Komunikon me Zogjtë: Kufijtë Janë Trillim

Dikur vrojtonte vetëm nga kureshtja dhe nevoja për relaksim gjersa punonte si profesor i anglishtes në shkollën e mesme ekonomike në Prizren. E, me afrimin e luftës, ishte bërë e pamundur edhe dalja në natyrë. 

Por me të kaluar ajo, Nexhmedin Ramadani iu kthye hobit-lirisë së tij. Këtë herë, intensivisht.

“Në fillim kemi pasur pajisje jo të sofistikuara, sepse për të dalë në vrojtim të zogjve duhet të kesh dylbi, kamerë, një Jeep për terrene të vrazhda e Spotting Scope”, thotë Ramadani. “Por, me kalimin e kohës dhe gjithmonë në takime me të huajt, ne jemi pajisur me këto gjësende”.

Veçanërisht shumë ushtarë të KFOR-it suedez ishin interesuar për këtë organizatë duke u ndihmuar me pajisje të ndryshme, tregon ai. “Ata kanë qëndruar gjashtë vjet në Kosovë. Për pesë vjet kanë kërkuar një ekip që shkon në vrojtime të zogjve, dhe na kanë gjetur vetëm në vitin e fundit para se të ktheheshin në Suedi”.

Suedezët venin e i merrnin me makinat e tyre për të shkuar anë e kënd Kosovës. Prej tyre, thotë ai, kanë mësuar shumë. 

Pjesa më e rëndësishme e procesit të vrojtimit është ndjekja e zogut, deri kur ta fotografosh atë. “Është shumë problematike t’i ofrohesh zogut sepse ai ikë…por duhet të gjejmë një kamera shumë profesionale”.

Tani ata janë më afër zogjve, thotë Ramadani. Madje në mesin e vrojtuesve ka anëtarë që imitojnë edhe këngët e zogjve. 

“Njëri, kur e këndon këngën e Kuqalashit Qafkëzë, ky sa që nuk i vjen në dorë. Zogjtë komunikojnë mes vete përmes këngëve, por ka mundësi që njeriu ta kopjojë këngën dhe të komunikojë me zogjtë”.

Ky komunikim me zogjtë për këta të pasionuar është ushqim i shpirtit me plot adrenalinë. Edhe i fantazisë.

“Ëndrra e njeriut ka qenë fluturimi. Tani erdhi kopjimi i zogjve me gjithë këta aeroplanë që janë bërë…”, thotë Ramadani. 

Sipas tij, kufijtë janë trillim i njeriut. “E zogjtë nuk njohin kufi”, thotë ai teksa nxjerr përfundime nga ky komunikim me këto gjallesa të bukura.

Një Shqiponjë e artë e vdekur në Prizren. Ndoshta e fundit? 

Ramadani, i cili vrojton zogjtë e Kosovës për 30 vjet me radhë, thotë se Kosova është një vend i vogël, ku jeton një laramani e madhe e zogjve. 

Zyrtarisht numërohen rreth 200 lloje sosh. 

Ai përmend ujin si faktor i rëndësishëm për praninë e zogjve në një vend. “Kur themi zog ne duhet të mendojmë që ai pi ujë”, thotë ai. Kështu vendet më të shpeshta të fokusimit të zogjve, sipas Ramadanit, gjenden rrjedhës së Drinit, buzë liqenit të Breznës e në Parkun Nacional të Sharrit.

“Është edhe një vend shumë i mirë afër aeroportit të Prishtinës, Hensi. Janë disa liqene artificiale me peshq. Aty shumë zogj shtegtarë zbresin për të pushuar dhe pastaj për të vazhduar shtegtimin për në veri ose jug, varet çfarë stine është”, tregon Ramadani. “Atje shkojmë shpesh”.

Megjithatë, thotë Ramadani, shumë specie të zogjve janë në zhdukje në Kosovë. Madje edhe Shqiponja e Artë, e cila është simbol i flamurit kombëtar. 

“Ky zog jeton në lartësi mbi 1500 metra dhe e hasim më tepër në parkun nacional Mali Sharr, ku mund të jenë vetëm nja 2-3 qifte”, thotë Ramadani. “Madje kohën e fundit e kemi gjetur një të mbytur në fshatrat mbi Prizren. Ndoshta është i fundit”.

Njerëzit shpesh e ngatërrojnë shqiponjën me zogj të tjerë, thotë ai. 

“Shqiponja kur i hap krahët arrin 2 metra e 30 cm. Ka gjeraqina të ndryshme dhe huta, por ato nuk janë shqiponja. Shqiponjën rrallë mund ta kenë parë njerëzit. Finch e ka tek Guri i Zi në Opojë kampingun, ku shkojmë verës dhe atje e shohim shqiponjën”. 

Por zhdukja nuk e kërcënon vetëm shqiponjën. Ramdani përmend shumë zogj të tjerë.

“Kacavjerrësi i mureve, një zog të cilin dimrit e hasim në Grykën e Lumbardhit. Verës ai ka shkuar të shumohet në bjeshkë. Qe 5 vjet vetëm një e kemi parë, asnjë tjetër. Bile kam alarmuar në gazeta të ndryshme dhe kam pritë që do të reagojë dikush, por askush nuk ka reaguar për diçka të tillë”, shton ai.

Shumëkush mendon se sorrat janë të këqija për ambientin. Por jo Ramadani. 

“Ministri i shëndetësisë më pati thirrur një herë dhe tha që janë përhapur në Prishtinë shumë sorrat dhe ai ka pritur prej meje që do t’i them kapni çiftet edhe vrani”, thotë Ramadani. “Unë i thashë, përkundrazi, ju aq keni papastërti, saqë sorrat ju pastrojnë rrugët e Prishtinës”.

“Pastaj ato janë të dobishme sepse i lëshojnë të vegjlit më herët se të gjithë zogjtë e tjerë, pastaj foletë e tyre i marrin në përdorim gjeraqinat, skifterët e ndryshëm për t’u shumuar”. 

Zogjtë e balsamosur, gjëja më e tmerrshme 

Ndërsa Shteteve të Bashkuara të Amerikës turizmi i vrojtimit të zogjve sjell në pasuri të shtetit miliarda dollarë, popullata kosovare ende nuk di mjaftueshëm për këtë turizëm. 

Madje shumë veprime të qytetarit të Kosovës, nga mosdija ose pakujdesi, mund të jenë shkatërruese për zogjtë. 

Ramadani përmend përdorimin e pakontrolluar të pastruesve higjienikë në shtëpitë tona, i cili i mbyt zogjtë. 

“Një pikë Domestos i helmon sa metra kub ujë. Ne derdhim nëpër kuzhinat tona sa helme dhe nuk e dimë që ai helm do të shkatërrojë sa krijesa”, thotë ai. 

Pastaj, edhe bizneset e ndryshme të cilat përdorin kemikate dhe hedhin mbeturinat në vija uji, për Ramadanin janë të pakujdesshme në mbrojtjen e ekosistemit. 

“Tani eksploatimi i lumit Drin ka përfunduar, por kanë mbetur hurdhat e ndryshme nga të cilat shpesh kanë pësuar shpeztë”, thotë ai. 

Gjëja më e tmerrshme për Ramadanin janë zogjtë e balsamosur nëpër restorante të vendit. 

“Balsamimi zgjatë 1-2 vit dhe prishet. Është një përvojë e hidhur. Nuk ka gjë më të keqe, më nevrikos. Nuk është zogu i balsamosur dekor. Mund ta dekorosh me fotografi të zogjve”.