Konkurse për 84 pozita të larta nëpër institucione publike

Vetëm gjatë këtij muaji janë shpallur konkurse për plotësimin e pozitave të larta drejtuese në 18 institucione të ndryshme të Kosovës, duke përfshirë agjenci të pavarura e ndërmarrje publike. Disa prej këtyre pozitave kanë mbetur të zbrazëta që nga Qeveria Haradinaj. Kurse pozitat e tjera janë shpallur pasi zyrtarëve aktual iu ka përfunduar mandati, por shumë prej tyre janë shpallur pas shkarkimeve që janë bërë nga Qeveria në detyrë Kurti.

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të funksionalizojë bordin e ndërmarrjes KOSTT, përkundër që lista me emrat e kandidatëve të emërueshëm ka qenë e gatshme qe gati 1 vjet e gjysmë.

Zvarritje ka pasur edhe në emërimin e disa bordeve të tjera, siç është ai i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës (KPMShCK)  që është jofunksional nga 21 janari i vitit 2019.

Së fundmi janë shpallur konkurse për pozita të larta menaxheriale nëpër ndërmarrjet kryesore të Kosovës, si Telekomi i Kosovës, Posta e Kosovës dhe KEK-u. E nga ana tjetër para disa ditëve, Kuvendi i Kosovës ka shpallur konkurs për 7 pozita të cilat i japin llogari Kuvendit të Kosovës.

Ndërmarrje publike pa kryeshefa

Telekomi i Kosovës ka shpallur konkurs për kryeshef ekzekutiv dhe zyrtar kryesor të financave dhe thesarit. Këto pozita janë shpallur pasi Bordi i përkohshëm i cili është emëruar nga Qeveria në detyrë Kurti ka shkarkuar Bedri Istrefin nga pozita e kryeshefit ekzekutiv dhe zyrtarin kryesor të financave dhe thesarit dhe dy zëvendës kryeshefat ekzekutivë.

Pak ditë pas shkarkimit të Istrefit, Inspektorati i Punës ka dalë me vendim i cili e obligon Telekomin e Kosovës ta anulojë shkarkimin e ish-kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi. Në vendimin e Inspektoratit potencohet se nëse nuk respektohet ky vendim nga Telekomi i Kosovës, ky organ mund ta padisë ndërmarrjen publike. Por, kryeministri Albin Kurti ka thënë se kryeshat e shkarkuar nuk do të kthehen nëpër pozitat e tyre.

Më 19 shkurt, tash Qeveria e ka shkarkuar bordin e drejtorëve të Telekomit të Kosovës, pas konstatimeve të bëra nga Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, se Telekomi është në prag të falimentimit, andaj duhet vepruar.

E njëjta histori ka qenë edhe me bordin dhe kryeshefin e Korporatës Energjetike e Kosovës. Qeveria fillimishtë e ka shkarkuar bordin e KEK-ut duke ia listuar arsyet për shkarkim. Kurse, bordi i përkohëshme i emëruar nga qeveria Kurti e ka shkarkuar kryeshefin e KEK-ut, Njazi Thaçin, kushëririn e presidentit Thaçi. Përveç Thaçit, bordi i përkohshëm shkarkoi edhe Nysret Kelmendi nga pozita e zëvendësdrejtorit të KEK-ut dhe Lulzim Zeqirin nga pozita e Sekretarit të Ndërmarrjes.

Bordi i shkarkuar i KEK-ut përbëhej nga Faruk Hajrizi, Gjelosh Vataj, Mehdi Pllashniku, Izet Ibrahimi, Fllanza Beqiri-Hoxha dhe Ilir Rama.

Në vend të tyre është emëruar Bordi i përkohshëm, i cili ka në përbërje: Rrezarta Pllana – kryesuese, Merita Kasapolli, Arbnor Pula dhe Bezat Halilaj.

Edhe KRU “Prishtina” është me bord të përkohshëm dhe pa katër pozitat kryesore menaxheriale të kësaj ndërmarrje të cilët janë shkarkuar nga bordi i përkohshëm i emëruar nga Qeveria Kurti.

Më 17 prill, Bordi i përkohshëm i KRU “Prishtina”, i emëruar nga Qeveria Kurti, ka shpallur konkurs për kryeshef ekzekutiv dhe zyrtar kryesor financiar. Por në përfundim të afatit për aplikim, ky konkurs ishte anuluar meqë ishte konstatuar se është kufizuar konkurrenca.

Pozita të lira janë shpallur edhe nga bordi i “Postës së Kosovës”. Posta e Kosovës ka shpallur konkurs për kryeshef ekzekutiv dhe për zyrtar kryesor financiar. Kjo ndërmarrje është po ashtu me bord të përkohshëm. Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti, në mbledhjen e mbajtur më 2 prill 2020 ka marrë vendim për shkarkimin e bordit të Postës së Kosovës dhe  emërimin e bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrje publike.

