Komuna e pafuqishme karshi objektit pa leje te ‘Abi Çarshia’ - VIDEO

Një mal institucionesh i kanë dalë kundër rrënimit të objektit brenda kompleksit të qendrës tregtare ‘Abi Çarshia’, pronë e ish-kandidatit për deputet i PDK-së, Irfan Fusha. Inspektorët e komunës përveç pengesave me të cilat u përballën gjatë tentativave për rrënim ata tani po hetohen edhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Më 29 shtator të vitit 2018 u përurua një nga qendrat më të mëdha tregtare në Prizren.

Pronar i kësaj qendre është  Irfan Fusha dhe sipas tij ndërtimi i kësaj qendre ka kushtuar afro 20 milionë euro.

Kjo qendër u ndërtua mbi tokën që Irfan Fusha e ka privatizuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në vitin  2011.

 Irfan Fusha ka marrë leje ndërtimore nga Komuna e Prizrenit në vitin 2017 për të ndërtuar objektin e ilustruar me ngjyrë të gjelbër që është qendër tregtare ndërsa ka vazhduar të punojë edhe jashtë kësaj leje në pjesët e ngjyrosura me të kuqe. Me ngjyrë vjollce është ilustruar rruga publike e paraparë me planin rregullues të komunës.

Më 11 prill të vitit 2017, Komuna e Prizrenit e pajisi me leje ndërtimore Irfan Fushën për objektin me sipërfaqe bruto 23 mijë e 654 metra katrorë. Në vitin 2017 Fusha filloi ndërtimet në këtë zonë që është e rregulluar me një plan të hollësishëm rregullues.

Për qendrën e tij tregtare, Fusha tejkaloi lejen e ndërtimit. Një pjesë e kësaj qendre tregtare është ndërtuar pa leje dhe për më tepër mbi tokën ku parashihet një rrugë publike.

 Drejtori i Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, Islam Thaçi tha se komuna ishte munduar që përmes negocimeve të arrijnë marrëveshje ligjore me investitorin që sipas tij ishte e pamundur.

“Komuna nuk mund të heq dorë nga një plan i hollësishëm rregullativ, për shkak të një individi, të i bllokojë disa mijë qytetarë me mos hapjen e rrugës në atë pjesë. Pavarësisht se investitori thirret në hapjen e 1 mijë e 200 vendeve të reja të punës, do të bëhet dëm shumë më i madh për 1 mijë e 200 familje të tjera që do të bllokohen në qasjen infrastrukturore në qytet… Një investitor që bën një investim milionësh, ta bën me vetëdije të plotë një shkelje të tillë ligjore , të mos heton se ku po ndërton kjo për mu është absurde”, tha ai.

 Në anën tjetër, Irfan Fusha që është anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, në një intervistë për KALLXO.com, vitin e kaluar  tha se zyrtarët komunalë të Prizrenit në kohën kur komuna udhëhiqej nga PDK-ja e kishin siguruar se rruga publike nuk ishte e realizushme ndërsa ndërtimi pa leje mund të legalizohej.

I pyetur se pse e ka  parë të arsyeshme me dalë jashtë lejes ndërtimore ai tha se “sepse kjo pjesë e pronës ka qenë e jona edhe diqysh s’munesh me shfrytëzu masi bllokohet kjo pjesë dhe ne e pamë të arsyeshme të ndërtojmë edhe këtu”

“..me fjalë të komunës të qeverisjes së atëhershme ka qenë që mund të legalizojmë apo të marrim leje shtesë për këtë pjesën tjetër.. smë kujtohet kush por prej urbanizmit në atë kohë që ndërkohë hyn në fuqi ligji dhe do të legalizohet mirëpo në ndërkohë na ka nxanë qeverisja tjetër që kemi pasë problem me qeverisjen e re”, tha Fusha,

KALLXO.com ka provuar të marrë një qëndrim nga ish-Drejtori i Inspektorateve në Prizren ,Bujar Hasani lidhur me atë se pse nuk janë bërë inspektime më të shpeshta në këtë objekt në kohën kur ka filluar ndërtimi,i por i njëjti ka refuzuar të intervistohet.

Megjithatë, personi që nuk ka hezituar të flasë për këtë çështje është ish-drejtori i urbanizmit, Njazi Kryeziu.

Megjithëse Kryeziu ishte drejtor deri në vitin 2016, pra para se ‘Abi Carshia’ ta merr lejen ndërtimore ai ishte mjaft i infomuar lidhur me idenë biznesore të bashkëpartiakut të tij dhe problemet me të cilat po has tani.

