Një qytetar ecën ndanë një xhamie në Kaçanik | Foto: Atdhe Mulla

Komuna malore që e ka problem ujin e pijes   

Kaçaniku, komuna që dikur pretendonte të rriste palma sot vazhdon të përballet me probeme të ujit, infrastrukturës dhe ndotjes së ambientit.

Pasuesi i Xhabir Zharkut, doktori Besim Ilazi, ndryshoi qeverisjen në komunën malore ndërsa qeverisja e tij gjashtëvjeçare vazhdon të përballet me probleme të cilat presin zgjidhje nga pushteti lokal.

Disa minuta në debatin e fundit zgjedhor ishte debatuar për një tabelë të prishur në Shkollën Profesionale të Kaçanikut.

Atëkohë Ilazi mohonte se fotografia ishte e shkrepur në qeverisjen e tij ndërsa debati për arsimin u shfrytëzua për të dhënë premtime për tri shkolla të reja dhe një çerdhe publike.

Të dhënat nga terreni tregojnë se shkollat e premtuara nga Ilazi janë ndërtuar, por shkollat  e tjera të cilat janë vjetërsuar kanë probleme të shumta.

Në qendër të qytezës, shkolla fillore “Emin Duraku” në të cilët mësojnë parashkollorët dhe nxënësit deri në klasën e 5-të, kanë probleme me mykjen e mureve dhe rrjedhjen e ujit.

Problemet pretendohet se janë nga cilësia e dobët  si pasojë e dëmtimit të materialit me të cilin është ndërtuar shkolla.

Foto: Gjendja e mureve në shkollën fillore “Emin Duraku” në Kaçanik. Foto: Adelinë Ahmeti- KALLXO.com
Foto: Gjendja e mureve në shkollën fillore “Emin Duraku” në Kaçanik. Foto: Adelinë Ahmeti-KALLXO.com

Në lidhje me ketë çështje, KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga drejtorit të Arsimit në Komunën e Kaçanikut, Zahir Doda.

“Sigurisht që jam në dijeni dhe vitin e kaluar inxhinierët dyshonin në ventilët e ujësjellësit dhe shumica e tyre janë ndërruar por gjendja nuk ka ndryshuar. Tash dyshohet se depërtimi i lagështisë është si pasojë e izolimit joadekuat gjatë ndërtimit të shkollës. Po e pres vlerësimin e ekspertëve dhe paramasën për të intervenuar dhe mënjanuar këtë problem”, ka thënë Doda për KALLXO.com.

Pak kilometra larg shkollës së vjetër, nxënësit e klasave 6 deri në 9, këtë vit shkollor do të mund të nisin së bashku me mure të cilat janë shfrytëzuar nga dallëndyshet që të krijojnë fole.

Fole të dallëndysheve në cepa të shkollës, mbeturina në oborr, barishte të zgjatura në pjesën e terrenit sportiv të po të njëjtës shkollë, xhama të thyer, mure të demoluara, drurë të cilët nuk janë drejtuar por janë lënë në rrugë, janë disa nga problemet që janë vërejtur në terren.

Gjendja e shkollës “Emin Duraku” në lagjen Dushkaja, Foto: Gentiana Ahmeti- KALLXO.com
Gjendja e shkollës “Emin Duraku” në lagjen Dushkaja, Foto: Gentiana Ahmeti- KALLXO.com

Për këtë shkollë, drejtori i Arsimit, Zahir Doda, thotë se në vitin 2019 ka pasur renovim por jo të përgjithshëm.

“Gjatë verës së vitit 2019 janë mënjanuar disa probleme në SHFMU “Emin Duraku” në Kaçanik, por jo renovim i përgjithshëm”, ka thënë ai.

Një gjendje jo e mirë qëndron edhe në objektin i cili shfrytëzohet si tualet për nxënësit në fshatin Gajre.

Mure të demoluara, pa dyer, këto tualete përdoren në baza ditore nga nxënësit e fshatit Gajre e të cilat mund të ndikojnë në shëndetin e këtyre të fundit.