Anëtarët e bordit të përkohshëm janë: Mentor Arifaj, kryesues dhe drejtor; Kujtim Shala, drejtor; Sajmie Thaçi, drejtore dhe Blerton Abazi, drejtor.

Arsye për shkarkimin e Bordit ka qenë shkelja e detyrave fiduciare dhe gjetjeve të Auditorit në vitin 2018. Bordi i përkohshëm i emëruar nga Qeveria Kurti, 8 ditë më vonë ka marrë vendim për shkarkimin e Kryeshefit Ekzekutiv dhe Zyrtarit Kryesor Financiar.

 

Edhe në Ndërmarrjes Publike “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos” ka mbetur pa bord, ndërsa aktualisht operon me bord të përkohëshme të emëruar nga Qeveria Kurti. Bordi i Përkohëshëm i kësaj ndërmarrje më pas e ka shkarkuar nga pozita, kryshefin Agron Thaçi pas ngritjes së aktakuzës nga ai.

Në dhjetor të vitit të vitit 2019, Prokuroria Themelore në Prizren kishte ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave, ndër ta ishte edhe kryeshefi ekzekutiv i Infrakosit, Agron Thaçi.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” është pa Bord dhe Kryeshef me mandat të rregullt.

Qeveria në detyrë e Albin Kurtit ka shkarkuar bordin e ndërmarrjes publike “Hidroregjioni Jugor” të Prizrenit më 23 prill.

Qeveria në detyrë emëroi edhe katër persona në bordin e ri të “Hidroregjioni Jugor”: Ylber Elshani, kryesues dhe drejtor, Arieta Vula- Pozhegu, drejtoreshë, Altin Sahiti, drejtor dhe Edmond Halimi, drejtor.

Pesë ditë pas shkarkimit të Bordit, u shkarkuar edhe Besim Baraliu, kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompanie. Sipas kryesuesit të bordit, Ylber Elshani, Baraliu është shkarkuar dje pasi në raportet e auditorit në tri vitet e fundit janë gjetur shumë shkelje në menaxhimin e ndërmarrjes.

Në një raport të hartuar nga Bordi i përkohshëm i kësaj ndërmarrje për gjendjen financiare është përshkruar edhe dëmi i shkaktuar nga mos-shlyerja e borxheve ndaj KEK-ut.

Bordi ka gjetur se obligimet e Kompanisë ndaj KEK-ut të papaguara kanë qenë 1,489,775 euro, ku sipas marrëveshjes nga ligji për faljen e borxheve publike kompanisë i janë falur 1,188,868 euro ndërsa pjesa e mbetur për pagesë ka mbetur vlera 300,907 euro.

7 konkurse të shpallura nga Kuvendi

Qeveria në detyrë, më 12 maj e ka shkarkuar drejtorin e Aviacionit Civil, Eset Berisha, në mbledhjen e cila po mbahet në distancë. Eset Berisha ishte emëruar në muajin nëntor të vitit 2019 nga ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, si drejtor i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil. Ai ishte këshilltar i ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj gjatë qeverisjes së Haradinajt.

Qeveria në detyrë ka emëruar Arianit Islamin ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm të Aviacionit Civil.

Arsye për shkarkimin e Berishës sipas Qeverisë në detyrë Kurti ka qenë se ai ka hartuar dhe nënshkruar Rregulloren e brendshme të AAC-së në kundërshtim me ligjin, ka degraduar stafin menaxhues pa vlerësim të performancës, ka mbajtur detyra tjera me pagesë njëkohësisht, dhe ka rrezikuar Qeverinë e Republikës së Kosovës në dërgim në arbitrazh.

Më 26 maj, Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se ka shpallur konkursin për plotësimin e pozitave të lira në shtatë institucione të pavarura të Kosovës që i japin llogari Kuvendit.

Kuvendi ka shpallur konkurs për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Këtë pozitë momentalisht e mbanë Hilmi Jashari.

Kuvendi ka shpallur konkurs për zgjedhjen e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Është shpallur konkursi edhe për dy anëtarë të Bordit për Ankesa të Komisionit të Pavarur për Media, për zgjedhjen e tre anëtarëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, për zgjedhjen e një anëtari në Këshillin Prokurorial të Kosovës, përfaqësues nga shoqëria civile, për zgjedhjen e shtatë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Po ashtu ka shpallur konkurs për zgjedhjen e 7 anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ku prej tyre së paku dy anëtarë duhet të jenë nga radhët e komuniteteve tjera jo shumicë si dhe 2 anëtarë të gjinisë femërore.

KPMShC është jofunksionale që nga 21 janari i vitit 2019 kur iu kishte skaduar mandati 3 prej anëtarëve të këtij Këshilli.

