Konferencë Për Ditën Kundër Homofobisë
Konferenca është organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës në bashkëpunim me Qendrën për Emancipim Shoqëror, Organizatës për të Drejtat e Komunitetit LGBT “Qesh” dhe Ambasadës së Finlandës në Kosovë.
Hapjen e konferencës e bëri zyra e kryeministrit në emër te së cilës foli Habit Hajredini nga Zyra për Qeverisje të Mirë dhe ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku. Çitaku premtoi se mbrojtja të drejtave të komunitetit LGBT është detyrim kushtetues dhe ministria e saj do t’i trajtojë me prioritet këto çështje.
Në konferencë foli edhe avokati i popullit Sami Kurteshi i cili u bëri thirrje organeve përgjegjëse të prokurorisë dhe hetuesisë të sjellin sa më shpejt rezultate përkitazi me rastet e sulmeve mbi median dhe anëtarë te komunitetit LGBT.
“Ju premtoj që institucioni i Avokatit të Popullit do të bëjë presion dhe po e përcjell me vëmendje rastin e Kosovo 2.0 dhe nuk do të ndalemi përderisa drejtësia të është sjellë në vend” përfundoi Kurteshi.
Në emër te Komunitetit LGBT foli Myrvete Bajrami e cila gjithashtu është udhëheqëse e Organizatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Komunitetit LGBT “Qesh”. Bajrami po ashtu kërkoi që personat të cilët sulmojnë këtë komunitet të sillen para drejtësisë.
“Ne ju falënderojmë për deklaratat mbështetëse, mirëpo ne kërkojmë që këto raste të trajtohen nga gjyqësia dhe personat që ushtrojnë dhunë ndaj komunitetit të dënohen”. Bajrami gjithashtu falënderoi ambasadat e huaja të cilat në shenjë solidariteti më komunitetin LGBT kanë valuar sot flamurin e krenarisë.
Të pranishëm në konferencë ishin edhe shumë përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe ambasadave perëndimore në Kosovë. Ann Meskanen, ambasadorja finlandeze në Kosovë u bëri thirrje institucioneve vendore që të punojnë më tepër në mbrojtjen dhe afirmimin e të drejtave të këtij komuniteti.
Ambasadat e Finlandës dhe Suedisë në Kosovë
Konferencës iu drejtua edhe raportuesja në Parlamentin Europian për Kosovën Ulrike Lunacek përmes një video porosie, e cila përshëndeti konferencën dhe vullnetit e institucioneve, por bëri të ditur se të drejtat e komuniteti LGBT janë fundamentale për çdo demokraci dhe se trajtimi i kësaj çështjeje në Kosovë do të ndiqet me vëmendje nga Brukseli.
Debati mbi të drejtat e komunitetit LGBT ka filluar që kur u sulmuan anëtarët e stafit të revistës e cila po promovonte të drejtat e komunitetit gej dhe të lesbikeve më 14 dhjetor 2012 me tematikën “Kosovo 2.0 flet mbi seksin”.
Megjithatë, janë bërë gjashtë muaj dhe asnjë person deri tash nuk është arrestuar ose sjellë pranë drejtësisë lidhur me sulmet e dhjetorit ndaj stafit Kosovo 2.0 dhe anëtareve të komunitetit LGBT.