Unë mendoj që Irfan Fusha dhe familja Fusha janë shumë të njohur në tregun e biznesit, nuk është e vetmja karakteristikë e tij, të qenurit anëtar i PDK-së… Po kam qenë pjesë e bisedimeve ose konsultave kur z.Irfan Fusha ka dashur të fillojë investimin… ai ka ardhur në zyrën  time edhe ma kanë shpjeguar projektin ideor… si ide ka qenë dicka që i është dashtë jo vetëm Komunës së Prizrenit por edhe Republikës së Kosovës..ka qenë qasje agresive ndaj PDK-së, nuk është investitor PDK-ja po Irfan Fusha…”

Njazi Kryeziu që ka qenë edhe Këshilltar i Kryeparlamentarit Kadri Veseli është edhe pjesë e aktakuzës së ashtuquajtur ‘Pronto’. Ai thotë se nuk i ka pëlqyer sjellja e individëve në komunën e sotme të Prizrenit karshi investimit të Irfan Fushës.

”Unë mendoj që gjuha që është zgjedhur- nuk jam për asnjë tejkalim nga asnjë investitor- por unë mendoj që nuk janë konsumuar të gjitha , komuna ka qenë shumë agresive, jo komuna si organizatë por individët. Mytaher Haskuka është qytetar i Prizrenit dhe nuk është dashur në këtë trajtë të kalojë ky investim. Jam mik i familjes Fusha, nuk janë njerëz që nuk negociojnë. Diskursi ishte dashtë të jetë më bashkëkohor”

Drejtori i Urbanizmit që erdhi pas Njazi Kryeziut ishte Visar Islamaj i cili përmes emailit u përgjigj pyetjes se çfarë i kanë thënë investitorit në kohën e dhënies së lejes.

“Sipas ligjit për ndërtim dhe planifikim, leja ndërtimore lëshohet mbi bazën e një plani rregullues urban aty ku ka, leja për invesitorin në fjalë është lëshuar mbi bazën e planit rregullues urban, dhe pas lëshimit të lejes ndërtimor përfundojnë përgjegjësit e urbanizmit në implementim e saj, sa i përket asaj që t’i ketë thënë dikush se tejkalimet trajtohen me ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, unë mbaj përgjegjësi për atë çka i kanë lejuar arkitektët dhe e kam nënshkruar unë si drejtor, deklarime të tilla nuk kam bërë as me invesitorin në fjalë e as me asnjë invesitor tjetër që ka shpreh interesim për të ndërtuar në qytetin e Prizrenit”, tha Islami

Më 31 korrik të vitit 2018, Komuna e Prizrenit nxori një vendim ku kërkohet rrënimi vullnetar i pjesës së objektit pa leje tek ‘Abi Çarshia’.Investitori u ankua në Ministrinë e Mjedisit më 13 gusht për këtë vendim.

Më 24 gusht, komuna nxjerr vendim për ekzekutim të rrënimit dhe del në terren për të bërë rrënimin më datën 27 gusht.

Pikërisht në këtë ditë, pak pasi  bageri i komunës rrëzoi bllokat e parë të këtij objekti,  komunës i erdhi një vendim nga Ministria e Mjedisit e cila anulon aktvendimin fillestar të komunës që kërkon rrënimin vullnetar të objektit në fjalë.

 Sipas këtij vendimi “Obligohet Drejtoria e Inspektorateve- Inspektorati Komunal i Ndërtimtarisë, Komuna Prizren të mos ndërmerr asnjë veprim, ndërsa aneksi shtesë i ndërtuar pa leje në kuadër të objektit me leje, të trajtohet sipas Ligjit Nr.06/L-024, për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje”.

Sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku tha se komuna ka bërë shkelje administrative në vendimin për rrënim, ndërsa sipas tij ky objekt duhet tè trajtohet me Ligjin për Ndërtime pa Leje

“Në kontekstin e planit rregullues të hollësishëm, kjo lëndë është brenda një zgjidhje urbane ku rruga që ka qenë e projektuar ka qenë brenda pronës së investitorit dhe komuna nuk ka marrë asnjë veprim drejt shpronësimit apo këmbimit të kësaj toke dhe t’i lirohet investitorit. Janë shumë arsye të tjera sepse nëse një leje e lëshuar nga organet komunale tejkalon parametrat atëherë duhet që kjo të shikohet mundësia se a mund të amandamentohet dhe të kthehet në parametrat e lejuar.., pjesa duhet të trajtohet në kuadër të Ligjit për Ndërtime pa Leje dhe nëqoftëse edhe kjo pjesë shterret si mundësi atëherë mund të vie deri tek rrënimi”

 Sekretari po ashtu ka fjalë të mira për Irfan Fushën dhe  madje konsideron se Prizreni duhet të ndihet krenar me investitorin e jo t’i krijojë problem.

“Unë nuk i komentoj deklaratat politike, ne vendimet tona i bazojmë mbi bazën e fakteve, mbi bazën e ligjit dhe si të tilla i marrim. Zotin Fusha e njohim përmes televizionit si fytyrë publike, është biznesmen i respektuar për të cilin mendoj se qyteti i Prizrenit do të duhej të ndjehej krenar për veprën të cilën e bën dhe te unë nuk ka asnjë ndikim politika në vendimmarrjen që e kemi brenda ministrisë”

 Mirëpo me këtë arsyetim nuk u bind Drejtori i Zyrës Ligjore të Komunës së Prizrenit, Arben Krasniqi, që ka iniciuar padi ndaj Ministrisë së Mjedisit.

