Komuna e bjeshkëve të bukura dhe ndotja në qytet
Kryetari i Komunës së Istogut herë pas here është mburrur me pastërtinë në Istog. Madje në debatin që u mbajtë përballë asamblistëve të qeverisjes së tij në Komunën e Istogut, Ilir Ferati sërish përsëriti se komuna që drejton është më e pastra në nivel të Kosovës.
Por gjatë debatit, kryetari Ferati u ballafaqua me disa fotografi nga terreni që tregonin deponitë ilegale në disa fshatra të Istogut. Ekipi i “Jeta në Komunë” shkoi pak më larg se qyteti, në fshatrat Cerkolez e Shushicë, Studenicë, e aty pa deponi të mbeturinave derisa ankesat e banorëve ishin se këto deponi kundërmonin shumë.
“Ka 100 për qind përfshirje të mbledhjes së mbeturinave të kompanisë “Ambienti”, ka diku 97 për qind inkasim për shërbimin që e jep, qytetari nuk paguan nëse s’ka shërbim”- tha Ferati.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Abedin Kabashi tregoi se ka ende deponi që do të pastrohen në të ardhmen.
“Se nuk ju ka ardhë rendi me u kry hala, ju vjen kur të vjen koha. Kemi bërë pastrim të deponive edhe pse nuk është buxheti i madh. Tetë deponi janë pastruar. Në Kovragë, në Muzhovinë, në Gurrakoc, në Banjë afër shkollës aty në vazhdimësi e heqim”- për këtë vit i kemi pastruar tha drejtori.
Për fshatin Shushicë, tha se nuk është pastruar ndonjëherë deponia e mbeturinave.
“Jo, se kanë pastruar ai është vend që nuk është i frekuentuar, është rrugë malore të ardhmen kam paraparë me bë trasenë e rrugës dhe pastrimin e deponisë”- tha ai.
Gjithashtu ai shtoi se së fundmi kanë caktuar edhe lokacionin për deponinë për materiale të ngurta.
“Ku e kemi pas deri tani deponinë që e kemi pas afër qytetit ajo është mbushë tash e kemi bërë në zonën e Tushevcit”- tha drejtori Kabashi.
E kryetari Ferati tha se edhe deponisë ilegale të mbeturinave në Shushicë do i vie rendi të pastrohet.
“Janë 12 deponi ilegale që janë të identifikuara dhe kanë mbetur, pse po them kanë mbetur, fshati e ka pas në pjesën e pasluftës pikë ku kanë hedh mbeturina dhe e kanë ruajt si memorie që ai vend është me hudh mbeturina. Për çdo vit 30-40 mijë deri tash janë 130 mijë euro eliminim i mbeturinave ilegale që nuk janë shqetësuese nuk janë gjigande. Në Shushicë nuk i paska ardh rendi, ka me i ardh rendi sigurt”- tha kryetari Ferati.
Objekte të reja, të mbyllura e të demoluara
Pamjet e një çerdheje, disa ambulantave të cilat ishin demoluar e mbyllur u ngritën si çështje në emisionin në ‘Jeta në Komunë’ për çka kryetari i Komunës së Istogut Ilir Ferati u përball me asamblistët komunal.
Ish-çerdhja e vjetër në fshatin Vrellë të Istogut është jashtë funksionit pasi në po të njëjtin fshat tashmë është funksionale çerdhja e re.
“Ish- çerdhja është mbyllur, e kemi mbyllë me çelës, çka ka ndodhë është keqpërdorur në mënyrën më makabre të mundshme. Pasi është mbyllur janë thy xhamat, kanë hy brenda, e kanë keqpërdor, e kanë degradu çka u dashtë me bë, u dashtë me dërrasa m`i mbyllë dyert, dritaret që me bë të pa qasshme. Jemi duke diskutuar se çfarë orientimi do t’i japim atij objekti”- tha kryetari Ilir Ferati.
“Kush po demolon këtu?”- iu drejtua Jeta Xharra, drejtorit të Kadastrit, Agon Dreshajt, i cili pas kryetarit dha detaje në lidhje me gjendjen e ish-çerdhes.
“E kemi mbyllë dhe është kërkese me ndërtu një qendër rinore bashkë me një park, sepse është e vetmja hapësirë që në Vrellë e kemi pronë komunale dhe mundemi me shfrytëzu edhe për qendër rinore edhe për park”- tha Dreshaj.
