Termocentral , Obiliq , Kek

Komuna e hirtë

Jeta në Obliq, komunën afër Prishtinës, mund të portretizohet si histori e Kalasë së Rozafës, e cila ndërtohej deri në mbrëmje, por në mëngjes ishte e rrënuar. Për vite me radhë qytetarët e kësaj komune kanë parë projekte të ambientit tek inaugurohen, e në fund sërish jetojnë nënë pluhurin dhe hirin e termoelektranave.

Për të kompensuar ndotjen dhe pasojat nga Termocentralet dhe mihjet e qymyrit, Obiliqi ka një ligj i cili i garanton një buxhet gati të dyfishuar, por pasqyra e Obiliqit është pothuajse e njëjtë: ambient i ndotur e pa gjelbërim e fshtra të izoluara skaj eskavatorëve të KEK-ut që punojnë 24 orë, 356 ditë në vit.

Nga fondet shtesë për komunën është tentuar të investohet në ambient por të dhënat nga projektet e ambientit tregojnë dështim dhe investime koti.

Rruga që lidh Obiliqin me fshatin Palaj që kalon përgjatë territorit të KEK-ut është pyllëzuar tri herë me radhë dhe për tri herë investimet kanë dështuar.

Vetëm brenda 1 viti e gjysmë, kjo komuna ka mbjellë dhe hequr 3 herë drunjtë përreth rrugës. Por me datën 24 korrik, nuk ekzistojnë më drunjtë e mbjellë tri herë skajë tymtarëve të Kosovës A, termocentralit të ndërtuar në vitin 1962.

Por, qytetarët thonë se historia e drunjtëve është më e gjatë. Ata thonë se edhe në vitin 2019, drunjtë ishin vendosur dhe hequr 2 herë tjera.

Më 31 tetor të vitit të kaluar, Komuna e Obiliqt kishte mbjellë drurin e llojit Rrap (Platanus) në rrugën Obiliq – Palaj.

Ndërsa në mars të po këtij viti, Drejtoria për Mbrojtje dhe Mjedis kishte publikuar fotografi të pastrimit të këtyre rrugëve, ku kishte pasur drunjtë.

Pra, në mars, ka pasur drunjtë, në tetor janë hequr ata dhe janë vendosur të tjerë. Ndërsa tash, në korrik të 2020, janë hequr përsëri.

Obiliqi është në mesin e komunave të privilegjuara në vend. Është e vetmja komunë, përjashto kryeqytetin, që ka ligj të veçantë për të.

Xhafer Gashi kishte ardhur në pushtet duke premtuar ligj të veçantë, të cilin e arrit në nëntor të vitit 2016. Ligji e bën Obiliqin komunë të privilegjuar, duke i garantuar 6 milionë shtesë. Nga rreth 5 milionë euro, Komunës së Obiliqit i është bërë buxheti rreth 11.5 milionë euro.

Me gjithë këto milionat komuna ende ka vetëm një çerdhe publike, e cila garanton hapësire vetëm për 80 fëmijë.

Në debatin e vitit 2017, Xhafer Gashi kishte deklaruar se kjo komunë do të kishte dy çerdhe njëra prej të cilave ishte premtuar të ndërtohej në fshatin Milloshevë.

“Jemi përfitues nga programi IPA për një çerdhe në Milloshevë dhe përmbyllja do jetë në 2019”, kishte thënë Xhafer Gashi.

Shpjegimi pas tri vitesh është që komuna është duke pritur fitimin e grantit dhe çerdhja do ndërtohet.

Edhe në arsim, premtimet e Xhafer Gashit kanë mbetur të parealizuar apo janë realizuar me vonesë.

Në Debati e 2017, Gashi kishte deklaruar se shkolla në fshatin Raskovë do të përfundoj në vitin 2018. Mirëpo, nxënësit e këtij fshati kishin hyrë në shkollë të re vetëm 1 vit më vonë, në vitin shkollor 2019/2020.

Gashi erdhi në pushtet edhe me premtimin për laborator në shkollat e komunës.

“Laboratorët në shkollën Ibrahim Rugova dhe ato që kanë numër të madh të nxënësve”, kishte deklaruar Gashi në Debat Pernime.

Mirëpo, as në shkollën Ibrahim Rugova, e as në 21 shkollat e tjera, laboratorë nuk ka, sipas Komunës së Obiliqit.

“Në komunën e Obiliqit janë gjithsej 21 shkolla, laboratorë nuk  kemi përveç kabineteve të informatikës”, është përgjigja e Komunës në vitin 2020.

Në shkolla ka probleme bazike. Në oborrin e shkollës në Milloshevë, ndonëse janë 5 çezme të vendosura asnjë prej tyre nuk është në funksion. E kjo shkollë ka një kapacitet prej gati 500 nxënëse të nivelit parafillor, fillor dhe të mesëm të ulët.

