Komuna e Ferizajt ndërton shkollë në pronë të AKP-së, pa leje

Guri i themelit për shkollën e mesme në Ferizaj doli të jetë hedhur në pronën e dikujt tjetër.

Komuna kishte nisur ndërtimin e objektit për të cilin kishte ndarë rreth 2 milionë euro. Por, ndërtimi kishte nisur në pronën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), pa një leje parapake nga kjo e fundit.

Rasti shkoi edhe në gjykatë. Përveç kësaj, punët nuk ishin kryer si duhet dhe kishte vonesa në realizmin e tyre.

I pari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, së bashku me vartësit e tij dhe të tjerë, më 12 tetor të vitit 2018 vunë gurin e themelit të objektit të shkollës së mesme.

Kreu i Komunës, Agim Aliu, në mes tjerash kishte thënë se kjo shkollë përveçse do të mundësojë avancim të profesorëve, mësimdhënësve, njëkohësisht do të krijojë kushte më të mira për nxënësit.

Sipas Aliut, shkolla që pritet të kushtojë mbi 1.8 milion euro, do t’i ketë 29 klasë si dhe kabinete.

“Do të jetë një shkollë e cila do të ketë 29 klasë, pra do të jetë me kapacitete më të shtuara se shkollat tjera dhe sigurisht se edhe me kabinetet tjera dhe ka një kosto prej 1 milion e 800 mijë euro, por nuk është çështja tek shuma sa është tek ajo se vërtet jemi në vitin 2018, në përfundim të këtij viti dhe kur vihet gurthemeli për një shkollë në fakt tregon që ne ende nuk e kemi përmbyllur ciklin e investimeve kapitale në fushën e arsimit, sado që është investuar gjatë këtyre dekadave, sidomos në dekadën e fundit, kjo tregon që ende nuk është bërë mjaftueshëm për të bërë kushte më të mira për të gjitha ata që janë pjesë e fushës së arsimit…”, kishte thënë kryetari Aliu.

Më 2017 ishte hapur tenderi për ndërtimin e shkollës

Në muajin qershor të vitit 2017, Komuna e Ferizajt kishte hapur tender për ndërtimin e shkollës së mesme.

Për realizmin e këtij projekti trevjeçar, Komuna e Ferizajt kishte ndarë 2,110,000 euro. Mjetet për këtë kontratë u siguruan nga buxheti i Kosovës.

Procedura e hapur e prokurimit ishte lloji i procedurës për këtë tender me kriter për dhënie të kontratës – çmimi më i ulët.

Nga gjithsej 8 oferta të pranuara, për këtë aktivitet të prokurimit, sipas njoftimit, oferta e përgjegjshme me çmimin më të lartë ishte 1,824,013.86 euro, ndërsa më të ulët ishte 1,451,817.08 euro i grupit të operatorëve ekonomikë N.P.N. “Agoni”; N.N Beni Construction; ” Pro & Co Group ” SH.P.K., të cilët u rekomanduan për dhënie të kontratës.

Në muajin nëntor të po atij viti, rasti shkoi në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP) dhe me urdhër të kësaj gjykate të tenderëve, Komuna anulon dhënien e kontratës grupit ekonomik të rekomanduar. Kontrata më pasi i jepet grupit operator ekonomik “Euro-service” Sh.P.K. “Al-trade” Sh.P.K. me vlerë të përgjithshme të kontratës prej 1,803.726.20 euro me kohëzgjatje prej tre vitesh, me të cilët Komuna nënshkroi kontratë me 20 nëntor 2017.

Shkolla ndërtohet në pronën e AKP-së

Ndonëse në bazë të planit zhvillimor komunal të dy parcelat janë të parapara për arsim, prandaj nuk është parë e arsyeshme për të nxjerrë ndonjë vendim, siç thuhet nga Komuna në përgjigjen për KALLXO.com, ndërtimi i shkollës së mesme doli të jetë bërë në pronën e dikujt tjetër, dhe pa leje paraprake.

Këshilltari komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Naser Beqiri, për KALLXO.com thotë se Komuna ka ndërtuar shkollën në pronë të AKP-së, pa leje paraprake.

Për shkak të mosplanifikimit të mirë dhe keqmenaxhimit, Komuna nuk ka arritur që ta përfundojë ndërtimin e shkollës, për arsye se Komuna fillimisht e ka nisur ndërtimin e shkollës në një pronë të AKP-së pa një leje paraprake. Dhe për këtë arsye Gjykata Themelore në Ferizaj ka nxjerrë një aktvendim me anë të të cilit ka bërë ndërprerjen e punimeve të ndërtimit të kësaj shkolle”, thotë Beqiri.

Asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunë e Ferizajt-Naser Beriqi
Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj Naser Beqiri

Sipas Beqirit, kryetari i Komunës, përkatësisht Drejtoria komunale e Arsimit, nuk kanë arritur ta përmbushin obligimin e tyre ligjor që t’ua mundësojnë fëmijëve të vazhdojnë mësimin në një shkollë që i plotëson kushtet për mbarëvajtje të procesit arsimor.

Lidhur me atë se a ka kërkuar paraprakisht leje nga AKP (Agjencia Kosovare e Privatizimit) për pronën në të cilën po ndërtohet shkolla, nga Komuna thonë se ka pasur vendim përmes të cilit janë shpallur interes i përgjithshëm qysh nga viti 2011.

Në anën tjetër, konfirmohet se Gjykata ka marrë vendim për ndërprerje të punimeve.

“Po, pasi që kemi marrë vendimin nga Gjykata ne kemi ndërprerë punimet”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Përveç ndërprerjes së punimeve, nga Komuna nuk kanë dhënë më shumë detaje se çfarë veprimesh kanë ndërmarrë pas aktvendimit të Gjykatës së Ferizajt.

Asamblisti Beqiri përmend një prononcim të drejtorit të Drejtorisë komunale të Arsimit në një media lokale, i cili, sipas tij, kishte deklaruar se nxënësit dhe mësimdhënësit nuk kanë nevojë të shqetësohen se në shtator do të hyjnë në shkollën e re.

“Sipas pamjeve të para siç po shihet të objektit, nuk duket që është e mundur që të përfundohet ndërtimi i shkollës në shtator dhe nxënësit të vazhdojnë mësimin në objektin e ri. Përkundër dëshirës tonë që nxënësit të kalojnë në shkollën e re”, thotë Beqiri.

Objekti i shkollës së mesme në Komunën e Ferizajt, Foto: KALLXO.com

Objekti i shkollës së mesme në Komunën e Ferizajt, Foto: KALLXO.comSipas Beqirit, ende nuk ka një njoftim zyrtar nga Drejtoria komunale e Arsimit se a do të vazhdoj[ ndërtimi i shkollës për arsye se është kontest pronësor dhe është lënda në gjykatë.

Ndryshe nga Beqiri, nga Komuna zotohen që shkolla do të jetë e gatshme deri në muajin shtator të sivjetmë.

“Ne, si organe komunale jemi duke punuar që të gjitha punimet e mbetura të përfundohen sa më parë dhe kjo shkollë të jetë e gatshme për të pranuar nxënësit dhe tërë stafin arsimor, menaxherial e teknik për shtatorin e këtij viti”, thuhet në përgjigje.

Objekti i shkollës së mesme në Komunën e Ferizajt, Foto: KALLXO.com

Drejtorja e shkollës së mesme “Shaban Hashani” në Ferizaj, Hajrie Nebihu, për KALLXO.com ka thënë nxënësit e kësaj shkolle, nga viti 2019/2020 mësimet po i ndjekin në objektin e shkollës ish Gjon Serreqi në Ferizaj, në kushte të vështira.

Drejtorja Nebihu nuk beson se në Kosovë ka kushte më të rënda se në shkollën e tyre. Duke folur për vështirësitë, ajo përmend se kanë probleme me erën, vështirësi në korridore, në kabinete, pasi kjo ndërtesë sipas saj është e viteve të 60-ta.

“Pavarësisht kush është fajtor se nuk është kompetencë e jemja, por s’kanë faj 1,300 nxënës, pse fëmijët me naj denu”, thotë Nebihu.

Lidhur me deklarimin e komunës që mësimi në shtator të sivjetmëm do të fillojë në shkollën e re, drejtoresha Nebihu thotë se njashtu ju është premtuar.

“Na jemi në kontakt rregullisht me kryetarin, me kërkesa me këshillë drejtues qashtu na ka premtu”.

Më tej drejtoresha shtonë se për momentin nuk shohin se është duke u punuar në atë shkollë.

“Pavarësisht kush është fajtori, duhet me i lëvizë të gjitha mekanizmat, qoftë media, qoftë ministri Arsimit, çka do le të ndodh AKP apo kudo, le ta zhbllokon se janë nxansat, nuk është banesë private”, kërkon drejtoresha Nebihu.

Ndryshe nga komuna, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), thotë se përveç Komunës së Suharekës, asnjë komuneje nuk ju është dhënë pëlqim/aprovim.

