Konkursi Përsëritet Për Dy Anëtarë të KPM-së

Deputetet e Kuvendit të Kosovës të mërkurën me votim të fshehtë zgjodhën tre anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Zgjedhja e anëtarëve u  bë me dy raunde.

Në raundin e parë votuan 73 deputetë, duke zgjedhur në KPM Dritan Qeriqin me 49 vota dhe Adnan Merovcin me 43 vota.

Për anëtarin e tretë u desh të votohet për së dyti. Deputetët mes Lumturie Blakajt dhe Anita Morinës zgjodhën të dytën me 34 vota. Kur u zgjodh Morina në raundin e dytë, votuan vetëm 66 deputetë.

Dy nga shtatë anëtarët e KPM-së sipas ligjit për këtë institucion duhet të jenë të gjinisë femërore.

Dy të tjerë duhet të jenë nga kominitetet pakicë, njëri prej tyre serb, por ata nuk u zgjodhën ngase morën pak vota. Për këto dy pozita u përzgjodhën Milosh Artinoviq, Millena Gjeriq, Mejdin Salihu dhe Nijazi Ismajl.

Deputeti Salih Morina në emër të Komisionit për Zgjedhjen e Anëtarëve të KPM-së tha se konkursi do të përsëritet për zgjedhjen e dy kandidatëvë nga komunitetet pakicë.

Pra se të ndodhte votimi  deputetja dhe kryesuesja e Komisionit Ad-Hoc, Xhevahire Izmaku , paraqiti emrat e kandidatëve potencialë për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Përveç katër të përmendurve nga pakicat, dhe tre anëtarëve të zgjedhur, për tri vendet e KPM-së konkurruan edhe Agim Sopi, Naim Maloku dhe Lumturie Blakaj që humbi garën në raundin e dytë.

Kryeparlamentari Krasniqi kërkoi pastaj nga deputetët që të votohen anëtarët e Komisionit të Pavarur për Media.

Sipas nenit 13 të Ligjit për KPM-në mandati i dy anëtarëve të tij është dyvjeçar, tre anëtarë kanë mandat trevjeçar, ndërsa dy tjerë zgjidhen për katër vjet. Kohëzgjatja e mandateve caktohet me short.

Po KPM-ja duhet të kompletohet për  t’u hedhur shorti.

Nga fundi i dhjetorit të vitit të kaluar Kuvendi i Kosovës sahkarkoi kryetarin e KPM-së Shefki Uka dhe anëtaren e këtij institucioni Vesna Jovanoviq. Për të dy u vërtetua se janë përfshirë në aktivitete politiko-partiake, të cilat i ndalon neni 14 i ligjit të KPM-së.

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi në shtator të vitit të kaluar për përfshirjen e Jovanoviqit në aktivitetet e Iniciativës Qytetare Serbe për Partesh.

Edhe Shefki Uka ishte asamblist i LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, kur u zgjodh kryetar i KPM-së.

13:30

Kuvendi nuk Zgjedh Avokatin e Popullit

Kuvendi i Kosovës, pas dy raundeve të votimeve nuk ka mundur të zgjedhë Avokatin e Popullit. Në raundin e dytë Hilmi Jashari morri 49 vota të deputetëve dhe Gjyljeta Mushkolaj 39 vota. Sipas, nënkryetarit të Kuvendit Sabri Hamitit pasi që në raundin e dytë, asnjëri nga kandidatët nuk morën 61 vota, atëherë shpallet përsëri konkursi për këtë pozitë.

Pasi që kandidati Hilmi Jashari në raundin e dytë nuk mori 61 vota të deputetëve, për t’u zgjedhur në pozitën e Avokatit të Popullit, Kuvendi paralajmëroi konkurs të ri për këtë post.

Në raundin e dytë të votimit shkuan Hilmi Jashari që  mori 49 vota, dhe Gjyljeta Mushkolaj e cila fitoi 39 vota të deputetëve.

Në raundin e parë ra nga kombinimi për Avokat të Popullit Adriana Hoxhiq që mori 17 vota. Në votimin e parë Hilmi Jasharin e votuan 42 deputetë, ndërsa Gjyljeta Mushkolajn 31 prej tyre.

Nënkryetari i Kuvendit Sabri Hamiti tha se pasi që asnjë kandidat nuk ka marrë numrin  e duhur të votave ky proces i votimit mbyllet dhe sipas ligjit konkursi për Avokat të Popullit duhet të rishpallet.

Në Ligjin për Avokatin e Popullit, neni 9 nëntë i tij thotë se kreu i këtij institucioni zgjidhet nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për një mandat pesëvjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.

Para se të votohej, Suzan Novobërdaliu në cilësinë e kryetares së Komisionit Komisionit, për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione tregoi se si ka shkuar puna seleksionuese e përzgjedhjes së kandidatëve për ombudspersonin.

Novobërdaliu ishte edhe anëtare e Panelit Intervistues për Zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Ky panel kishte shtatë anëtarë.

Nga ana tjetër, Suzana Novobërdaliu Kryetare e dhe njëherit edhe anëtare e, tha se komisioni ka formuar panelin rekrutues në përbërje prej 7 anëtarëve për pozitën e avokatit të popullit.

Ajo tha se për këtë pozitë kanë aplikuar 26 kandidatë dhe vetëm 25 i kanë plotësuar kushtet formale. Ftesës për intervistë sipas saj iu përgjigjën vetëm 22 konkurrues.

Ajo tha se me 25 shkurt 2014, komisioni ka miratuar raportin e  panelit dhe mbi këtë bazë ka përgatitur listën e ngushtë prej 3 kandidatëve për Avokat të Popullit të cilët janë vlerësuar me më shumë pikë në intervistim.

Sipas panelit, më së shumti pikë ka pasur Hilmi Jashari-93.71, Gjyljeta Mushkolaj u vlerësua me  82.42 pikë, ndërsa  Adriana Hoxhiq mori 80.57 pikë.