Komuna e Fushë-Kosovës sërish subvencionon vetveten

Ndonëse tenderi ishte thirrur për blerjen e mekanizmit bujqësor për fermerët, përbrenda kësaj kontrate, ishte blerë edhe mekanizëm bujqësor për nevoja të komunës. Një veprim i tillë në tenderin e ngjashëm të vitit 2020, ishte konsideruar në kundërshtim me rregulloren për subvencionim, për shkak se komuna nuk mund të subvencionoj vetveten. Nga komuna, arsyetohen se rekomandimi auditorit kishte ardhur pasi që komuna kishte kryer procedurat tenderuese. Sipas tyre, kontrata është implementuar në tërësi, krejt çka u blenë për fermerë u janë dhënë atyre, ndërsa pjesa tjetër për nevoja të komunës.

Në maj të vitit 2020, Komuna e Fushë Kosovës hapi tender për t’u furnizuar me mekanizëm bujqësor për blerjen e së cilave kishte parashikuar të nënshkruaj kontratë në vlerë deri 75,000 euro.

Sipas njoftimit, komuna mjetet i kishte siguruar nga buxheti i konsoliduar i Kosovës, donacionet dhe vetanake.

Për këtë tender u përdor procedurë e hapur e prokurimit, me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të lartë ishte 73,970 euro ndërsa tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët ishte 70,342 i kompanisë “Agrovin” Sh.P.K, me të cilën komuna më pas nënshkroi kontratë.

Nëpërmjet kësaj kontrate, komuna kishte blerë mekanizëm të ndryshëm bujqësor si kosa, plugj, freza, makina për mbjelljen e grurit dhe misrit, prerëse bari, minitraktorë, etj.

Ky tender ishte ekzaminuar nga auditori i përgjithshëm me ç ‘rast u gjet që, nuk ishte shpërndarë i gjithë mekanizmi tek fermerët.

“Furnizimi me mekanizëm bujqësor ‘’ (96 copë) për fermerët përfitues të komunës në vlerë prej 70,342€ nuk ishte shpërndarë i gjithë mekanizmi për fermerët, si: Trimer Kositëse bari (2 copë), Kultivator WM 1100A-6 (2copë), Kositëse me benzin Beker LP-LM61 (2copë), Prerëse bari professional për fusha futbolli Traktor villager VT 1000HD dhe Prerëse bari për parqe dhe fusha futbolli Traktor villager VT 980 ishin mbajtur në depo të komunës për qëllim të mirëmbajtjes për nevojat e komunës. Vlera e tyre totale sipas furnizimit është 6,710€. Mekanizmat bujqësore të mbajtura në depo nuk ishin regjistruar si pasuri të komunës”, thuhej në gjetjen e auditorit.

Zyrtari përgjegjës para auditorit ishte arsyetuar se disa nga furnizimit ishin destinuar për nevojat e komunës.

Mirëpo, mos shpërndarja e gjithë mekanizmit bujqësor për fermerët e komunës për çfarë është paraparë edhe me thirrjen publike, sipas auditorit ishte në kundërshtim me rregulloret e subvencioneve, për shkak se komuna nuk mund ta subvencionoj vetveten, por nëse ka nevojë për mjete të tilla, ajo duhet t’i blej dhe financoj këto pajisje nga programet tjera dhe jo nga subvencionet e parapara për stimulimin dhe zhvillimin e bujqësisë.

Kreut të komunës iu kishte rekomanduar që të siguroj që mjetet e dedikuara për subvencionim të fermerëve sipas thirrjes publike, të shpërndahen të gjitha për fermerët dhe nëse komuna ka nevojë për pajisje të tilla, furnizimet t’i kryej nga linjat tjera buxhetore dhe t’i regjistroj si pasuri.

Për të mësuar më shumë lidhur me implementimin e kësaj kontrate, KALLXO.com ka kontaktuar edhe drejtorin për Bujqësi dhe zhvillim rural të Komunës së Fushë Kosovës, Mehmet Gërguri.

Për KALLXO.com, Gërguri thotë se ato janë që janë të komunës janë në depo që jepen për shërbime publike.

“Komisioni kur i ka pranu, ato që janë të fermerëve ju kanë dhanë fermerëve këto tjerat çka janë kanë shku në shërbime publike për nevojat komunale”, tregon Gërguri.

Drejtori Gërguri thotë se janë të regjistruara, se prej momentit që kalojnë në shërbime publike edhe ju vendoset kodi.