 “Komuna duke pasur parasysh që organi i shkallës së dytë e ka pezulluar vendimin tonë, kemi inicuar procedurë, kontest administrative, realisht kemi hapur konflikt administrativ tek gjykatat kompetente”

Pak para hapjes zyrtare të qendrës, Komuna e Prizrenit gjeti edhe një shkelje tjetër që sipas tyre e ka bërë investitori.

Ata kanë konsideruar se qendra nuk mund të hapet zyrtarisht pa e pasur duke hapur zyrtarisht  lejen e përdorimit apo pranimin teknik të objektit që sipas tyre paraqet rrezik për sigurinë e personave që e përdorin objektin.

Lidhur me këtë, Irfan Fusha thotë  se nuk ka qenë në dijeni se duhet të bëhet pranimi teknik para hapjes, ndërsa thotë se inspektoret komunale ia kërkuan këto dokumente vetëm dy ditë para hapjes zyrtare qe ishte lajmëruar kohë më parë.

Ditën kur ishte paraparë hapja solemne për shkak të mungesës se lejes së përdorimit (pranimit teknik), komuna kishte vënë shiritat tek objekti ndërsa ato ishin larguar më vonë kur ishte ceremonia e hapjes.

Inspektorët e komunës u treguan shumë efikas në investigimin e vazhdueshëm të ‘Abi Çarshisë’, megjithatë KALLXO.com pyeti se sa objekte në të vërtetë kanë lejen e përdorimit në këtë komunë.

“Ka disa objekte… Janë 42 lëndë të ndryshme që ne i kemi dorëzuar në prokurori. Kemi objekte që kanë tejkalim ndërtimor dhe është bërë pranimi teknik… besoj që janë më pak se 20 pa pranim teknik”, tha Thaqi.

Më 23 korrik të  vitit 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të dytë Ligjin për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje ndërsa i njëjti hyri në fuqi më 20 gusht të vitit 2018 ndërsa pritet të trajtojë vetëm objektet e ndërtuara pa leje para kësaj date.

Që nga ajo kohë kanë kaluar rreth 10 muaj, mirëpo në gjykatë nuk kanë filluar procedura lidhur me padinë e komunës. 

Inspektimet e objektit vazhduan dhe komuna pa se punimet kishin vazhduar dhe objekti ishte funksionalizuar.

Më 10 prill të këtij viti, Komuna nxori vendim që e urdhëron Irfan Fushën t’i ndërpresë punimet, ndërsa më 26 qershor, komuna e Haskukës i jep afat 15 ditë për rrënim vullnetar të kësaj pjese. 

Më 19 korrik inspektorët dalin përfundimisht në teren për ta ekzekutuar vendimin për rrënim.

Atje ata hasën në rezistencë për të filluar rrënimet.Rrënimi megjithatë vazhdoi dhe shkaktoi reagime të ashpra nga ‘Abi Çarshia’ që po kërkon edhe kompensim të dëmit nga komuna.

Avokati i këtij investitori, Engjëll Rexhepi tha ata kishin aplikuar për legalizim të objektit vetëm një ditë para se të bëhej rrënimi.

Kundër këtij rrënimi doli edhe Prokuroria e Prizrenit. Kryeprokurori, Admir Shala doli me konferencë enkas për këtë çështje duke kërkuar nga komuna që mos ta shkel ligjin.

“Nëse investitori ka aplikuar për legalizim të objektit, objekti nuk guxon të rrënohet, edhe nëse aplikacioni nuk është pranuar kjo nuk mund të ndodhë pa i shfrytëzuar edhe mjetet e ankesës edhe në shkallë të parë edhe të dytë. Përderisa komuna nuk ka dalë me ndonjë vendim për legalizim duhet të përmbahet nga veprimet tjera, të cilat mund të jenë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me ligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje, kjo çështje është nën hetim penal dhe përderisa jemi në hetime, i lutemi zyrtarëve që të përmbahen nga veprimet e kundërligjshme”, tha  Admir Shala, Kryeprokuror i Prizrenit.

Komuna pas kësaj, insistoi se nuk ka marrë ndonjë urdhër nga prokuroria për ta ndalur rrënimin dhe thanë se nuk do të dorëzohen karshi presioneve që po iu bëhen në mbrojtje të ‘Abi Çarshisë’.

Tentimi i fundit i komunës për rrënim sot më 25 korrik rezultoi me një vendim të Gjykatës së Prizrenit që e ndalon rrënimin.

Vendimi erdhi një ditë pasi avokatët e ‘Abi Çarshisë’ kërkuan caktimin e masës së sigurisë për këtë objekt.

Drejtori i Inspektoratit, Islam Thaqi, tha se do ta respektojnë këtë vendim.

Sipas vendimit të gjykatës, prokuroria ka nisur hetime për disa zyrtarët komunalë lidhur me keqpërdorim të detyrës zyrtare.