Punësimet politike

KALLXO.com ka raportuar edhe për punësime familjare në këtë komunë. Kushërira e kryetarit të komunës së Obiliqit, Xhafer Gashit në mars të këtij viti është zgjedhur drejtoreshë e Gjimnazit “17 shkurti” në Obiliq

Familjarja e Xhafer Gashit bëhet drejtoreshë në Gjimnazin e Obiliqit

Xhafer Gashi nuk i ka qëndruar në fjalë qytetarëve të Milloshevës as për premtimin për qendrën e mjekësisë familjare. Në Debat Pernime, kishte deklaruar se QMF-ja do të punoj në dy ndërrime.

Mirëpo, në teren situata është ndryshe. Kjo qendër e Mjekësisë Familjare, nuk e përfundon as ndërrimin e parë. Ekipi i KALLXO.com ka hasur në QMF-në e mbyllur para orës 14:00.

Nga Komuna thonë se kjo qendër punon deri në orën 14:30.

“Qendra e Mjekësisë Familjare në Milloshevë punon nga ora 7:30 deri në ora 14:30. Mesatarja e pacientëve brenda një viti në QMF Milloshevë është 15-18 pacientë. Politika shëndetësore rekomandon që institucionet parësore shëndetësore të ofrojnë shërbime shëndetësore nga ora 8:16, jemi në konsultim që orari I punës të jetë nga ora 8 deri në 16”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

 

Fshati Hade është bërë i njohur për protestat e banorëve që protestojnë prej vitesh për shpërngulje. Përkundër shumë përpjekjeve, një pjesë e banorëve që nuk kanë pasur nga t’ja mbajnë vazhdojnë të jetojnë aty.

Skaj rrugës që të çon në Hade është shiriti transportues i KEK-ut.

Ndonëse është zonë e rrezikshme, ekipi i KALLXO.com nuk ka parë asnjë shenjë sinjalizuese që paralajmëron rrezikun.

Ndërkohë, në afërsi të Hades, ekskavatorët e KEK-ut vazhdojnë punën pa ndalë. Zhurma e lëkundjet e shtëpive janë të zakonshme në këtë fshatë nga puna e ekskavatorëve.

Përveç makinerive, rreth e qark vendit të groposur për të nxjerrë qymyr, enden edhe bagëti. Përveç hirit e pluhurit, zona është e mbushur edhe me mbeturina.

Pastërtia është problem edhe në Fshatin Milloshevë, që ndahet nga rruga magjistrale Prishtinë-Mitrovicë. Nënkalimi i ndërtuar tek shkolla e fshatit për të lidh dy anën e fshatit është i mbushur me mbeturina që kundërmojnë aromë të keqe.

Në infrastrukturë janë vërejtur probleme me mirëmbajtjen e rrugëve. Rruga për në fshatin Grabovc i Epërm të Obiliqit është e dëmtuar. Për të kaluar në këtë rrugë, veturat duhet të ndalen pothuajse tërësisht, në mënyrë që të mos dëmtohen.

Fshati Grabovc i Epërm gjendet në mes të tri komunave të vogla. Obiliqi, Fushë Kosova dhe Drenasi mund të lidhen përmes këtij fshati, por që rruga është e dëmtuar.

Banorët e fshatit Grabovc i Epërm përveç nevojës për ndërtimin e rrugës, kanë mungesë edhe të trotuarit e ndriçimit publik.

Komuna, thotë se ndriçimin publik do të ua siguroj brenda vitit 2020.

Një problem tjetër, që po e shohin qytetarët e Obiliqit është edhe ndërtimi i sheshit “Adem Preniqi” që ka kosto mbi 1 milion euro. Ndonëse punimet kanë nisur në tetor të 2018, sheshi ende nuk ka përfunduar.

Kamionët, ekskavatorët në mes të sheshit të papërfunduar po i shkaktojnë probleme edhe bizneseve përreth.

Njëri nga ta është Naim Klinaku, pronar i një picerie në afërsi të sheshit.

Klinaku thotë se janë dëmtuar shumë si biznese për shkak të zgjatjes së punimeve në këtë shesh.

Përveç shtrimit të zhavorrit dhe një pjesë me kocka afër dyqaneve afariste asgjë tjetër nuk është shtruar në këtë shesh.

Stadiumi i qytetit ku bënë gara në superligën e Kosovës, skuadra nga Obiliqi është në gjendje të rëndë.

Mirëmbajta e kësaj fushe, në të cilën në të kaluarën kanë bërë stërvitje edhe përfaqësuesja e Kosovës tani është në gjendje të mjerueshme.

Fshati Lajthishtë, jo shumë larg nga qendra e qytetit të Obiliqit është i mbuluar me deponi ilegale. Era që kundërmon aty, ta pamundëson edhe të qëndrosh shkurt për të fotografuar apo xhiruar tmerrin.

Janë disa vende përgjatë rrugës së fshatit që janë të mbushura me deponi. Në fund të fshatit, pak metra pasi që përfundojnë shtëpitë, është edhe një deponi e madhe e mbeturinave në të cilën hedhet gjithçka.