“Jam në dijeni për tualetet e shkollës në Gajre dhe për këtë në maj 2020 me kërkesë të MASHT-it kam dërguar paramasën për ndërtimin e tualeteve të reja. Deri në realizim të projektit të MASHT-it kam intervenuar në rregullimin e kanalizimit dhe ujësjellësit që sadopak të mbahet higjiena”, ka shpjeguar drejtori i Arsimit në Kaçanik.

Foto: Objekti i cili shfrytëzohet si tualet nga nxënësit e fshatit Gajre, Foto: Adelinë Ahmeti- KALLXO.com
Foto: Objekti i cili shfrytëzohet si tualet nga nxënësit e fshatit Gajre, Foto: Adelinë Ahmeti- KALLXO.com

Një tualet i tillë gjendet edhe te shkolla e re e ndërtuar në fshatin Ivajë, pak kilometra më larg se fshati Gajre.

Drejtori i Arsimit, Zahir Doda thotë se i njëjti objekt do të rrënohet por ka pasur vonesa në zbatim për shkak të pandemisë.

Objekti i cili ka funksionuar si tualet, fshati Ivajë, Foto: Adelinë Ahmeti-KALLXO.com

Komuna e Kaçanikut ka treguar se është në proces gjyqësor me ish- drejtoreshën e çerdhes së vjetër, e cila gjendet në qendër të qytetezës.

Drejtori i Arsimit ka thënë për KALLXO.com se me ndërtimin e objektit të çerdhes së re, e vjetra është mbyllur pasi që nuk ka kapacitete që të aktivizoheshin të dyja.

Drejtori Doda shpjegoi edhe se pse janë në procedurë gjyqësore me ish-drejtoreshën e çerdhes.

“Me ndërtimin e objektit të ri të çerdhes kemi kaluar në atë objekt dhe nuk kemi kapacitete të mjaftueshme me i aktivizu të dyja. Deri sa në komunë diskutoheshin opsionet  për objektin e vjetër, ish-drejtoresha e çerdhes e kishte dhënë në shfrytëzim për 15 vite pa kurrfarë procedure. Pas reagimit tonë këtë problem po e trajton gjykata dhe momentalisht për objektin e vjetër të çerdhes nga gjykata është lëshuar masë e përkohshme”, thotë ai.

Çerdhja e vjetër e pashfrytëzueshme, Foto:Adelinë Ahmeti-KALLXO.com

Në hyrje të fshatit Dubravë gjendet lagjja “Suponicë”. Kjo lagje ka një shkollë “Kadri Zeka” me tri klasë, ku mësojnë nxënësit nga klasa 1 deri në klasën e 4.

Në këtë shkollë nuk është i lidhur ujësjellësi e kanalizimi, madje të shumta kanë qenë edhe insektet të cilat kishin mbuluar edhe dyshemetë e shkollës.

Insektet brenda shkollës në lagjen “Suponicë”, Foto: Gentiana Ahmeti-KALLXO.com

Për gjendjen e shkollës është i njoftuar edhe drejtori i Arsimit.

“Pa u rregullu ujësjellësi dhe kanalizimi nuk parashihet që të fillojë mësimi. Jam i informuar për gjendjen e shkollës. Unë pres që javën e ardhshme të përfundojnë punimet në ujësjellës dhe kanalizim. Dyshemeja vetëm kur të shpallet tender. Dyshemeja vetëm pastrohet dhe dezinfektohet por nuk mund të punojmë pa tender në lidhje me ndërtimin e shkollës. Në lidhje me këtë çështje ka qenë i informuar edhe drejtori i shkollës sepse e kemi  njoftuar se në atë gjendje nuk mund të fillohet mësimi”, ka thënë drejtori Doda.

Kryetari i Komunës së Kaçanikut, në Debat Përnime kishte premtuar ndërtimin e tri shkollave dhe një çerdheje.

