Kontestohet konkursi për bordin menaxhues në “Trepçë” (VIDEO)

Bordi i Përkohshëm Mbikëqyrës i Ndërmarrjes Publike “Trepça” i ka përzgjedhur udhëheqësit e dy njësive biznesore të kësaj ndërmarrje përmes një procedure të dyshimtë të rekrutimit.

Xhafer Peci është zgjedhur udhëheqës i minierës me Flotacion “Trepça – Stan Tërg” dhe Bislim Fetahu udhëheqës i Minierës me Flotacion “Artanë dhe Kishnicë”.

Zgjedhjen e tyre po e kundërshtojnë kandidatët e tjerë, duke thënë se janë disa shkelje që janë bërë në këtë konkurs nga ana e komisionit vlerësues.

Behxhet Vinarci, kandidat për udhëheqës të minierës në StanTërgut, ka numëruar shkeljet që, sipas tij, janë bërë nga bordi i përkohshëm i emëruar nga Qeveria Kurti.

“Procedurat prej hapjes së këtij konkursi deri të përfundimi kanë qenë komplet jashtëligjore… duke marrë parasysh statutin e Trepçës, bordi i cili ka marrë vendim për hapjen e këtij konkursi nuk e ka kuorumin e mjaftueshëm për të shpallë një konkurs të tillë, sepse përbëhet nga katër anëtarë e jo nga 9 anëtarë të zgjedhur apo së paku 5 anëtarë të zgjedhur. Ky bord i përkohshëm nuk ka pas dhe nuk ka ligjshmëri për marrjen e vendimeve të tilla apo për hapjen e konkurseve të tilla apo zgjedhjen e personave përgjegjës nëpër njësi prodhimi apo ndonjë vendim tjetër më të rëndësishëm”, ka thënë ai.

Behxhet Vinarci, kandidat

Vinarci thotë se është kufizuar konkurrenca duke e publikuar konkursin vetëm në ueb-faqe, por jo edhe nëpër secilën njësi punuese siç kërkohet në rregullore gjë që u vërtetua me anulimin e konkursit për pesë pozita të tjera.

Ai pretendon se është shkelur rregullorja edhe te mënyra e testimit dhe intervistimit.

E të njëjtin pretendim e ka edhe kandidati tjetër, Burim Hajdini.

“Testi me shkrim, mosmbajtja e testit me shkrim që është e precizuar me Udhëzimin administrativ … edhe kjo është një shkelje. Testimi me gojë, intervistat, koha e shkurtër për tu përgatitur në testin me gojë. Këtu është minimum 10 ditë, ata na kanë thirr direkt…Pretendim tjetër është se komisioni është prezantuar prej pesë anëtarëve, prej krysuesit të bordit dhe katër personave”, thotë Hajdini për KALLXO.com.

Burim Hajdini, kandidat

Hajdini kishte vërejte edhe tek mënyra e intervistimit.

“Dy anëtarë të Bordit më kanë parashtrua pyetjet ashtu siç e parasheh Udhëzimi Administrativ, por kanë bë vetëm ka dy pyetje, që është në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ i cili thotë që, secili anëtarë duhet t’i bëj pesë pyetje për ta vlerësuar se a po din a po jo”, thotë ai.

Të dy kandidatët e pasuksesshëm në këtë konkurs, pretendojnë se prania e Shyqeri Sadikut në komisionin vlerësues si përfaqësues i  punëtorëve në bord është në kundërshtim me rregulloren dhe njëkohësisht përbën konflikt të interesit.

“Nëse e vlerësojmë si krejt ‘okej’ përfaqësimin e tyre, prapë te ky anëtar, si përfaqësues i aksionareve, kemi vërejtje dhe është skandaloz dhe është konflikt interesi paraqitja e tij në komision për shkak se mban edhe pozitën e drejtorit të prodhimit në njësinë ku ka me u zgjedh drejtori i tij, këtu e shohim një shkelje të procedurave ligjore, një konflikt të madh interesi…”, thotë Vinarci në një intervistë për KALLXO.com.

