Kontestohet tenderi dhe nevoja për angazhimin e një eksperti të aviacionit në AAC
Hapja e një tenderi nga Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) për të angazhuar një ekspert të aviacionit po kundërshtohet nga anëtarë të Sindikatës, të cilët pretendojnë se ekspertizë të ngjashme kanë disa punëtorë aktualë të këtij institucioni.
Përveç kontestimit të nevojës për të angazhuar një ekspert të tillë, Sindikata por edhe kandidati që ka aplikuar në këtë tender po pretendojnë se tenderi është hapur dhe specifikat e tenderit i janë përshtatur një ish-kolegu të drejtorit të AAC-së.
Pretendimet ata i bazojnë në faktin se pas vlerësimit të ofertave, për këtë pozitë është rekomanduar që të nënshkruhet kontrata 3-vjeçare me Ersen Shilekun, i cili bashkë me Bujar Ejupin, drejtorin e Autoritetit të Aviacionit Civil, për disa vite kanë mbajtur në të njëjtën kohë pozitat e zëvendësdrejtorëve të Agjencisë Shtetërore të Navigacionit Ajror.
Pas ankesave në Gjykatën e Tenderëve të kundërkandidatit të Shilakut, Armir Qorolli, tenderi është pezulluar ndërsa drejtori i AAC, Bujar Ejupi, ka thënë se e ka dërguar rastin në Agjencinë Kundër Korrupsiont për të parë nëse është konflik i interesit angazhimi me tender i Shilekut, ish-kolegun e tij.
A ka nevojë AAC për një ekspert të aviacionit?
Nga Sindikata e Punëtorëve të AAC-së thonë se tenderi është shpallur në kundërshtim me Ligjin për Aviacionin Civil.
“Ligji për Aviacionin Civil, Neni 24.3 të cilin e citon edhe Dosja e tenderit thotë: “Në mënyrë që pozitat kyçe që kanë të bëjnë me aviacionin në AAC të plotësohet me persona me kualifikimet përkatëse, AAC mundet nëse është e nevojshme të prokurojë (blejë) shërbimet e deri në nëntë (9) ekspertëve profesional dhe/ose teknik për plotësimin e këtyre pozitave përmes një procedure të prokurimit e cila është në përputhje të plotë me Ligjin për Prokurim Publik në Kosovës (“Ligjin për Prokurim”) si dhe me kushtet e tjera specifike të parapara në paragrafin 2 të nenit 10 të këtij ligji”, theksohet në reagimin e SPAAC-ut.
Po ashtu, SPAAC ka theksuar se dy pozitat për të cilat do të angazhohen ekspertët nuk janë fare në organogramin e AAC-së dhe në rregulloren për organizimin e brendshëm të AAC-së.
“Në fillim të dosjes së tenderit, theksohet se qëllimi i këtij aktiviteti të prokurimit është mbulimi i pozitave të cilat janë kërkuar vite rradhazi nga AAC, por nuk janë aprovuar për shkak të buxhetit”, vazhdon më tej reagimi. Por, ata thonë se këto dy pozita të prokuruara nuk janë identifikuar asnjëherë si deficitare në AAC, por kanë qenë pozita të tjera për të cilat është kërkuar miratimi nga Ministria e Administratës Publike.
“AAC nuk ka mungesë të ekspertizës që është kërkuar në dosjen e tenderit dhe është keqmenaxhim i fondeve publike që të kërkohen ekspertë për përpilim raportesh apo për punë që janë pjesë e përshkrimit të punës të stafit të AAC që mbajnë kontrata të rregullta pune”, përfundon reagimi.
Nga Sindikata kanë thënë se kanë staf me përvojë në aviacion mbi 20 vite dhe përvojë menaxheriale 15-vjeçare. Po ashtu, ata kanë potencuar se zyrtarët profesionistë në AAC kanë 10-20 trajnime nga insitucionet trajnuese të aviacionit në fusha shumë më të ngushta.
