Komuna Me Buxhet Më Pak se 1 Milion

Shënim: Ky artikull fillimisht është botuar më 2 korrik 2012.

Me një buxhet prej 900 mijë eurosh, i pari i Kllokotit Sasha Mirkoviq duket se do ta ketë problem zgjidhjen e problemeve të ngutshme të komunës së re të dalë nga pakoja e statusit e Martti Ahtisaarit.

Përveç problemeve të buxhetit, atë është duke e brengosur edhe Prokuroria e Qarkut në Gjilan ku qytetarët e Kllokotit kanë dorëzuar kallëzime penale në lidhje me projektet e financuara nga komuna.

Mirkoviq i cili udhëheq këtë komunë që nga 2009-ta duket se nuk i ka realizuar të gjitha premtimet e tij elektorale, përderisa nga opozita dhe banorët e kësaj komune merr kritika sa i përket menaxhimit të buxhetit dhe mospërfundimit të projekteve – sidomos atyre në infrastrukturë.

Kur kishte ardhur në pushtet, Mirkoviq u kishte premtuar banorëve të komunës ujë, asfalt grumbullim të mbeturinave dhe shërbime të mira komunale .

Mirëpo, dy vite më pas, banorët kanë filluar të drejtojnë gishtin kah ai.

Sasha Marinkiviq nga Kllokoti thotë se asgjë nga ato që i ka premtuar kryetari “nuk është përfunduar” ndonëse janë nisur. Për shembull, thotë ai, kreu i komunës e ka filluar kanalizimin në fshatin Gërnqar, por aty janë kryer vetëm 70 për qind e punimeve.

Kreu i komunës Mirkoviq në debatin “Jeta në Komunë” ka deklaruar se ky projekt dhe të tjerat tashmë kanë përfunduar. “Kanalizimi është realizuar në Kllokot, është realizuar në Gërnqar, në Mogillë gjatë kohës sa ishte në kuadër të Komunës së Vitisë, dhe na ka mbetur edhe rreth 40 për qind në Vërbovc që do të realizohet këtë vit apo vitin e ardhshëm”, thotë Mirkoviq.

Sasha Marnikoviq thotë madje se kreu i komunës së tyre është duke u hetuar. “Në vitin e kaluar është shpallur tenderi për blerje të inventarit shkollor prej 70 mijë eurosh dhe tani janë duke u zhvilluar hetime rreth këtij tenderi”, tha Marinkiviq.

Sipas banorit tjetër, Hasan Rashiti, në prokurori ka lëndë në lidhje me kryetarin e Kllokotit edhe për një rast tjetër – për grantin qeveritar për ndërtimin e një foshnjore. Sipas Rashitit, mjetet për këtë foshnjore mendohet se ishin ridestinuar në një projekt tjetër.

“Ata (qytetarët) kanë dorëzuar padi me disa dezinformata dhe natyrisht që i takon gjyqësorit t’i shqyrtojnë ato në të ardhmen. Do të shohim”,  mbrohet Mirkoviq.

Sipas tij, paratë të cilat janë marrë për ndërtimin e kopshtit të fëmijëve janë ridestinuar për në projekte të tjera pasi që komuna për këtë projekt ka fituar një donacion nga Komisioni Evropian.

E përpos rrugëve dhe akuzave për tenderët, komuna e re ka problem edhe me gjetjen e njerëzve adekuat për të punuar në zyrat e komunës. Nga ajo çfarë tregojnë banorët e Kllokotit, në komunën e tyre punojnë më së paku banorët e kësaj komune, pasi aty janë punësuar shërbyes civilë të ardhur nga komunat e tjera.

“Ne kemi pasur obligim ndaj qytetarëve tanë t’i punësojmë qytetarët që gravitojnë në këtë komunë, mirëpo për momentin nga Kllokoti në komunë janë të punësuar vetëm pesë veta ndërsa janë 12 deri 13 veta jashtë komunës”, thotë Hasan Rashiti, banorë i Kllokotit .

Edhe deputetit i komunës Ahmet Misini nga radhët e LDK-ës është i zhgënjyer për faktin që në komunën e tij pjesa më e madhe e të punësuarve janë nga vendet e tjera. “Kanë marrë nga  Kamenica, Gjilani dhe Vita…shpesh ka problem me cilësinë e tyre, kurse në komunën e Kllokotit ka njerëz të zotë të cilët do mund të punësoheshin”, thotë Misioni.

Mirkoviq prapë insiston se problem është mungesa e kuadrove.

Megjithatë, thotë ai, nën drejtimin e tij ka pasur edhe progres. Mirkoviq ka paraqitur tri prej projekte që i ka cilësuar të suksesshme. Sipas tij, projekti i parë është ndërtimi i një objekti të komunës si dhe asfaltimi i rrugës Mogillë-Vërbofc.

Po ashtu, Mirkoviq ka shtuar se brenda këtij viti pritet të ndërtohet objekti i ri i komunës ku do të vendoset administrata.

Ai thotë se sukses tjetër është edhe një shpërblimi të cilin komuna e tij e ka marrë nga USAID-i me vlerë prej 25 mijë eurosh i ndarë për komunën më transparente nga 38 komunat sa i ka vendi.

Mirkoviq beson se komuna po ashtu ka arritur të ndikojë në shtimin e tolerancës dhe besimit në mes komuniteteve të cilat e popullojnë Kllokotin.