Fshati Glloboçicë, Kaçanik i Vjetër dhe Ivajë, janë tri lokacionet e shkollave të reja të cilat janë ndërtuar.

Komuna e Kaçanikut në disa përgjigje për KALLXO.com ka thënë se një numër i shkollave të kësaj komune nuk kanë dalje emergjente.

Drejtori i Arsimit, Zahir Doda, thotë se “tri shkollat e reja dhe çerdhja janë ndërtuar gjatë viteve 2017, 2018 dhe janë dorëzuar në vitin 2019”.

Shkolla e ndërtuar në fshatin Ivajë, Foto: Adelinë Ahmeti-KALLXO.com
Shkolla e ndërtuar në Kaçanik të Vjetër, Foto: Adelinë Ahmeti-KALLXO.com
Shkolla e ndërtuar në fshatin Glloboçicë, Foto: Adelinë Ahmeti-KALLXO.com

Në Komunën e Kaçanikut është ndërtuar edhe një sallë e madhe sportive për të rinjtë që të zhvillohen aktivitete sportive por e njëjta ende nuk është funksionalizuar.

Këtë të fundit e ka konfirmuar edhe vetë drejtori i Arsimit, Zahir Doda, për KALLXO.com.

Salla sportive në Kaçanik, Foto: Adelinë Ahmeti-KALLXO.com

Infrastruktura

Nga infrastruktura në shkolla, gjendja në infrastrukturën urbane nuk është për t’u lëvduar.

Rrugë të shumta, për shkak të punimeve apo automjeteve të rënda janë demoluar madje në një rast Komuna kishte shtruar asfalt në një lagje të fshatit Glloboçicë në të cilën mund të kalojë vetëm një veturë.

Në lagjen “Avdurrahim Shehu” në qendër të qytetit, pjerrtësia e lagjes bën që gjatë vërshimeve të ketë probleme të shumta me të cilat përballen banorët e asaj pjese.

Gjatë kohës sa ekipi i KALLXO.com qëndroi në Kaçanik ka parë punime të cilat ishin duke u kryer në atë lagje, e që për banorët kanë krijuar problem.

Banorët thonë se punimet kanë dëmtuar rrugën, rrjetin telefonik dhe ndriçimin.

Punimet në lagjen “Avdurrahim Shehu”, Foto: Adelinë Ahmeti-KALLXO.com
Punimet në lagjen “Avdurrahim Shehu”, Foto: Adelinë Ahmeti-KALLXO.com

KALLXO.com ka kërkuar sqarime në lidhje me këto pretendime edhe nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Kaçanikut.

“Gjatë zhvillimit të punimeve është e kuptueshme që ka nevojë të dislokohen shtylla të rrymës elektrike, ndërprerje të ndriçimit publik si rrjedhoje e dislokimit të kabllove të cilat janë të shtrira përgjatë kësaj rruge, por të gjitha do të rifunksionalizohen”, thuhet në përgjigjet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Kaçanikut.

Rruga nga Kaçaniku deri në fshatin Glloboçicë është rreth 35 kilometra, Në këtë rrugë përfshihen fshatrat Gajre, Ivanë, Strazhë, Lagjja e Re dhe fshati Glloboçicë.

Ekipi i KALLXO.com ka parë që rrugët nuk janë mirëmbajtur madje ka edhe prishje të asfaltit.

Edhe për këtë Drejtoria e Shërbimeve Publike ka dhënë një arsyetim.

“Komuna e Kaçanikut ka të kontraktuar kompaninë për mirëmbajtjen e rrugëve lokale për intervenim në rastet kur paraqitet nevoja. Në këtë segment është intervenuar në vazhdimësi shkaku i konfiguracionit të terrenit në atë zonë. Të reshurat e fundit kanë shkaktuar rrëshqitje në te cilat është intervenuar me kohë por pasi ky segment ka rrëshqitje te vazhdueshme ndodh që në një periudhë të shkurtër të hasen gurë të rënë gjatë ditës”, thuhet në përgjigje për KALLXO.com.