“Ejupi po kërkon që për t’i ndihmuar mbikëqyrjes së institucionit si “ekspert i aviacionit”, një person me një trajnim të vetëm në aviacion, që është dukshëm më pak i kualifikuar dhe do të jetë përgjegjës për të mbikëqyrë të gjitha domenet e AAC-së që përfshinë 5 departamente të ndryshme profesionale ku secila është një specializim i veçantë: prej operimeve ajrore, vlefshmërisë ajrore, licencimit të personelit të aviacionit (pilove, mekanikëve, shëndetit, kontrollorëve, etj.), menaxhimit të sigurisë, aerodromeve, shërbimeve të navigacionit ajror, dhe rregullimit ekonomik të aviacionit”, thuhet në reagimin e Sindikatës, e cila ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të hetojnë prokurimin e këtyre dy pozitave në AAC.
Më tej, në reagimin e Sindikatës theksohet se trajnimet të cilat janë kërkuar nga kandidatët për pozitën e ekspertit të aviacionit janë kufizuar në vetëm 3 qendra trajnimi të mundshme.
“Me një trajnim të vetëm në fushë profesionale ky person do t’i mbikqyrë dhe vlerësojë të gjitha departamentet teknike, përderisa asnjë profesionist në AAC nuk ka nivelin për t’u ndjerë kompetent për t’i mbuluar të gjitha detyrat që i janë dhënë “Ekspertit e aviacionit” të prokuruar këtu. Për më tepër, është kërkuar përvojë menaxheriale (3 vite), shumë më shumë se aftësi profesionale, me ç’rast vërehet qartë përshtatja e këtij tenderi për Shilekun”, përfundon reagimi.
Kontestimi i kritereve të konkursit
Për ekspert të aviacionit, ku është rekomanduar Ersen Shileku, është kërkuar që kandidati të ketë të përfunduar së paku një trajnim profesional në fushën e aviacionit nga institucionet ndërkombëtare, IATA, ACI ose EUROCONTROL.
Ky ka qenë njëri nga kriteret për të cilat është eliminuar nga gara kandidati Armir Qorolli, i cili ka dorëzuar ofertën me vlerën më të ulët për pozitën e ekspertit të aviacionit. Derisa oferta e Shilekut ishte 34,200 euro, ajo e Qorollit ishte 18,720.
“Ju në ofertën tuaj nuk keni dëshmuar që keni përfunduar së paku një trajnim profesional në fushën e aviacionit ashtu siç është kërkuar”, thuhet në njoftim.
Por Qorolli ka thënë se ai ka licencë të pilotit dhe diplomë universitare në drejtim të trafikut ajror dhe është trajnuar për të gjitha fushat për të cilat është kërkuar që kandidatët të kenë të përfunduara trajnime nga këto institucione ndërkombëtare.
Kandidati Qorolli për KALLXO.com ka thënë se në listën e kritereve për ekspert të aviacionit nuk është futur si kriter licenca e pilotit dhe diploma universitare në drejtim të trafikut ajror.
Në tenderin e shpallur nga AQP kritere kanë qenë që kandidati duhet të ketë kualifikim universitar në fushën e inxhinierisë, ekonomisë ose të aviacionit. Por për këtë Qorolli thotë se “nuk duhet të jetë vlerësim i barabartë kandidati me fushën e ekonomisë me atë të aviacionit, por ata që janë në fushën e aviacionit të kenë përparësi”.
“Një pilot i ri nga Prishtina, në moshën 17-vjeçare i pajisur me licencë të pilotit, me përvojë pune të ndryshme në industrinë e aviacionit civil, me dipolomë universitare, në vendin e vet, në Kosovë has në diskriminim total profesional, ku nuk i njihet licenca e pilotit, diploma universitare, përvoja e punës, vetëm për arsye të kurdisjes apo përshtatjes profesionale dhe në këtë rast nuk vlerësohet as zyrtarisht nga institucionet kompentete lidhur me tenderin për angazhim të ekspertëve të aviacionit civil”, thotë ai.
E në një përgjigje të ACC-së dhënë gjatë fazës së tenderimit është thënë se nuk janë duke kërkuar pilotë.
