pjesë e Institutit.

“Bejtush Gashi ka qenë drejtor i Institutit. Ka punuar deri në kohen kur është nominuar për zëvendësministër. Detyra e tij ka qenë ekzekutive”, thotë Jusufi. 

Në biografinë e Gashit, të publikuar në faqen zyrtare të MFSK-së, thuhet se ai ishte drejtor për katër vjet i këtij instituti.  

Zëvendësministri Gashi, kur u kontaktua nga Gazeta Jeta në Kosovë, deklaroi se nuk është në kompetencën e tij të implikohet në procedurat e tenderëve. 

“..ato janë kompetenca te ministrit dhe aty është vendosur përmes procedurave. Nuk kam kërku interpretim nga AKK-ja se nuk kam qene i implikum”, deklaroi zëvendësministri Gashi . 

Ndërkohë Jusufi thotë se Çeku në Institut mbante pozitë nderi, e cila nuk paguhej. 

“Bordi është përberë nga anëtarë të ndryshëm. Njëri prej tyre ka qenë Agim Çeku. Nuk kanë qenë me pagë, por kanë qenë në pozita vullnetare ose të nderit”, thotë Jusufi. 

Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi sërish Çekun për të komentuar deklarimin e Jusufit.

Çeku e mohoi sërish angazhimin në Institutin “Katana”, por deklaroi se ishte kryetar bordi i një OJQ-je që merrej me integrime euroatlantike dhe nuk kishte të bënte me kompaninë “Katana”. 

“Kjo organizata ka qenë  institut i sigurisë ose asociacion. Diçka kështu ka qenë, por nuk ka pasur të bëjë me kompaninë “Katana”. Ka pasur të bëjë me siguri të integrimeve euro–atlantike”, deklaroi Çeku.  

Ministri i Forcës së Sigurisë deklaroi se OJQ-ja quhej Këshilli Euroatlantik i Kosovës.  

Çeku deklaroi se drejtor ekzekutiv i asaj OJQ-je ishte Bejtush Gashi dhe se kompania “Katana” vetëm kishte liruar zyrat për mbajtjen e takimeve të bordit.

Por, në fakt Bejtush Gashi figuron si drejtor i Institutit për Studime të Sigurisë dhe Integrimeve “Katana”, në Prishtinë, përgjatë viteve 2007-2011. 

Kjo e dhënë është publikuar te biografia e zëvendësministrit, në faqen zyrtare të MFSK-së.

Agron Jusufi, drejtor i Poligonit të Shenjëtarisë “Katana”, thotë se Instituti ishte një pjesë e biznesit që shërbente për nevoja të kompanisë së sigurimit fizik “WDG”.

Sipas tij pjesëmarrja e Çekut në bord ishte në interes të Institutit. 

“Instituti në atë kohë është marrë me studime të sigurisë dhe të integrimeve. Ka qenë në interes, sepse Agim Çeku ka qenë kryetar i Këshillit Euroatlantik të Kosovës, që është marrë me të njëjtën fushë”, thotë Jusufi. 

“Ne e kemi pa të arsyeshme me e ftu atë, sepse është i aftë dhe ka njohuri. Po ashtu, ka edhe rrjet të njerëzve për me siguru kontakte shkencore të sigurisë, sepse përvoja e tij ka qenë e tillë”, thotë Jusufi. 

Në faqën e internetit të Institutit Katana, në dhjetor të vitit 2008 janë publikuar artikujt e medieve që kanë përcjellur konferencën “Kosova, sfidat dhe perspektiva”.  

Konferenca ishte organizuar nga Instituti për Studime të Sigurisë dhe Integrimit “Katana”. Në mesin e panelistëve ishin Agim Çeku dhe Bejtush Gashi. 

Çeku ishte cituar nga mediat si ish-kryeministër, ndërsa Gashi si drejtor i Institutit “Katana”. 

Objekti i kompanisë Poligoni i Shenjëtarisë Katana  

Jusufi: Ndikim ka pasur përgatitja e kompanisë 

“Realisht që 10 ditë kam dhënë dorëheqje nga kompania. Kontaktoni me personin zyrtar për këtë çështje, Agron Jusufin.  Nuk e di çfarë ka ndodhur me tenderin, pasi që prej datës 1 tetor nuk jam më aty për shkak të aktiviteteve të fushatës”, thotë  Xhafer Gashi. 

Kompania fitoi tenderin më 29 shtator, dy ditë para se Gashi të aktivizohej në fushatë. Ai është kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Obiliqit. 

Ndërkohë, Agron Jusufi, drejtori i kompanisë, deklaroi se kontrata ende nuk është nënshkruar por, sipas tij, procesi është në vijim të procedurave. 

“Xhafer Gashi dhe Agim Çeku janë njohur edhe më herët. Unë edhe Çeku njihemi edhe më përpara. E njoh prej vitit ’95, sepse kam studiuar në Kroaci”, thotë Jusufi. 

Jusufi thotë se asnjëri prej tyre nuk kanë mundur të ndikojnë që kompania të fitojë. Ndikim, sipas tij, ka pasur përgatitja e kompanisë dhe licencat e saj të shumta nga autoritetet në Kosovë për kryerjen e furnizimeve për nevoja ushtarake. 

“Uniforma vjen në Kosovë prej Kroacisë. Lënda e parë në Kroaci vjen nga një vend tjetër. Por, aty zhvillohet procesi i larjes, ngjyrave e qepjes dhe të gjitha elementet që kërkohet që t’i ketë një uniformë e tillë”, thotë Jusufi. 

Jusufi thotë se kompania Poligoni i Shenjëtarisë “Katana” ka fituar edhe më herët kontrata publike, por ka raste edhe kur ka humbur gara për tender.

“Nuk është çështje ndikimi. Ka raste kur i plotëson kriteret e fiton, por ka edhe raste kur dikush tjetër i plotëson kriteret”, thotë Jusufi.

Tekstit i kontribuan: Liridona Hyseni e Kaltrina Rexhepi