Niman Beqiri, asamblist nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dha kritikat e tij për mbikëqyrjen e hapësirave që janë në përgjegjësi të komunës.
“Këtu unë në asamble si përfaqësues i fshatit Vrellë kam kërku nga kryetari me ardhë me mbajtë një dëgjim publik për shkak të gjendjes që i kam tregu me kohë se çka është t`u ndodh aty. Kjo qendër përveç që është duke u rrënu si objekt është duke e rrënu edhe jetën e rinisë, sepse ajo po përdoren për çështje tjera”- thotë Beqiri.
Sipas Nimanit hapësira është përdorur nga persona të ndryshëm të cilët janë konsumues të lëndëve narkotike.
“Unë polic nuk jam me nxanë kush po e demolon, kjo demolohet nga njerëzit që shfrytëzojnë skutat që përdorin lëndë narkotike. Këtë e kam lajmëru edhe në komunë. Nëse kryetari i komunës që e ka përgjegjësinë kryesore nëse e kish marrë për bazë ish kry me kohë kjo. Në polici nuk e kam dërgu sepse s’kam pas fakte”- shtoi Nimani.
Një tjetër hapësirë është edhe ajo e Ambulantës Mjekësore Familjare në fshatin Cerkolez të Istogut.
Kjo AMF ishte inauguruar në dhjetor të vitit 2022 ndërsa gjatë muajit tetor kur ekipi i ‘Jeta në Komunë’ e kishte vizituar objektin kishte parë se të njëjtit i ishin demoluar shkallët dhe hapësira e brendshme nuk po mirëmbahej pasi objekti ishte i mbyllur.
“Këtu janë ma shumë se 200 banorë, i nevojshëm është me qëndru mjeku këtu, tek e fundit me ardhë dy herë në javë. Ka nis në fillim me ardhë, po qysh po e shihni ka nisë edhe me u demolu”- tha Muzli Sadriaj nga fshati Cerkolez.
Një çështje që ngriti Jeta Xharra me drejtorin e Shëndetësisë, Zenel Shatrin, ishte edhe demolimi i hapësirave të ambulantave që janë mbyllur.
“I riparojmë shumë e thjeshtë”- ishte përgjigja e kryetarit të Komunës së Istogut, Ilir Ferati.
Për çështjen e dëmtimeve që po u bëhen institucioneve lokale të Istogut, asamblisti nga radhët e AAK-së, Negjdet Ramaj thotë se duhet të ketë mbikëqyrës dhe mirëmbajtës.
“Këto AMF janë në periferi të fshatrave afër shkollave dhe nuk kanë mirëmbajtës. Kur nuk ka ndonjë mirëmbajtës normal që fëmijët edhe e demolojnë. Këta duhet të kenë një mirëmbajtës për institucionet që janë në përgjegjësi të komunave”- thotë Ramaj.
Propozimi i Jeta Xharrës ishte edhe vendosja e kamerave të sigurisë nëpër hapësira publike të cilat do dëshmonin atë se çfarë ndodhte në oborret e shkollave, ambulantave, apo edhe të ish-çerdheve që janë mbyllur.
“Përkundër krejt këtyre diskutimeve, na angazhojmë kompaninë ambienti kohë pas kohe, secilin institucion publik me ja mirëmbajtë oborrin, hapësirat përreth saj”- tha Ferati.
Mungesa e sallës sportive tash e 17 vite në Istog
Një tjetër çështje që u ngrit në debatin për Istogun ishte sërish, ndërtimi dhe mungesa e Sallës Sportive të qytetit.
Salla e Sporteve në Komunën e Istogut ka më shumë se 17 vite e cila ka nisur të ndërtohet, ndërsa edhe sot në po të njëjtën projekt ka probleme.
Hapësira e brendshme e cila ishte rregulluar për një kohë edhe sa funksionoi disa muaj, tashmë nuk mund të përdoren sërish për shkak se janë prishur e thyer.
Një përqindje e madhe e objektit tashmë është e mbuluar me mbeturina ndërsa në derën e jashtme të objektit është vendosur njoftimi nga Komuna e Istogut se po kryhen punime brenda.
Kjo sallë e sportit ishte fillimisht investim nga Ministria e Kulturës Rinisë e Sportit. Në vitin 2020, ish-Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi pati thënë se Salla e Sportit në Istog, projekt i cili ka nisur në vitin 2007, do të përfundojë në shtator të 2020-tës, ndërsa Ministria ka investuar mbi 2,4 milionë euro.