“Unë nuk e kuptojë se si ka mundësi që një punëtorë me zgjedh shefin e vetë… atë ditë nuk e kam marrë përgjigjen prej komisionit, unë kam kërku se në cilën cilësi, sepse në cilësinë e aksionarëve nuk është, sepse rregullat për zgjedhjen e përfaqësuesit janë precize në statut dmth ato rregulla nuk janë. Në aspektin ligjor, prezenca e tij ka qenë e paligjshme….”, deklaron Hajdini.

Sylejman Hyseni, kryesues i Bordit të Përkohshëm Mbikëqyrës në Trepçë, thotë se nuk e njeh anën ligjore për t’u përgjigjur nëse Shyqeri Sadiku ishte në konflikt të interesit meqë ka votuar për të zgjedhur shefin e tij.

“Po ai në të njëjtën kohë edhe kryeshefi kur është zgjedh, ai merr pjesë, se është anëtar ai nuk është përfaqësues i qeverisë, është i punëtoreve prandaj, i përfaqëson ata. Ne jemi të zgjedhur prej qeverisë, kështu që ai atë drejtën të marr pjesë në përzgjedhjen. Është pjesë e bordit, i përfaqëson punëtoret. Unë nuk e di ato praktika me të tregu drejtën, se nuk kam marr pjesë, nuk e kam një përvojë të tillë”, thotë Hyseni.

Sylejman Hyseni, Kryesues i Bordit të Përkohshëm Mbikëqyrës

“Procedurën, a duhet a nuk duhet, unë nuk e di, është anë ligjore, të trgova edhe më herët, atë anën juridike nuk e njohë. Unë jam ekspert i kësaj pjesës së prodhimit, i lamisë time shkencore pjesën juridike nuk e njohë. Unë besoj dhe shpresoj që të gjitha procedurat i kam ndjek sipas rregullores”, deklaron tutje ai.

Shyqeri Sadiku, anëtar i bordit dhe përfaqësues i punëtorëve, thotë se vota e tij në zgjedhjen e shefit të tij nuk përbën konflikt të interesit.

“Unë i përfaqësoi interesat e punëtorëve dhe Trepça është Shoqëri Aksionare, nuk është Ndërmarrje Publike si ndërmarrjet e tjera që i menaxhon qeveria 100% dhe në bazë të përzgjedhjes sime unë mendoj që vota ime ose prania ime në atë panel të përzgjedhjes unë mendoj që është konflikt interesi. Sikur të kish qenë konflikt, në bazë të ligji për Trepçën, unë nuk do të isha pjesë e votimit”, tha ai.

Shyqeri Sadiku, Anëtar i Bordit të Përkohshëm Mbikëqyrës

Kryesuesi i bordit beson që kanë kompetenca për të marrë vendime edhe me vetëm 4 anëtarë nga 9 sa i ka bordi mbikëqyrës i Trepçës.

“Unë nuk besoj që kemi bë ndonjë shkelje, i kemi respektuar të gjitha rregulloret, jemi Bord i përkohshëm, jemi ai Bord që i kemi kompetencat me i zgjedhë edhe udhëheqësit e njësive biznesore, prandaj e kemi hapë konkursin, i kemi respektuar procedurat dhe i kemi bë përzgjedhjen”, ka thënë Sylejman Hyseni për KALLXO.com.

KALLXO.com i ka kërkuar dokumentet e vlerësimit të këtij konkursit ka dërguar pyetje te Sekretari i Trepçës për të kërkuar më shumë shpjegime rreth procedurave të hapjes së konkursit, por ende nuk ka pranuar asnjë përgjigje.

Të dy kandidatët kanë deponuar ankesë në Inspektoratit të Punës.

“Shpresojmë që Inspektorati i Punës do t’i merr të gjitha këto shkelje me rend që i kemi cek dhe do të del me një vendim për kthimin në zero të kësaj procedure ose të anulimit komplet të konkursit për përzgjedhjen e kandidatëve”, u shpreh Behxhet Vinarci.

Trepça si shoqëri aksionare ka 6 njësi biznesore udhëheqësit e të cilave e përbëjnë Bordin Menaxhues të ndërmarrjes që i raporton bordit mbikëqyrës.