Pasi ishte hapur konkursi dhe ishte bërë përzgjedhja e kandidatëve, lista me gjashtë kandidatët më të suksesshëm për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës (KPMShCK) janë dërguar në Kuvendin e Kosovës në fillim të muajit prill të vitit 2019.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë pasur për detyrë për të zgjedhur vetëm tre anëtarë, të cilët do të mbushin boshllëkun që është lënë në Këshill por ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë deri në momentin e dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradina në muajin korrik të vitit 2019.

Tashmë ka kaluar më shumë se 1 vjet që kur KPMShCK është jashtë funksionit. Avokati i Popullit në muajin qershor të vitit 2019 ka publikuar një raport me rekomandime lidhur me mungesën e mjeteve juridike efektive për zgjidhjen e kontesteve të punës nga nëpunësit civilë dhe nga kandidatët për pranim në shërbimin civil.

Ky institucion ka konstatuar së është e nevojshme që Kuvendi t’i emërojë sa më shpejtë anëtarët e Këshillit dhe funksionalizimin e tij.

Kjo pasi që kanë vërejtur se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës është jofunksional qysh nga data 21 janar 2019, e që për pasojë ky Këshill nuk ka nxjerrë asnjë vendim dhe asnjë ankesë e paraqitur nga nëpunësit civilë apo kandidatët për pranim nuk është shqyrtuar.

Gjithashtu, Avokati i Popullit ka vlerësuar se si pasojë e mos emërimit të anëtarëve të KPMShCK-së nga Kuvendi, nëpunësit civilë dhe kandidatëve për pranim në shërbimin civil u është mohuar e drejta për mjete efektive juridike.

Agjencitw me borde jofunksionale

Lista e kandidatëve për drejtorë të Bordit të KOSTT-it ka qenë duke pritur që nga muaji janar i vitit 2019 për t’u votuar në Kuvendin e Kosovës. Edhe kjo listë nuk ishte votuar në Kuvendin e Kosovës deri në muajin korrik të vitit 2019, e më pas procesi ishte anuluar. Tashmë kanë kaluar gati 1 vjet e gjysmë dhe KOSTT është pa Bord funksional. Së fundmi, ministria e Administratës Publike kishte hapur konkurs për bordin e KOSTT-it, por procesi i rekrutimit ende nuk ka nisur.

Kuvendi i Kosovës ka dështuar dy herë për të zgjedhur kryesuesin e Bordit të ZRrE-së. Për herë të tretë, Qeveria e Kosovës ka mbetur të dërgojë në Kuvend emrat për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, të cilët janë zgjedhur pa asistencën e britanikëve. Ambasada ishte tërhequr nga procesi i rekrutimit të kryesuesit të bordit të ZRrE-së, pasi Kuvendi dy herë kishte dështuar t’i emërojë kandidatët që britanikët i kishin përzgjedhur pas proceseve të gjata të rekrutimit.

Konkursi për Kryesues të Bordit të ZRrE-së është hapur më 25 mars dhe është mbyllur më 8 prill 2019. Për këtë pozitë kanë aplikuar gjithsej 5 persona. Ky ka qenë konkursi i tretë që është mbajtur për të njëjtin proces rekrutues. BIRN ka monitoruar këtë proces të rekrutimit dhe ka vërejtur se Komisioni vendor nuk e ka përcjell praktikën e vendosur nga ana e BDO-së, përkundër që disa prej anëtarëve të komisionit kanë qenë pjesë e disa komisioneve dhe trajnimeve që i kanë mbajtur britanikët për anëtarët e komisionit vlerësues. Pas intervistimit, komisioni vlerësues e kishte poentuar me 420 pikë Petrit Pepajn, drejtorin aktual menaxhues të ZRrE-së kurse me 320 pikë kandidatin tjetër, Naim Sahiti. Por, serish Kuvendi nuk kishte arritur të zgjedh kryesuesin e bordit të ZRrE-së.

Edhe Radio Televizioni i Kosovës është me Bord të pakompletuar. Më 11 korrik 2019 është bërë klasifikimi i kandidatëve të cilët kanë hyrë në listë të ngushtë për intervistim. Një tjetër institucion i rëndësishëm, sic është Organit Shqyrtues të Prokurimit është duke funksionuar me vetëm tre anëtarë nga 5 sa duhet t’i ketë në bazë të ligjit. Edhe për zgjedhjen e dy anëtarëve kishte konkurs në maj të vitit 2019, mirëpo procesi nuk ishte përfunduar.

Bordi i OSHP-së ka kompetencë të vendos për fatin e tenderëve milionësh që iniciohen nga institucionet e Kosovës. Marrja e vendimeve nga vetëm tre anëtarë është në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik që kërkon që për tender e mëdhenj paneli shqyrtues duhet të përbëhet nga 5 anëtarë.