Situatë e njëjtë, në tjetër tender pas një viti

Në maj të vitit 2021, komuna hapi një tjetër tender për furnizim me mekanizëm bujqësor. Procedurë e njëjtë e prokurimit dhe i njëjti kriter, çmimi më i ulët si në tenderin e vitit 2020.

Për realizimin e kësaj blerje komuna kishte parashikuar të nënshkruaj kontratë deri 100,000 euro, mjete këto të siguruara nga buxheti i konsoliduar i Kosovë. Që i bie që komuna kishte ndarë 25 mijë euro më shumë se në tenderin paraprak.

Komuna-Fushe-Kosove-Njoftimi-per-kontrate-Furnizim-me-mekanizem-bujqesor
Komuna Fushë Kosovë-Njoftimi për kontratë-Furnizim me mekanizëm bujqësor

Në këtë aktivitet të prokurimit u pranuan tre tender, ku dy nga ta ishin të përgjegjshëm.

Tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të lartë ishe 98,820 euro ndërsa tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët ishte 94,653.20 euro i kompanisë “Komtel Project Engineering” Sh.P.K. e cila u rekomandua për kontratë.

Kundrejt vendimit për dhënie të kontratës, ishte parashtruar kërkesë për rishqyrtimit të vendimit, mirëpo pretendimet e ngritura u refuzuan si të pa bazuara nga komuna.

Komuna nënshkroi kontratë me operatorin ekonomik “Komtel Project Engineering” Sh.P.K. me vlerë të përgjithshme 94,653.20 euro.

Komuna Fushë Kosovë, Kontrata Furnizim me mekanizëm bujqësor
Komuna Fushë Kosovë, Kontrata Furnizim me mekanizëm bujqësor

Shefi i zyrës së prokurimit në Komunën e Fushë Kosovës, Bedri Obertinca për KALLXO.com tha se është përbushur kontrata

“Po gjithësi, ka përfunduar, në fund të dhjetorit është përmbyll”, tha Obertinca.

Sipas tij. kanë ardhë pajisjet dhe është kryer pagesa.

Në anën tjetë, drejtori i bujqësisë dhe zhvillimi rural Mehmet Gërguri, tha se edhe në këtë tender, përveç blerjes të mekanizimit bujqësor për fermerë u blenë mekanizëm bujqësor edhe për komunën.

Gërguri thotë se pjesa më e madhe e mëkanizmit bujqësorë është blerë për fermerët ndërsa pjesa tjetër për nevoja komunale.

“99 për qind janë të fermerëve, një pjesë e tyre është marrë për xhamia, për rrugë që e bëjnë pastrimin domethënë komuniteti vijnë i marrin te na kryejnë shërbimet dhe i kthejnë”, thotë ai.

Sipas tij, krejt çka u blenë për fermerë u janë dhënë fermerëve, me kontrata me marrëveshje me 20 përqindëshin, ndërsa pjesa tjetër për nevoja të komunës. Janë të evidentuara dhe mbahen në shërbime publike.

“Një pjesë e tyre që e kemi për shembull traktorin, trimera për kositjen e barit për shfrytëzim u jepen për xhamia, për kisha, për me i pastru trotuaret dhe kthehen prapë” , tregon ai.

Mehmet Gërguri për KALLXO.com tregoi se deri të përsëritja e situatës si tek tenderi paraprak, të blerjes së mekanizmit bujqësor për nevoja të komunës së bashku me mekanizmin bujqësor për fermerët ishte se, rekomandimi i auditorit ishte bërë pasi që komuna kishte dorëzuar paramasat dhe kishte përfunduar procedura tenderuese.

Më tej ai shtoi se në muajin maj është dorëzuar paramasa ndërsa auditori e ka dhënë në muajin gusht rekomandimin.

Sipas Gërgurit në vitet në vijim nuk do të përsëritet.

Ndryshe, në tenderin për furnizim me mekanizëm bujqësor të vitit 2020, ku i njëjti zyrtar që kishte përgatitur paramasat, ishte anëtar i komisionit vlerësues si dhe kryetar i komisionit për mbikëqyrje të kontratës, ku sipas Gërgurit kjo kishte ndodhur për shkak se  një, dy zyrtarë kanë punu se kanë qenë krejt me COVID se, ka qenë viti i pandemisë, dhe për mos me u ndërpre projekti.

Ndërsa për tenderin e vitit 2021, Gërguri thotë se janë zyrtarë të ndryshëm.

“Për këtë tender janë të ndamë, paramasat dhe zbatimin e projektit e bëjnë njerëz të ndryshëm”, tha Gërguri.