Konfirmohet monopoli në shënjim të naftës: 6 milionë euro në vit

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e ka konfirmuar monopolin e krijuar nga ish-ministri i Tregtisë, Vesel Krasniqi.

Në një përgjigje për KALLXO.com, kjo Ministri ka thënë se kontrata për shënjim të markës është nënshkruar për një periudhë pesëvjeçare.

“Ish-ministri Krasniqi ka nxjerrë vendim për të emëruar një trupë për shënjimin e karburanteve të naftës. Ish-ministri gjithashtu ka lidhur kontratë me trupën për shënjimin”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së udhëhequr nga Rozeta Hajdari.

Kompania që do të bëjë shënjimin/markimin e naftës për 5 vitet e ardhshme do të jetë “SIPCA SA”.

Ministria ka treguar se kosto për shënjim/markim të 1,000 litrave naftë do të jetë 8,35 euro (pa TVSh), kurse me TVSH çmimi arrin në 9.8 euro.

Të dhënat e Doganës së Kosovës thonë se në vitin 2019 janë importuar 618 milionë litra naftë, kurse në vitin 2020 janë importuar 602 milionë litra naftë në Kosovë.

Në bazë të çmimit që është nënshkruar kontrata dhe vlerës së përafërt të importit del se të hyrat e kompanisë do të jenë rreth 5.1 milionë euro. Kurse, nëse e marrim si kosto që do t’i kushtojë bizneseve/qytetarëve, pra duke i shtuar TVSH-në, atëherë do të kemi një kosto prej 6 milionë euro me TVSH.

Secila litër e naftës do të shtrenjtohet për rreth 1 cent, e këto mjete do të sigurojnë të hyra prej 5 deri në 6 milionë euro për kompaninë që do ta ketë monopolin.

Udhëzimi administrativ 09/2020 që ka paraparë shënjimin e naftës thotë se koston e shënjimit do ta bartin bizneset.

“Shpenzimet e krijuara gjatë procesit të shënjimit dhe monitorimit mbulohen nga Subjekti i cili i është nënshtruar këtij procesi”, thuhet në pikën 19 të nenin 54 të këtij UA.

Nenin 54 i këtij udhëzimi administrativ për kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës ka paraparë shënjimin e karburanteve. Pika 17 e këtij neni ka paraparë kontraktimin e një trupe për terë territorin e Kosovës.

“MTI do të autorizojë dhe kontraktojë vetëm një (1) trupë për territorin e Republikës së Kosovës për shënjimin e produkteve të lëngëta të naftës dhe të monitorimit të shënjimit, kjo me qëllim të sigurimit të uniformitetit të monitorimit të shënjimit të produkteve në tërë Republikën e Kosovës dhe të identifikimit dhe të monitorimit të të gjitha produkteve të lëngshme të naftës”, thuhet në pikën 17 të nenin 54.

Kurse pika 15 e ka përcaktuar kohëzgjatjen e autorizimit si dhe kushtet për vazhdim të autorizimit.

“Afati i vlefshmërisë së emërimit dhe angazhimit kontraktual të trupës apo palës së kontraktuar për shënjim dhe monitorim në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, është pesë (5) vite me mundësi vazhdimi. Për vazhdimin e emërimit dhe angazhimit trupi apo pala e kontraktuar për shënjim paraqet kërkesë 60 ditë para skadimit të afatit të emërimit duke përmbushur të gjitha kushtet dhe kriteret paraprake nga aspekti teknologjik dhe operacional”, thuhet në pjesën e parë të pikës 15.

KALLXO.com nuk ka arritur të marrë përgjigje nga ish-ministri i Tregtisë, Vesel Krasniqi. KALLXO.com kishte raportuar për këtë monopol në muajin janar të vitit 2021. Pas raportimit të KALLXO.com, kryeministri Avdullah Hoti kishte kërkuar nga Ministria e Tregtisë që të anulojë udhëzimin administrativ që parashihte krijimin e monopolit, mirëpo ky UA nuk ishte anuluar asnjëherë.

KALLXO.com disa herë kishte kërkuar nga Zyra e Kryeministrit pse nuk po shfuqizohet ky UA në mbledhje të Qeverisë, siç ua mundëson ligji, por ata nuk kanë kthyer përgjigje për arsyet e sakta. Në një përgjigje të ZKM-së, në fund të mandatit të Hotit është thënë se MTI-ja kishte themeluar një komision për ndryshim të këtij udhëzimi administrativ pa dhënë detaje të tjera.

Pjesë e këtij udhëzimi Administrativë që ka paraparë monopolin në shënjim/markim të naftës ishte edhe çështje e kontrollit të konformitetit të naftës që deri në vitin 2021 është bërë nga Dogana e Kosovës. KALLXO.com kishte raportuar se ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes të njëjtit udhëzim administrativë kontrollin e konfirmitetit të naftës t’ia heq Doganës dhe ta kthej tek kompanitë private.

Por, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari i ka anuluar dispozitat kyçe të Udhëzimit Administrativ (MTI) nr. 09/2020 për kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës, duke theksuar se tash kontrolli i naftës i kthehet Doganës së Kosovës.

“Kontrolli i naftës i kthehet në Doganë, vendoset ligjshmëria. Falë punës së mirë ekipore në MINT, sot mora vendim për të anuluar dispozitat kyçe të Udhëzimit Administrativ (MTI) nr. 09/2020 për kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës, i cili jashtëligjshëm ka bartur kompetencën e kontrollit të konformitetit të karburanteve nga Dogana e Kosovës te kompanitë private të lidhura me ish-pushtetarët”, ka shkruar Hajdari.

Në emisionin “KallxoPernime”, në muajin mars është transmetuar hulumtimin që tregon se MTI-ja i kishte autorizuar dy kompani për kontrollin e cilësisë së naftës: kompaninë e Jakup Gashit dhe kompaninë e Valdet Teneqes. Valdet Teneqja është baxhanaku i Endrit Shalës, ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë.

Në këtë hulumtim ndër të tjera u pasqyra ‘pingpongu’ i ish ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi me ish kryeministrin, Avdullah Hoti.

Hoti kërkonte shfuqizimin e këtij udhëzimi, ndërsa ministri Krasniqi kishte thënë se ky udhëzim nuk do të shfuqizohet.

Më 29 janar, Hoti kishte thënë që udhëzimet që nuk janë në përputhje me ligjin do të shfuqizohen, duke përfshirë edhe këtë për monopolin e naftës.

“Për udhëzimin që e keni fjalën unë e kam me datë 11 janar të zyrës ligjore, që ai udhëzim administrativ nuk është në përputhje me ligjin dhe unë kam dërguar shkresë te ministri që të anulohet ky udhëzim. Afat ka pasur deri më 21 janar, meqenëse kjo nuk ka ndodhur, unë do e fus në rend të ditës në votim në Qeveri”, pati paralajmëruar Hoti.