“Nga të gjitha pronat, për të cilat Qeveria i ka shfuqizuar vendimet me dt. më 30.04.2022, vetëm për Komunën e Suharekës, përkatësisht lidhur me vendimin nr. 07/55, AKP ka dhënë aprovim për lejimin e zhvillimit të projektit kapital me interes të përgjithshëm. Sa i përket Komunave tjera, AKP nuk ka dhënë asnjë lloj pëlqimi/aprovimi për shfrytëzim apo bartje në emër të komunave respektive”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Tutje në përgjigje nga AKP-së thuhet se vendimet në fjalë të Qeverisë, nuk kanë qenë asnjëherë përfundimtare, pasi që sipas këtyre vendimeve, përkatësisht nenit 5 “… obligohet MAPL që t’i zhvillojë procedurat e mëtejme me AKP, deri në vendimin përfundimtar për bartje…”. Andaj, marrë parasysh se asnjë nga këto procedura nuk është finalizuar asnjëherë në tërësi, AKP nuk është ankuar. Megjithatë, vazhdimisht ka pasur tentime dhe takime me Qeverinë, respektivisht MAPL, për sqarimin dhe finalizimin e këtyre pronave, për më shumë AKP ka kërkuar që në asnjë nga komunat përfituese të këtyre vendimeve të mos bëhen ndryshime në regjistrat kadastral, apo ndryshime në pronat respektive pa u përfunduar në tërësi procedurat e kthimit/kompensimit sipas legjislacionit në fuqi.

AKP thotë se vazhdimisht ua ka shpjeguar komunave se cilat janë procedurat ligjore.

“AKP në mënyrë të vazhdueshme ua ka shpjeguar Komunave, prej të cilave ka pranuar edhe kërkesa me shkrim për prona të caktuara, se cilat janë procedurat ligjore në fuqi duke i udhëzuar për respektim të tyre”, thuhet në përgjigjen  e AKP-së.

Nga ky institucion i privatizimit në vend, bëhet e ditur se AKP është në koordinim të vazhdueshëm me Qeverinë dhe komunat përkatëse në mënyrë që të gjindet një zgjidhje e favorshme për këto raste, gjithmonë duke e pasur parasysh ruajtjen e interesit publik.

“Sa i përket kërkesës suaj për marrjen e kopje të kontratës dhe raportin e pranimit të punëve lidhur me ndërtimin e shkollës në Ferizaj në pronë të AKP-së, ju njoftojmë se AKP nuk posedon as kontratë as raport të pranimit të punëve, për shkak se kjo nuk bie në domenin e AKP-së, por të komunës, dhe AKP nuk ka as nuk ka pasur asnjëherë raporte të tilla kontraktuale me asnjë komunë”.

Mangësi në menaxhimin e punëve

Ndonëse në nenin 61.19 thuhet se përgjegjësi e menaxherit të projektit është të menaxhojë obligimet dhe detyrat e autoritetit kontraktues të specifikuara në kontratë dhe të sigurojë se operatori ekonomik kryen kontratën në përputhje me termat dhe kushtet e specifikuara në kontratë.

Kontrata për ndërtimin e shkollës kishte mangësi në menaxhim, sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) të dy viteve më parë.

Raporti identifikon se punimet sipas kontratës do të duhej të përfundonin më 20 nëntor 2020.

Për kontratën “Ndërtimi i shkollës së mesme në komunën e Ferizajt” në vlerë 1,803,726€ kishte vonesa në përfundimin e punimeve, pasi që ishte bërë ndërrimi i vendit të lokacionit për ndërtimin e shkollës dhe sigurimi i vendimit për leje ndërtimore kishte shkaktuar vonesë për fillimin e punimeve. Punimet duhej të përfundonin me 20.11.2020 sipas kontratës, mirëpo deri në shkurt të vitit 2021 punimet nuk ishin përfunduar”, gjeti Auditori..

Zyra Kombetare e Auditimit

Tutje thuhet se mungesa e llogaridhënies nga menaxheri i projektit ishte shkak që punimet nuk ishin ekzekutuar në pajtueshmëri me sasitë e caktuara në paramasë dhe parallogarinë e kontratës.

Në nenin 61.23 të rregullave të UOPP-së (Udhëzuesi Operativ për Prokurim Publik) thuhet se ndryshimi i kontratës nuk do t’i lëshohet operatorit ekonomik para marrjes së aprovimit nga ZKA (Zyrtari kryesor administrativ).

KALLXO.com ka kërkuar të marrë vesh më tepër sa i përket realizimit të punimeve sipas kontratës.

Nga Komuna thonë se deri më tani punimet janë kryer sipas kontratës dhe pagesat janë realizuar për punët e kryera në bazë të pranimit nga organi mbikëqyrës.

“Pagesat janë bërë në bazë të punimeve që janë kryer dhe në bazë të pranimit që janë bërë nga organi mbikëqyrës”, thuhet në përgjigje.

Së bashku me vlerën e pagesave të realizuara për këtë projekt, KALLXO.com nga Komuna ka kërkuar një kopje të kontratës dhe raportin për pranimin e punëve, mirëpo këto dokumente nuk na janë ofruar nga Komuna.