Komuna e Ferizajt pagoi 22 euro një metër katror perde

Komuna e Ferizajt nuk ka porositur asnjë prej 16 produkteve që i kishte kontraktuar me një çmim prej 1 dhe 2 centë në kuadër të kontratës për furnizim me perde e tepisona. 

Por, komuna ka zgjedhur të porosisë vetëm dy prej 18 produkteve që janë pjesë e kontratës në vlerë 13,463 euro për furnizim me perde, tepisona, korniza dhe aksesorë. Dy produktet e porositura kanë çmime shumëfish më të shtrenjta se produktet tjera. 

Produktet e porositura janë perde që kanë një çmim prej 22 euro për metër katror dhe një lloj tepihu që 6 euro metri katror. Këto produkte janë porositur për nevoja të Komunës, QKMF-së, Qendrës për Punë Sociale, bibliotekës, shkollave në Ferizaj.

Për dy produktet e porositura, Komuna ka shpenzuar 9,763 euro apo 72.5% të shumës totale nga kontrata e nënshkruar më 28 tetor të vitit 2020 me kompaninë “Bali Comerce”. 

Në bazë të faturave të siguruara nga KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumentet publike rezulton se komunës i ka mbetur të shpenzojë edhe 3,698 euro.

Komuna i ka kontraktuar 4 lloje të tepisonëve dhe një tepih, prej të cilave deri më tani ka porositur vetëm njërin prej tyre, atë më të shtrenjtin. 

Katër prej llojeve të tepisonave mbajnë çmimin 0.01 euro, ndërsa ai të cilin e ka porositur Komuna e Ferizajt, tepih neon (fijet 1.2mm, trashësia 1.5cm) mban çmimin 6 euro për metër katror. 

Deri tani, Komuna e Ferizajt ka porositur 82 metra katrorë tepih neon në vlerë 492 euro nga 1 mijë metra katrorë sa është sasia e kontraktuar.

Përveç tepihut më të shtrenjtë, Komuna e Ferizajt ka porositur edhe llojin e perdeve më të shtrenjta deri tani. 

Prej pesë llojeve të perdeve, Komuna ka blerë “perde trakë 12.7mm”, metri katror i të cilave kushton 22 euro. 

Por, komuna nuk ka porositur perdet, metri katror i të cilave kushton 0.01 euro. Komuna e Ferizajt ka blerë perden trake në vlerë 9,273 euro. 

Që prej 28 tetorit të vitit 2020 kur është nënshkruar kontrata, Komuna ka porositur 421.5 metra katrorë perde trakë prej 500 metrave sa janë paraparë në kontratë. Në kontratë është paraparë që brenda 24 muajve nga data e nënshkrimit të kontratës duhet të kryhet i gjithë furnizimi. 

Një pjesë nga sasia e perdeve dhe tepihut të porositur ka shkuar për shkollat e Komunës së Ferizajt.

Zyrtarët e shkollave nuk kanë qenë në gjendje të na tregojnë nëse kanë qenë të informuar për llojet e perdeve dhe tepihëve që mund të porosisin.

Sipas faturave në të cilat KALLXO.com ka siguruar qasje nga Komuna e Ferizajt, shihet se shkolla “Muharrem Shemsedini” është furnizuar me 50 metra katrorë tepih neon në vlerë 300 euro dhe me 8 metra katrorë perde trakë në vlerë 176 euro.

Drejtoresha e shkollës “Muharrem Shemsedini”, Andolina Sylejmani ka thënë për KALLXO.com se ajo në muajin shkurt ka porositur tepihun dhe perdet për të cilat shkolla ka pasur nevojë.

“Unë kam bërë kërkesë për shkak se një klasë ka qenë e shtruar me pllaka, një nxënës është rrëzu edhe ka pësu lëndime edhe intervenimi ma i shpejtë i mundshëm ka qenë me bo një tepison aty. Mandej kam bërë kërkesë për me i largu pllakat nga klasa. Porosinë e kam bërë në muajin shkurt përafërsisht. është një tepison i trashë, me gomë në pjesën e poshtme, nuk e di çfarë lloji është, më qenë më i sigurt, mos me lëvizë”, ka thënë Sylejmani.

Drejtoresha Sylejmani ka treguar edhe arsyen e kërkesës për furnizim me perde.

“Perdet janë vendosë në zyrën lart, ku e kemi mësuesen mbështetëse për shkak se aty është reflektim shumë i madh i dritës, nxënësit janë më nevoja të veçanta, aty funksionon edhe psikologia e shkollës që është aty tri ditë në javë”, ka deklaruar ajo.

Edhe shkolla “Dituria” sipas faturave që ka siguruar KALLXO.com është furnizuar me 18 metra katrorë perde trakë në vlerë 396 euro.

“Unë e kam bo kërkesën për klasë, operatori ka ardhë e ka mat edhe mandej me u bo montimi, nuk e kam pas asnjë problem. Për muajin kur është bërë porosia nuk po më kujtohet saktë veç e di që i kemi marrë para pushimit dimëror, para Vitit të Ri”, ka deklaruar për KALLXO.com, drejtoresha e shkollës “Dituria”, Shafije Hajdari.

Por vetëm rreth 7 muaj nga nënshkrimi i kontratës, Komuna ka porositur gati të gjithë sasinë e paraparë, 421 metra katrorë nga 500 sa është totali.

Komunës së Ferizajt i kanë mbetur edhe rreth 3 mijë euro për të përfunduar kontratën e nënshkruar në muajin tetor dhe sipas përgjigjes së tyre për KALLXO.com ata nuk kanë shpenzuar asnjë cent për të porositur 16 produktet e tjera të cilat janë kontraktuar.

Komuna në hapjen e tenderit kishte publikuar listën me 18 produkte dhe sasinë duke përdorur procedurën me poentim të çmimit. Kjo mënyrë e vlerësimit të ofertave ka bërë që të shpallet fituese që kishte ofertuar me çmime jonormalisht të ulëta në shumicën e produkteve të kërkuara.

Disa pozicione që ishin të paraqitura në listën e çmimeve, të cilat u ofruan nga kompania me çmim jo-normalisht të ulët, e ndihmuan kompaninë që të dalë fituese me çmimin me të ulët të peshuar në total.

Sipas Agon Hysaj nga organizata që merret me monitorimin e prokurimit publik “D+”, ka thënë për KALLXO.com se çmimet jo-normalisht të ulëta janë strategji për të përfituar gjatë implementimit të kontratës.

“Çmimi jo-normalisht  ulët është strategji e kompanive dhe autoriteteve kontraktuese, në shumicën e rasteve është bashkëpunim i të dy palëve, në mënyrë që një kompani e caktuar të përfitojë gjatë zbatimit të kontratës”, ka deklaruar Hysaj.

KALLXO.com gjatë muajit të kaluar ka publikuar hulumtimin në lidhje me blerjet e dyshimta përmes procedurave të prokurimit me çmime jo-normalisht të ulëta nga disa prej komunave të Kosovës.