Për shkak se kjo sallë është jo funksionale, Rrahim Shatri, drejtori i Klubit të Basketbollit “Istogu” thotë se situata në sallën sportive ka qenë vazhdimisht e rrezikshme dhe aktualisht janë duke u vonuar punimet.
“Në këtë sallë na ka ra një sezonë me e luajt, edhe kur kemi luajt ka qenë një gjendje kaotike, e rrezikshme, u pritë o tash, kulmi me ra po na ka shpëtu zoti. Vitin e kaluar në Superligë kemi luajt si vendas nëpër vende të tjera, Pejë, Prizren, Mitrovicë, asnjëherë s`kemi qenë si vendas. Edhe tash po fillojmë ligën e parë, punët kanë fillu në çati që nja 6-7 muaj me intensitet shumë të ngadalshëm nuk e di ku është problemi”- thotë Shatri.
Ai shpjegon edhe se si për shkak të mungesave adekuate për ushtrime, ka pasur lojtarë që janë lënduar.
“Ne si klub dhe klubet e tjera qysh po mundemi me u gjend, jemi në mjerim, në gjendje shumë të mjerueshme. Klube ka mjaft, por Istogu është si zorrë qorre nuk ka kush m`i ra mbrapa. Ne e kemi për fat të mirë pak a shumë një sallë të një shkolle, standardet nuk i plotëson sepse nuk mundesh me zhvillu gara aty. Kemi pas lëndime në stërvitje, një lojtar e ka thy këmbën sepse koshi ka qenë në muri por po na ruan zoti kapak”- thotë tutje Shatri.
Kryetari i Istogut, Ilir Ferati tha se projekti ishte nisur në kohën kur babai i tij ishte në krye të Istogut më shumë se 20 vjet më parë.
“Këtë sallë e ka nisë baba jem, në 2003 me teprica buxhetore të projekteve që i kanë destinu në atë kohë komisioni për buxhet e financa pikë. Është e çuditshme që njerëzit që i trajton më së afërmi edhe tenton me jep maksimumin politik dhe personal me i shty përpara, këtu i kam tre drejtorë që kur kanë luajt klubi basketbollit kanë hyp në kulm të palestrës me mbulu me najllon sepse kanë qenë kushtet e këqija atmosferike. Nuk e kanë pas obligim por pse e dojnë sportin”- tha Ilir Ferati.
Tutje Ferati tregoi edhe se nuk ka pasur mbikëqyrje të punimeve gjatë ndërtimeve dhe tash pasojat janë se i njëjti objekt duhet të rinovohet.
“Komplet qaj kulm është revidu fuqia e tij statike se ka qenë jashtë standardeve, tash mbyllet me panel është i padepërtueshme as për erë që në Istog shkon deri në 150 kilometra në orë. Për kulm për fasadë strukturore jashtë me 10 dhjetor. Nja 15 kërkesa që ndalen nga militantët e VV që ndalen në Ministri të Kulturës, i kam dorëzu në MKRS, për 500 mijë euro shtesë. 60 mijë i kam të mijat për nyje sanitare dhe banjo, për parket dhe pjesën tjetër të brendshme më vyejnë edhe 500 mijë euro për me funksionalizu”- shtoi ai.
Sipas Feratit tashmë është kontraktuar një kompani dhe pesë ekspertë që do të mbikëqyrin punimet në sallën e sportit.
“Unë nuk muj me diskutu që dikur një mbikëqyrës se ka mbikëqyrë punën mirë të një operatori atë përgjegjësi s`mund e marr. Me 10 dhjetor përfundon pjesa. Nuk ka qenë mbikëqyrësi i komunës, tash është një mbikëqyrës që është kontraktu si kompani, shtesë saj janë 5 ekspertë që kanë përgjegjësi ligjore dhe personale. Është e palogjikshme dhe s’po mundem me kuptu pse duhet ta shohim veç të zezën”- shton tutje kryetari Ferati.
Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Dreshaj kritikoi kryetarin Ferati në lidhje me deklarimin e tij se VV po i dështon projektet e tij.
