Komuna e Prishtinës kontratë në vlerë prej 100 mijë euro për përfaqësim ligjor

Komuna e Prishtinës, në kohë pandemie, ka nënshkruar një kontratë në vlerë prej 100 mijë euro për përfaqësim ligjore pa procedura të hapura të prokurimit, pas disa vendimeve të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Kjo e fundit i kishte dhënë të drejtë komunës së Prishtinës për anulimin e tenderit pas disa ankesave dhe kishte kërkuar që të hapet një tender i ri. Komuna e Prishtinës e ka zgjedh rrugën e shkurt duke nënshkruar kontratë përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, pra pa tender të hapur.

Komuna e udhëhequr nga Shpend Ahmeti e ka angazhuar biznesin ‘Avokatura Istrefi’ që ka qenë në garë në tenderin e parë, porse ishte eliminuar për shkak të mungesës së dokumentacionit të kërkuar.

Vlera e parashikuar për këtë projekt ka qenë 100 mijë euro, mirëpo Komuna e Prishtinës e ka publikuar vetëm shumën e përmbledhur për shërbimet e kërkuara që është 118,91 euro.

Kontrata është lidhur me procedurë të negociuar, ndërsa në Komunën e Prishtinës thonë se i kanë ftuar dy kompani për oferta. Pra, nuk janë ftuar të gjitha kompanitë që kishin ofertuar në tenderin e parë që të dorëzojnë ofertat e tyre edhe në tenderin e shpallur sipas procedurës së negociuar.

“Kemi ftuar dy kompani, kemi përzgjedhur Operatorin Ekonomik që kanë ofertuar në procedurë të hapur dhe të cilët kanë pasur çmime më të arsyeshme të shërbimeve ligjore dhe që nuk kanë tejkaluar çmimet referente të odes se avokatëve”, ka thënë Komuna e Prishtinës në përgjigjen për KALLXO.com duke sqaruar se njëra kompani ishte eliminuar meqë kishte dorëzuar ofertën në mënyrë fizike.

Komuna e Prishtinës thotë se kanë nënshkruar kontratë 6 mujore për përfaqësim ligjor deri në shpalljen e një tenderi të ri.

“Autoriteti ynë kontraktues ka pasur mungesë të stafit të zyrës ligjore si dhe numër të madh  të lëndeve për përfaqësim të gjykata të cilat e kanë pasur afatin kohorë të caktuar, prandaj ka qenë e domosdoshme zhvillimi i një procedure të negociuar të ndarë nga procedura e hapur, kjo procedurë është shpallur për të kontraktuar një OE për shërbime ligjore të Komunës për 6 muaj deri në zgjidhjen e ankesës në OSHP”, thuhet në përgjigjen e komunës së Prishtinës.

Anulimi i tenderit

Tenderi i parë është hapur me 8 nëntor të vitit 2019 dhe në të kishin marrë pjesë 4 operatorë ekonomikë.

Operatorët ‘Jupolli&Associates’ ,‘Avokatura Istrefi’ , ‘Ardita Morina’ ‘Deloitte Kosova; Halil Palaj’ me datë 18 dhjetor 2019 ishin eliminuar për arsye se nuk ishin ‘administrativisht të përgjegjshëm’.

Por, më pas kishte ankesa në shkallën e parë dhe të dytë, përkatësisht në Komunën e Prishtinës si autoritet kontraktuese dhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

OSHP-ja kishte lëshuar dy vendime për këtë tender.

Në vendimin e muajit shkurt, OSHP-ja kishte marrë vendim që e kishte aprovuar pjesërisht ankesën e operatorit ekonomik Avokat ‘Ardita Morina’ në lidhje me tenderin.

OSHP-ja duke u nisur nga të dhënat dhe në bazë të ekspertit të prokurimit, kishte ardhur në përfundim se anulimit i tenderit është bërë në harmoni me Ligjin e LPP-së, për faktin se oferta e operatorit ankues nuk ka plotësuar kërkesën e autoritetit kontraktues. OSHP-ja kishte vërtetuar njoftimin për anulimin e tenderit nga ana e komunës së Prishtinës.

Operatori “Ardita Morina” serish ishte ankuar në OSHP kundër njoftimin për anulim të tenderit. Organi Shqyrtues i Prokurimit sërish i kishte jap të drejtë Komunës së Prishtinës për anulimin e tenderit duke konstatuar se komuna e Prishtinës ka anuluar tenderin për faktin se oferta e operatorit ekonomik nuk ka qenë konform kërkesave dhe se duke pasur parasysh faktin se nuk ka pasur oferta tjera të përgjegjshëm dhe për këtë arsye anulimi i tenderit duhet të mbetet në fuqi.

“Sipas këtij vendimi paneli shqyrtues ka aprovuar si pjesërisht të bazuar ankesën e Operatorit Ekonomik, ndërkaq ka lënë në fuqi vendimin e autoritetit kontraktues për anulimin e aktivitetit të prokurimit, për faktin se është vërtetuar se AK kur ka hartuar dosjen e tenderit dhe ka publikuar njoftimin për kontratë nuk ka paraparë qartë kërkesat e tij për shërbime konsulence”, thuhet ndër të tjera në vendimin  e Organit Shqyrtues të Prokurimit.