Kontrata e dyshimtë, QKUK-ja nuk i ndal tenderët për COVID-19 përkundër donacioneve të shumta

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), orën 12:00 të datës 2 korrik 2020 e kishte caktuar si kohën e fundit për pranimin e ofertave për tenderin “furnizim me pajisje mbrojtëse, kundër virusit COVID-19”, në vlerë të parashikuar prej 615 mijë euro.

Në të njëjtën ditë, më datën 2 korrik në ora 13:00, pra vetëm një orë pas pranimit të ofertave, QKUK e kishte ftuar për negocim kompaninë e vetme që kishte ofertuar për këtë tender, “Made-kos”.

Palët ishin pajtuar dhe çmimi i dakorduar për tenderin për furnizim me pajisje mbrojtëse ishte 599 mijë e 760 euro.

Pazari për këtë tender ishte kryer në kohë rekorde, brenda një dite.

Kjo nguti e QKUK-së ishte përkundër që një kontingjent i madh i mjeteve mbrojtëse nga COVID-19 ishte nisur nga Jordania për Kosovë.

Për koincidencë, të njëjtën ditë, pra me 2 korrik zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri kishte udhëtuar në Tiranë për të pranuar një donacion nga Jordania.

Tahiri kishte njoftuar se në dërgesën 24 tonëshe ka pranuar donacione: gjysmë milioni maska, 10,000 mantele, 5,000 kominoshe dhe 30,000 dezinfektues.

Këto dy ngjarje janë ndërlidhur në vendimin që ka marrë Organi Shqyrtues i Prokurimit për tenderin e shpallur nga QKUK-ja.

Kjo e fundit, vetëm një ditë pasi kishin negociuar me kompaninë dhe ishin dakorduar për çmimin e tenderin me kompaninë “Made-Kos” kishte vendosur të anulojë tenderin.

QKUK-ja blen pasjisje mbrojtëse në vlerë prej 599,760 euro

Një nga arsyetimet e bëra ishte edhe donacioni i pranuar nga Jordania, por edhe nga BE-ja me pajisje të njëjta.

“Konkurrenca e vogël, vetëm një operator i përgjegjshëm. Procedura e prokurimit me vlerë shumë të madhe dhe kemi marrë pajisje mbrojtëse në ndërkohë si donacion nga BE-ja dhe shteti i Jordanisë”, janë listuar tri arsyet e anulimit të tenderit.

Ky tender është zhvilluar sipas procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratës. Në “E-Prokurim” figuron që dosja e tenderit dhe lista e produkteve që do të blihen janë ngarkuar me datën 1 korrik, në ora 15 e 52 minuta, pra një ditë para se të dorëzohen ofertat.

Pas anulimit të aktivitetit të prokurimit kompania “Made-Kos” është ankuar tek Autoriteti Kontraktuese, duke pretenduar se anulimi ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit.

Autoriteti Kontraktuese e kishte hedhur poshtë ankesën e tyre, mirëpo nuk kishte shkruar asnjë argument shtesë për të mbrojtur anulimin e aktivitetit të prokurimit. QKUK-ja vetëm i kishte listuar edhe njëherë arsyet e anulimit.

Kompania “Made-Kos” në ankesën e tyre kishte treguar edhe për çfarë do të përdorën donacionet e pranuara nga BE-ja dhe Jordania. Për më tepër kishte deklaruar se me datën 3 korrik, në ditën e njëjtë kur kishte pranuar njoftimin e anulimit të aktivitetit të prokurimit zyrtarët e QKUK-së e kishin konfirmuar dhënien e kontratës.

Kjo kompani më pas është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, e cila ka vendosur në favor të ‘Made – Kos’ , duke kërkuar nga QKUK-ja që të vazhdojë procedurën e prokurimit.

Por, në arsyetimin e QKUK-së para OSHP-së ka diçka kontradiktore.

Përkundër që e kanë anulu tenderin, QKUK-ja në procedurën e shqyrtimit të ankesës në OSHP më shumë e ka mbajtur anën e kompanisë ankuese.

Fillimisht në përgjigjet për anulimin e tenderit, QKUK-ja ndër të tjera, përmend se ka marrë donacion nga EU dhe shteti jordanez. QKUK-ja, përgjegjëse për OSHP-në ia kishte bashkangjitur edhe një shkresë të Barnatores Qendrore në kuadër të QKUK-së.

“Stoqet e veshjeve mbrojtëse janë në minimum. Në trendin e shpenzimit momental nga njësitë kërkuese, javën tjetër rrezikojmë që të mbesim pa stoqe. Prandaj, luteni që të vazhdoni në mënyrë urgjente me procedura pasi që ne nuk kemi pranuar donacione nga EU apo shteti i Jordanisë”, është përgjigja e QKUK-së, duke cituar Barnatoren Qendrore.

Vendimi i OPSH-së i datës 27 korrik obligonte QKUK-në që të vazhdonte tenderin.

Dy ditë pas vendimit të OPSH-së, QKUK-ja ka njoftuar operatorin ekonomik ‘Made-Kos’ se ka fituar tenderin dhe e ka ftuar për vazhdimin e procedurave, për nënshkrimin e kontratës.

Nënshkrimi i kontratës është bërë me datën 30 korrik 2020. Përkundër obligimit, QKUK-ja ende nuk e ka publikuar kontratën e nënshkruar për furnizim më materiale mbrojtëse.

Përmes kësaj kontrate, QKUK-ja është furnizuar me 42,000 maska FFP2, 25,785 palë veshje mbrojtëse për tërë trupin të madhësive të ndryshme, 7,950 mbuloja për fytyrë dhe 4,869 syze mbrojtëse.

Ndërkohë, në ditën që është marrë vendimi i OSHP-së, Qeveria kishte vendosur që donacionin e pranuar nga shteti i Jordanisë të shpërndaj tek 38 komunat e Republikës së Kosovës.

 

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.