Përveç ndotjes me bërllok dhe kundërmimin që e japin ato, në këtë fshat që ka rreth 120 shtëpi, kundërmon edhe era e kanalizimit.

Kanalizmi i këtij fshati derdhet në lumin ‘Sitnica’ dhe kurdo që ka reshje, ajo derdhet edhe nëpër arat e fshatit që janë të mbjellura me drithëra të ndryshme po edhe me pemë e perime.

I njëjti ujë përdoret nga fshatarët për ujitje.

Komuna e ka pranuar se kanalizimet e zonës urbane të qytetit por edhe të fshatrave derdhën në lum.

“Rrjeti i kanalizimit fekal në Komunën e Obiliqit, derdhen në lumenjtë Sitnica dhe Llapi”, thuhet në përgjigjën e Komunës.

Ndonëse, këtu vërehet se mbeturinat janë hedhur në mënyrë ilegale, Komuna e Obiliqit e pranon se deri tani janë shqiptuar vetëm 4 gjoba për hedhje të paligjshme të mbeturinave.

“Sa i përket gjobave për hedhje të mbeturinave në territorin e komunës së Obiliqit i shqipton DMM-ja, nga të dhënat nga kjo drejtori deri më tani janë shqiptuar katër gjoba për hedhje të mbeturinave”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Poashtu edhe rruga e këtij fshati ka vende ku kalimi me veturë duhet të jetë shumë i kujdesshëm, në të kundërtën mund të përfundosh tek mekaniku.

Ditëve të fundit, në Obiliq është diskutuar mundësia që disa fshatra të hiqen prej zonës së interesit të veçantë, ku është menduar që ato zona të përdoren për nevoja të KEK-ut.

Nga Komuna thonë, se sipas planit të zhvillimit, ka vendbanime që edhe në 100 vitet e ardhshme nuk planifikohet të ketë zhvillime minerale.

“Pasi që jemi në përfundim të Draft Planit Zhvillimor të komunës së Obiliqit dhe një mori kërkesash nga qytetarët e asaj zone që të pajisen me leje ndërtimore, zonë me interes nacional e shpallur me vendim te vitit 2004 si dhe konsultat me te gjithë qytetarët e komunës se Obiliqit do t’i prezantojmë Ministrive përkatëse me propozim-ndryshimet e bëra për realizimin e kërkesave të qytetarëve dhe gjithmonë në mbrojtjen e të drejtave të qytetarit të Obiliqit”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Ndërtesa pa dalje emergjente

Jo të gjitha objektet e institucioneve publike në Obiliq kanë dalje emergjente. Sipas komunës, në objektet e vjetra janë duke punuar për ndërtimin e daljeve emergjente.

“Shumica e institucioneve publike posedojnë dalje emergjente, derisa tek disa prej tyre janë në proces të pajisjes me dalje emergjente e kjo për faktin se janë objekte të ndërtuara në kohërat me të vjetra, por tek te cilat jemi në fazë finale të pajisjes me dalje emergjente”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Obiliqit ka treguar se gjatë vitit 2019 ka bërë 8 rrënime dhe 12 gjoba mandatore, ndërsa në vitet e tjera paraprake, inspektorati i ndërtimit ka pasur më pak punë. Në 2018 janë rrënuar 3 objekte, në 2017, 8 objekte por ishte dhënë vetëm një gjobë mandate, ndërsa në 2016 kishin rrënuar 2 objekte.

Mirëpo, mungesa e inspektorëve në Komunës është e madhe. Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Obiliqit ka 6 punëtorë gjithsej.

“Drejtoria e Inspekcionit në komunën e Obiliqit ka të angazhuar gjithsej: Shefin e inspekcionit, Inspektorin e Tregut, Inspektorin e Komunikacionit dhe tre Inspektor ndërtimi”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Obiliqit.

Gratë në qeverisjen e komunës së Obiliqit nga Xhafer Gashi nuk janë pa pushtet. Kjo komunë numëron 11 drejtori, 5 prej të cilave udhëhiqen nga gratë.

Shembulli i keq

Edhe pse ligjet aktuale në Kosovë promovojnë punësimin e personave me aftësi të kufizuar në Obiliq ky promovim nuk ka ndodhur.

Të dhënat tregojnë komuna e Obiliqit nuk ka asnjë person me aftësi të kufizuara të punësuar. Këtë e kanë konfirmuar nga zyra për informim e kësaj komune.

Drejtoria e Administratës – Lendita Bekteshi

Drejtoria për Ekonomi – Zarife Behluli

Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport – Ilire  Kelmendi Shema

Drejtoria për Mbrojtje të Mjedisit –  Fitore Hashani

Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale –  Vlora Kabashi

Ndërsa fuqia në Kuvendin Komunal i takon Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që udhëheq me komunën.

Nga 21 këshilltarë sa ka Kuvendi Komunal i Obiliqit, AAK ka 6 këshilltar komunal bashkë me kryesuesin e Kuvendit.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).