Kompanitë që Pastrojnë Imazhin e Rusisë

Viteve të fundit në faqen e CNBC-së në internet dhe në Huffington Post janë publikuar disa opinione e kolumne, në të cilat lavdërohej Rusia, ndërsa pretendohej se janë shkruar nga profesionistë të pavarur, por të njëjtat ishin plasuar në emër të qeverisë së Rusisë nga kompania Ketchum, e kontraktuar për t’u marrë me marrëdhëniet e ekzekutivit rus me publikun. 

Kolumnat, të shkruara nga dy biznesmenë, një avokat dhe një akademik, lavdërojnë pa masë qeverinë ruse për “strategjinë ambicioze të modernizimit” dhe “zbatimin e ligjeve që kanë për qëllim mbrojtjen më të mirë të bizneseve dhe zvogëlimin e korrupsionit”. Në njërin nga opinionet e publikuara nga CNBC-ja, autor i të cilit është një udhëheqës ekzekutiv i një banke investuese me seli në Moskë, arrihej te përfundimi se “Rusia mund të jetë vendi më dinamik në kontinent.”

Nuk ka asgjë të pazakontë në punën që Ketchum-i po e bën në emër të Rusisë. Firmat për marrëdhënie me publikun tërë kohën përpilojnë opinione në emër të politikanëve, korporatave dhe qeverive të ndryshme. Fare rrallë mund të ndodhë që këto publikime të zbulojnë rolin e firmës së marrëdhënieve me publikun, në plasimin e opinionit, andaj zakonisht nuk bëhet e ditur se çka ndodh prapa skenës dhe si prodhohen opinionet në fjalë. 

Ajo që lexuesit e CNBC-së dhe Huffington Post-it nuk kanë ditur, e që zbulohet nga Zyra për Regjistrimin e Deklaratave të Agjentëve të Huaj (përfshirë Ketchum-in) e Departamentit të Drejtësisë, është se kolumnet janë plasuar nga firma e cila merret me marrëdhënie me publikun dhe ka kontratë me qeverinë ruse, mes tjerash edhe për të promovuar vendin si “të favorshëm për investime të huaja”.

Në se paku një rast, një nënkontraktues i Ketchum-it i është drejtuar një shkrimtari duke i  ofruar që të vendosë kolumnet e tij nëpër media të ndryshme. Shkrimtari në fjalë, Adrian Pabst, ligjërues i shkencave politike në Universitetin e Kentit, tha se qëndrimet ishin të tij dhe se nuk ishte ndikuar ose paguar nga Ketchum-i. 

Artikujt u publikuan në pjesën e ndarë për shkrime të mysafirëve specialë në faqen e CNBC-së në internet, ndërsa zëdhënësi i këtij mediumi nuk pati koment për këtë çështje. Zëdhënësi i Huffington Post-it tha se kolumna e plasuar nga Ketchum-i nuk përbën shkelje të politikave të faqes së tyre. 

Zëdhënësja e Ketchum-it, Jackie Burton, tha për ProPublica se kur firma ka të bëjë me ekspertë ose media në emër të Rusisë, “ne deklarojmë qartas se përfaqësojnë Federatën Ruse, në pajtim me politikat e Ketchum-it dhe standardet e kësaj industrie.”

Rusia, e cila shpeshherë kritikohet për abuzim të të drejtave të njeriut dhe korrupsion, ka paguar majmë për punën e bërë në marrëdhënie me publikun. 

Sipas të dhënave nga deklaratat financiare të kompanisë, nga mesi i vitit 2006 deri në mesin e vitit 2012, Ketchum-i është paguar nga Rusia me 23 milionë dollarë për shërbimet e ofruara dhe shpenzimet, si dhe 17 milionë dollarë tjerë i ka marrë nga Gazpromi, gjiganti energjetik i kontrolluar nga shteti rus. 

Redaktorët e opinioneve, të intervistuar nga ProPublica thanë se ata punojnë për zbulimin e të gjithë interesave dhe konflikteve financiare – ose nuk pranojnë fare të publikojnë artikuj që kanë natyrë reklamuese. 

“Njerëzit shkruajnë opinione, sepse kanë agjendat e tyre. Megjithatë, ndarja e agjendave etike nga ato joetike, është vërtetë e vështirë,” tha Sue Horton, redaktore e opinioneve për Los Angeles Times. 

Horton tha se roli i firmave të angazhuara për marrëdhënie me publikun nga qeveria ruse në publikimin e opinioneve në CNBC dhe Huffington Post “përbën një lajm të cilin lexuesit mbase duan ta dinë”. 

Opinionet që Ketchum-i i ka plasuar në emër të Rusisë, sipas deklaratave financiare, janë:

Shkrimi në CNBC, në mars të vitit 2010 nga Peter Gerendasi, i cili atëbotë ishte partner menaxhues në Pricewaterhouse Coopers Russia, në të cilin lavdërohet qeverisja e presidentit rus të asaj kohe, Dmitry Medvedev, për “përcaktimin e prioriteteve strategjike si diversifikimi, inovacionet, promovimi i bizneseve të vogla, përkrahja e familjes dhe fuqizimi i sistemit financiar në vend, në mënyrë që i njëjti të mund të sigurojë kapital investues që do të mundësojë rritjen e bizneseve dhe realizimin e potencialit të tyre.” Gerendasi nuk pranoi të komentojë këtë shkrim, ndërsa Pricewaterhouse Coopers tha se nuk i ka paguar Ketchum-it që këtë shkrim ta plasojë në media, duke refuzuar dhënien e çfarëdo komenti të mëtejmë. 