“Kusht i domosdoshëm ‘’Licenca e Pilotit’’ do të mundë të ishte po që se ne do të kërkonim ‘Pilotë me licencë ndërkombëtarë të aviacionit civil’. Në rastin tonë jemi ka kërkojmë Konsulent i aviacionit që nënkupton se kandidati duhet të ketë njohuri të përgjithshëm në fushën e Aerodromeve, Navigimit Ajrore, Sigurisë se Fluturimeve dhe Rregullimit Ekonomik. Për me tepër të plotësoj kriteret siç janë dhëne më parë. Për ketë arsyeje për pozitën e lartcekur mund të konstatojmë se nuk mundet të jetë kushtë i vetëm dhe i domosdoshëm”, thuhet në përgjigjen e ACC-së që është publikuar në “E-Prokurim”.
Kriter tjetër ka qenë që kandidatët duhet të kenë minimum 5 vjet përvojë pune në aviacion, nga 5 vite përvojë pune t’i kenë minimum 3 vjet pune në pozitë menaxheriale në fushën e aviacionit.
Qorolli po ashtu pretendon se ky konkurs është përgatitur direkt që të pranohet kandidati Ersen Shileku, pasi sipas tij ai është mik i ngushtë i drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil, Bujar Ejupi.
“Kjo tregon se kandidati i përzgjedhur është mik i ngushtë i drejtorit Bujar Ejupi dhe ka qenë e njëanshme, ku shihet qartë që drejtori Ejupi ka bërë promovimin e mikut të tij një vit më parë. Del që dyshimet e mia janë që nuk vlen meritokracia dhe shkollimi i duhur në këtë vend, por miqësia dhe nepotizimi mbizotëron dhe kjo është për të ardhur keq”, thotë Qorolli.
Drejtori i Autoriteti të Aviacionit Civil, Bujar Ejupi, e ka mohuar për KALLXO.com të ketë ndikuar që Ersen Shileku të rekomandohet si ekspert i aviacionit.
“E vetmja çka pretendon pala është që e njoh personin në fjalë, unë e njoh edhe atë që është ankuar edhe atë tjetrin, për shkak sepse personat që kanë konkurruar kanë përvojë në aviacion dhe duke qenë që jam 20 vjet në aviacion, të gjithë i njoh. Shok unë e kam edhe atë djalin që është ankuar… është subjektive kjo dhe spekulative”, thotë Ejupi.
Në një përgjigje më të detajuar për KALLXO.com, AAC ka thënë se pas pranimit të ankesës nga kandidati Armir Qorolli, drejtori Ejupi është përgjigjur për Agjencinë Qendrore të Prokurimit në lidhje me pretendimin e njohjes dhe miqësisë me kandidatin e rekomanduar, Ersen Shileku.
“Unë kam një koment vetëm me pjesën ku përmendem specifikisht, pra vetëm pjesën lidhur me foton të cilën e ka ofruar z. Armir Qoroli dhe komenti im është si në vijim: Unë njihem me z. Shileku pasi që për një kohe kemi punuar në një organizatë, në ANP dhe në ASHNA. Por nuk kam asnjë lidhje tjetër familjare ose afariste me z.Shileku që më ndërlidh me personin në fjalë, sidoqoftë në rast se ekziston rast i konfliktit të interesit atëherë duhet të sqarojmë edhe me Agjencionin Anti Korrupsion”, ka thënë Ejupi.
Tutje në përgjigje, ai ka thënë se e njeh edhe ankuesin, Armir Qorollin.
“Duke pas parasysh se është kërkuar ekspert i aviacionin, probabiliteti që eksperti i Aviacionin të jetë person i njohur për mua është shume i madh duke pas parasysh se punoj rreth 20 vjet në fushën e Aviacionin dhe sigurisht që përgjatë karrierës time kam takuar shumicën e personave me përgatitje në fushën e Aviacionit. Pra, Këtu përfshihet edhe z.Armir Qorolli, i cili për një periudhë ka mbajtur praktikë në AAC dhe për të cilin po ashtu ndaj respektin si njohës i fushës së Aviacionit”, ka thënë drejtori më tej.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe kandidatin e rekomanduar, Ersen Shileku. Ai ka mohuar që shoqëria me drejtorin e ACC-së, Bujar Ejupi, të ketë ndikuar në përzgjedhjen e tij si ekspert i aviacionit.