Rrugët që nuk janë mirëmbajtur, Foto: Adelinë Ahmeti-KALLXO.com
Rrugët që nuk janë mirëmbajtur, Foto: Adelinë Ahmeti-KALLXO.com

Komuna e Kaçanikut i ka thënë ekipit të KALLXO.com në disa përgjigje se rrugët e asfaltuara mirëmbahen.

“Komuna e Kaçanikut ka asfaltuar 240 kilometra rrugë, ku të gjitha këto rrugë janë të mirëmbajtura, qoftë nga shembja e dheut, pastrimi nga bora dhe dëmtimet e tyre eventuale”, thuhet në përgjigjet e Komunës.

Disa banorë të lagjes “Idriz Seferi” në qendër të qytetezës ankohen se tash e katër vite ka mbetur një rrugë e pashtruar anipse kompetencat për atë rrugë kanë kaluar në nivel qendror.

Kontrata për ndërtimin e rrugës që lidh pjesën jugore të Kaçanikut me rrugën nacionale ka mbetur e papërfunduar që nga viti 2016.

Sipas banorëve në këtë rrugë kanë filluar të ndërtohen vetëm trotuaret ndërsa janë ndaluar punimet për shkak të pakënaqësive të Komunës me punimet.

Banorët ia hedhin fajin Komunës se nuk ka bërë kërkesa për shtrimin e rrugës, e cila ka mbetur me gropa dhe vështirë e kalueshme.

Rruga e vjetër e cila dërgon drejtë Maqedonisë, Foto:Adelinë Ahmeti- KALLXO.com

Në lidhje me këto pretendime KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Komuna e Kaçanikut por sipas tyre kjo është punë e Ministrisë së Infrastrukturës, e cila e ka në kompetencë asfaltimin.

Përveë rrugëve, fshatrat Ivajë dhe Glloboçicë kanë problem edhe me ndriçim.

Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Kaçanikut në disa përgjigje për KALLXO.com ka thënë se është planifikuar shtrirja e rrjetit të ndriçimit.

“Drejtoria e Shërbimeve publike dhe Emergjencave ka planifikimet e saja rreth prioriteteve te zgjerimit te rrjetit te ndriçimit publik në zonën urbane dhe ato rurale te komunës. Edhe në këto zona do të planifikohet të shtrihet rrjeti i ndriçimit publik, por gjithmonë duke u bazuar në mundësitë buxhetore të komunës”, thuhet në përgjigjet e drejtorit Ramadush Osmani.

Shëndetësia

Pandemia, e cila ka kapluar botën, ka ndikuar edhe në Kosovë dhe në sistemin shëndetësor. Komuna e Kaçanikut ka të regjistruar 7 persona nga personeli shëndetësor të infektuar me COVID-19, ndërsa nuk mungojnë as problemet e tjera me të cilat ballafaqohet Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare.

Në QKMF në Kaçanik janë të punësuar katër mjekë familjarë, ndërsa sipas zëvendësdrejtorit të QKMF-së, Ekrem Dullovi, kjo Qendër ka nevojë edhe për 10 mjekë të tjerë familjarë.

Në QKMF mungon edhe gjinekologu ndërsa drejtoresha e Shëndetësisë në Kaçanik, Diana Bajrami, arsyeton se puna e mungesës së gjinekologut është bërë e madhe.

“Mungesë me thanë të drejtën ka, pasi që e kemi ekipin në kufi, kemi edhe në pushim të lehonisë, kemi edhe me COVID-19, kryesisht infermierë. Nuk jemi edhe bash mirë, po nuk mujna edhe me u anku shumë, drejtori ka bë zgjidhje. Çështja e gjinekologut pra nuk mundet me qenë në nivel primar, QKMF është nivel primar por, në Kaçanik e bëjnë pak të madhe, sepse qashtu është vendi, është mungesë, por duhet me ditë që në Kaçanik QKMF është primare”, tha drejtoresha Bajrami.