Shkrimi “Rusia – drita e rritjes në Evropë” në CNBC në prill të vitit 2010 nga Kingsmill Bond, i cili atëbotë ishte kryestrateg i bankës investuese moskovite Troika Dialog. Në të Rusia shquhej si potencialisht “vendi më dinamik në kontinent” për investitorët. Bond, i cili tani punon në Citigroup, tha për ProPublica se nuk i kujtohet që Ketchum-i të ketë luajtur ndonjë rol në këtë shkrim. 

Shkrimi i titulluar “Projekti i modernizimit i Presidentit Medvedev” i publikuar në shtator të vitit 2010 në Huffington Post nga Pabst, profesori i Universitetit të Kentit. Edhe pse thekson se në vend ekzistojnë probleme me respektimin e të drejtave të njeriut dhe korrupsionin, pjesa kryesore e opinionit të Pabst-it është lëvdata për “vizionin transformues të politikës së brendshme dhe të jashtme të Rusisë” së Medvedev-it. Pabst-i tha për ProPublica se ai ishte kontaktuar nga një nënkontraktor i Ketchum-it, i quajtur Portland Communications, dhe shtoi se nuk është paguar për këtë shkrim. Ky shkrim, si dhe një shkrim tjetër që ai e ka shkruar për një faqe interneti që menaxhohet nga Ketchum-i, “pasqyrojnë idetë dhe argumentet e mia,” tha ai në një email. 

Shkrimi në CNBC në janar të vitit 2012 nga Laura Brank, udhëheqëse e degës së firmës ndërkombëtare të avokatisë Dechert në Rusi, në të cilin lavdërohej qeveria ruse për punën e bërë drejt zhdukjes së perceptimit se vendi ka një klimë të pafavorshme për investime të huaja “përmes implementimit dhe zbatimit të ligjeve të disenjuara për të mbrojtur më mirë interesat e bizneseve dhe për të zvogëluar korrupsionin.” Brank nuk iu përgjigj kërkesave për të komentuar këtë shkrim. 

Edhe pse Ketchum-i pretendon se gjithnjë e identifikon klientin në punët që i bën me mediat, emaili i vitit 2010 të cilin Ketchum-i ia dërgoi Huffington Post-it kur dërgonte kolumnën e Pabst-it, nuk e përmendte fare faktin se Rusia ishte klient i tij. (shih emailin e plotë këtu). 

“Në vijim është një shkrim nga Adrian Pabst-i, studiuesi më i shquar i Rusisë në Evropë,” shkruante atëbotë nënkryetari i Ketchum-it Matt Stearns, i cili tani punon në United Health Group.

Ketchum-i thotë se Stearns, në korrespondencën e tij të mëparshme me redaktorin e Huffington Post-it, e kishte identifikuar Rusinë si klient të firmës, mes tjerash duke kërkuar krijimin e një “blogu në faqen e redaktorit, për një anëtar të qeverisë ruse.” Kompania nuk e ka siguruar këtë korrespondencë. 

Zëdhënësja e Huffington Post-it, Rhoades Alderson, tha se faqja e tyre e internetit ka politikë që kërkon nga shkruesit kontribues, që të zbulojnë të gjitha konfliktet dhe interesat financiare që kanë lidhur me çështjen për të cilën shkruajnë, por sipas saj Pabst-i nuk e ka shkelur këtë politikë. 

“Puna e redaktorëve të blogëve tanë është të sigurohemi se të gjitha postimet ofrojnë vlerë të shtuar për lexuesit tanë,” tha Alderson në një deklaratë. “Pjesë e kësaj pune është edhe gjykimi mbi transparencën e motiveve të kontribuuesve, madje edhe në rastet kur nuk bëhet fjalë për shkelje të politikave, për zbulimin e informatave. Shkrimet e dorëzuara nga firmat që merren me marrëdhënie me publikun ngrisin alarmin, por ato nuk diskualifikohen automatikisht, nëse shkrimet kanë vlerë të shtuar dhe janë në pajtim me udhëzimet tona.”

Plasimi i opinioneve është pjesë standarde e lojës së ndikimit, por rrallëherë lexuesit arrijnë ta kuptojnë se kush fshihet prapa shkrimit. 

Në vitin 2011, firma kulminante për marrëdhënie me publikun Burson-Marsteller u vu nën kritika të rrepta, pasi që kishte kërkuar nga një shkrimtar-kontribues në blog që të kritikojë standardet e privatësisë së Google-it. Burson atëbotë punonte në bazë të një kontrate me Facebook-un. 

Janë të njohura rastet kur firmat për marrëdhënie me publikun shkruajnë opinione dhe i publikojnë ato nën emrat e ndonjë pale të tretë, e madje edhe i paguajnë ekspertët për të shkruar opinione që u shkojnë atyre për shtati. Nuk ka dëshmi që Ketchum-i t’i ketë paguar autorët e opinioneve për Rusinë, ose t’i ketë shkruar opinionet përmes ndonjë shkrimtari në hije. 

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në ProPublica