Foto: Komuna e Mitrovicës

Komuna e Mitrovicës paguan 1,5 euro për një lule sezonale

Komuna e Mitrovicës ka porositur vetëm 11 prej 28 produkteve dhe shërbimeve që janë pjesë e kontratës në vlerë 1.2 milion euro për mirëmbajtjen, ngritjen dhe rivitalizimin e sipërfaqeve të gjelbëruara dhe parqeve në qytet.

Për 11 produkte dhe shërbime të porositura Komuna ka shpenzuar 509 mijë e 456 euro nga kontrata e nënshkruar në tetor të vitit 2019 me kompaninë “Ambienti.G”. Edhe pse ka kaluar gjysma e kohës prej kur është nënshkruar kontrata, ende nuk janë porositur asnjëherë 17 produkte dhe shërbime.

Në mesin e 17 produkteve dhe shërbimeve që nuk janë porositur asnjëherë deri tani, janë 11 pozicione janë në vlerë 1 cent për copë ose metër katror. Dy pozicione të tjera që nuk janë porositur asnjëherë janë në vlerë 2 centë, një është në vlerë 4 centë, dy në vlerë 10 centë dhe një në vlerë 12 centë.

Komuna e ka kontraktuar me 10 centë për furnizim dhe mbjellje të një trëndafili të ulët dhe të lartë. Kurse, lulet sezonale janë kontraktuar me një çmim prej 1,5 euro.

Me 1,5 euro kompania ka ofertuar edhe për një ulëse të parkut për dy persona, në çmimin e së cilës hyn edhe lyerja me material mbrojtës kundër lagështisë dhe insekteve. Kompania ka ofertuar me 1 cent për mirëmbajtjen e një druri dekorativ ndërsa me 50 centë për një shportë bërlloku.

Por asnjëra prej këtyre produkteve nuk është porositur deri tani.

Komuna në hapjen e tenderit kishte publikuar listën me 28 produkte dhe sasinë duke përdorur procedurën me poentim të çmimit. Kjo mënyrë e vlerësimit të ofertave ka bërë që të shpallet fituese që kishte ofertuar me çmime jonormalisht të ulëta në shumicën e pozicioneve të kërkuara.

Komuna e Mitrovicës deri tani ka porositur produkte dhe shërbime që kanë çmime më të larta. 

Shërbimi që është porositur më së shumti nga fillimi i kontratës është “Mbledhja, grumbullimi dhe largimi i mbeturinave deri në deponi nga të gjitha sipërfaqet gjelbëruese dhe parqet”. Ky pozicion është ofertuar me metër katror dhe kompania ka ofertuar me 2 centë për metër katror.

Që nga nënshkrimi i kontratës, Komuna e Mitrovicës ka paguar 283 mijë euro për mbledhjen, grumbullimin dhe largimin e mbeturinave për 14 milionë e 151 metra katrorë.

Komuna ka porositur 10 herë deri tani shërbimin “Përkujdesja për sipërfaqet e gjelbëruara ku hyjnë: Kositja e rregullt e barit, bartja e barit deri në deponi, sipas kërkesës se AK”, duke shpenzuar 140 mijë e 706 euro.

Edhe pse ka produkte dhe shërbime që nuk janë porositur asnjëherë deri tani, ka edhe produkte sasia e kontraktuar e të cilave është drejt fundit. Edhe pse ka kaluar vetëm një pranverë që nga nënshkrimi i kontratës, Komuna e Mitrovicës ka porositur 42,479 lule sezonale duke shpenzuar 63 mijë e 718 euro. 

Sasia e luleve që është kontraktuar deri në fund të kontratës është 50 mijë lule, pra janë edhe 7 mijë e 521 lule sezonale që nuk janë porositur. Meqë kemi të bëjmë me kontratë kornizë, Komuna mund të porosisë deri në 30% më shumë lule se sa sasia indikative e caktuar në kontratë.

Disa pozicione që ishin të paraqitura në listën e çmimeve, të cilat u ofruan nga kompania me çmim jo-normalisht të ulët, e ndihmuan kompaninë që të dalë fituese me çmimin me të ulët të peshuar në total.

Oferta e kompanisë fituese është kontestuar nga një kompani tjetër konkurruese në tenderin 1.2-milionësh.

Kompania “Milenium Konstruktion shpk & Bajraktari shpk & Integral shpk” është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit kundër vendimit të Komunës së Mitrovicës për dhënie të kontratës për kompaninë “Ambienti.G”.

Sipas kompanisë së eliminuar, nëse kalkulohet totali i çmimeve për njësi me sasinë indikative del që oferta e tyre është për 204 mijë euro më e lirë se sa e kompanisë fituese.

Këtë pretendim të ankesës, Paneli Shqyrtues i OShP-së e kishte vlerësuar si të bazuar por nuk nuk e kishte ndaluar Komunën e Mitrovicës që të nënshkruajë kontratën me kompaninë e cila ishte rekomanduar për kontratën 1.2-milionëshe pasi kompanisë ankuese nuk ju kishin miratuar disa pretendime të tjera për ofertën e tyre.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga Komuna e Mitrovicës se pse nuk janë porositur disa produkte dhe shërbime asnjëherë deri tani.

Shefi i Sektorit të Infrastrukturës në Komunën e Mitrovicës, Fisnik Ibrahimi ka thënë se deri në vitin 2022, në përfundim të kësaj kontrate do të porositen të gjitha produktet. Ai është arsyetuar me pandeminë COVID-19 për produktet që nuk janë porositur asnjëherë deri tani.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me pronarin e kompanisë e cila ka fituar kontratën për mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbëruara në Komunën e Mitrovicës.

Gani Mlinaku, pronar i kompanisë “Ambienti.G”, ka thënë se ata si kompani kanë llogari të konkurrojnë me çmime që janë jo-normalisht të ulëta dhe mund t’i mbulojnë shpenzimet e kompanisë.

Kontrata kornizë në vlerë 1.2 milion euro do të përfundojë në tetor të vitit 2022.