“Më herët tha që ‘militantët e VV po më pengojnë në punë’, kisha dashtë me ditë cilin projekt ja ka anulu Vetëvendosja. Këtë projekt asnjëherë nuk ja ka pengu Vetëvendosja. Ministri është ardhë vetë. Natyrisht që lobojmë dhe flasim me ministrat tanë. Vitin e kaluar jemi taku me të dhe kanë ardhë dhe kanë bë një marrëveshje me kryetarin por nuk e di çka ka ndodhë. Për shkak të menaxhimit të dobët që e bën komuna po dështon gjithçka”- tha asamblisti.
Çka realizoi dhe çka jo nga premtimet që dha Ilir Ferati në ‘Jeta në Komunë’
Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati pati dhënë disa premtime të cilat thoshte tri vite më parë se do t’i realizonte gjatë mandatit të tij si kryetar i komunës. Disa prej projekteve të tij madhore ishin edhe ndërtimi i kolektorit për ujëra të zeza, një zonë të re ekonomike, ndriçim e ujë në të gjitha fshatrat.
Tre vite pas, i ulur përballë Jeta Xharrës ai përballet me këto premtime dhe situatën reale në terren.
Ekipi i ‘Jeta në Komunë’ ka verifikuar disa nga projektet të cilat janë bazike për qytetarët të cilët jetojnë në komunat e Kosovës.
Duke nisur nga kolektori i ujërave të zeza, për të cilin Ferati pati thënë se është projekt që kushton 6 milionë euro, vetë e pati promovuar si projekt ambicioz dhe se i njëjti pritej të kryhej brenda mandatit 4 vjeçar të tij.
Në terren, kolektori ende nuk ka nisur që të ndërtohet ndërsa Komuna e Istogut ka thënë se tashmë ka filluar studimi i fizibilitetit si dhe janë duke zhvilluar negocime me organizata të Bashkimit Europian dhe ministritë e linjës për të financuar këtë projekt.
Një tjetër premtim i Feratit ishte edhe ndërtimi i një zone ekonomike ngjitur me zonën industriale në Istog që do të kushtonte 300 mijë euro dhe do të implementohej nga buxheti komunal bashkë me Ministrinë e Tregtisë.
Edhe ky premtim ende nuk është realizuar.
“Në vitin 2024 jemi përfitues nga thirrja e MZHR-së për ndërtimin e zonës ekonomike që e ka premtuar kryetari dhe e njëjta pritet të përfundojnë brenda vitit 2024. Ne e kemi ndërtuar një zonë të re ekonomike në Banjë të Istogut, në të cilën operojnë 27 biznese”- thuhet në përgjigjet e Komunës së Istogut.
Një premtim që është realizuar është ai për dixhitalizimin e platformës online të bjeshkatërisë e të gjitha destinacioneve turistike të Istogut.
“Është krijuar platforma me të gjitha të dhënat e nevojshme për komunën e Istogut duke përfshirë: atraksionet turistike, shtigjet për hiking, bikin dhe paraglaiding, si dhe zonat me interes të veçantë, portali është i qasshëm në linkun http://istogumap.com”- thuhet në përgjigjet e komunës.
Komuna e Istogut funksionon me 13 drejtori, e vetëm 2 nga to i udhëheqin gratë. As ky premtim nuk është realizuar pasi Ferati pati thënë se do të shkojnë përafërsisht deri në 50 për qind të drejtorive të cilat do të udhëhiqen nga gratë.
“Secili fshat i Komunës së Istogut, me prioritete zonat urbane edhe zonat që janë rreth shkollave, do të kenë ndriçim brenda mandatit”- kishte premtuar Ferati në debatin e vitit 2021 përballë Jeta Xharrës.
E në vitin 2024 ka ende fshatra të cilat ende nuk janë të kyçur në ndriçim publik.
“Gjatë dy viteve (2022 dhe 2023) kemi përfshirë gjithsej 26,455 metra ndriçim publik. Fshatrat që nuk janë të kyçura në ndriçim: Kaliqani, Dobrusha (Pjesërisht), Lubovë (Pjesërisht), Prigodë, Dubovë e Vogël, Kashicë (Pjesërisht) Prekallë, Drejë, Kosh, Veriq, Dubravë, Kërrninë, Shushicë, Padalishtë, Cerkolez, Suriganë”- thuhet në përgjigjet e komunës.
Dy çerdhe, ajo në qendër të Istogut, si dhe në fshatin Gurrakoc ende nuk janë realizuar.