KALLXO.com gjithashtu ka kërkuar nga drejtoresha të dijë në lidhje me anulimin e konkursit për vozitës të autoambulancave në Kaçanik.

“Është anulu për këtë periudhë, askush nuk ka mujt me bë konkurs, për shkak të ndryshimit të ligjit”, tha ajo.

Në QKMF-në në Kaçanik mungon edhe internisti, psikiatri, radiologu, biokimisti.

Në anën tjetër përveç QKMF-së, mungesë të personelit është vërejtur edhe në AMF-të të cilat gjenden në fshatrat e komunës.

KALLXO.com ka vizituar AMF-në në fshatin Strazhë. Kjo AMF përveç që është jashtë funksionit brenda saj gjenden edhe disa dokumentacione dhe dera e hyrjes nuk është e mbyllur me çelës.

Brenda AMF-së gjendet një shtrat, një komodinë për vendosjen e mjeteve mjekësore, një tavolinë e mbushur me letra.

Gjendja e ambulantës familjare në fshatin Shtrazë e cila nuk funksionon, Foto: Adelinë Ahmeti-KALLXO.com
Gjendja e ambulantës familjare në fshatin Shtrazë e cila nuk funksionon, Foto: Adelinë Ahmeti-KALLXO.com

Në fshatin Biçevc, ambulanta punon dy herë në javë sipas banorëve por bodrumi i kësaj ambulante është me xham të thyer e në të cilën gjenden dru për ngrohje.

Foto: AMF në fshatin Biçevc

Gjatë vizitës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, KALLXO.com nuk ka vërejtur ndonjë parregullsi sa i takon gjendjes higjienike.

Deponitë e mbeturinave

Komuna e Kaçanikut i ka thënë ekipit të KALLXO.com se ka të evidentuara 34 deponi të mbeturinave prej tyre 10 janë pastruar në vitin 2019.

Në anën tjetër, deponi të shumta janë parë nga ekipi i KALLXO.com në terren.

Një deponi e madhe e mbeturinave është parë në rrugën e cila të dërgon në fshatin Gajre.

Deponia e mbeturinave, Foto: Adelinë Ahmeti- KALLXO.com
Deponia e mbeturinave, Foto: Adelinë Ahmeti- KALLXO.com

Mbeturina të shumta janë parë edhe në një deponi në fshatin Glloboçicë.

Një deponi tjetër e mbeturinave është edhe në fshatin Nikaj.

Deponia me mbeturina në fshatin Nikaj, Foto: Adelinë Ahmeti-KALLXO.com
Deponia në fshatin Llanishtë, Foto: Adelinë Ahmeti-KALLXO.com
Deponia në fshatin Llanishtë, Foto: Adelinë Ahmeti-KALLXO.com
Foto: Mbeturinat në rrugën Mejdi Dalloshi në qendër të komunës së Kaçanikut

Përveç problemeve me mbeturina, banorët e fshatit Ivajë kanë pasur probleme edhe me kanalizim. Kanalizimi i këtij fshati rrjedh në përroskat e fshatit dhe krijojnë erë të pakëndshme.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Drejtoria e Shërbimeve Publike ka treguar se projekti i kanalizimit është ndalur për shkak të buxhetit.

“Edhe ky projekt financohet dhe mbikëqyret nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit. Arsyeja e ndërprerjes se punimeve është shkaku  i shkurtimeve buxhetore te bëra me rishikim te buxhetit ne nivel qendror. Kompania me siguri qe ka kryer punimet ne vlerën e buxhetit te alokuar për këtë vit”, ka thënë drejtori i Shërbimeve Publike, Ramadush Osmani.

Ndërprerja e punimeve për ndërtimin e kanalizimit në fshatin Ivajë, kanalizimi derdhet në rekën e cila është afër shkollës, Foto: Adelinë Ahmeti-KALLXO.com

 

 

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).