Kandidati i koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, në takim me qytetarë - Foto: Facebook

Komuna paguan bursë për shkollimin e deputetes së AAK-së

Fjolla Duraku, asambleiste e AAK-së në komunën e Rahovecit, ka përfituar bursë prej 500 eurove nga komuna e cila qeveriset nga partia e saj.

Drejtori i Arsimit dhe kryetari të cilët vijnë nga partia e njëjtë thonë se ndarja e bursës për bashkëpartiaken e tyre nuk paraqet konflikt interesi.

“Kjo s’ka lidhje me parti fare hiq. Ata që i kanë plotësuar kriteret, ata i kanë fituar bursat. Fjolla Duraku është njëra prej përfituesve që me sa unë jam në dijeni, notën mesatare e ka bukur në nivel. Unë e kam vetëm vendimin që e kam nënshkruar për me i urdhëru pagesat që bëhen”, ka thënë kryetari Smajl Latifi.

Sipas tij, komisioni i caktuar e ka bërë vlerësimin e aplikacioneve në kohën e ish kryetarit nga Partia Demokratike e Kosovës, Idriz Vehapi.

Ai tregon për KALLXO.com se Vehapi kishte marrë vendim që të ndajë 50 bursa, ndërsa, siç thotë Latifi ‘ne e kemi zbatuar listën e tij dhe vetëm e kemi rritur numrin e bursistëve për 13 studentë’.

Kryetari i Rahovecit insiston se nuk mund të quhet konflikt i interesit ndarja e bursës për asambleisten e partisë së tij sepse prej kësaj burse ka përfituar edhe djali i një asambleisteje të PDK-së.

“Nëse e shikoni listën e studentëve, mund të shihni se ka shumë studentë që kanë lidhje të mira me subjekte të tjera, që janë pjesë e subjekteve të tjera. Lumturie Hoti është asambleiste për disa mandate e PDK-së, është profesoreshë në shkollën profesionale, është juriste, është grua e mirë, e zonja, e djali i saj ka marrë bursë. Çka ka të keqe? Ai e ka plotësuar kriterin”, shtoi ai.

Mirëpo, ish-asambleistja e PDK-së, Lumturie Hoti tha për KALLXO.com se tashmë janë bërë katër vite prej që nuk është më pjesë e Kuvendit Komunal të Rahovecit.

Ajo tregoi që djali i saj është student i Fakultetit të Mjekësisë njëherësh edhe bursist i komunës, por siç thotë ajo, ai është përfitues për shkak të suksesit dhe jo për shkak të partisë në të cilën ishte dikur nëna e tij.

“Qe katër vite nuk jam këshilltare në asamble. S’jam këshilltare në asamble, as s’jam në parti, vetëm jam profesoreshë. Jam vetëm me një rrogë në arsim dhe qe katër vite jam mbajtëse e familjes. Djalin e kam student e prej 860 studentëve, i 16-ti është pranu në Fakultetin e Mjekësisë. Po më vjen keq se ju kanë dezinformuar kushdo që ju ka thanë se unë më s’jam as pjesë e partisë, as këshilltare qe katër vite. E nëse i ka plotësu kushtet jepet bursa, nëse s’i ka plotësu nuk jepet bursa, e vetëm me një rrogë vetëm unë e di qysh e kalojë. As pa meritë, as me politikë se ka marr bursën”, tha Hoti.

Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Avni Morina ka thënë për KALLXO.com se ndarja e bursës për këtë asambleiste nuk paraqet konflikt të interesit sepse, sipas tij, Duraku kishte aplikuar para se të bëhej asambleiste në këtë komunë.

“Sa i përket pyetjes që më keni bërë, nuk mendojmë se kemi të bëjmë me ndonjë konflikt interesi, për arsye se Fjolla Duraku, përveç që është asambleiste, ajo është edhe studente e shkëlqyer dhe ka plotësuar të gjitha kriteret që ka kërkuar konkursi për të qenë përfituese e bursës. Po ashtu, në kohën kur ajo ka aplikuar për bursë, ajo nuk ka qenë asambleiste në Kuvendin e Komunës”, deklaroi Morina.

Kurse vetë asambleistja e AAK-së, Fjolla Duraku ka thënë për KALLXO.com se nuk mendon që është konflikt interesi të përfitojë nga bursa komunale, në komunën që udhëhiqet nga partia së cilës i përket.

Sipas saj, dokumentet e aplikimit i kishte dorëzuar në kohën e udhëheqjes së ish kryetarit, Idriz Vehapi dhe kryetari i tanishëm vetëm i ka ndarë këto bursa.

“Jo, për arsyen se kur unë kam aplikuar për bursë ka qenë kryetari tjetër. Kur kam kandiduar ka qenë konkursi nga kryetari i kaluar, kushtet që i ka qitë për pranim të studentëve kanë qenë nga kryetari i kaluar dhe nuk janë ndryshuar nga kryetari aktual. E ato kushte unë i kam plotësuar, ka qenë prej 9.0, ndërsa unë me po atë notë jam pranuar si bursiste. Unë tash jam në vitin e tretë të studimeve, jam në përfundim”, tha Duraku.