Konfirmon Vazhdimin e Dialogut

Qeveria e Kosovës është e gatshme të vazhdojë dialogun me Serbinë, por vetëm për çështje teknike, dhe duke përjashtuar çështjet si sovraniteti dhe integriteti territorial.

Pas një takimi që zhvilloi me ndërmjetësuesin e BE-së, Robert Cooper, shefja e delegacionit të Kosovës në këto bisedime, Edita Tahiri, tha se Prishtina pajtohet që t’i kthehet tryezës, përderisa formati i bisedimeve mbetet ky që është.
 
“Në bisedat në Beograd, zoti Cooper sërish është ballafaquar me kërkesën e palës serbe që çështja e pikave doganore të shtrohet në kuadër të dialogut teknik. Për këtë kërkesë, qëndrimi i BE-së ka qenë refuzues. Pra, është refuzuar që kjo çështje të shtrohet në kuadër të dialogut. Në këtë pikë, ne pajtohemi me BE-në se për çështjet e sovranitetit shtetëror, nuk bisedojmë me shtetin fqinj”, iu tha Tahiri, gazetarëve pas takimit.

Ajo tha se edhe ndërmjetësuesi Cooper është pajtuar që bisedimet nuk mund të përfshijnë temat e kërkuara nga Serbia, për diskutimin e gjetjes së zgjidhjeve në pikat doganore 1 dhe 31, në veri të Kosovës.

Kryenegociatorja Tahiri tha po ashtu se i ka kërkuar ndërmjetësuesit Cooper që në raundin e ardhshëm të bisedimeve, Bashkimi Evropian të përcaktojë 20 nëntorin si afatin kur BE-ja do të vlerësojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.

Cooper nuk është prononcuar për media.