“Një çerdhe të re që kushton 300 mijë euro dhe që mendoj se do të përfundoj brenda 2 viteve, çerdhja në fshatin në Gurakoc është ndërtu në vitin 2004 është një shtëpi dhe nuk i plotëson kushtet, çerdhe e re në Istog, çerdhe e re në Vrellë, dyfishim i kapaciteteve në Banjë. Në bazë të kërkesave edhe rritje të kapaciteteve në Rakosh, unë mendoj që mbërrijmë s’po them 100 për qind sepse në Zvicër nuk jemi, sepse shkop magjik s’kemi, por 90 për qind e fëmijëve të Istogut kanë me pas qasje në shërbimet e çerdheve”- thoshte Ferati.
Ekipi i ‘Jeta në Komunë’ ka verifikuar edhe këtë premtim dhe ka dalë se dy çerdhet e premtuara në Istog e Gurrakoc nuk kanë nisur ende.
“Në çerdhen e bashkësisë lokale në Banjë është shtuar edhe një klasë shtesë për të mbuluar të gjitha kërkesat për çerdhe që adresohen nga qytetarët për fëmijët e tyre. Është finalizuar rinovimi i kopshtit të fëmijëve në Rakosh, si dhe çerdhe e re në Vrellë. Po ashtu është në fazë të ri-tenderimit çerdhja e re në Gurrakoc në vlerë totale prej 700 mijë euro”- kanë dhënë detaje komuna për çerdhet e tjera të cilat ka pasur renovime apo ndërtime.
Projekti tjetër që kishte premtuar Ferati ishte edhe themelimi i Ndërmarrjes Banesore. Kjo ndërmarrje nuk është themeluar ende ndërsa pritet të funksionoj si departament.
“Nuk është krijuar Ndërmarrja Banesore pasiqë jemi në procesin e shthurjes nga KRM Ambienti në bashkëpunim me të gjitha komunat të cilat janë pjesë e kësaj ndërmarrje, më pastaj njësia e Istogut kalon si Ndërmarrje Publike Lokale, ku edhe është planifikuar që të jetë pjesë e kësaj ndërmarrje njësia e Ndërmarrjes Banesore si departament”- thuhet në përgjigjet e Komunës së Istogut.
As mësimi tërëditor nuk është realizuar si premtim i kryetarit Ferati, ndonëse ai thotë se kjo vjen si pasojë e mungesës së planifikimit të politikave të reja të arsimit.
“Mungesa e planifikimit të politikave të reja të arsimit, konkretisht nga MASHTI, ka bërë që të mos kemi mësim gjithëditor, pasi që nuk ka buxhet të mjaftueshëm nga granti specifik i arsimit për këto politika të reja”- vazhdojnë përgjigjet e komunës.
Një premtim i cili pritet të shihet në fund të mandatit nëse do të realizohet është edhe ajo për dyfishim të bursave për studentë të Istogut.
“Në vitin 2021 janë dhënë 82 bursa, vlera 49,200 euro. Në vitin 2022/23 janë dhënë 133 bursa – 61,000 euro dhe në vitin 2023/24 janë dhënë 139 bursa në vlerë prej 94,200 euro. Gjithsej nga viti 2021 deri në këtë vit kemi 194 bursistë komunal me buxhet total prej 135 mijë e 800 euro”- thuhet në përgjigjet e komunës.
Premtimi tjetër i Feratit ishte edhe funksionalizimi i repartit të maternitetit në QKMF në Istog, modernizmi i QMF-ve ekzistuese, si dhe një QKMF që është pjesë e buxhetit të nivelit qendror.
Në terren ekipi i “Jeta në Komunë’ ka parë se ka filluar puna përgatitore për t`u ndërtuar objekti i ri i QKMF-së ndërsa reparti i maternitetit ende nuk është funksionalizuar.
“Ka filluar ndërtimi i QKMF-së së re. Funksionalizimi i repartit të maternitetit nuk është bërë për arsye se janë bartur pajisjet nga QKMF-ja, për ndërtimin e QKMF-së së re dhe aty ku janë vendosur nuk është hapësira e duhur për të qenë në funksion. Kujtojmë se reparti i gjinekologjisë është në funksion dhe e kemi bartur në QMF- Gurakoc”- thuhet në përgjigjet e komunës.
Në anën tjetër, ekipi ka parë edhe se disa nga QMF-të që janë ndërtuar e promovuar nga kryetari Ferati janë të mbyllura për shkak të mungesës së stafit mjekësor.