Dosja- Në emër të COVID19, gjysmë milioni euro shpenzohen në kontrata pa konkurrencë

Pas konfirmimit të rastit të parë me virusin COVID-19 në Kosovë, Komunat filluan marrjen e masave për ta luftuar përhapjen e këtij virusi.

Ndër masat e para që i morën Komunat ishte edhe dezinfektimi i rrugëve, objekteve dhe hapësirave publike.

KALLXO.com ka shikuar kontratat që Komunat i kanë nënshkruar me operatorë ekonomikë, për dezinfektimin. Të gjitha kontratat i kanë nënshkruar me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës.

Kjo procedurë përdoret në rastet emergjente dhe institucioni publik nuk hap fare tender, por i kontrakton operatorët ekonomikë pa konkurrencë për të ofruar shërbime.

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar dy kontrata për dezinfektim. Kontrata e parë e nënshkruar ka të bëjë me Dezinfektimin e objekteve të ndërtesave kolektive. Kontrata është nënshkruar me 23 mars, vlera totale e saj është 19 mijë e 999 euro. Fitues i kontratës është operatori me emrin zyrtar “Lulzim Katanolli”.

Ndërsa kontrata e dytë është për dezinfektimin e objekteve të KPSH-së në Komunën e Prishtinës dhe institucioneve të tjera komunale. Kjo kontratë është nënshkruar me 26 mars, në vlerë totale prej 41 mijë e 567 eurove. Fitues i kontratës është “Truly Nolen”. Të dy kontratat janë nënshkruar me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

Komuna e Gjakovës ka nënshkruar vetëm një kontratë për dezinfektim, me procedurë të negociuar.

Kontrata me titull “Dezinfektimi emergjent i të gjitha objekteve dhe hapësirave publike”, është nënshkruar me datë 26 mars 2020, në vlerë totale prej 98 mijë e 800 eurove.

Fitues i kontratës është operatori ekonomik me emrin “Truly Nolen”.

Komuna e Prizrenit udhëhequr nga Mytaher Haskuka po ashtu ka nënshkruar vetëm një kontratë me procedurë të negociuar, për dezinfektim.

Kontrata për dezinfektimin e objekteve komunale dhe të hapësirave publike, është nënshkruar me datë 27 mars 2020.

Vlera e përgjithshme e kësaj kontratë është 40 mijë euro. Ndërsa fitues i kontratës është operatori ekonomik “Jusuf Berisha”.

Komuna e Podujevës ka nënshkruar kontratë në vlerë 93 mijë e 529 euro për dezinfektimin e objekteve dhe hapësirave publike. Sipas të dhënave në portalin shtetëror të prokurimit, kontrata finale ende nuk është nënshkruar, ndërsa është bërë vetëm dhënia e kontratës, me datë 23 mars.

Komuna e Suharekës ka nënshkruar dy  kontrata, me procedurë të negociuar, për dezinfektim.

Vlera e kontratës së parë me titull “Dezinfektimi i objekteve shoqërore si komuna, QKMF, QMF dhe AMF”, në vlerë të përgjithshme prej 4 mijë e 864 eurove është nënshkruar me datë 1 prill 2020. Fitues i kontratës është operatori ekonomik me emrin “Samire Osmani”.

Kurse kontrata tjetër me titull “Shërbimet e dezinfektimit në Komunë të Suharekës”, është nënshkruar me 13 mars. Vlera e përgjithshme është 9 mijë e 482 euro, fitues i kontratës është operatori “Vector Pest Control”.

Edhe Komuna e Junikut ka nënshkruar një kontratë për dezinfektim, me procedurë të negociuar.

Kontrata për spërkatjen e hapësirave të objekteve publike me dezinfektues kundër COVID-19 në territorin e Komunës së Junikut, është nënshkruar me 20 mars.

Vlera e kontratës është 2 mijë e 100 euro, ndërsa operatori ekonomik fitues i kontratës është “Truly Nolen”.

Komuna e Fushë Kosovës ka nënshkruar dy kontrata për dezinfektim. Të dyja janë nënshkruar në të njëjtën ditë, me 25 mars 2020.

Kontrata e parë ka të bëjë me dezinfektimin e objekteve kolektive, banesore, hyrje-dalje, objekteve afariste, me dezinfektues antiviral dhe mjete tjera. Vlera e përgjithshme është 32 mijë euro, fitues është operatori “Malë Mala’.

Ndërsa kontrata e dytë për pastrimin, dezinfektimin, larja e rrugëve dhe hapësirave publike, me vlerë totale prej 44 mijë e 300 euro. Operatori ekonomik fitues i kontratës është “Kanalprofis”.

Komuna e Obiliqit i ka nënshkruar dy kontrata me procedurë të negociuar. Kontrata e parë është për dezinfektimin në institucionet publike si shëndetësore, shkollore, çerdhet, enti i punësimit, shtëpia e pleqve, stacioni policor dhe objekte të tjera sipas kërkesës.

Është nënshkruar me datë 20 mars, vlera e përgjithshme e saj është 10 mijë e 685 euro, ndërsa fitues është operatori ekonomik “Jusuf Berisha”.

Ndërsa kontrata tjetër për dezinfektim, deratizim dhe dezinsektim të objekteve në Obiliq është nënshkruar me 3 prill, në vlerë të përgjithshme prej 24 mijë e 500 euro. Fitues është po ashtu operatori “Jusuf Berisha”.

Kurse, komuna e Lipjanit ka nënshkruar kontratë për dezinfektim, me procedurë të negociuar.

Me 16 mars është nënshkruar kontrata për dezinsektimin, derratizimin dhe dezinfektimin e hapësirave të brendshme të Komunës dhe zyrave, shkollave, çerdheve, QKMF-së, shtëpisë së komuniteteve dhe xhamitë të komunës.

Vlera totale e kësaj kontrate është 36 mijë euro, kurse fitues është operatori ekonomik me emrin “Dezinfektimi AD”.

Kurse Komuna e Dragashit ka shpenzuar 5 mijë euro për dezinfektimin e institucioneve publike si shkollat, institucionet shëndetësore, bibliotekat dhe objekti i Komunës.

Kontrata është e nënshkruar me 23 mars, ndërsa fitues i kontratës është operatori “Nazif Ahmeti”.

Komuna e Kamenicës ka nënshkruar kontratë 4 mijë e 984 euro për dezinfektim. Kontrata finale nuk është nënshkruar, ndërsa data e dhënies së kontratës është me 3 prill. Kontrata i është dhënë operatorit ekonomik me emrin “Ahmet Rrustemi”.

Gjithashtu edhe Komuna e Vushtrrisë ka nënshkruar një kontratë për dezinfektim, me procedurë të negociuar.

Kontrata me titull “Dezinfektimi i objekteve shkollore, komunale dhe hapësirat publike” është nënshkruar me datë 20 mars.

Vlera totale është 38 mijë e 508 euro, ndërsa fitues është operatori “Ekologjia”.

Sipas të dhënave të publikuara në portalin shtetëror të prokurimit, komunat e tjera të Kosovës nuk kanë pasur tender apo kontrata me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës.

Ndërsa vlera e përgjithshme e 12 komunave që kanë nënshkruar kontrata të këtij lloji është 506 mijë e 318 euro.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).