“Kjo pozitë për mua është më shumë problem se sa më sjell ndonjë favor. Por, problemi është që komuniteti i aviacionit është shumë i vogël dhe në Kosovë njihen të gjithë në mes vete dhe ka procedura të ankimimit në rast se nuk pajtohet i ankuari. Nuk ka shku kjo përmes drejtorit, s’ka pas asnjë ndikim shoqëria e jonë”, tha Shileku. “Në asnjë aspekt nuk ka ndiku drejtori që unë me u rekomandu, unë kam përvojë në fushën e aviacionit tash e sa vjet si në Kosovë si jashtë, është totalisht e pakuptimtë kjo”, shtoi ai.
Bujar Ejupi dhe Ersen Shileku kanë qenë zëvendësdrejtorë në Agjencisë Shtetërore të Navigacionit Ajror.
AAC kërkon interpretim nga Agjencia Kundër Korrupsionit
Disa ditë pasi KALLXO.com është interesuar për rastin e rekomandimit për kontratë të Shilekut, Autoriteti i Aviacionit Civil është përgjigjur në pyetjet e KALLXO.com duke thënë se rastin e kanë dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsionit për të marrë një sqarim nëse njohja e mëhershme me kandidatët paraqet konflikt të interesit.
“Dhe nëse kjo paraqet konflikt të interesit atëherë do të kërkojmë që AQP si bartëse e procesit të prokurimit të veprojë sipas dispozitave në fuqi”, kanë shtuar më tej.
Nga AAC kanë deklaruar se tenderi është shpallur konform Ligjit të Prokurimit Publik dhe legjislacionit sekondar përkatës. Madje, procedurat e tenderimit sipas tyre janë hapur dhe zhvilluar nga Agjencia Qendrore e Prokurimit që është përgjegjëse për prokurime për agjenci të pavarura që kanë numër të vogël të punëtorëve.
Në përgjigjen e AAC-së thuhet se kanë kërkuar nga të gjithë kandidatët që nëse kanë fakte për keqpërdorime në procesin e prokurimit ato t’i paraqesin para institucioneve të zbatimit të ligjit.
“Sa i përket pretendimeve të z. Qorolli, Drejtori i AAC-së njihet edhe me kandidatin që është ankuar, por edhe me kandidatët e tjerë për faktin se është kërkuar ekspert në fushën e Aviacionit, pra edhe me Z.Armir Qorolli, pasi që i njëjti ka kryer praktikë në AAC për më shumë se 3 muaj”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Tenderi për angazhimin e dy ekspertëve, një ekspert të aviacionit (Lot 1) dhe një ekspert për menaxhimin e projekteve dhe raportimit (Lot 2), ishte hapur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit më 8 prill dhe ishte mbyllur më 28 prill. Pjesa e dytë e tenderit është anuluar për shkak se është konstatuar se nuk ka kandidat të përgjegjshëm për atë pozitë. Ndërsa për pozitën ekspert i aviacionit kishin aplikuar 4 kandidatë. Oferta e Ersen Shilekut, i cili është rekomanduar për kontratë kishte vlerën 34,200 euro apo 950 euro në muaj për 3 vjet, ajo e Armir Qorollit ishte 18,720 euro apo 520 euro në muaj për 3 vjet.
Autoriteti i Aviacionit Civil i Republikës së Kosovës (AAC) është themeluar me Ligjin për Aviacionin Civil si agjenci e pavarur rregullatore për aviacionin civil. AAC-ja është përgjegjëse për rregullimin e sigurisë së aviacionit civil dhe rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe shërbimeve të navigacionit ajror në Republikën e Kosovës.